Home | Opinion | Demokracia, diktaturë në ligj!

Demokracia, diktaturë në ligj!

image
 Demokracia është diktuar në ligj. Shtet do të thotë forcë! Në 24 vjet nuk kemi zbatuar ligjin, ashtu sa dhe si duhet, si rrjedhojë nuk kemi krijuar shtet me plot kuptimin e fjalës. 

 

 

 

Nga Evdal Nuri   

 

 

 

Ligji s’është varri, por realizimi i lirisë! Po, kjo është e vërtetë. Të gjitha shtetet kanë vendosur sistemin demokratik, vetëm nëpërmjet zbatimit me korrektësi të ligjit. Demokracia është diktuar në ligj. Shtet do të thotë forcë! Në 24 vjet nuk kemi zbatuar ligjin, ashtu sa dhe si duhet, si rrjedhojë nuk kemi krijuar shtet me plot kuptimin e fjalës. Pyetja që bën kushdo është? Pse deri tani s’kemi bërë dot shtet, kur ligjet në përgjithësi i kemi? I kemi, por s’i kemi zbatuar...! 

 

1- Ç’ shohim këto dy vite? Po ndihet dora e shtetit. Prishjen e mijëra ndërtimeve pa leje në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Nga forca e shtetit, debitorët po paguajnë energjinë elektrike. Lufta kundër drogës e gjithanshme dhe e suksesshme. Luftë pa kompromis kundër krimit e informalitetit. Në shtator janë regjistruar në QKR mbi 14.000 mijë biznese. Ku ishin këto më parë? Dihet, punonin në të zezë e s’i kontrollonte njeri. Tek ne ishte bërë e moralshme të mos paguash taksat apo energjinë, të mbjellësh drogë, të ndërtosh pa leje, të japësh lekë për shkollën, spitalin, gjyqin... e ku ta di unë! Tani që po kërkohen e kanë këta “fajin”! Kështu u gjetën, e duan kohë të çrrënjoset. Me këto masa shtrënguese, të fillohet nga “peshqit e mëdhenj” e jo nga “cironkat” që vetëm shpirti u ka mbetur, edhe ai i rraskapitur. M’u këput shpirti kur te dera e Shkollës “1 Maji”,policia bashkiake i mori gjithë kutitë me biskota apo çokollata që kishte një grua e moshuar, për t’i shitur. Me ato pak lekë, ajo mbante familjen. Detyrimet e pambledhura të të parëve e mbushin arkën e jo fukarenjtë. Me ta, duhet një politikë më elastike. Kjo, jo për fajin tuaj, por për ata që ua lanë “peshqesh”. Dihet se reformat e ndërmarra shkaktojnë dhimbje. S’ka reformë pa dhimbje, por jo të padurueshme. Të vjen keq kur sheh qindra shitës ambulantë që vrapojnë me arka e trasta kur shohin policinë bashkiake. Ata tani po shesin në hyrje të pallateve, po trokasin nëpër dyer! Doni qumësht? Po domate? I kam të mira. T’i shtet s’ke nevojë për mend, por një sugjerim mund ta bëj. Midis pallateve ndërto tenda e grumbulloi të gjithë shitësit ambulantë, duke u marrë edhe taksat. Jo një por kudo. Mos i lër si endacakë. Ata të kanë votuar, të dhanë pushtetin. Ti pa ta s’bë dot. Ata pa ty po. Ti ke përgjegjësi për jetën, por dhe ekonominë e tyre. Nëse s’do që të shesin, futi në punë. S’ke mundësi? Krijoi kushtet që të tregtojnë si njerëz e mos ua merr dhe ato pak produkte që i kanë prodhuar me aq sakrifica. Mos me kaq egërsi o shteti ynë, se nesër do t’u zgjatësh dorën e do t’u thuash: “Më jepni votat”, por...? “Gjella me kripë, kripa me karar”, thonë në anët tona. 

 

Dua të theksoj se në forcimin e shtetit, s’ka e s’duhet të ketë rradhë. U fillua me prishjen e ndërtimeve pa leje. Më pas me pagesën e dritave. Më vonë filloi lufta kundër drogës me Lazaratin e më gjerë. Gjatë verës u tha “bëhuni gati” se në shtator do të fillojë një luftë e ashpër kundër informalitetit. Tani po thuhet për drejtësinë. Më vonë do t’i vijë rradha ujit e kështu me radhë... deri sa të ikin katër vjet. Pastaj do të fillojë fushata për zgjedhjet e reja! Më jep votën njëra, më jep votën tjetra! Premtime njëra parti, premtime më të mëdha tjetra. Lufta për gjithçka negative, bëhet frontalisht e që në fillim. Rradhë kishte dhe prisnim vetëm në diktaturë.

 

Kontrollet e fundit për informalitetin, kanë qenë frytdhënëse për buxhetin e shtetit, por dhe për të krijuar bindje, se me shtetin “s’bëhet shaka” . Nuk thoshin kot, se qeveria “e kap lepurin me qerre”. Por shpesh kontrollet kërkojnë “asprën”. “Të kapa thonë”, dhe nxjerrin bllokun e gjobës. Shteti s’mbahet me gjoba, por me taksat, tatimet, detyrimet që ka çdo shtetas. Shpesh vlerësojnë formën e jo përmbajtjen. Kontrolli ka për detyrë të kontrollojë, por dhe të ndihmojë. Në këtë drejtim, ai duhet të jetë i kualifikuar, gjë që s’po e shohim! Ata duhet të ishin trajnuar, para se të kontrollonin. Teoria demokratike e shtetit pajton idenë e lirisë individuale me atë të disiplinës shtetërore. Shumë shtete kanë përdorur forcën e me kalimin e kohës, kjo është kthyer në kulturë! Në këtë kuptim edhe tek ne forca që përdoret tani me kalimin e kohës do të kthehet në kulturë. Kuptohet nëse s’e prishin të tjerët. 

 

Po qeveria e parë ç’na bëri? 

 

Në 8 vjet, demokratët në pamje dukeshin të suksesshëm. Në superstrukturë mirë. Me shumë bujë e “flamuj” kudo e në çdo rast. Me prerje “shiritash” disa herë në rrugë, ura e ndonjë fabrikë. Me fjalime që të linin pa mend. Këto e të tjera, sikur ja thoshin njerëzve që vinin nga një kontinent tjetër e jo bashkëkombasve të vet që e shihnin çdo ditë, e që kishin kaq mend sa të dallonin të “bardhën nga e zeza”! Në bazën ekonomike keq. Tavolinat bosh. Shqipëria për vitin 2013 ishte e fundit në Evropë, për të ardhurat për frymë. Atëhere, ku vajtën gjithë ato “mburka”? Ne dhe Gjermani, e...! Duhet pranuar, se demokratët në 8 vjet qeverisje dështuan. Shtet s’bënë dot. Le të justifikohen si të duan. Ky është fakt. Si mund të thonin që kishin shtet, kur mbi 300.000 familje s’paguanin energjinë elektrike edhe pse e kishin konsumuar?! Mbi 400.000 ndërtime pa leje! Droga ishte bima kryesore që kultivohej. Fjala vjen, në 2013 ishin mbjellë 323 ha. Lazarati cilësohej “Republikë më vete”! Korrupsioni kishte kapur majat e shtetit. Informaliteti ishte shtrirë në gjithë sferat e ekonomisë. Pyjet u prenë e lumenjtë u gërryen. Me shkollën bëheshin pazare e asnjë s’mbeste, sidomos në ato private. Drejtësia s’mundi të dënonte qoftë dhe një politikan! Për këto e të tjera s’ke ç’thua. “Fshati që duket s’do kallauz”. Kjo është arsyeja e humbjeve në 2013 e 2015. Në kushtet aktuale, duhet kohë për rehabilitim dhe shembuj konkretë e jo premtime që i dëgjojmë çdo ditë. Sovrani di të vlerësojë vetë gjendjen e situatën, mbasi në kurriz të tij bie gjithçka. Po tani...? Na vjen keq! Ndershmëria e saj do të na bindi nëse do të thotë: “Ne s’mundëm të luftonim ashtu si duhet; korrupsionin, informalitetin, krimin, drogën. Të mblidhnim detyrimet për energjinë, ujin, taksat etj. Tani janë këta të “këqinjë” që po i mbledhin”!

 

S’i s’kam dëgjuar qoftë dhe një herë të thonë: Pse i lanë këto detyrime në këtë gjendje? Tani kritikojnë çdo ditë për ato që s’i bënë vetë për 8 vjet! Jo justifikim për humbjen. Përsërisin shpesh fajin e kanë “Ata” që na “vodhën”, “blenë” votat! Supozojmë se u “blenë e u vodhën” disa mijra vota, por një milion nuk u vodhën! Këtë s’e beson njeri. Atëherë të dali përgjegjësia e qindra mijra votave që s’u vodhën. Kjo do të ishte përgjigja më e mirë për elektoratin. Kështu u tha dhe në zgjedhjet qendrore e për pasojë humbën dhe ato lokale. Realiteti do parë drejt në sy. 

 

Së fundi, jam kurioz! A do të guxojë njeri në të ardhmen të ndërtojë pa leje? Të mos paguajë taksat, energjinë që harxhon, të punojë në të “zezë”! Nëse kjo “furtunë” do të kalohet me sukses, shenjat për një shtet me plot kuptimin e fjalës janë shumë të mëdha 

 

Deri tani, e keqja na ka ardhur jo nga të varfërit që s’kanë ç’të hanë, por nga të pasurit që s’kanë të ngopur... 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00