Kronikë mbi qytetin
E gjithë ekzistenca jonë duket sikur jemi pranë një kronike urbane me të gjitha kushtet e nevojshme, kështu shfaqen paralajmërimet mbi qytetin tonë nga mjediset politike! ...
Nga Bujar Plloshtani
E gjithë ekzistenca jonë duket sikur jemi pranë një kronike urbane me të gjitha kushtet e nevojshme, kështu shfaqen paralajmërimet mbi qytetin tonë nga mjediset politike! Kronikë mbi qytetin që sillet nëpërmend me paralajmërime urbane, investime kapitale, infrastrukturë me standarde evropiane, rend publik dhe mjedis efikas për ekzistencë! Paralajmërime këto duken veçse në rend të parë, në kampanja parazgjedhore, ndërmjet angazhimeve publike e me radhë, por në realitet tjetër gjë përjeton qytetari apo shoqëria!
Jeta jonë me siguri se po kalon nëpër një kronikë utopike të paralajmërimeve për ndryshime, për qytet urban me cilësitë e së mundshmes për të jetuar! Edhe pse jeta jonë zhvillohet si pasojë e këtij vullneti, ne sërish ndodhemi brenda një kronike që veçse na paralajmërohet për jetesë të mirë; por realisht nëse depërtojmë brenda kësaj jetese, ne qytetarët njëmend përjetojmë mungesën e ujit, mungesën e infrastrukturës, rrezikun e kanosjes së vërshimeve të kohëpaskohshme, pra me të gjitha mungesat primare që i takon një qyteti! Me kronikat paralajmëruese kemi nënkuptuar veçse veprime simbolike, ku jeta jonë ka kaluar nëpër udhë të vështira! Si çdo individ që duhet të ballafaqohet me ekzistencën, ne si qytetar po ballafaqohemi me "boshin" në politikë, me mungesën e teorive politike, me mungesën e qeverisjes së mirë, me kërcënimet e ndryshme në politikë, me kthimin përmbys të arsyes kolektive nga vetë politika...
Duhet të jenë dy gjëra të rëndësishme për ekzistencën tonë: qoftë në kronikën për paralajmërime urbane, që burimin duhen ta kenë nga qeverisja e institucioneve publike në shërbim të qytetarëve, qoftë për konceptin e nevojshëm të lirisë për t'i pasur të drejtat substanciale në interes të përgjithshëm. Nëse qytetarit i mungojnë të drejtat kolektive që duhet t'i gëzojë në këtë topth të përditshëm ekzistencial (uji, infrastruktura, shërbimet publike, siguria, rendi publik, parqet kombëtare, atraksionet e me radhë), atëherë për çfarë të drejtash dhe paralajmërimesh urbane na paraqesin ndër sy autoritetet lokale apo qendrore!? Si pasojë e këtij realiteti që na paraqitet ndër vite, kronika mbi qytetin duket se është një domosdoshmëri e humbjes dhe një domosdoshmëri e dështimit në këmbim të paraqitjes së kronikave me sukses! Këtë triumf të vetëm kanë në dorë politikanët apo autoritetet, por harrojnë se qytetari tashmë është vetëdijësuar dhe e di se udha e tyre po ngushtohet ngado! Udha e tyre paralajmëruese për gjithçka dhe për çdogjë, tashmë ka rënë në vesh të shurdhër! Duhet angazhim serioz nga ana e tyre për t'i kryer punët si duhet, dhe njëkohësisht të shërbejnë në interes të së mirës publike!
Ky dështim urban i qytetit T., është i hershëm, origjinën e ka qysh më herët! Çdo paraqitje apo angazhim i tyre me karakter publik për ndryshim nga secila udhëheqje e autoriteteve lokale ishe dhe mbetet veçse një fjalor politik ditor, që fundja vetë qytetarët e paguan me kosto të shtrenjtë vetëqeverisjen e tyre! Çdo udhëheqje me qytetin T., mbetet një peng dhe nyje që vështirë se zgjidhet sipas pikëpamjeve urbane! Duket një fotografi e zymtë që pasqyrohet nga pluhuri, gropat, kaosi... Sot, madje dhe kurdoherë, kronika mbi qytetin T., vazhdon të përballet me mungesat e shumta ekzistenciale, madje dhe me kërcënimet e ndryshme nga natyra dhe vetë individi i papërgjegjshëm! Zgjidhja është te ndryshimi i vetëdijës sonë kolektive, dhe sigurisht se zgjidhja është dhe te ndërgjegjësimi dhe përgjegjshmëria e politikanit që merr përsipër angazhimin për të ndryshuar kronikat tona të përditshme, që në fakt ndryshimi nuk vjen kurrë, dhe se gjithçka kthehet në rutinë të përditshme!
Comments (0 posted)
Post your comment