Dora e gjatë dhe ndëshkuese e Kinës
Pamëshirshëmria e Kinës për t’i shtypur kundërshtarët dhe ata që mbrojnë të drejtat e njeriut nuk ka për qëllim vetëm të shkatërrojë frymën e individëve që sfidojnë sistemin...
Pamëshirshëmria e Kinës për t’i shtypur kundërshtarët dhe ata që mbrojnë të drejtat e njeriut nuk ka për qëllim vetëm të shkatërrojë frymën e individëve që sfidojnë sistemin. Autoritetet përndjekin gjithashtu anëtarët e familjeve, duke i nënshtruar ndaj kërcënimeve dhe ndëshkimeve. Në një shembull të ri rrëqethës, Kina kaloi kufirin për të shkuar në Birmani për të arrestuar të birin 16-vjeçar të një avokati të të drejtave të njeriut i cili u burgos në korrik.
Natën e 9 korrikut, Kina ndërmori një goditje të gjerë ndaj avokatëve dhe aktivistëve që njihen si anëtarë të lëvizjes së mbrojtjes të së drejtave. Këta avokatë ishin lejuar të mbronin klientët e tyre rast pas rasti, duke përdorur ligjet ekzistuese të Kinës dhe Internetin të për shfaqur hallin e të abuzuarve. Sikurse kemi mësuar gjatë verës, këta avokatë dhe aktivistë u lejuan shpesh të vepronin – pavarësisht pushtetit fuqiplotë të partisë-shtet kineze dhe intolerancës së saj të përgjithshme ndaj kundërshtive – sepse, me rastet e përveçme, ata nuk dukej se e kërcënonin regjimin. Por që kur nisi aksioni, 293 prej tyre janë marrë në pyetje nga policia apo janë arrestuar, një goditje e rëndë ndaj lëvizjes dhe një shenjë se Presidenti Xi Jinping nuk do t’i tolerojë zërat e pavarur dhe të çfarëdollojshëm.
Ndërmjet të arrestuarve të 9 korrikut qe edhe avokatja e të drejtave të njeriut Uang Yu. Në atë moment, burri i saj, Bao Longjun, ishte në aeroport ku po çonte djalin e tyre, Bao Zhuoxuan, i cili do të ikte me studime në Australi. Që të dy, babai dhe i biri, u mbajtën në zonën e sigurisë në aeroport dhe u hodhën nëpër furgonë. Znj. Uang dhe Z. Bao nuk janë parë më që atëherë. Pasaporta e djalit të tyre u konfiskua; atij i thanë se nuk mund të largohej nga Kina dhe e dërguan të jetojnë te gjyshërit në një rajon në veri të Kinës, në kufi me Mongolinë.
Djali vendosi të arratiset. Ai kaloi nga Kina në Birmani në qytetin famëkeq kufitar të Mong La, ku pasaportat nuk kërkohen dhe kinezët kanë shumë ndikim. Ai shpresonte të shkonte në Tajlandë dhe që andej në Shtetet e Bashkuara. Bao Zhuoxuan u burgos në një shtëpi pritjeje në Mong La më 6 tetor në rrethana që duken si një kapje nga ana e autoriteteve kineze.
Arrestimi është reminishencë e pengmarrjes brutale të Uang Bingzhang, një aktivist demokratik i cili u rrëmbye teksa po udhëtonte për në Vietnam në vitin 2002 dhe më pas u dënua me burgim të përjetshëm në Kinë. Nëse Kina mund të shkojë jashtë dhe të kapë bijtë e disidentëve në një qytet kufitar birman, a mund të bënte të njëjtën gjë edhe në Bangkok apo Baltimorë?
Fushata kundër anëtarëve të familjeve është një taktikë e pështirë prej të fortësh. Departamenti i Shtetit e ka përshkruar atë si një “fushatë me sa duket sistematike nga ana e Kinës për të goditur anëtarët e familjeve të qytetarëve kinezë që e sfidojnë paqësisht politikën zyrtare dhe punojnë për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve”.
Kina duhet t’i lirojë menjëherë prindërit e Bao Zhuoxuan dhe ta lejojë atë që të largohet nga vendi. Dhe nuk duhet harruar se ka shumë avokatë të tjerë, disidentë dhe aktivistë që dergjen nëpër burgjet apo kampet kineze sepse patën guximin të flisnin për lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut. /The Washinton Post
Comments (0 posted)
Post your comment