Ku janë?
Jeta në Kosovë është bërë si ta jetosh atë në film – sa qetësia, sa lotsjellësi, sa arrestimi, sa pazari, sa cirkusi, sa farsa, sa hajgarja, sa qortimi, sa zbutja e fjalëve, sa inati..., dhe krejt këto në hiç më pak se një javë.
Flaka Surroi
...apo rrëfimi për drejtësinë, diplomacinë dhe sinqeritetin që s’janë
Jeta në Kosovë është bërë si ta jetosh atë në film – sa qetësia, sa lotsjellësi, sa arrestimi, sa pazari, sa cirkusi, sa farsa, sa hajgarja, sa qortimi, sa zbutja e fjalëve, sa inati..., dhe krejt këto në hiç më pak se një javë.
Atë që e pamë të shtunën pas protestës së opozitës te zyrat e Vetëvendosjes qe një desant që nuk e kishim parë asnjëherë deri tash në këta 16 vjet të pasluftës. Nuk e di sa policë do të jenë angazhuar për ta arrestuar një deputet, porse dukej përfundimisht si një ushtri “robocopash”, të armatosur deri në dhëmbë që hiqnin çdo pengesë para vetes me forcë e besa edhe me dhunë. Mënyra se si është thyer dera e xhamit e selisë së partisë dëshmoi tërë fuqinë e atyre që kishin marrë për detyrë arrestimin e Kurtit, e me të, edhe të 97 vetave të tjerë.
Dhe krejt i logjikshëm kishte qenë reagimi i jo pak qytetarëve: si u bë se asnjëherë nuk u përdorën gjithë këto forca për ta arrestuar ndonjërin hajn, kriminel a klan mafioz që e kanë zhvatur Kosovën në gjithë këta vjet. Urdhërarrestime me siguri se ka plot që kanë mbetur nëpër sirtarë, sepse s’ka kush i ekzekuton. Për pasojë, do të ishte lehtë të konkludohet se ky desant ka mundur të ishte i motivuar politikisht. Konkludim të cilit i kontribuojnë edhe ndodhitë dy ditë më vonë në Kuvendin e Kosovës, që fatkeqësisht është shndërruar në Kuvendin e Policisë, ngase ka disa javë qyshkur ndërtesa e Parlamentit brenda ka më shumë policë sesa ka deputetë e punëtorë të shërbimit civil.
Drejtësia që s’është
Në Kuvend u përsërit gazi sërish, pavarësisht kontrolleve rigoroze të policisë, që të bën t’i mendosh dy gjëra: një, se bombolat vërtet i sjell brenda ndonjë pjesëtar i policisë dhe, dy, se policia me qëllim lejon që ato të futen brenda, ashtu që të arsyetohet përdorimi i forcës për t’i ndalur deputetët e opozitës. Ajo që u pa më vonë gjatë ditës, ishte farsë e parlamentarizmit: përjashtimi i deputetëve të opozitës nga seanca dhe shqyrtimi i madje 35 pikave të rendit të ditës, ku u kaluan nja 16 projektligje. Hajgare – sikurse kishte ndodhur me kalimin e 100 ligjeve të Pakos së Ahtisaarit për 40 ditë, pas Pavarësisë. Gati askush s’i kishte lexuar ligjet të cilat kanë aq shumë mangësi sa nuk mund të zbatohen si duhet.
Pra, para se të niste seanca maratonike e së hënës, kishim tashmë dy deputetë me nga 30 ditë paraburgim (Kadaj-Bujupi e Kurti). Para se të hyhej në seancë u ndalua Fisnik Ismajli, i cili edhe u arrestua në Parlament, e që është, me sa kuptoj, veprim kundërkushtetues. Këtij iu akorduan 30 ditë arrest shtëpiak. Më pas “u zunë” duke ndezur gaz, Kurteshi e Shala, dhe ata u çuan në shtëpi për nga 30 ditë. I fundit ndezi gazin Pal Lekaj, porse ai është i lirë, kurse Albulena Haxhiu e Faton Topalli gjenden në arrati. Gjykatat që kanë vendosur kështu janë të gjitha pjesë të një sistemi gjyqësor – porse shumë vështirë është të kuptohet kriteri me të cilin janë sanksionuar deputetët individualisht, nëse të gjithë dyshohen për të njëjtën vepër penale – duke mos hyrë në shqyrtimin e çështjes së imunitetit të tyre funksional.
E se problemet me gjyqësinë janë evidente, mbase mjaftojnë për ilustrim dy raste të ndara, por interesante. Gjykata dënoi me 7 muaj burgim një polic që i kishte kërkuar 200 euro si kundërshpërblim për ushtrimin e ndikimit. Një ditë më herët, një gjykatë e po të njëjtit rang, por në qytet tjetër, i dënoi dy ish-ministra dhe një artist (derisa e liroi një tjetër artist), me 10 muaj burgim me kusht, përkatësisht 6 muaj burgim efektiv për shpërdorimin e gati 400 mijë eurove. Sërish, cili është kriteri ai që i udhëheq këta gjykatës të vendosin kështu, e jo ndryshe? Dhe çka është ajo që, kur të merren parasysh këto edhe shumë raste të tjera, duhet të të ngjallë besimin në sistemin gjyqësor të Kosovës?
Diplomacia që s’është
Po të ishte vetëm sistemi gjyqësor problematik, mbase do të dinim si t’i qaseshim, e mbase edhe do ta gjenim ndonjë zgjidhje. Ama problemet në Kosovë janë aq të nduarnduarshme dhe prekin të gjitha sferat, saqë të vetmen gjë që ta mundësojnë është që ta kapësh kokën me duar, e të pyesësh: “A janë more këta në vete?”
Skandaloze do të duhej të quhej deklarata e Mustafës në mbledhjen e Qeverisë, në lidhje me ato që i kishin thënë disa zyrtarë të Shqipërisë në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë. Nuk e di se kush ia ka shkruar kryeministrit këtë pjesë të fjalimit, por është evidente që lidhje me diplomaci, e as me takt, nuk ka: “Unë uroj që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës në Parlamentin Shqiptar, as në rrugë, sepse të gjithë ne i dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Dhe po ashtu, konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund ta moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë...”.
E para, krahasimi i ’97-s në Shqipëri me situatën sot në Kosovë nuk i bën favor vetë Mustafës, për shkak se, do të kujtojmë, ato trazira kanë shpërthyer për faj të Qeverisë së atëhershme që lejoi mashtrimin me skema piramidale, kur i pati të gjitha mekanizmat shtetërorë për ta ndaluar një gjë të tillë. Pra, duke e tërhequr vetë paralelen, edhe ai vetë konstaton se kjo që po ndodh në Kosovë tash është faj i Qeverisë (së kaluar dhe të tashme) që nuk do të dijë për kundërshtimet që u bëhen dy dokumenteve të dëmshme për Kosovën e që i kanë nënshkruar dy kryeministrat pa konsensus politik.
E dyta, ta quash eksponente të asaj dhune dikë si ministren e Mbrojtjes të Shqipërisë, veç pse është anëtare e Partisë Socialiste, opozitare më 1997, dhe veç pse e tha publikisht se do të duhej të mësonim nga gabimet e Shqipërisë, është skandaloze. Edhe më skandaloze kur merret parasysh se përpjekjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO e ka iniciuar po kjo Qeveri e Shqipërisë, që ka kaluar jo pak muaj duke lobuar për Kosovën. E aq më skandaloze kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë hiç më larg se para dy ditësh e kundërshtoi Lavrovin në mbledhjen e OSBE-së duke e mbrojtur pavarësinë e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm të mbështetur me të drejtën ndërkombëtare. Në vend se të dilet e të përshëndetet një qëndrim i tillë, shefi i Qeverisë ofendon shtetin, që me kaçik të vetin, përpiqet të ndihmojë në afirmimin e pavarësisë së Kosovës, me gjithë të metat që kjo e fundit i ka. Natyrisht, kryeministri i Jashtëm dhe zëvendësshefi i Qeverisë, nuk ka koment për asnjërën. Mençur hesht dhe e ekspozon Mustafën asi çfarë paraqitet që nga dita që është emëruar kryeministër: inatçor që i “grah” me të veten.
Sinqeriteti që nuk është
Porse, ka dikush që këtë “grahje” di edhe ta ndalë. Natyrisht, amerikanët.
Mjaftuan dy orë të qëndrimit në aeroport të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, që t’iu ndërrojë qasja edhe Mustafës edhe Thaçit.
Natyrisht se vetëm mund të spekulojmë se çfarë do t’iu ketë thënë. Porse është shumë indikative që dy ditë pas vizitës së Kerryt të dalin dy deklarata, që megjithatë tingëllojnë të pasinqerta. E para e Mustafës, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën u bëri ftesë partive opozitare që të takoheshin më datën 7 dhjetor, për ta biseduar demarkacionin dhe Zajednicën. Një gjë që është dashur ta ketë bërë posaçërisht para se të viheshin nënshkrimet në ato dokumente. E që ka mundur ta bënte menjëherë posa janë shfaqur kundërshtimet e fuqishme ndaj dy dokumenteve. E që është dashur ta bënte para se të insistonte t’ua lexonte deputetëve fjalimin e përgatitur ditën kur e qerasën me vezë.
E dyta, edhe më pak e sinqertë, ajo e Thaçit në FB: “Kosova ka traditë të dialogut politik dhe të bashkërendimit. Së bashku në Rambouillet fituam lirinë. Së bashku në Vjenë, në procesin e negociatave arritëm pavarësinë. Duke punuar së bashku mund të anëtarësohemi në BE. Dallimet aktuale që kemi mund të tejkalohen vetëm përmes dialogut dhe jo me metoda përjashtuese të njëri – tjetrit. Është koha të reflektojmë. Këtë e kërkojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e kërkojnë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian”.
Është pikërisht Thaçi ai që e prishi traditën e dialogut politik kur e nënshkroi Marrëveshjen e prillit, sepse nuk donte të dinte për tryezë të partive politike dhe platformë konsensuale. Është pikërisht ai i cili, me gjithë cinizmin që shpreh, është deklaruar se peticioni i nënshkruar nga qytetarët është plot me nënshkrime të falsifikuara dhe ai i cili ka bërë thirrje publike në Kuvend që opozita të arrestohet. Tash, me gjasë, pas ngrehjes së veshëve nga Kerry, e ulë topin dhe kërkon “reflektim e bashkëbisedim”. Por problemi është që ftesa për bashkëbisedim që e bën, vjen me gati pesë vjet vonesë.
E se këto deklarata nuk duken tjetër pos ftesa formale dhe sa për sy e faqe, për t’i dëshmuar Kerryt që “ja, ne po i ftojmë, por këta po refuzojnë” mbase më së miri i ilustron një deklaratë e zëdhënësit të Qeverisë, ministrit Abrashi, në “Interaktiv”. Sipas tij, korrupsioni në Kosovë është pasojë e krizës politike, dhe se zyrtarët politikë vjedhin për shkak se policia duhet të merret me opozitën që e shkakton krizën politike dhe nuk ka kohë të merret me luftimin e krimit. Kjo që u tha është aq e sinqertë sa mbase për këtë arsye Qeveria vendosi ta emërojë zëvendësministër Gjergj Dedajn, të shkarkuar nga posti i zëvendësministrit të MTPT-së, siç u arsyetua zyrtarisht, për shkak të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimeve në kohën kur ka qenë zv.ministër i Punës, para pesë vjetësh.
E se janë sa për sy e faqe e dëshmon përfundimisht zgjedhja e dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese – njëra, për të cilën dihet se është 34 vjeç (pra së cilës megjithatë i mungon përvoja jetësore, pa paragjykuar aftësinë profesionale) dhe për të cilën thuhet se ka qenë e favorizuar nga PDK-ja dhe tjetra e cila ka qenë kandidate e LDK-së në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Pra, në kohën kur Kushtetuesja duhet të vendosë për Marrëveshjen për Zajednicën, në vend se të luftohet për profesionalizëm, luftohet pikërisht për ndikimin partiak në trupin që krijon norma juridike. Me gjasë jo për të gjykuar se shefat e tyre kanë gabuar kur i kanë nënshkruar marrëveshjet e kontestuara.
* * *
Josinqeriteti dhe padrejtësia na kanë sjellë në pikën ku jemi, e që kërkon shtegdalje. As Mustafa as Thaçi nuk kanë kredibilitet për ta ftuar këdo në dialog. Për t’i bërë bashkë krejt, duhet një figurë tjetër, e kjo do të duhej të ishte Jahjaga, që i është rikthyer rolit të saj të Mbretëreshës së Nepalit, që i shikon ngjarjet në Kosovë nga Himalajet. Mëkat që Kerry nuk e takoi edhe atë në aeroport. Por mbase dikush ia përcjell instruksionet që do t’ia ketë lënë, mbase në ndonjë zarf.
Comments (0 posted)
Post your comment