Kthimi në ankth
Po qe se e kanë përnjëmend me punën e shtetndërtimit, duhet krijuar hapësirë për shpërfaqjen e një fryme të re, për një brez të ri njerëzish, pa ngarkesa, pa njolla dhe me vizion të vërtetë zhvillimi e shtetndërtimi.
Flaka Surroi
Zgjedhjet e parakohshme, me gjithë këtë kontroll të parave në duart e disave, nuk do të sjellin ndryshim në skenën politike. Do t’i kemi “të dyshuarit e zakonshëm”, të cilët do të thirren në vlerat e luftës dhe në frymën rugoviane dhe do ta ngufasin çfarëdo lëvizjeje më ndryshe, pos nëse të huajt vendosin se koha për ndryshime në Kosovë ka ardhur, dhe se i gjithë projekti i tyre për një shtetndërtim shembullor me njerëz të korruptuar e madje edhe të dyshuar për krime lufte, në fakt është një dështim i madh
“Bela lala” qe epiteti të cilin Vuçiqi ia veshi homologut të tij kosovar teksa e komentonte se s’do të kishte çare pa shkuar në Bruksel për t’i vazhduar negociatat me Serbinë. Mustafa, që në çastin kur kishte kuptuar se Kosovës sërish i ishte mohuar liberalizimi i vizave, kishte deklaruar se nuk do të shkonte në Bruksel, sepse “s’kishte si të shkonte e të shëtitej nëpër kryeqytetin e Evropës, përderisa qytetarët e ‘e tij’ nuk kishin lirinë e lëvizjes pa viza”. Këtë deklaratë ua kishte përsëritur edhe ca zyrtarëve të tjerë të huaj, por në fund, siç edhe ishte e pritur, u nis për të shkuar e për t’u takuar sërish me Vuçiqin. Por jo para se ky i fundit ta përqeshte, e ta quante “tulipan të bardhë”, pra idiomë e Vojvodinës, që nënkupton sugareshën që askush s’e bën hesap, dhe që duhet ta dëgjojë gjithëkë, përfshirë edhe shërbëtoren.
Pas edhe një ofendimi të këtij lloji, u çua dhe shkoi për t’u takuar me Vuçiqin dhe Mogherinin, për ta diskutuar çështjen e Asociacionit të komunave serbe. Dhe, siç nuk mund të ishte ndryshe, nga takimi dolën deklarata kundërthënëse – ku Vuçiqi dhe Mogherini nuk çanin kokë për atë se çfarë kishte thënë Gjykata Kushtetuese, përderisa Mustafa thoshte se Asociacioni do të krijohej në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
Kokëfortësia
E Gjykata Kushtetuese, tashmë e dimë të gjithë, e ka marrë një vendim që duke e përdorur gjuhën diplomatike amerikane i ka shpallur parimet bazë të Marrëveshjes së gushtit në “mospërputhje me Kushtetutën”, që përkthyer troç shqip, do të thotë se janë në kundërshtim me të. Pra, si e tillë, pa u ndryshuar, nëse bash duhet të ndryshohet, e bën themelimin eventual të këtij Asociacioni kundërkushtetues.
Kot e kanë të gjithë që përpiqen ta shpjegojnë se Statuti duhet të jetë në pajtim me udhëzimet e Kushtetueses, ngase dokumenti burimor i Statutit, pra Marrëveshja e 25 gushtit, është në kundërshtim me të. Nuk duhet pasur shumë mençuri për të ditur se marrëveshja është dokument më i lartë në hierarkinë juridike, pra përherë mbizotëron mbi statutin apo secilin dokument tjetër që rrjedh nga ai.
I pabesueshëm është insistimi i të dy krerëve të kësaj Qeverie që Marrëveshja duhet të zbatohet, që Asociacionin vazhdojnë ta quajnë OJQ, duke e ditur se ai s’është OJQ, e që nuk e prish rendin kushtetues, kur në fakt atë që e bën është se e federalizon Kosovën.
Edhe aq më i pakuptimtë është insistimi që të mos përpiqen asnjë grimë të vetme që të ulen me opozitën për ta zgjidhur lëmshin në të cilin e kanë futur Kosovën – përderisa luajnë lojëra meskine diplomatike, duke thënë se ja, të huajt janë të gatshëm të ndërmjetësojnë, e t’i ulin bashkë palët e konfrontuara. Pra, duke pranuar se nuk janë të gatshëm për ta nxjerrë Kosovën nga kriza në të cilën e kanë futur me shkurtpamësinë e tyre politike e juridike.
Mbështetur në atë që ka ndodhur në muajt e fundit të bllokadës politike – marrja nën kontroll e bordeve dhe e institucioneve që e kontrollojnë paranë publike, pa as mbikëqyrjen më të vogël nga një Kuvend që është plotësisht jofunksional, duket se ky është motori, i cili e lëviz përpara gjithë këtë hallakamë që po na ndodh. Pra, po duket përherë më e qartë se të vetmëve që u konvenon bllokada institucionale janë ata që mund të përfitojnë sa më shumë financiarisht nga kjo – pra ata që rrinë nën dardha, që në gjuhën tonë të përditshme quhet buxhet.
Të parët në korrupsion
E këtë më së miri e ilustron Transparency International, që Kosovën e ka vendosur në vendin e parë për nga korrupsioni në rajon. Kësaj radhe ia kaluam edhe Shqipërisë, e edhe Bosnjës, Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi. Ka më shumë se një dekadë që pushtetarët tanë, sa herë publikoheshin këto raporte, thoshin “ky është perceptim”. Po të mund ta dëshmoni, atëherë do të flisnim ndryshe dhe do të orientoheshim me punën tonë në luftimin e tij.
Por fakt i pamohueshëm mbetet qëndrimi i BE-së në lidhje me liberalizimin: njëri nga 9 kushtet e paplotësuara është pikërisht luftimi i krimit dhe i korrupsionit. Për shkak se në 16-17 vjetët e fundit do të mund të numëroheshin në gishta njerëzit që janë dënuar për këtë punë. Njëri nga ta edhe ish-kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, i cili për shpërdorimin e mbi 60 milionë eurove vlerë toke i ka marrë dy vjet e gjysmë burgim me kusht. Pra, rri i lirë dhe shëtitet rrugëve të Prishtinës, dhe me gjasë vazhdon të këshillojë për punë juridike, por pa nënshkrime e autorizime, për shkak se i është ndaluar ushtrimi i profesionit.
Se sa të korruptuar jemi e dëshmon edhe skandali me stentat dhe hetimi që po i bëhet personelit mjekësor që ka qenë i përfshirë në këtë skemë shitblerjeje pacientësh e gypash për zemra. Në vend se t’i lihet Prokurorisë rruga e lirë për hetime dhe madje të ndihmohet në zbardhjen e rastit që e ka shndërruar mjekësinë kosovare në një biznes shumë profitabil, mjekët specialistë çohen dhe kërcënojnë me grevë – se nuk do t’u ofrojnë shërbime pacientëve po qe se hetimet nuk ndalen. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, çohet ministri i Shëndetësisë dhe në mbledhjen e Qeverisë deklaron se si mjekët duhet lënë rehat që ta kryejnë punën e tyre profesionale.
Kësaj po i vjen era presion politik mbi gjyqësinë e pavarur – që për qëllim do të ketë zënien e gilicave – ndonjë infermiere a ndonjë teknik, e tek-tuk ndonjë mjek të praksës së përgjithshme, eventualisht ndonjë kardiolog, sa për të mos thënë se nuk u zu asnjëri, dhe mbyllja e rastit me kaq. Ashtu siç u veprua te rasti i transplantimeve ilegale, ku përgjegjësi kryesor i kasaphanës iku nga Kosova dhe gjendet në arrati prej vitesh.
E se mjekët e lartpërmendur po dëshmojnë të mos kenë as etikë profesionale e as besnikëri ndaj betimit të Hipokratit, mjafton fakti se janë të gatshëm ta ndalin punën në QKUK, por jo edhe nëpër spitale private, ku akuzohen t’i kenë referuar pacientët prej “spitalit shtetëror”.
Kush ka faj këtu? Paraja natyrisht. E edhe mosrregullimi ligjor i statusit të të punësuarve në sektorin e shëndetësisë, dhe mbi të gjitha mosndëshkimi, që në fakt paraqet fjalëkalimin për keqpërdorimet e vazhdueshme që ndodhin në atë sektor, duke nisur nga zhdukja e barnave nga farmacia qendrore; allishverishet me citostatikë; blerja e filmave të rëntgenit pa kurrfarë kriteri, dhe duke i shkelur të gjitha procedurat e mundshme ligjore e deri te referimi i vazhdueshëm i pacientëve nëpër klinika private në Kosovë dhe jashtë – mundësisht me para të buxhetit për shërim jashtë vendit.
Rrugëdalja
Dhe përderisa Kosova të ketë këso qeverisjeje do të vazhdojë të fundoset thellë e më thellë në krizë edhe ekonomike, edhe politike. Ekonomike, që nuk ka ku të shkojë me keq seç është, për shkak se nuk krijon vende të punës dhe nuk ua mundëson as atyre që në teori do të kishin mundësi të mbijetojnë nga puna e tyre në fshat. Për shkak se, siç thonë ekonomistët, pa pasur rritje prej 10% në vit, në dekadën që vjen, ne do të mbesim këtu ku jemi.
Arsyetimi i Qeverisë se opozita i ka fajet pse investitorët e huaj nuk vijnë në Kosovë nuk qëndron. Ngase opozita nuk e ka mbajtur të bllokuar Kuvendin qe dhjetë vjet, por qe katër-pesë muaj. Arsyeja se përse nuk vijnë të huajt këtu është se nuk e kanë asnjë garanci të vetme juridike për investimin që do ta bëjnë. E këtë garanci me siguri nuk do t’ua ofrojë as vendi i parë në rangimin e më të korruptuarve në rajon.
Kriza politike, nga ana tjetër, do të vazhdojë përderisa njerëzit që e kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe do të vazhdojnë të luftojnë për pushtetin e përjetshëm. Sërish duke u kthyer te tema e zgjedhjes së kryetarit të shtetit, askush pos Mr. Ktysë nuk prononcohet: ky thotë se Thaçi do të zgjidhet kryetar në shkurt. Natyrisht, atij i konvenon, sepse kështu do të bëhej kryetar i PDK-së. Për më tepër, madje edhe do të kishte gjasa që të bëhej kryeministër i ardhshëm. Sepse, po të supozonim se do të shpikej një interpretim krejt i ri për vendimin që e rrëzoi Pacollin nga posti i kryetarit, e që Thaçi do të zgjidhej, LDK-ja nuk do të duhej të flinte e qetë, sepse kafshimi i ardhshëm i Gjarprit do të nënkuptonte shkaktimin e krizës dhe rënien e Qeverisë dhe të Mustafës me votat e PDK-së. Për pasojë, do të kishim zgjedhje të reja, dhe sërish humbjen e LDK-së, si pasojë e shkeljeve të të gjitha premtimeve elektorale nga fushata e vitit 2014 dhe e marrjes së përgjegjësisë për dialogun, alias këmbët e arushës, që ia ka lënë Thaçi.
Zgjedhjet e parakohshme nuk parapëlqehen nga të huajt – e këtë e vërtetojnë deklaratat e ambasadores gjermane dhe të ambasadorit amerikan. Dhe nuk do të duhej të ishin zgjidhje për Kosovën tash, pa ndërruar bile ligji zgjedhor. Porse me gjasë do të jenë zgjidhja e vetme po qe se Thaçi insiston të bëhet kryetar, pavarësisht të gjithave, dhe po qe se një pjesë e LDK-së këndellet dhe nuk ia siguron kuorumin për t’u votuar.
E zgjedhjet e parakohshme në këtë konstelacion politik, me gjithë këtë kontroll të parave në duart e disave, nuk do të sjellin ndryshim në skenën politike. Do t’i kemi “të dyshuarit e zakonshëm”, të cilët do të thirren në vlerat e luftës dhe në frymën rugoviane dhe do ta ngufasin çfarëdo lëvizjeje më ndryshe, pos nëse të huajt vendosin se koha për ndryshime në Kosovë ka ardhur. Nëse e kuptojnë se negociatat me Serbinë, kështu çfarë janë, e çojnë Kosovën në humnerë, dhe se i gjithë projekti i tyre për një shtetndërtim shembullor me njerëz të korruptuar e madje edhe të dyshuar për krime lufte, në fakt është një dështim i madh.
Po qe se e kanë përnjëmend me punën e shtetndërtimit, duhet krijuar hapësirë për shpërfaqjen e një fryme të re, për një brez të ri njerëzish, pa ngarkesa, pa njolla dhe me vizion të vërtetë zhvillimi e shtetndërtimi.
Në të kundërtën, me të drejtë do të shtrohet pyetja se a e ka vlejtur i gjithë ai investim dhe gjithë ai mund për t’u kthyer në pikën ku kemi qenë para 18 vjetësh. Për ne që jetojmë këtu dhe që do të vazhdojmë të jetojmë këtu do të jetë rijetimi i një ankthi, prej të cilit mezi jemi këndellur. Duke ditur që më nuk do të gjendet kush për të na ndihmuar, sepse e kemi dëshmuar se nuk e kemi merituar. /koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment