Burrat e politikës në Shkodër
Në Shkodër nëna dhe motra, janë me të vërtetë të shenjta. Nuk ka dyshim që është një kryevepër qytetarie kjo.
Nga Besi Bekteshi
Në një prej qyteteve ku trashëgimia është madhështore, patjetër që nuk mungojnë burrat dhe padyshim dhe burrat e politikës dhe fjalës apo veprave. Që nga feudalët me Bushatlinjtë në krye, e deri në burrat e sotëm. Kuptohet të rangut Karamahmut Pasha dhe Luigj Gurakuqi, por edhe të tjerë me shumë emër dhe shumë veprimtari të larta. Në fakt nuk është ky qëllimi i opinionit tim. Sepse burrat qytetarë shkodranë që nga politika, biznesi, arti dhe sporti, por edhe diplomacia etj....janë shumë dhe shumë më tepër se sa në qytetet e tjera të Shqipërisë. Është vetë historia që tregon. Por sot fjala “burrat” e politikës...ka marrë konotacion të njerëzve të fuqishëm në politikë. Jo thjesht si gjendje gjinie....si gjendje fiziologjike. “Burrat” shkodranë të politikës në fakt në ditët e sotme janë gratë. Pra titulli më mirë do të ishte “Gratë e politikës në Shkodër” dhe patjetër që nuk duhet kuptuar për keq. Jo aspak....sepse jo vetëm që kanë eklipsuar burrat, por kanë tashmë maninë që të mos i lënë as të flasin dhe as të kenë “autonomi” fjale dhe veprimi. Mbase nuk kam shumë të drejtë kur them “nuk i lënë”....por do të ishte shumë keq po të deklaroja se “nuk duan ose nuk kanë fuqi apo nuk dinë të flasin”....burrat. Në këtë mënyrë duke ju rënë në qafë grave-burra të politikës në Shkodër....po ju atribuoj mungesën e mashkujve në politikën e Shkodrës, karakterit burrnor të grave shkodrane.
Në të vërtetë qyteti i madh i veriut ka një traditë. Në Shkodër, nëna, dhe gjyshja, por edhe motra respektohen. Jo vetëm kaq, por edhe kanë një pozitë shumë më të fortë në shoqëri dhe familje. Në shumë raste edhe sundojnë, duke qenë të zonjat në vendim marrje, dhe pse jo, në edukimin e përgjithshëm familjar dhe zakonor. E kam fjalën për qytetin, dhe një pjesë rrethinash ku qyteti rrezaton, e kjo, si në anën myslimane dhe atë katolike. Në Shkodër nëna dhe motra, janë me të vërtetë të shenjta. Nuk ka dyshim që është një kryevepër qytetarie kjo. Janë më të guximshme, më të prera në veprime dhe më të shkathta në arsyetim. Nuk e kam fjalën për gruan shtëpiake dhe gjithmonë në punët e shtëpisë, por në ato që konsiderohen “gra të mëdha Shkodre”. Ose më mirë të themi “zonja Shkodre”. Nejse kjo e gjitha që kam shkruar deri tani, shërben për tu futur realisht në temë. Si është problemi i “burrave të politikës në Shkodër”? I burrave, burra...!? Pothuaj nuk ka. I fundit ka qenë, i ndjeri Pjetër Arbnori. Është kush, të më sqarojë se Shkodra ka burra që flasin, mbajnë qëndrime, përballen dhe janë lartësi politike? Kush është? Sidomos në rëndësinë që ka politika në Tiranë! Nuk po pyes se po më bren meraku...se nuk ka “burra” politika e përfaqësimit shkodran. As që bëhem merak për këtë gjë. Por është një turp i madh, sepse është një mungesë karakteri, një mungesë guximi politik dhe njerëzor, një sistem aspak i ndershëm i mbijetesës në politikë, dhe për më tepër, një shembull i keq se si politika shkodrane nuk prodhon dot burra. Sidomos ato që duhet ta përfaqësojnë atë në parlament. Për më tepër, jo nga rrethinat, por nga qyteti i Shkodrës, pra qytetarë të mirëfilltë. Sot politikën e Shkodrës e përfaqësojnë zonja Jozefina Topalli dhe mbas saj zonja Arenca Troshani. Topalli tashmë dihet se është “burrë shkodre” jo thjesht në qytetin e saj, por edhe në Tiranë, dhe fuqia e saj politike rritet, sepse jo vetëm që ka leje, por edhe është guximtare në politikë. Ka një diferencë të jashtëzakonshme me të gjithë gratë dhe burrat e Shkodrës, dhe pse jo edhe në Shqipëri.
Arenca...më tepër është një simpati i Topallit dhe grua e mirë edhe e besueshme, duke qenë larg në fjali, në veshje dhe në intelekt politik. Por ama ajo është e dyta në Shkodër që mban qëndrime, sepse nga shumë burra lart...nuk dëgjohet gjë, ose nuk kanë. leje. Edhe kur ju thua për ndonjë prononcim...të vendosin në një hall të madh me dashamirësinë e tyre, e cila duhet përkthyer në konceptin...ça po të duhet or burrë, lene ma mirë atë muhabet...! Bën përjashtim zoti Luka...por ai është trend në vete. Mirëpo tani, me sa duket këtë punën e burrave e ka kuptuar edhe Edi Rama...eeee e ka marrë vesh se “burrat” në Shkodër, kanë dëshirë të jenë...mbas grave.
Në këtë pikë ai ka menduar që “shefja” e socialistëve të jetë Keti Bazhdari. Bazhdari është “antipodi” i Topallit sipas Ramës. Pse? Po sepse është katolike...e pashme në një lloj tjetër, por padyshim e tillë. E persekutuar si Topalli dhe sot klasë e lartë...sepse është pronare e një fabrike të brendshmesh, ku ka të punësuara shumë gra shkodrane. I ati i saj është kreu i të persekutuarve shkodranë dhe e bija e dizenjuara të jetë kreu i socialistëve shkodranë. Ide plotësisht në linjë të Ramës. E dizenjuara, sepse në fakt, kreu është Edip Shiroka që tashmë është larg vendimmarrjes dhe komunikimit me selinë e PS-së në Tiranë. Në Shkodër, në të vërtetë është Keti që po komandon dhe udhëheq socialistët, dhe nga Tirana vjen Ilir Beqja. Tashmë politikën shkodrane, si në qytetin e madh verior, dhe në Tiranë e komandojnë gratë, ndërsa burrat janë në hije. Por jo nën hije “ku lozin e kuvendojnë”...kurse ajo “pika që s’u bie se nga gratë rrojnë” duhet të jetë gjysmë alegorike...sepse vërtetë nga gratë rrojnë politikisht dhe pse jo ekonomikisht, në sajë të lejes politike. Në klube po...aty pastaj ato bëjnë “politikën e madhe”. Përpara një gote dhe kafeje...Shkodra dhe Shqipëria rregullohet dhe sistemohet prej tyre. Aty nuk klub, ato bëjnë namin me ndonjë barsoletë dhe marrje nëpër gojë....thashethem. Po pikërisht aty.
Comments (0 posted)
Post your comment