Logjika që s’është
Askujt nuk do të duhej t’i dhembte vlerësimi që do të mund ta bënin ekspertët e fushës juridike me ekspertizë të kamotshme dhe me përvojën e shembujve të zbatuar në shtetet anëtare të Këshillit të Europës.
Flaka Surroi
Insistimi që objekti i konfliktit të zgjidhet vetëm në kuadër të Gjykatës Kushtetuese më së paku duket zgjidhje e mirë. Për më tepër, duket që fare nuk është zgjidhje e mirë. Posaçërisht duke e marrë parasysh insistimin e fuqishëm të Zhbogarit që të mos ketë nevojë që lënda të dërgohet në Komisionin e Venecias
Mbase shënimin më mbresëlënës të javës e gjeta të hënën, në murin e mikut tim, Sadikut, në FB: “Edhe pse sot Kosova e miratoi MSA-në, nuk u pa asnjë shënim, asnjë fishkëllimë e automjeteve apo festim në Kosovë, a në Prizren, aty ku një natë më herët ishte festuar fitorja e Erdoganit në zgjedhjet parlamentare në Turqi”. Se a e meritoi MSA-ja daljen në rrugë për të festuar, këtë nuk e di, porse sinqerisht festimi i fitores së një partie politike në një shtet me mijëra kilometra larg, për mua nuk ka kurrfarë logjike. Dhe ky shembull më së miri tregon se sa e palogjikshme është jeta jonë politike në përgjithësi.
MSA-ja, me bojkot
MSA-ja u miratua. Kaloi me shumicë absolute dhe me denominimin Republika e Kosovës gjatë gjithë tekstit, duke i hapur rrugë një raporti kontraktual me Bashkimin Evropian. Se sa do të jetë e dobishme për Kosovën, do të mbetet të shihet – sepse shumëçka nga ky dokument është në duart e kosovarëve. Përfshirë edhe obligimin që të zbatohen marrëveshjet “historike” të Brukselit, të cilat ka mbi dy muaj e mbajnë Kosovën në bllokadë institucionale – për shkak të faktit shumë të thjeshtë: se jo gjithkush po pajtohet me qëndrimin e Qeverisë se këto marrëveshje nuk janë të dëmshme për Kosovën.
E në lidhje me këto marrëveshje situata momentale është se lënda shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila i ka dy muaj afat për ta dhënë interpretimin e vet në lidhje me letrën që kryetarja ia ka nisur para një jave, e të cilën askush nuk e ka parë. Pra, këtu, ku politikanët e kanë gojën plot “transparencë”, publikut i mohohet e drejta të dijë se çfarë interpretimi ka kërkuar ajo nga Kushtetuesja, në lidhje me një çështje që mund të shpijë Kosovën në një konfrontim shumë më serioz, jo vetëm politik.
Dhe asnjë arsyetim se shpalosja publike e letrës do të mund të ndikonte në pavarësinë e Kushtetueses nuk pi ujë – sepse do të rikujtojmë se deri tash të gjitha adresimet që i janë bërë kësaj gjykate, nga cilado palë, përfshirë edhe kryetaren gjatë krizës të cilën ajo e cyti vitin e shkuar, janë bërë publike. Pra, në situatën kur ka 200 mijë nënshkrime që e kundërshtojnë Zajednicën; kur ka një Kuvend që funksionon vetëm në seanca plenare; kur ka një Qeveri që nuk do të heqë dorë nga marrëveshjet e Brukselit dhe kur ekziston një huti e përgjithshme në mesin e masës që nuk di kah të orientohet – nuk mund të thuhet se problemi nuk ekziston. Sa më shumë që të mohohet, aq më i madh do të bëhet. E nëse kryetarja ia do të mirën këtij vendi, duhet të dalë e të tregojë se çfarë sqarimesh ka kërkuar nga Kushtetuesja.
Komisioni i Venecias
E se Kushtetueses ka shumë pak veta që i besojnë – edhe këtu nuk ka dyshime. Opozita thekson, dhe me të drejtë, se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese është zgjedhur në këtë post duke qenë nën hetime për falsifikim të një dokumenti zyrtar. Me drejtësinë tonë që ecën me hapa të breshkës, bën vaki që ajo të mbërrijë ta përfundojë edhe mandatin në Gjykatë, duke qenë ende nën hetime. Nga ana tjetër, do të kujtojmë se kjo Gjykatë e shkaktoi kaosin, me aktgjykimin e vet të vjetëm, kur i përcaktoi rregullat e procedurës për zgjedhjen e mandatarit dhe formimin e Qeverisë, në kundërshtim të plotë me logjikën e shëndoshë madje edhe parlamentare. E tash, duke mos ditur se cila është lënda për shqyrtim, kush e di se me çfarë shpikjeje të re do të dalë trupi i formuar edhe nga tre gjykatës ndërkombëtarë, të cilëve iu zgjat mandati në formë kundërkushtetuese.
Pra, insistimi që objekti i konfliktit të zgjidhet vetëm në kuadër të Gjykatës Kushtetuese më së paku duket zgjidhje e mirë. Për më tepër, duket që fare nuk është zgjidhje e mirë. Posaçërisht duke e marrë parasysh insistimin e fuqishëm të Zhbogarit që të mos ketë nevojë që lënda të dërgohet në Komisionin e Venecias. Zhbogari mbase është i vetëdijshëm se marrëveshjet me Serbinë janë diskriminuese nga aspekti etnik dhe se nënkuptojnë cenimin e rregullimit kushtetues të Kosovës, porse duke e ruajtur interesin e BE-së për të dëshmuar “sukses” në drejtimin e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, insiston që Kushtetuesja ta thotë fjalën e fundit. Natyrisht, duke u arsyetuar se duhet fuqizuar institucionet e vendit dhe se duhet pasur besim në to. E, sinqerisht, kam përshtypjen se as ai vetë nuk u beson institucioneve të Kosovës, ani që këtë nuk e ka thënë publikisht.
Pra, tashmë e dimë se e kemi një Kushtetuese së cilës as të huajt nuk i besojnë. Se po të mos ishte kështu, nuk do të insistonin t’i mbanin tre gjykatësit e huaj, me zor dhe me mandate kontestuese. Ajo deri tash është treguar shpikëse e jashtëzakonshme e aktgjykimeve, më së buti thënë, të çuditshme. Dhe, është treguar shumë e dëmshme te rasti i krizës politike nga viti 2014.
Atëherë, pse të mos shkohet në Komisionin e Venecias. Ky është përmendur aq shpesh, por e besoj se shumë pak njerëz e dinë se çfarë në të vërtetë nënkupton. Në pika sa më të shkurtra, ky quhet “Komisioni evropian për demokracinë nëpërmjet të së drejtës”, e njihet si i Venecias, për shkak se takohet, në plenare, në këtë qytet italian, katër herë në vit (mars, qershor, tetor dhe dhjetor). Është trup këshillëdhënës i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese. Ka për qëllim t’u ndihmojë shteteve të veta anëtare, e posaçërisht shteteve që duan t’i përafrojnë strukturat e tyre juridike dhe institucionale me standardet evropiane, si dhe me përvojën ndërkombëtare në fushën e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Ai gjithashtu u ofron “ndihmë emergjente kushtetuese” shteteve në transicion. Një nga detyrat kryesore të Komisionit është të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit, i cili e ka për bazë një dokument ligjor. Kosova është anëtare e Komisionit.
Askujt nuk do të duhej t’i dhembte vlerësimi që do të mund ta bënin ekspertët e fushës juridike me ekspertizë të kamotshme dhe me përvojën e shembujve të zbatuar në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Po qe se ky Komision do të vlerësonte se marrëveshjet me Serbinë nuk përmbajnë asnjë element diskriminimi, e që do të ishte në kundërshtim me acquis communautaire (apo të gjithë trupin e së drejtës evropiane), atëherë s’ka çka debatohet tutje, për shkak se Kosova e ka përmbushur obligimin që rregullativën e vet ligjore ta ketë në përputhje me acquisin. Por, nëse ndodh e kundërta, dhe diskriminimi del në pah, atëherë këto marrëveshje nuk mund të jenë të zbatueshme madje as për BE-në (si ndërmjetëse dhe garantuese e marrëveshjeve), për shkak se janë të kundërligjshme. E në rastin e Kosovës edhe kundërkushtetuese.
Dhe në vend se të humbim kohë dhe të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të shtyrjes së inateve të të dyja palëve, që insistojnë se e kanë me të drejtë, le të jetë pra një trup i mendjeve neutrale dhe më të ndritura që do të vendoste për një vendim, e për një nënshkrim që po na çojnë në qorrsokak.
Ëndrra
Se kush do ta ndërmarrë (nëse e ndërmerr) hapin për të gjetur zgjidhje te një trup neutral, nuk dihet. Porse ajo që dihet është se Kosovës i nevojitet një zgjidhje urgjente për të dalë nga raundi i ri i ngërçit politik në të cilin ka hyrë totalisht e dërrmuar. E sa është e dërrmuar e tregon edhe projektbuxheti për 2016-n, që prej 1,5 miliardë eurosh ka në dispozicion vetëm 50 milionë për projekte të reja, për shkak se të gjitha mjetet e tjera do të shkojnë për t’i mbuluar premtimet e fushatës nga 2014-a për rritjen e rrogave, pensioneve, e ndihmave, e të ngjashme – dhe krejt kjo për ta blerë paqen sociale.
Shumë të gjata u bënë vitet në të cilat pushtetarët na gënjyen e premtuan gjëra që nuk mund të realizohen. Në vend të përparimit, na sollën shitjen e gjithë asaj që patëm për pak para; u falën asetet më të mëdha ekonomike që kishim kompanive turke dhe politikanët na u bënë të varur nga ndikimi dhe fuqia e politikanëve të stilit të Erdoganit – aq sa edhe ka jo pak njerëz që do të dalin në rrugë t’ia festojnë fitoren edhe nëse ato zgjedhje kontestohen për shkak të atmosferës vrastare që ka arritur të krijojë për pak muaj nga zgjedhjet e shkuara kur e pati humbur shumicën absolute.
Në vend se të mësonin nga Perëndimi, mësimin e mbajtjes së pushtetit dhe mbylljes së cilësdo perspektivë e mësuan nga Lindja. Prandaj edhe nuk qe fare i rastësishëm urimi të cilin personalisht ia bëri kryeministri i Jashtëm që shkoi për ta takuar Erdoganin në Turqi, para se të shkonte në Paris.
Dikush duhet ta ndërmarrë hapin për ta zgjidhur krizën në të cilën jemi futur për shkak të politikës së papërgjegjshme qeveritare që ka provokuar reagimin përherë më të vrullshëm opozitar. Se a do të zgjohet ndonjëri nga këta një mëngjes me brejtje të ndërgjegjes, e ta ndërmarrë këtë hap, është vështirë e besueshme. Pos nëse kërcet diçka e madhe. E në atë rast, dikush nga jashtë do t’i bjerë sakicë kësaj pune.
E ndoshta i mbledhim mendtë.
E ndoshta edhe nisim të besojmë se edhe ne, një ditë jo fort të largët, do ta kemi fatin e Kanadasë – për t’u bërë me një lider, i cili e kupton se femrat, minoritetet dhe emigrantët janë qytetarë të barabartë jo për shkak se ekzistojnë kuotat ligjore a kushtetuese, por për shkak se ia do të mirën shtetit të vet.
E di që kjo shumëkujt i duket ëndërr e largët, përderisa mbizotëron mentaliteti i përvetësimit të të gjitha sukseseve dhe refuzimi i marrjes së përgjegjësisë për secilin gabim a dështim tek elita zaptuese politike kosovare.
Porse, për të shijuar ëndrrat, duhet zgjuar nga ankthi. Është momenti i fundit për ta bërë këtë. /koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment