Home | Opinion | Kudo egoizma kombëtare

Kudo egoizma kombëtare

image
Ku do të përfundojë kjo? Askush nuk e di, sepse askush nuk ka një plan apo koncept. Marrëveshja e Dublinit ka dështuar prej kohësh. Shengeni ka radhën të dështojë. Sepse cili është ai vend që do t'i mbajë hapur kufijtë për refugjatët, të cilët nuk duan të qëndrojnë në të?

 

 

 

Felix Steiner

 

 

 

Ajo që ne sot e njohim si Bashkimi Evropian, ka pasur më parë një sërë emërtimesh të ndryshme. Dikur ai është quajtur p.sh. Komuniteti Ekonomik Evropian. Ndonjë filantrop mund të kishte dëshiruar që ky komunitet të mbante edhe emërtimin "Komuniteti i vlerave Evropiane". Por, në fakt, si asokohe edhe sot në epiqendër mbetet ekonomia, gjithçka sillet rreth interesave ekonomike.

 

Zanafilla e një bashkimi evropian ishte dëshira e vendeve fqinjë të Gjermanisë, për të ruajtur kontrollin ndaj rindërtimit ekonomik të Republikës Federale. E kuptueshme kjo - nuk kishin kaluar ende as dhjetë vjet nga fundi i nacionalsocializmit. Nga kjo kohë rrjedh edhe forma mbinacionale e organizimit të BE-së: ajo çka më parë ka qenë përgjegjësi e shteteve kombëtare, i kalon një autoriteti mbi shtetet anëtare - pra Komisionit të sotëm të BE-së.

 

Optimistët asokohe shpresonin, që suksesi i këtij modeli automatikisht do të bënte, që shtetet kombëtare gjithnjë e më shumë sektorë politik do t'ia kalonin institucioneve mbinacionale në Bruksel. Me këtë ata janë gabuar.

 

Sepse, forca e vërtetë e rëndesës së BE-së nuk është Komisioni, por Këshilli - mbledhjet e ministrave kombëtarë të një fushe të caktuar ose - në rast të temave veçanërisht të rëndësishme - është mbledhja e kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Në këto raunde ndonjëherë debatohet ashpër e ndonjëherë bëhet pazar banal. Në to nuk synohet për "vlera të përbashkëta" të Evropës, por për avantazhe kombëtare, që çdo vend synon t'i arrijë për vete. Kështu dhe aspak ndryshe funksionon BE-ja prej dekadash. E madje me sukses të madh: Evropa Perëndimore prej 70 vjetësh nuk ka pasur më luftë dhe ka krijuar një zonë të pashembullt të mirëqenies.

 

Natyrisht, Gjermania ka mundësuar shumë kompromise, prej të cilave ajo shpesh ka paguar më shumë se të tjerët. Tekefundit shpesh ky ka qenë edhe egoizëm kombëtar, sepse ekonomia e fortë gjermane e orientuar nga eksporti ekzistencialisht është e varur nga një Evropë funksionuese, një dështim i Evropës do të ishte i kushtueshëm.

 

Deri më sot çdo vend anëtar vigjëlon me kujdes, që të mos japë shumë kompetenca në Bruksel. Një politikë e përbashkët e BE-së për Punë të Jashtme dhe Sigurinë? Asgjë nuk e meriton vërtetë këtë emër. Pikërisht për këtë arsye aktualisht kriza e refugjatëve nuk është as rastësi dhe as domosdoshmëri, por vetëm shprehje e një dështimi të përbashkët politik.

 

Natyrisht, BE-ja do të kishte mundur ta parandalonte një pjesë të madhe të lëvizjes së sotme të refugjatëve. Kjo mund të bëhej p.sh. nëse do të plotësohej në kohën e duhur thirrja për ndihmë nga UNHCR për kampet e refugjatëve në Jordani, në Liban dhe në Turqi. Atje nuk ofrohet as mësim për fëmijët dhe ndërkohë nuk ka as ushqim mjaftueshëm. E, kush mund të habitet tani, kur prej javësh mijëra marrin rrugën? Por kjo do të kish kushtuar para. Ndërsa ajo që po ndodh tani kushton shumë herë me tepër para!

 

E, sikur të mos jetë kuptuar, se çfarë po ndodh aktualisht, gjithsekush bën detyrën e vet kombëtare: Greqia dhe Italia thjeshtë i lenë refugjatët të kalojnë më tej, Hungaria ndërton gardhe, Evropa Lindore është indiferente dhe Angela Merkel fton pa u marr vesh me askënd të gjithë sirianët në Gjermani, por megjithatë ajo do që ta ndajë barrën dhe i duhet që pas një jave të kapitullojë së paku pjesërisht. Kjo sepse detyra e ka kaluar çdo masë. Ndërsa në Bruksel ministrat nuk mundën të bien dakord për shpërndarjen e 160 mijë njerëzve, shumë më tepër kanë mbërritur e të tjerë do të pasojnë. Askush nuk ka kontroll mbi atë se cilët janë ata, nga vijnë dhe ku shkojnë. Politika si fuqi konceptuese mungon këto ditë në Evropë.

 

Ku do të përfundojë kjo? Askush nuk e di, sepse askush nuk ka një plan apo koncept. Marrëveshja e Dublinit ka dështuar prej kohësh. Shengeni ka radhën të dështojë. Sepse cili është ai vend që do t'i mbajë hapur kufijtë për refugjatët, të cilët nuk duan të qëndrojnë në të? Mos vallë me të po humbet edhe një vlerë themelore e Evropës? Udhëtimi i lirë ishte vërtetë diçka e bukur, por një jetë komode ka qenë e mundur edhe para kësaj. Përmes kufijve të rinj në radhë të parë do të shtrenjtohet në mënyrë dramatike transporti i mallrave. E kur shifrat ekonomike janë në rrezik - ndoshta më në fund do të lëvizë diçka.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00