Maqedonia dhe shteti i së drejtës
Në fakt Maqedonia si vend në tranzicion po kalon një udhë të vështirë drejt konsolidimit të demokracisë dhe stabilitetit të institucioneve në kuptim të përgjithësuar. Klasa aktuale politike erdhi në pushtet përmes një sistemi jo funksional të vlerave demokratike. Në këtë sistem shtetëror, vlerat demokratike nuk arritën të depërtojnë në mënyrë efikase në mekanizmat juridike. Duke krahasuar sistemin aktual në vend, sistemi i vlerave demokratike mbeti prej kohësh jo efikas dhe i pa konsoliduar në thelb
Nga Bujar Plloshtani
Në fakt Maqedonia si vend në tranzicion po kalon një udhë të vështirë drejt konsolidimit të demokracisë dhe stabilitetit të institucioneve në kuptim të përgjithësuar. Klasa aktuale politike erdhi në pushtet përmes një sistemi jo funksional të vlerave demokratike. Në këtë sistem shtetëror, vlerat demokratike nuk arritën të depërtojnë në mënyrë efikase në mekanizmat juridike. Duke krahasuar sistemin aktual në vend, sistemi i vlerave demokratike mbeti prej kohësh jo efikas dhe i pa konsoliduar në thelb. Veçoritë kryesore të një sistemi me vlera demokratike që depërtojnë në mekanizma juridike, pra shteti i së drejtës realisht rezulton në këta tri elemente:
1. Demokracia përmes zgjedhjeve të përgjithshme;
2. Rregulli i konkurrencës në zgjedhje (pluralizmi politik);
3. Alternimi në pushtet.
Tani sa Maqedonia është shtet i së drejtës tregojnë parametrat se institucionet ende nuk janë të reformuara sa duhet me vlerat e demokracisë, ngec sundimi i së drejtës, ka mangësi të vazhdueshme në reformat e gjykatave, liria e mediave nuk është e mosvarme nga politika, të drejtat e njeriut dhe të qytetarit në të shumtën e rasteve nuk respektohen sa duhet sipas kritereve evropiane. Fatkeqësisht, në vend kemi një drejtesi të dirigjuar, dhe gjykata selektive. Në shumë aktvendime të gjykatave kemi kuptuar se kanë qenë selektive dhe me ndikime politike. Konkretisht kemi dëgjuar te afera e përgjimeve që publikoi kryeopozitari Zoran Zaev se gjykatat shpeshherë kanë qenë selektive dhe kane sjell vendime politike në dem të qytetarit. Rikujtojme rastet e montuara kryesisht te shqiptarët, që u ngriten në protesta për të dëshmuar se aktvendimet e gjykatave për qytetarët janë të papranueshme.
Pushteti aktual instaloi një regjim elastik, ku opozita dhe shoqëria u tendosen keq në artikulimin e shprehjes së lirë dhe të ushtrimit të veprimtarisë politike si opozitë. Në çdo vend demokratik opozita cilësohet si korrektor i pushtetit, pasi opozita në të shumtën e teorive të së drejtës nënkuptohet se është elementi thelbesor i shtetit demokratik në shoqëri. Regjimi përjashtoi opozitën të jetë korrektor i pushtetit, dhe kështu institucionet humbën të qenit të konsoliduar dhe efikas në përmbushjen e standardeve evropiane! Si pasojë e kësaj Maqedonia mbetet vendi që nuk i ka përmbushur standardet e duhura të demokracisë, ku vendi duhet seriozisht të angazhohet në bashkërenditjen e poltikave me opozitën dhe shoqërinë civile. Gjithashtu, opozita duhet të trajtohet dhe mbrohet nga pushteti, liria e mediave të jetë e lirë dhe e mosvarme nga ndikimet politike, të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të qytetarit duhet të garantohen dhe mbrohen nga institucionet e shtetit.
Nëse flasim për moralin në politikë, atëherë duhet të kuptojmë integritetin e politikanit në shoqëri. Shpeshherë në vendet me demokraci të brishta kemi parë moralin të përdoret si hapësirë për të treguar ambiciet dhe vullnetin e politikanit për të sjellë fate të reja ekzistenciale në shoqëri. Ndryshe, në vend ky moral që po përhapet nga klika e këtij pushteti gjoja se janë në shërbim të interesit të shoqërisë, realisht kemi kuptuar se morali i tyre në politikë është i rrejshëm. Ndryshe morali në politikë, ose më mirë tek shtetet ballkanike nuk ekziston prej vërteti në kuptimin e qëllimeve. Sot është mjaft e vështirë të besosh në politikë, pasi arsyeja kolektive për të menaxhuar me institucionet është kthyer në betejë për interesin vetjak. Për më tepër në shtetet ku mungon forma e lartë e artit të qeverisjes nuk mund të presësh të rilind e madhërishmja dhe realja në kohë, pos absurdit. Politika nuk ka mundur të jetë një burim i mundshëm i parimeve morale, por një burim i shpikur nga disa individ që kryesisht janë marrë me çështjen e tyre vetjake. Morali i rrejshëm në politikë sot është një mënyrë e kryer për të thënë se njerëzit s’janë më në gjendje reale të besojnë në ndonjë mënyrë të tillë propaganduese që ata vetë nuk e njohin. Kur zvënitja e moralit në politikë nis të pluskojë e të bëhet e njohur më gjerësisht, në këto kohra të brishta tashmë njerëzit domosdoshmërisht do të binin në një dëshpërim dhe nihilizëm, që fundja përkon me nocionin që shpie drejt fundit të kënaqësive, pra në shfrenim të kohëpaskohshme. Pasi ky aktualitet politik zhvillohet në rrethana të përditshme, dhe se vlerat shoqërore duket se i kanë tendosur keq!
Comments (0 posted)
Post your comment