Home | Opinion | Hajdutë dhe kusarë miliarderë në politikë, e milionerë në pension...

Hajdutë dhe kusarë miliarderë në politikë, e milionerë në pension...

image
Politikanët, e dinë më mirë se kushdo tjetër, që çdo profesion të sjell një pagë të caktuar, të ulët apo të lartë. Por sado e lartë të jetë paga e një profesioni të caktuar, ajo nuk mund të krahasohet kurrë me pagën «pa kufi» që të sjell politika

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi  

 

 

 

 

 Është shumë aktuale edhe sot, ajo ç’ka Faik Konica shkruante para nëntëdhjetë e tre vitesh: «Populli shqiptar, ka veti shumë të mira... por një bandë maskarenjsh, ryshfetxhinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinj, kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh». As më shumë e as më pak «banda» të tilla politikanësh, që kërkojnë të bëjnë ligjin mbi këtë popull të vuajtur për dekada të tëra, nuk po i ndahen. Kështu qenka e thënë e kështu qenka e shkruar... Kanë kaluar qysh atëherë dekada të tëra dhe gjendja mbetet po ajo. Politikanë mashtrues, hajdutë e ryshfetxhinj që kërkojnë ta nxjerrin në «selamet» këtë popull të vuajtur, i cili me gjithë pasuritë përrallore që i fali natyra, vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europë. «Zgjuarsia e politikanëve që vazhdojnë të bëjnë ligjin me këtë popull, shkon përtej asaj që ata zhvatin me të dy duart pasuritë e vendit dhe djersën e popullit. Ata, jo vetëm kaq, por edhe i bëjnë karshillëk qytetarëve, bëjnë sikur zihen e shahen me njëri tjetrin. Po përse? Mos vallë ata shahen si rrugaçë të rëndomtë për interesat e qytetarëve, për rritjen e mirëqenies, për përmirësimin e jetesës të shtresave në nevojë? Absolutisht jo. Ata bëjnë sikur akuzojnë e shahen me njëri tjetrin për të krijuar mjegullnajën që më pas «ujqit» të bëjnë kërdinë... 

 

Për të mos shkuar më larg, në regjimin që lamë pas, le të shohim pak se si është qeverisur ky vend në këta njëzet e pesë vite. Them për të mos shkuar më larg, pasi politikanëve të sistemit të djeshëm, këta politikanë falsë që kanë mësuar vetëm të zhvatin, u marrin të keqen atyre, që megjithë zullumet dhe huqet që kishin, nuk abuzuan si këta spekulantë të këtij një çerek shekulli. Të gjithë, me dallime shumë të pakta, dolën nga regjimi i kaluar dhe hynë në sistemin e ri. Kur them me dallime shumë të pakta, e kam fjalën për nga pasuria, që ata trashëguan nga e kaluara, të cilët me pak ndryshime, ishin pothuaj në të njëjtin nivel. Mbasi i «hapi sytë» demokracia, disa që nuk mundën të përparonin dot në sistemin e kaluar, i cili ua vinte këmbët në një «këpucë» gjetën «shesh» në demokraci dhe ju futën «përsheshit»! Brenda një kohe të shkurtër, njerëz të veçantë, shkuan në majë të piramidës, e të futen në ata të paktë milionerë e më tej akoma në miliarderë. Nuk ka rëndësi sa janë këta, janë gjashtë qind apo shtatëqind, siç shkruante një e përditshme, apo janë disa dhjetra. Rëndësi ka ajo që të gjithë këta, me përjashtime shumë të rralla, janë të gjithë ose politikanë të mirëfilltë, ose njerëz që i kanë shërbyer politikës. Politika të bën të pasur, politika të krijon favore, politika i bën «zap» të gjitha. Këtë ka parasysh çdo njeri që i futet politikës, që edhe sikur të shpenzojë shuma të mëdha, përsëri politika ato shumë shpejt do t’ia shlyejë dhe do t’i sjellë fitime. Mos vallë nuk kanë të drejtë mjekët, inxhinierët, ekonomistët, gjyqtarët apo juristët, të cilët heqin dorë nga profesioni i tyre dhe i futen politikës? Edhe zgjedhjet e fundit e vërtetuan këtë. Nuk u vendosën nga partitë kandidatura të përshtatshme, njerëz të përkushtuar ndaj punës, por e keqja ishte që ata ishin të varfër, nuk kishin të paguanin shuma të mëdha për të «blerë» karrigen e kryetarit të bashkisë. Nuk u interesojnë krerëve të politikës nëse janë trafikantë, kriminelë apo njerëz të korruptuar, mjafton që të fitojnë karriget! U futën shumë lehtë njerëz të tillë në politikë dhe tani është e vështirë të shkulen nga karriget.

 

Politikanët, e dinë më mirë se kushdo tjetër, që çdo profesion të sjell një pagë të caktuar, të ulët apo të lartë. Por sado e lartë të jetë paga e një profesioni të caktuar, ajo nuk mund të krahasohet kurrë me pagën «pa kufi» që të sjell politika. Çdo zanat e profesion, të jep një pagë për aq kohë sa je në detyrë, me largimin nga ky profesion, merr fund edhe paga. Përkundrazi, në politikë nuk ndodh kështu. Në politikë, për aq kohë sa je në detyrë, deputet apo ministër, je miliarder dhe më pas me largimin nga kjo detyrë bëhesh milioner! Deputeti apo ministri, për kohën që është në detyrë i ka duart e «zgjidhura». Ai futet kudo. Ai ka shokë e miq, ai bën ndere e favore, ai ndërhyn tek të tjerët, sepse edhe këtij ja kanë «nevojën», ai bën tendera e organizon vizita, shkurt, ai bëhet «copë» për popullin! Ai ka një pagë të caktuar, aq sa ia caktuar shteti, por që deputeti apo ministri këtë pagë në fund të muajit, për «humanizëm», ja jep nipit apo mbesës të vogël që ata ta hedhin në ato «hekurushkat» e tyre që hedhin në arkat e kursimit lodra të shtëpisë! Nuk kam një shifër të saktë, por e di që nuk janë me qindra, por me mijëra ata që kanë qenë deputetë, ministra apo funksionarë të lartë të legjislativit dhe ekzekutivit, qysh nga vitet ‘90 e këtej. Të gjithë këta, për kohën që ishin në funksione, ishin miliarderë dhe sot që nuk janë në këto funksione, janë milionerë, vetëm se sorollaten e «shijojnë» pasuritë e tyre që i ka sjellë «lumi» kur ishin në pushtet. Të gjithë këta «Ishë», që tani nuk janë, marrin një rrogë të majme, pa ato të ardhurat që u sjellin bizneset e tyre, ku nuk ka biznes që ata të mos jenë aksionerë, nuk ka investim që ata të mos jenë pjesëmarrës, nuk ka sektor ku të mos jenë pjesëmarrës aktivë. Për çfarë meritash këta «ishë» marrin rroga të majme nga taksapaguesit shqiptarë? Për asgjë tjetër, përvecse dallavereve, mashtrimeve e zhgënjimit që kanë sjellë tek qytetarët! Ata kanë punuar për të ardhmen, kanë akoma miq e shokë që u kanë bërë atyre aq ndere për të mos u harruar. Më tej akoma. Sa dhjetra e qindra funksionarë të lartë janë që të ardhurat u vijnë nga shumë drejtime. Ata janë bërë si «kuçedra» me shumë koka, që edhe kur u «pritet» njëra kokë, kur largohet nga një detyrë, ka funksione të tjera që marrin të ardhura. 

 

Politikanët, akoma edhe sot, mbas njëzet e pesë vitesh demokraci, nuk e kuptojnë atë, që krizë mbi kriza këtu është kriza e besimit. Politikanët nuk janë të besueshëm në premtimet e tyre. Nuk janë të besueshëm sepse qytetarët e shohin, e prekin dhe e vuajnë vetë këtë realitet të «sheqerosur» nga jashtë e të «kalbur» nga brenda. «Lumi» demokratik i këtyre njëzet e pesë viteve, ka marrë ç’ka gjetur përpara dhe i ka sjellë në këtë «rezervuar» njëzet e pesë vjeçar! Në fund të këtij «rezervuari» ndodhen ata që me të vërtetë i rëndojnë aftësitë, dijet e njohuritë dhe mbi sipërfaqe kanë mbetur ata që nuk u «rëndon» asgjë, që «pesha» e milionave, është fare e papërfillshme që t’i krijojë njëfarë rëndese! Këta janë të paaftët, hileqarët, vjedhësit e mjeshtrat e parave të pista, të krimit e të gjithfarë pisllëqeve, që kërkojnë të mbulohen me kostumet e shtrenjta të deputetit, të zyrtarit të lartë apo gjykatësit. Askush nuk ka besim se këta do të bëjnë reforma, se do të vendosin ligjin, apo do të ndërtojnë shtetin ligjor. Gjithçka që flitet, nuk është gjë tjetër përveçse një shou mediatik. Thuhet se do të bëhet reformë në drejtësi, e do të «tundet dheu»!. Kush do ta bëjë këtë reformë? Ata që vjedhin me të dy duart e nuk deklarojnë pasurinë e tyre të vjedhura? A mund të bëhet reformë në drejtësi me gjyqtarë të «shtrëmbër»? Thuhet se do të hapen dosjet e do të ndajnë «shapin nga sheqeri». Po kush do t’i hapi dosjet, kur të gjithë u tremben atyre? Vetëm «bum», «bum», «bum», e asgjë më shumë. Do ta bëjnë këtë reformë ata që një funksionar i lartë, deputet apo ministër, nuk është i vetmi që i shkakton dëme të pallogaritshme shoqërisë, por kanë edhe një duzinë nga mbrapa tyre, si familjarë, të afërm, krushq e kushërinj të punësuar në punë, atje ku rrjedhin milionat! Kush do të vendoset në punë të zgjedhura, do të vendoset vëllai apo motra e qytetarit të papunë apo do të vendoset gruaja, vëllai e motra e gjyqtarit, ministrit apo deputetit? 

 

Shikoni vetëm Kuvendin, i cili është bërë aq qesharak, sa që jo ata që diskutojnë, por edhe ata që i dëgjojnë u vjen turp të dëgjojnë disa rrugaçë profesionistë. Shumë prej këtyre ligjvënësve, janë të lidhur me krimin, me trafiqe të ndryshme e të droguar. Shumë të tjerë, as nuk ndihen e nuk marrin pjesë se për c ‘farë diskutohet, por vetëm qëndrojnë si statuja, e gogësijnë duke pritur të mbarojë seanca. Me të mbaruar seanca, ata bëhen shumë «aktivë» në bizneset e tyre, në punësimin e të afërmve, në aktivitete të ndryshme në interes të fitimit. Këto janë të përjetshme, kurse diskutimet në Kuvend janë llafe pazari që vetëm sa shqetësojnë njerëzit! Krimi nuk luftohet kurrë nga kriminelët, korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit, drejtësia nuk mund të vendoset nga politikanë që kanë shtrembëruar tërë jetën politike të vendit. Përtej kësaj, gjithçka është tymnajë, gjithçka është falsitet, na pëlqen apo nuk na pëlqen ta themi, në këtë «pisllëk» politik! Me këtë popull ndihen shumë komodë edhe politikanët më të këqij. Rrugën më të shkurtër ky popull e ka gjetur për t’u larguar nga vendi dhe jo të kërkojë të drejtat e tij. Rritet çmimi i bukës, askush nuk flet. U presin edhe gjënë më elementare të jetës, ujin, askush nuk flet, blejnë ilaçe të skaduara sa «bishti koka», askush nuk flet. Rriten çmimet e karburantit e gjithçka tjetër, askush nuk flet. Vallë, nuk kanë të drejtë që disa politikanë injorantë të tallen me këtë popull? Populli ngrihet vetëm atëherë kur i bëhet thirrje nga Basha për të rrëzuar qeverinë Rama-Meta, apo nesër për të rrëzuar qeverinë që do të vijë, kur të bëjë thirrje opozita! Kemi apo nuk kemi popull? Mos vallë kemi vetëm militantë partish që protestat t’i bëjnë vetëm kur i bëhet thirrje nga partitë, kurse protestat për ujin, për dritat, për çmimet, për rrugët, për prodhimet që i mbeten stoqe, t’i bëjnë vetëm në emisionet e mëngjesit në kanalet televizive? 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0