Afërsia e humnerës politike
Gjykata Kushtetuese hapi, deri në gjysmë, derën për mundësinë e një konsensusi të ri politik. Forcat politike të vendit tash mund ta hapin tërësisht këtë derë. Përgjegjësinë kyç për këtë do ta ketë Qeveria. Nëse nuk dëshiron kjo Qeveri, do të jetë arsye plotësuese për të krijuar një tjetër.
Nga Veton Surroi
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese "jo tërësisht në përputhshmëri" me nevojat
1.
Lajmi i mirë është që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sqaruar se Marrëveshja e 25 gushtit të këtij viti, për Parimet e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, e nënshkruar mes kryeministrave Mustafa dha Vuçiq, shkel frymën e Kushtetutës së Kosovës në shtyllat bazike të saj. Pra, vënë shkurt, Marrëveshja mbi Parime ka potencialin që, e zbatuar ashtu si është nënshkruar, të dëmtojë parimin e barazisë së qytetarëve para ligjit, të drejtat dhe liritë themelore, si dhe të drejtat e komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre.
Lajmi i keq është se sqarimi që e bëri Gjykata Kushtetuese me formulimin elegant për "shkelje kushtetuese" si "jo tërësisht në përputhshmëri" me Kushtetutën, nuk është tërësisht në përputhshmëri me nevojat që i ka vendi për të tejkaluar krizën e madhe politike dhe kushtetuese në të cilën gjendet.
2.
Lajmi i mirë natyrisht që nuk rrjedh nga e mira. Qeveria e Kosovës, në marrëveshjen e saj me Serbinë, është zotuar se do të themelojë një entitet të ri në Kosovë, që do të vendoset mes pushtetit komunal dhe atij qendror.
Por, lajmi i mirë është që Gjykata Kushtetuese këtë intencë do ta konsideronte shkelje. Andaj, në përgjigjen që i jep kërkesës së Presidentes së vendit, përshkruan se ku do të bënte shkelje kushtetuese Qeveria po ta mbante fjalën e vet dhënë Qeverisë së Serbisë dhe ndërmjetëses, zyrtares së BE-së, Mogherini.
Qeveria do ta shkelte Kushtetutën nëse në vend se ta vendoste Bashkësinë serbe në kontekst të një organizate joqeveritare do të insistonte në kornizën ligjore të deritanishme për të cilën është zotuar.
Qeveria do ta shkelte Kushtetutën nëse do të insistonte në objektivat e tanishme të Bashkësisë serbe, që u marrin kompetenca komunave.
Qeveria do ta shkelte Kushtetutën nëse do të insistonte që të shkelte parimin e diversitetit etnik të vendit, dhe nëse do të jepte statusin e shërbëtorëve civilë, punëtorëve të Bashkësisë serbe.
Qeveria do ta shkelte Kushtetutën nëse në marrëdhëniet me autoritetet qendrore i lejon rolin e rrafshit të tretë të pushtetit, ashtu siç ka premtuar, së bashku me të drejtat të amendamentimit të legjislacionit.
Qeveria do ta shkelte Kushtetutën nëse konsideron, siç ka premtuar, se do t’i bëjë transferime financiare një entiteti juridik, çfarë është Bashkësia e komunave serbe.
Për të gjitha këto (e lista është më e gjerë) ka tërhequr vërejtjen Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke shtuar që Qeveria, kur ta hartojë Dekretin për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe Statutin me të cilin do të funksionojë, duhet t’i eliminojë këto premtime të përmbajtura në Parimet që i ka nënshkruar më 25 gusht të vitit 2015.
3.
Qeveria e Kosovës, pra, i ka bërë Serbisë një sërë zotimesh, për rirregullimin e marrëdhënieve juridike brenda vendit, e këto zotime, po të shndërroheshin në akte juridike, do të ishin shkelje serioze të Kushtetutës së vendit.
Vlerësimi juridik, pra, nuk është se Qeveria ka shkelur Kushtetutën, porse zotimet kanë potencialin e shkeljes së Kushtetutës. Andaj është edhe formulimi elegant "jo tërësisht në përputhshmëri", sepse për t’u quajtur shkelje kushtetuese, zotimi i kryeministrit të vendit duhej të ishte shndërruar në ligj, statut a dekret.
Andaj edhe pesha relative është që të quash diçka lajm të mirë. Qeveria e Kosovës, prej 25 gushtit e këtej, ka avokuar për marrëveshjen e nënshkruar, duke i quajtur kushtetuese të gjitha ato që Gjykata Kushtetuese i shpalli se janë jokushtetuese ("jo tërësisht në përputhshmëri"). Këmbëngulja e saj ka krijuar këmbëngulje të opozitës, e cila kishte përsëritur dyshimet e veta mbi shkeljet e Kushtetutës, argumente këto të konfirmuara (pjesërisht) në fund nga Gjykata Kushtetuese. Me aktgjykimin e 23 dhjetorit të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se argumentet e Qeverisë nuk qëndrojnë, gjegjësisht se qëndrojnë dilemat e opozitës. Në rrafshin politik, del se Qeveria e Kosovës është zotuar për shkelje të Kushtetutës, ndërsa opozita për mbrojtje të saj.
Dhe kështu hyjmë në rrafshin politik, e rrafshi është në fakt një humnerë. Qeveria, në tre muajt e fundit ka mbrojtur qëndrimin e vet (të përkujtojmë, një zotim për thyerje Kushtetute), madje duke e përdorur forcën fizike (të organeve të shtetit). Opozita, në këta tre muajt e fundit e ka mbrojtur qëndrimin e vet (të përkujtojmë, në mbrojtje të Kushtetutës), madje duke përdorur forcën fizike, në këmbime, ndonjëherë edhe kundër organeve të shtetit.
Politikisht, njësitet antiterroriste të vendit hynë në lëvizjen “Vetëvendosje” për të arrestuar Albin Kurtin, sepse ai mbrojti Kushtetutën me mjete që cilësohen joligjore.
Politikisht, Qeveria përdori mjete të cilësuara si ligjore për të mbrojtur qëndrimin e vet antikushtetues.
Politikisht, opozita përdori mjete të cilësuara si joligjore për ta mbrojtur Kushtetutën.
Politikisht, është vështirë të dilet prej një humnere të këtillë, posaçërisht afërsisë së saj, pa qartësi juridike.
4.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk dha qartësi juridike. Apo të përdorim fjalorin e tyre, aktgjykimi nuk ishte krejtësisht i përputhshëm me qartësi, a qartësinë e nevojshme.
Juridikisht, Gjykata ka mundur të shpallë se Parimet e prezantuara shkojnë ndesh me Kushtetutën, andaj nuk mund të mbajnë firmën zyrtare të institucioneve të Kosovës. Në momentin kur Gjykata Kushtetuese ka konstatuar zotimin antikushtetues të Qeverisë së Kosovës, ka mundur ta shpallë nul apo të kërkojë që ky zotim të shpallet juridikisht nul.
Kjo do t’i sillte qartësi juridike vendit, e me të edhe një ndihmë për të dalë nga humnera juridike. Dalja do të ishte krijimi i një konsensusi të ri në vend lidhur me negociatat me Beogradin.
Por, në vend të qartësimit, në pikën e 2-të të vendimit, ndonëse nuk e ka pyetur kush për këtë (Presidentja nuk shtroi pyetje se a duhet të formohet Bashkësia apo jo, por a janë Parimet brenda sferës së kushtetutshmërisë), Gjykata Kushtetuese dha një formulim që është pjesë e asaj pjese të traditës negative të fallxhorëve të stilit "populli i Kosovës pret që Jahjaga ta ketë mandatin pesëvjeçar". Në vendim, Gjykata Kushtetuese konstaton "që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumice serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës".
Se a do të themelohet gjë në Kosovë a jo mund të varet nga një ent projektues, drejtori urbanizmi a planifikimi. Apo të parashikohet nga analistë, metereologë e fallxhorë. Por, institucioni ekzemplar, i cili nuk mund të paralajmërojë ngjarjet e së ardhmes me sigurinë e "do të themelohet" gjithsesi është Gjykata Kushtetuese.
Për më tepër, duke bërë formulime të këtilla të pakuptimta të ikën prej njërës prej pyetjeve thelbësore logjike: nëse Parimet përmbajnë kaq shumë shkelje potenciale kushtetuese, ndërsa janë derivate të Marrëveshjes së parë Thaçi-Daçiq, a mund të ndodhë që dokumenti i kontaminuar (kushtetutshmërisht) Mustafa-Vuçiq të dalë prej një dokumenti të pakontaminuar? Pse duhet të themelojë Kosova Bashkësi të komunave serbe?
Gjykata Kushtetuese vs. Gjykatës Kushtetuese
5.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk është (të përdorim terminologjinë e saj) krejtësisht imune nga ndikimi politik.
Në vitin 2013, opozita, në krye me “Vetëvendosjen”, ia paraqiti asaj kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së Brukselit, të nënshkruar nga Thaçi dhe Daçiq. Gjykata e përjashtoi veten nga vendosja, duke vlerësuar se nuk mund të merret me traktate ndërkombëtare. Në mendimin e vet kundërshtues, gjykatësi amerikan, Carolan, e cilësoi si krejtësisht të gabueshme: nëse nuk i analizon Gjykata Kushtetuese pasojat për rendin kushtetues të një akti juridik (aq më tepër një që automatikisht shndërrohet në legjislacion vendor), kush do ta bëjë?
Në vitin 2015, pas një krize prej dy muajsh në Kuvendin e Kosovës (përcjellë me gaz lotsjellës, demonstrata e dajak) presidentja e vendit ia paraqiti kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar nga Mustafa dhe Vuçiq. Ndonëse u shpjegua nga prezantuesja e kërkesës se kjo Marrëveshje cilësohet herë si "akt" e herë si "dokument" zbatues të Marrëveshjes traktat (e rrjedhimisht do të ishte pjesë e të njëjtit trup juridik), Gjykata Kushtetuese nuk e refuzoi këtë kërkesë, madje me pranimin e faktit se nëse nuk e bën Gjykata Kushtetuese, nuk ka kush ta bëjë.
Por, duke mos e refuzuar, pranoi që të analizojë një pjesë të trupit juridik, jo tërësinë e tij. Pranoi të analizojë atë që është kërkuar, pra Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, jo atë të vitit 2013. Dhe duke hedhur poshtë në masë të madhe kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së gushtit, bëri një kërkesë politike (që nuk ia kërkoi kush në letër), që Bashkësia e komunave serbe të ndërtohet sipas Marrëveshjes së Brukselit 2013. Madje, paralajmëron, paragjykon, se do të bëhet një gjë e tillë.
6.
Gjykata Kushtetuese e vitit 2015 ka ndryshuar qëndrimin e asaj të vitit 2013. U mor me një "Marrëveshje ndërkombëtare", ndërkohë që refuzoi një tjetër më 2013, duke thënë se është "Marrëveshje ndërkombëtare".
Por, Gjykata Kushtetuese e vitit 2015 është në kundërshtim edhe me Gjykatën Kushtetuese të vitit 2015. Në momentin kur ajo thotë se do të themelohet Bashkësia e komunave serbe, sipas Marrëveshjes Thaçi-Daçiq, ajo predikon që të shkelet Kushtetuta, madje drejtpërsëdrejti në kundërshtim me analizën që ia ka bërë vetë ajo Marrëveshjes Mustafa-Vuçiq.
Në Marrëveshjen e vitit 2013, kryeministri i atëhershëm, Thaçi, pranoi që entiteti i ri legal, i quajtur Bashkësi e komunave serbe "do të ketë mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimin, shëndetësisë, planifikimin urban dhe rural" dhe se "do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë siç mund të delegohen nga autoritetet qendrore". Për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ky do të duhej të ishte një flamur i kuq që i valëvitet para syve dhe me thjeshtësinë më të madhe do ta hidhte poshtë si një parim antikushtetues. Së paku kështu ka bërë kur analizoi kërkesën e presidentes Jahjaga. Në aktgjykimin e vet vlerësoi se Parimet, në kornizën ligjore, janë antikushtetuese, sepse nuk e trajtojnë Bashkësinë si një OJQ.
Më tutje, në objektivat, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Parimet janë antikushtetuese, sepse Bashkësia nuk duhet të marrë kompetenca prej komunave. Pra, thënë thjesht: Bashkësia e Thaçit dhe Daçiqit është antikushtetuese, sepse nuk i përmbahet përshkrimit prej OJQ-je, për më tepër deklarativisht i premtohen kompetenca nga organet qendrore që mund t’u jepen vetëm komunave (përkatësisht një rrafshi të ndërmjetëm të pushtetit).
Ka më shumë? Po. Në Marrëveshjen Thaçi-Daçiq përcaktohet shprehimisht etniciteti (serb) i komandantit të policisë për katër komunat e Veriut të Kosovës, si dhe përbërja etnike (serbe) e një paneli të Gjykatës së Apelit për katër komunat në Veri të Kosovës.
Më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke analizuar strukturën organizative të Parimeve, ceku se përcaktimi etnik i Bashkësisë është kundër parimit kushtetues të diversitetit etnik të vendit. Lehtë e imagjinueshme sesi ky vlerësim do ta cilësonte si shkelje të Kushtetutës Marrëveshjen Thaçi-Daçiq.
7.
A mundet pra që Kosova të themelojë një Bashkësi të komunave serbe sipas Marrëveshjes Thaçi-Daçiq?
Mundet, por duke e shkelur Kushtetutën. Paradoksalisht, edhe me bekimin e Gjykatës Kushtetuese (së paku në dhjetor të vitit 2015, për më vonë nuk dihet).
Sepse, në bazë të aktgjykimit të 23 dhjetorit të vitit 2015, Bashkësia e komunave serbe siç e parashohin Thaçi e Daçiq, do të merrte kompetenca komunale, gjë që është kundërkushtetutës. Ajo Bashkësi do të përcaktonte etnitë e funksionarëve publikë që është kundër Kushtetutës. Ajo nuk do të ishte organizatë joqeveritare (brenda kontekstit të nenit 44 të Kushtetutës), pra do të ishte kundërkushtetuese.
Madje, nuk mund të formohej fare si Bashkësi e komunave serbe (së paku jo me këtë emër), sepse do të shkonte ndesh me parimin themelor të diversitetit në shtetin e Kosovës.
Që të gjitha i ka thënë Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015. Por, i ka thënë duke u përgjigjur në një pyetje tjetër, jo në atë të kushtetutshmërisë së Marrëveshjes Thaçi-Daçiq.
Një deklarim i këtillë bart në vete një obligim politik. Pushteti në Kosovë nuk mund të thotë se po i përmbahet Kushtetutës nëse mendon se do të procedojë më tutje Bashkësinë e komunave.
Dhe një deklarim i këtillë bart në vete një obligim juridik: vlerësimi i kushtetutshmërisë nuk mund të ndalet vetëm te Marrëveshja e 25 gushtit. Kosova ka nevojë që të sqarohet, në formë eksplicite, nga Gjykata Kushtetuese, për Marrëveshjen e prillit të vitit 2013 mes Thaçit dhe Daçiqit.
8.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të ndihmojë edhe më. Por ajo mund të ndihmojë nëse këtë ia kërkon asaj jeta politike në Kosovë.
Jeta politike në Kosovë i kërkoi ndihmë, në vjeshtën e këtij viti, në formë të gabuar: që polarizimi i skajshëm, paraliza institucionale dhe përdorimi i dhunës që nxorën mundësinë e adresimit të Gjykatës Kushtetuese (me një kërkesë të formuluar mirë e të cilën, si të tillë, e dorëzoi presidentja Jahjaga).
Tash ka mundësi, ndonëse shumë të vogla, ta bëjë më mirë. Politika kosovare, në formë konsensuale, duhet të bëjë kërkesë për vlerësim edhe të Marrëveshjes së Brukselit (me një riformulim më të mirë juridik në kërkesë).
Dhe, për këtë, nuk kanë nevojë për më shumë argumente. Le të përdorin formulimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të 23 dhjetorit të këtij viti, me të cilin "Gjykata gjen se Asociacioni/Bashkësia nuk mund të vishet me autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet e tij/saj me autoritetet qendrore".
Pra, Bashkësia e komunave serbe nuk mund të jetë përfaqësuese politike e interesave të serbëve karshi autoriteteve qendrore. Mund të jetë një OJQ, që nuk merr ingerenca komunale. Dhe që nuk e ka emrin Bashkësi e komunave serbe.
Fundi i negociatave, fillimi i negociatave
9.
Parimet për ndërtimin e Bashkësisë së komunave serbe janë në masë të madhe (po të zbatoheshin) kundërkushtetuese. Kështu tha Gjykata Kushtetuese. Po ta merrte në shqyrtim Marrëveshjen e parë (Thaçi-Daçiq), e të aplikonte të njëjtin kut që ka aplikuar në aktgjykimin e botuar më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese do ta shpallte edhe atë si shkelje kushtetuese. (Pyetja që mund t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese është e thjeshtë dhe e sajuar sikur ajo që kishte të bënte me Marrëveshjen për parimet: po të zbatohet Marrëveshja e parë në legjislacion vendor, çfarë do të ishin pasojat për parimet e barazisë para ligjit, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve?)
Rrjedha logjike e këtyre dy konstatimeve është se nuk mund të ketë Bashkësi të komunave serbe brenda sistemit të tanishëm kushtetues të Kosovës.
Dhe konsekuenca e këtij konstatimi është se, për të mbrojtur Kushtetutën do eliminuar fare obligimin për themelimin e Bashkësisë së komunave serbe. Kjo do të thoshte se nevojiten masat juridike. Nevojitet që të bëhet një shqyrtim i kushtetutshmërisë së Marrëveshjes së Parë, dhe nëse për arsye politike Gjykata Kushtetuese sërish vendos se nuk do të merret me të, ekziston gjithnjë Komisioni i Venecias. Pra, ekzistojnë masat juridike.
Por, nevojitet një vendim politik.
Aktgjykimi i Kushtetueses mund të shërbejë për të ndërtuar një konsensus, e pikënisja e atij konsensusi duhet të jetë pranimi se Bashkësia e komunave serbe nuk mund të jetë as objektiv e as obligim i cilësdo qeveri kosovare. Rrjedhimisht, nëse produkti i quajtur obligim për Bashkësinë e komunave serbe është kundërkushtetues, pra i dëmshëm për vendin, atëherë edhe procesi negociator që e ka prodhuar atë ka qenë i dëmshëm.
Negociatat që sollën këtë produkt nuk janë të mira. Ato në masë të madhe u ndërtuan mbi parimin se Kosova do të japë koncesione në rregullimin e vet të brendshëm, duke akomoduar një autonomi territoriale serbe e në këmbim do të fitonte "normalizimin" e marrëdhënieve (një cak ende i padefinuar në qartësi).
Por kjo nuk do të thotë që duhet ndërprerë idenë e negociatave me Beogradin. Do të thotë që të fillojë një proces më serioz negociator.
E për këtë ka nevojë për një konsensus të ri, i cili duhet të ndërtojë parime negociatore, diçka që pushteti i paspavarësisë as që mori ndonjë mund fillestar për ta bërë.
10.
Në reagimet e para, Qeveria e Kosovës po tregon se nuk ka ndërmend të ndërtojë konsensus, por të niset një rruge të parrugë, hartimin e një dekreti dhe statuti për një Bashkësi të komunave serbe që nuk mund të jetë, kushtetutshmërisht, Bashkësi e komunave serbe. Duke bërë këtë, do t’i nënshtrohet, pa kurrfarë nevoje, sërish, një procesi kur për çështje të brendshme të Kosovës (siç pretendon Qeveria e saj, për formimin e një OJQ-je), duhet pëlqimi i Qeverisë serbe. Dhe, do t’u nënshtrohet presioneve të panevojshme të BE-së dhe shteteve përkrahëse të Kosovës.
Në këtë lojë cic-micesh mashtruese ("po themelojmë OJQ e ata le ta quajnë si të duan") humbet edhe qëllimi bazik negociator. Kosova nuk është dashur të hynte në negociata me pretendime se po mbron diçka, por me pretendime se do të fitojë diçka. Për më tepër, këtu qëllimi nuk është që palët të përpiqen ta mashtrojnë njëra-tjetrën, duke shfrytëzuar formulimet dykuptimëshe. Përkundrazi, qëllimi i negociatave është që palët të dakordohen, të merren vesh.
Interesi i Kosovës nuk është që nëpërmjet Dekretit e Statutit ta fshehë disi nën qilim problemin e Bashkësisë së komunave, por që, pas delegalizimit të tij në Kushtetuese, Bashkësia të delegjitimohet edhe si koncept politik.
Kosova dhe Serbia nuk do të mbërrijnë marrëveshje historike duke e defunksionalizuar Kosovën, por duke krijuar marrëdhënie barazie. E për të krijuar këso marrëdhëniesh më së paku hyjnë në punë cic-micet mashtruese.
11.
Deklarimet e pushtetit në Kosovë, se Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar se Qeveria ka pasur të drejtë, rrjedhimisht se duhet të vazhdojë zbatimin (me Dekret e Statut) të rrugës së drejtë nuk janë vetëm, siç thamë, të padrejta ndaj procesit negociator (pra, palëve me të cilat Qeveria është marrë vesh, Beogradin dhe BE-në), por bartin më vete dy padrejtësi për jetën e brendshme politike.
Fillimisht janë ofenduese për tërë spektrin politik opozitar, për shoqërinë civile, për çfarëdo personi që ka marrë mundin të deklarohet publikisht se rruga në të cilën është nisur pushteti është kundër Kushtetutës së vendit. Ky spektër u përkrah nga Gjykata Kushtetuese ndërsa pushtetit, që me ngulm insistonte se kishte të drejtë , iu dha një vërejtje serioze. Dhe, Gjykata Kushtetuese nuk u aktivizua për të vlerësuar Dekretin (siç kishte planifikuar pushteti), por i hyri vlerësimit të vetë marrëveshjes, dhe vetëm pasi jeta politike degjeneroi në dhunë.
Në një skenë të polarizuar, aq të polarizuar sa si mjete politike tashmë kanë hyrë edhe gazi lotsjellës e edhe njësitet elite antiterroriste (që të dyja mjete për të ndërruar bindjen e palës tjetër), ofendimi i tërë këtij spektri nga ana e Qeverisë nuk do të ndihmojë krijimin e normalitetit në klimën politike në vend. Politika, me këso deklarime, ka më shumë gjasa të sillet rrugëve, në konfrontime fizike, sesa në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Së dyti, deklarimi i këtillë, për vazhdim me Dekret e Statut, është ndërlikim i mëtejmë i funksionimit të shtetit. Në vend të qartësimeve, Kosova hyn në paqartësi të mëtejme juridike në funksionimin e brendshëm dhe paqartësi të mëtejme në funksionimin e procesit të vet negociator. Kjo do të thotë zhytje të mëtejme në krizë politike, për një vend i cili edhe ashtu ka institucione të dobëta, krim të organizuar e korrupsion endemik dhe shkallë të varfërisë e të papunësisë më të lartën në Evropë.
12.
Gjykata Kushtetuese hapi, deri në gjysmë, derën për mundësinë e një konsensusi të ri politik. Forcat politike të vendit tash mund ta hapin tërësisht këtë derë. Përgjegjësinë kyç për këtë do ta ketë Qeveria. Nëse nuk dëshiron kjo Qeveri, do të jetë arsye plotësuese për të krijuar një tjetër.
Comments (0 posted)
Post your comment