Home | Opinion | Edhe “shejtani” si bashkëudhëtar i demokracisë!

Edhe “shejtani” si bashkëudhëtar i demokracisë!

image
«Shejtani», paraqitet në shumë forma dhe në shumë ngjyra, të cilat këto i ndërron sipas kohës dhe vendit. Ai paraqitet në formën e urrejtjes, smirës, mungesës së respektit, krimit, trafikantit, vjedhësit, mashtruesit etj., etj.

 

 

Nga Pandeli Bardhi  

 

 

 

Ashtu si njerëzit, edhe «shejtani» në sistemin e mëparshëm, nuk guxonte të shfaqej me natyrën e tij të vërtetë. Ai, si i «kudondodhur» tek çdo njeri, në shoqëri e deri lart në qeveri, qëndronte i strukur dhe nuk ndihej. Me rënien e sistemit, edhe «shejtani» apo «djalli», si simbolet e të keqes, morën krahë e duan të diktojnë kudo. «Shejtani» po bëhet aq i fuqishëm, sa që po mposht jo vetëm logjikën dhe arsyen njerëzore, por ai po merr edhe frenat e shtetit e po bën ligjin Si popull, kemi patur dhe kemi tradita të mira si patriotizmi, atdhedashuria, mikpritja, besa, trimëria etj. Kjo është e vërtetë dhe për këto dëshmon historia e popullit tonë me fakte të pakundërshtueshme. Por, është po kaq e vërtetë, edhe ajo që në këtë periudhë postkomuniste, këto cilësi aq të vyera, duket sikur janë vënë në plan të fundit dhe në plan të parë kanë dalë të kundërtat e tyre. Çfarë të jetë vallë ajo që e ka detyruar «shejtanin» të futet thellë në shoqërinë tonë e të jetë kudo prezent? 

 

«Shejtani», paraqitet në shumë forma dhe në shumë ngjyra, të cilat këto i ndërron sipas kohës dhe vendit. Ai paraqitet në formën e urrejtjes, smirës, mungesës së respektit, krimit, trafikantit, vjedhësit, mashtruesit etj., etj. «Duket sikur në jetën e përditshme «shejtani» i ka mposhtur «kundërshtarët» e tij, bujarinë, humanizmin, dashurinë, respektin, ndershmërinë, tolerancën, bashkëpunimin etj., etj., dhe ka imponuar veset e tij të hakmarrjes, urrejtjes, smirës, egoizmit, hajdutërisë, trafikantit, drogaxhiut, kriminelit etj., etj. Si është e mundur që këto cilësi që shoqëria jonë i kultivon qysh në kopësht, në shkollë e në shoqëri, t’i imponojë edhe me ligje e me gjithçka në jetën e përditshme dhe përsëri «shejtani» i sfidon të gjitha këto? Çfarë emri tjetër t’i vësh përveç asaj që qysh në kopësht e më tej në shkollë, më parë se «antishejtanët» mësojnë «shejtanin»? Edhe mësuesja e pa «shejtanëzuar» përgjigjet për disa të rinj: «A e di ç’të gjen po t’i flasësh për mirë atyre»? Pra mësuesja ka frikë nga «shejtanët»! Të jetë vallë fukarallëku, shkaktari kryesor i këtyre veseve, të cilat për hir të së vërtetës, duket të pranojmë që dikur qëndronin të strukura në thellësi të botës së secilit? Sikur nuk është shumë e bazuar kjo, po të shohim që më shumë se «shejtanë» janë ata që janë të pasur, qeveritarët, milionerët etj., etj. Përkundrazi, të varfrit janë më humanë, apo siç i karakterizon populli, ata «as nuk kanë dhe as nuk i mbarojnë»! «Shejtani» e nxit të pangopurin të bëhet politikan që të rrëmbejë prona e pasuri, të fusi në xhep miliona, e t’u kthejë kurrizin atyre që me ndershmëri, kërkojnë ujë, kërkojnë rrugë, kërkojnë ilaçe e shërbim mjeksor më minimalin e mundshëm. Edhe atëherë ishim ndoshta më fukarenj nga sot, por tek njerëzit dominonte humanizmi, dashuria, jo vetëm midis njëri tjetrit, por edhe në shoqëri, edhe në shkollë, edhe në fshat e deri në familje, ku nuk bëhej fjalë për harmoni e dashuri, si celula bazë e një shoqërie të shëndoshë. Sot, «shejtani» ka hyrë aq thellë, saqë është e pamundur ta nxjerrësh nga thellësitë. «Shejtani» sot është bërë shtetar, biznesmen, tregtar, kryefamiljar, qeveritar, pra thjesht ai është bërë i «plotfuqishëm»! 

 

Dikur, në sistemin e kaluar, «shejtanit» nuk i ishin krijuar kushte që të lulëzonte. Mungesës së kushteve, po t’i shtosh edhe frikën, «shejtani» mbytej nga kundërshtarët e tij «antishejtanë». Me ardhjen e demokracisë, ta quajmë kështu, mbasi akoma kjo nuk është demokraci, por një sistem «berisho-katrahurist», ai si «shejtan» që ishte, si simboli i djallëzisë, urrejtjes e mashtrimit, mori të gjitha «frenat» duke kaluar në plan të fundit «kundërshtarët» e tij të dikurshëm, ndershmërinë, sinqeritetin, respektin, të aftin e të diturin, punëtorin e atdhetarin, patriotin e humanin. Shteti i sapoardhur, me një ligj apo «shejtan» ligj, me numër 7501, i krijoi «shejtanit» të gjitha kushtet që të livadhiste i qetë, të vriste e të priste, të rrëmbente e të padiste, të rrëmbente tokën e pasurinë e atij që i takonte e t’ja jepte hajdutit. Edhe ky ligj, midis shumë faktorëve të tjerë i dha forcë «shejtanit» dhe ai nuk kursen të vrasi nënën e babanë, vëllanë e motrën, kushëririn e kushërirën edhe për një copë tokë, edhe për një vijë uji, edhe për një gojë bar që lopa e «pashejtanëzuar», merr në tokën e komshiut, që nuk e di e kujt është! Duket sikur «shejtanët» na kanë shpërfytyruar e nuk po gjejmë derman, në këtë shoqëri që të gjithë e shohim se si po degradon në mënyrën më të shëmtuar. Nuk është vetëm ky ligj, por pothuaj tërë aktiviteti i shtetarëve e qeveritarëve, është i «shejtanizuar»! Ja psh: Shteti bën investime në rrugë, në kopshte, në ndërtimin e depove të ujit, për barnat që rimbursohen etj., etj. Deri këtu, është për t’u falenderuar shteti sepse tregohet human. Por më pas, fillon e i del tymi «shejtanit». Rruga fjala vjen nuk përfundon kurrë ashtu si planifikohet. Pse? Sepse «shejtanët» qeveritarë, i vjedhin fondet. Depoja e ujit përfundon si ndërtim e lihet përgjysëm! Pse? Sepse mbarojnë fondet! Askush nuk del e të thotë që një vepër ka filluar e ka mbaruar në kohë e me të gjitha standardet! As edhe një e vetme, nuk ka përfunduar si e tillë. Më pas, akoma dalin të «palarat», arrestohet x-i apo y-i, sepse kanë mashtruar me fondet, kanë mashtruar me tenderat, kanë abuzuar me... E ç’të them më parë! 

 

Sa të vështirë e kemi ne, shqiptarët e një vendi me tradita, të bisedojmë me dashuri me shokun, me komshiun, me mikun, të zgjidhim mosmarrëveshjet me frymë mirëkuptimi, me tolerancë, e me harmoni. Po të veprojmë kështu, jo vetëm jeta nuk do të na iki, por përkundrazi, ajo do të na shtohet edhe më shumë. Kjo është rruga, qysh nga individi e deri tek të mëdhenjtë e vendit, që qeverisin, e «ç’qeverisin»!... Por ja që nuk janë të paktë, ata që këtë rrugë e quajnë «përulësi», «nënshtrim». Këta lloj shqiptarësh, zgjedhin rrugën e «burrërisë», atë që të heqin kokën edhe për një shikim me inat, edhe për një vonesë të picës, edhe për pesëdhjetë euro borxh, edhe pse i ka hedhur një llaf të dashurës së dashnorit! «Shejtani» hakmarrës qëndron në majë të hundës, qysh tek adoleshentët e deri tek ata të moshës së katërt, tek vëllai tetëdhjetë e tre vjeçar, që i pret ujin e dritat vëllait më të madh tetëdhjetë e pesë vjeçar, që bëhet peng që ky më i «vogli» të mos i gëzojë pronat e pasuritë! «Shejtani» ka hyrë edhe në familje, dikur aq e shenjtë e sot si zyrat e Hipotekës, ku dëgjon vetëm sherr! Asgjë nuk e justifikon burrin të vrasi gruan apo anasjelltas, që djali të vrasi babanë e anasjelltas, që vëllai vëllanë e kushëriri kushëririn! Këto i bën njeriu, që vepron mbi bazën e llogjikës dhe arsyes që i dikton forma më e lartë e zhvillimit të trurit. Kafsha, që nuk e ka këtë «privilegj», nuk bën veprime të tilla, pa e ditur që edhe «ligji» nuk e ndëshkon.

 

«Shejtani» kriminel është futur thellë kudo në shoqëri, në familje, në institucione, e deri lart në qeveri. «Shejtani» me «sejmenët» e tij, smirën, urrejtjen, kërcënimin, etj., sundon kudo! Edhe kur dikush pa dashje gërvisht makinën e kolegut, ky i fundit frenon, zbret me shpejtësi nga makina e pa folur as edhe një fjalë, pa kurrfarë logjike, përdor grushtin në fytyrë ndaj kolegut duke e shoqëruar me të shara e fjalë që nuk i përmban asnjë fjalor. Pse? Atij kurrkush nuk i tha e as nuk priti që kolegu t’i thotë për të zhdëmtuar dëmin por menjëherë nxjerr «shejtanin»! Shkon kështu e merr udhë «shejtani», deri lart. Njëzet e pesë vjet u bënë që «shejtani» president, kryeministër, deputet, ministër, drejtor, tek mazhoranca apo opozita, nuk i hap rrugë kundërshtarit të tij, konsensusit, tolerantit, frymës së bashkëpunimit e të ecin në rrugën e mbarë, pavarësisht nga «monopatet» që do të ndjeki njëri apo tjetri, për të gjetur më të mirën. 

 

Edhe pozitë-opozitë, si edhe ata që më të lehtë e kanë të nxjerrin armën e zjarrit apo armën e ftohtë e të veprojnë ndaj kundërshtarit, edhe këta farë qeveritarësh që na drejtojnë e kanë më të lehtë të komplotojnë e të rrihen me kolegët, të shpifin e të trillojnë, të shahen duke shkelur çdo normë etike se sa të ulen e bisedojnë e të merren vesh me njëri tjetrin. Mirë që vjedhin, por na tmerrojnë edhe kalamanët e na hiqen si «sherifë»! Këta «të kulluar» që ne i zgjedhim në krye të vendit, nuk e kanë për gjë që të bëhen gazi i botës, mjafton që të udhëhiqen nga «shejtani» që kanë. Dikur, Diktatori thoshte që «në kapitalizëm, njeriu për njeriun është ujk»! Këtë e kishim dëgjuar, por nuk e kishim provuar!Tash po e provojmë në këtë sistem «Ujk»,«Berisho-hajnist» që po ngejmë, që jo vetëm po «hamë» njëri tjetrin, por edhe më keq. Do të ishte gjysma e të keqes sikur të ishte sistem kapitalist, e më mirë akoma sikur të ishte sistem demokratik. Por, fatkeqësisht nuk është as njëri as tjetri. Në vend të sistemit kapitalist, me rënien e Komunizmit, ngritëm një sistem te tipit «Ujk», që ky, jo vetëm të «hajë» njerëzit, por të «hajë» edhe kapitalizmin, që pretendojmë se po ndërtojmë! Këtij sistemi të tipit «ujk» qytetarët i besojnë të rriti mirëqenien, të kenë më shumë të ardhura, të punësohen, të ndihmohen etj., etj., natyrisht, sipas ligjeve që ka kapitalizmi.

 

Por, ky sistem duke qenë sistem i tipit «Ujk», në vend të tyre pjell çdo ditë e çdo orë «ujqër», «hiena», «rrjepsa», «kriminelë», «hajdutë» të vegjël e të mëdhenj, trafikantë, mashtrues e shumë e shumë të tilla marka. Po pse ndodh kështu? Sepse krerët e të gjithë këtyre, ne na qeverisin. A ka njeri sot që të mos jetë i bindur, që nuk është ky sistemi demokratik që kërkuam? A ka njeri sot, që të mos jetë i bindur që politika e derisotme, është politikë e skandaleve? «Ujqit», kanë veti që të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, deri aty, ku nuk i preket «racioni»i tyre. Po kaloi ky cak, kur futen në «canakun» e njëri tjetrit, ata fillojë e shqyejnë edhe njëri tjetrin. «Ujqërit» e shtetit «Sali», që mos u kujtofshin, thirrën një «ujk» çek, me emrin «CEZ» që të na merrnin ca para të «tepërta» që kishin shqiptarët. Nga njëra atë zhvasnin «Ujqërit» e tipit «Sali» nga ana tjetër ata të CEZ-it. Mbas këtyre, u grumbulluan edhe disa «ujqër» të vegjël, që t’ia merrnin nga goja «llokmat» «ujqërve» të mëdhenj, e t’ia jepnin qytetarëve! Pamë disa skena se si «ujqërit» u ngritën për të shqyer njëri-tjetrin dhe kaq! Edhe kjo çudi, zgjati vetëm tre ditë dhe me kaq, skena mbaron. Edhe sikur një apo dy «ujq» të ndëshkohen, mos kujtojë njeri se problemi u zgjidh. E keqja, nuk është as një as dy e as dhjetë «ujq». E keqja është «agresiviteti» apo «ujkëzimi» i sistemit që lind vetëm ujq e skandale. A do të vijë një ditë që të zhdukim «shejtanin» brenda vetes e kudo ku ndodhet? Kjo nuk do të arrihet. Nuk do të arrihet sepse të gjithë flasin për ekzistencën e «shejtanit», por këtë e shohin vetëm tek të tjerët, e jo brenda vetes. Përderisa të vazhdojmë që shohim «djallin» tek tjetri e të mos shohim «shejtanin» brenda vetes, ky do të vazhdojë të qëndrojë këmbëkryq, si i thonë, si i «bukuri shejtan»! 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0