Armiqtë e Diellit
Energjia eolike dhe ajo diellore kanë pasur një reputacion si diçka ekstravagante dhe e marrë, që nuk mund të jetë një qasje serioze për energjinë tonë të së ardhmes dhe shumë njerëz kanë ende këtë perceptim.
Nga Paul Krugman, The New York Times
A e mban mend njeri task-forcën e energjisë së Cheney? Në fillimet e administratës së George W. Bush, zv.presidenti Dick Cheney nxori një raport që u përqesh së tepërmi si një dokument i shkruar nga dhe për kompanitë e mëdha të energjisë, sepse në fakt ashtu qe. Administrata u përpoq me mish e me shpirt që ta mbante të fshehtë procesin se si u bë raporti, por lista e njerëzve të cilëve iu vinte përshtat task-forca doli dhe qe tamam sikurse pritej: një grup krerësh ekzekutivë të industrive të energjisë, me grupet mjedisore që mundën të thonë fjalën e tyre vetëm pasi puna kishte përfunduar në vija të përgjithshme.
Por këtu qëndron çështja: për nga standardet e Partisë Republikane të sotme, raporti ‘Cheney’ u servir sikur qe edhe me ide të majta. Një kapitull i tërë i kushtohej mbrojtjes, një tjetër energjisë së rinovueshme. Për çudi, fjalimet e fundit të Jeb Bush dhe Marco Rubio — që vazhdojnë të jenë emërimet më të mundshme presidenciale të republikanëve – mezi i prekin këto çështje. Kur vjen puna te politika e energjisë, republikanët fosilizohen. E kanë mendjen vetëm te karburantet e fosileve, te karburantet e fosileve dhe asgjë tjetër.
Dhe ky është një zhvillim për t’u mbajtur shënim, sepse ndërkohë që është e vërtetë që nxjerrja e naftës nga shkëmbinjtë ka sjellë një brom në prodhimin e gazit dhe të naftës amerikane, po jetojmë gjithashtu në një epokë progresi spektakolar të energjisë eolike dhe diellore. Përse e djathta është bërë kaq armiqësore ndaj teknologjive që duken gjithnjë e më shumë si vala e së ardhmes?
Përpara se të përpiqem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, po jap disa fakte lidhur me energjinë e rinovueshme.
Energjia eolike dhe ajo diellore kanë pasur një reputacion si diçka ekstravagante dhe e marrë, që nuk mund të jetë një qasje serioze për energjinë tonë të së ardhmes dhe shumë njerëz kanë ende këtë perceptim. Por ky qëndrim është i vjetruar. Kostoja e energjisë së erës ka rënë ndjeshëm – 30 për qind vetëm në pesë vitet e fundit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Dhe panelet diellore po bëhen më të lira dhe më efikase me çmime fare mirë të përballueshme, reminishencë kjo e progresit të mikroçipeve që qëndron në bazë të revolucionit të teknologjisë së informacionit. Si rezultat i kësaj, energjitë e rinovueshme përbëjnë ndikimin më të madh në rritjen e kapaciteteve energjetike në vendet e përparuara.
Nga ana tjetër, energjia e rinovueshme po bëhet vetë një industri e madhe, duke punësuar disa qindra mijëra njerëz në Shtetet e Bashkuara. Punësimi vetëm në industrinë diellore tani e tejkalon numrin e të punësuarve në minierat e qymyrit, dhe energjia diellore po shton vende pune pavarësisht atyre që shkurtohen nga rënia e qymyrit.
Kështu që do të pritej nga njerëz si Rubio, që thotë se dëshiron ta “çlirojë potencialin tonë energjetik”, apo si Bush, që dëshiron ta “fuqizojë revolucionin e energjisë”, që ta përqafonin energjinë eolike dhe diellore si një motor të punësimit dhe rritjes ekonomike. Por ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Në të vërtetë, ata janë më pak mendjehapur se Dick Cheney, çka është një arritje negative. Po përse?
Një pjesë e përgjigjes është padyshim se promovimi i energjisë së rinovueshme lidhet në mendjen e shumë njerëzve me përpjekjet për të kufizuar ndryshimet klimatike – dhe mohimi i ndikimit në ndryshimin e klimës është kthyer në një nga pikat kyçe të identitetit konservator. E vërteta është se impakti klimatik nuk qëndron vetëm në djegien e fosileve të lëngshme, por ato janë ndër faktorët kryesorë që prekin ozonin dhe janë arsyeja më e madhe për të mbështetur energjinë alternative. Nga ana tjetër, energjitë e rinovueshme po bëhen konkurruese në kosto edhe në mungesë të incentivave të posaçme (dhe mos harroni se nafta dhe gazi janë subvencionuar gjatë nga kodi i taksave). Por lidhja e klimës me shkencën evokon një armiqësi të thellë tek e djathta.
Përveç kësaj, duhen gjëmuar edhe paratë. Kemi thënë se republikanët janë partia e parave të mëdha, por në ditët e sotme do të ishte më me vend të thuhej se është partia e Energjisë së Vjetër. Në fushatën e 2014-s industria e naftës dhe e gazit u dha 87 për qind të kontributit të saj politik republikanëve; për minierat e qymyrit ky kontribut shkoi në 96 për qind, po po, 96 për qind! Nga ana tjetër, energjia alternative kontribuoi me 56 për qind për demokratët.
Dhe Energjia e Vjetër është e angazhuar në një përpjekje sistematike për ta nxirë imazhin e energjisë së rinovueshme, e cila përmblidhet përafërsisht te mënyra se si i ka mbështetur “ekspertët” që kanë dashur të ngrenë re dyshimesh lidhur me shkencën e klimës. Një shembull: Më herët gjatë vitit ‘Newsweek’ botoi një opinion që kishte për qëllim të shfaqte se kostoja e vërtetë të energjisë eolike ishte më e madhe sesa dukej. Por doli se artikulli përmbante gabime të mëdha faktuale, dhe autori i saj nuk e tregonte se ishte profesori Charles W. Koch i Utah State, dhe anëtar i një think-tanku të mbështetur nga Koch-and ExxonMobil.
Mendoj se nuk ka shumë gjasa që politika e energjisë të luajë një rol kaq të madh sa çështjet e tjera, si për shembull politika e taksave, në zgjedhjet e 2016-s. Por në rast të kundërt, është mirë të dihet se çfarë luhet në të vërtetë.
Teksa politikanët e së djathtës mund të flasin lidhur me nxitjen e inovacionit dhe të promovimit të një revolucioni energjetik, në fakt ata janë mbrojtës të status quo-së energjetike, pjesë e një lëvizjeje që përpiqet të bllokojë çdo gjë që mund të shpërbëjë mbretërinë e fosileve të lëngshme.
Comments (0 posted)
Post your comment