Bastionet politike si shprehje të konformizmit
Popull i majtë, popull i djathtë, popull i kuq, popull blu! Janë këto disa prej etiketimeve, shprehjeve më tipike të diskursit mediatiko-politik-populist të këtyre 26 viteve tranzicioni. Në thelb pasqyrojnë cilësinë, nivelin e politikbërjes ku e shkuara...
Nga Luan Kurti
Popull i majtë, popull i djathtë, popull i kuq, popull blu! Janë këto disa prej etiketimeve, shprehjeve më tipike të diskursit mediatiko-politik-populist të këtyre 26 viteve tranzicioni. Në thelb pasqyrojnë cilësinë, nivelin e politikbërjes ku e shkuara, nostalgjia thirret në ndihmë në mungesë të alternativave serioze zhvillimore dhe konformojnë elektoratin shqiptar... Që komunizmi nëpërmjet parazitizmit, zhdukjes së pronës, konkurencës dhe elitave intelektuale ja doli ta masivizojë, ta kthejë në normë. Por fakti që shumica e popullit kërkoi në 1990 rrëzimin e atij sistemi, e bëri nul, krijoi një elektorat të ri të aksesueshëm. Vetë fitorja plebishitare e PD-së në 1992 tregon se populli “i majtë” qe një nocion i tejkaluar. Ky popull kërkonte integrimin në Europë, në bllok. Por fakti i dështimit të klasës politike dhe krijimit të precedentëve që vunë në rrezik jetën, identitetin kombëtar, tërësinë territoriale, situata ekonomike e përkeqësuar dhe shpresat gati të shuara për një të ardhme më të mirë, i kthyen një pjesë të njerëzve në pozicionet vjetra, në një retrospektivë, apologji të tipit “ishim mirë kur ishim keq!”. PS-ja u sinjifikua me të majtën, me shtresat më të gjera të popullsisë, si parti e traditës, kurse PD-ja si e djathtë, që ishte më e mirëpritur në Perëndim. Dhe sipas elektoratit ndanë edhe ngjyrat.
Kjo lloj qasje, apo propagande që synonte parcelizimin e elektoratit dhe mosunifikimin për çështje madhore ka dhënë frutet e veta negative, duke e ndarë hartën e Shqipërisë në Jug dhe Veri, në të Kuqe dhe Blu dhe luan me termat e besës, të mosndryshimit të gjasave deri në sakrifikim. Terminologji demoniake, autoritariste, që rezonojnë me parullat “grusht bashkuar rreth partisë” dhe “barë do hamë dhe parimet nuk i shkelim”. Kjo ka çuar në një ndarje shoqërore dhe luftë klasash të tipit të ri, ku fryma e mospajtimit ndihet ende e freskët midis kategorisë së të përndjekurve të djeshëm dhe pjesës tjetër, me terminologji ekstreme. Ku palët po reviozionojnë edhe historinë dhe flasin si për dy botë të ndryshme. Mjaft të hetoni rrjetet sociale për ta kuptuar këtë trend, ku institucioni i pajtimit dhe faljes gjen fare pak vend. Kur retorika është e njerëzve të thjeshtë vjen edhe nga mosnjohja e gjërave, nga pamundësia për të pasur informacion të klasifikuar nga institucionet, por kur ndërthuret me zëra më publik kjo bëhet alarmante dhe me pasoja afatgjata. Së fundi një gazetare paska anatemuar kryeministrin pas debatit me kryebashkiaken, Znj Voltana Ademi për çështje të fondeve. Ku Shkodra cilësohet “blu” dhe “besnike”, që nuk shitet për një thes miell. Në fakt vetë rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare i dha fitoren së majtës edhe në qarkun e Shkodrës, duke dëshmuar pakënaqësinë e këtyre banorëve për qeverisjen e shkuar. Kjo është qytetaria e vërtetë, që të ndëshkon për mosmbajtjen e premtimeve! Lidhja e qytetarit me subjektin politik, nuk është dhe nuk mund të jetë një martesë në altar ku palët i betohen njëri-tjetrit për besnikëri të përjetshme! Ky është thjesht militantizëm, anakronik!
Veriu dhe jugu nuk mund të jenë as të kuq as blu, as portokalli, janë thjesht pjesë të territorit pellazgjik ku banojnë njerëz me të njëjtin gjak, gjuhë dhe zakone dhe kanë të njëjtat pritshmëri. Duan një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Të flasësh në emër të shumicës, është sipërmarrje e madhe, një mandat përfaqësimi që ia jep vetes apriori. Sepse edhe nëse do konsideronim pjesët e kuqe dhe blu të elektoratit, nuk duhet të harrojmë pjesën e bardhë apo gri siç quhet rëndom. Dhe janë mbi 40%, jo pak, që nuk marrin pjesë në votime, fatkeqësisht. Dhe tek kjo përqindje ka edhe shumë shkodranë të ndershëm dhe me integritet ma do mendja. Ky populli ynë edhe numerikisht është i vogël, sa një lagje i ndonjë kombi tjetër. Boll na ka ndarë historia, tani kemi nevojë për reflektim, për luajalitet, për një qytetar të lirë që “të jep hakun”, sipas punës që bën dhe nuk të lë ta tërheqësh për hunde. Në këtë tranzicion problematik të stërzgjatur nuk mund të flitet më për bastione. Kjo terminologji duhet të dalë nga përdorimi i demokracisë, sepse nuk është në përputhje me zhvillimet aktuale, edhe globale. Në Greqi, në Spanjë, në Francë e diku gjetkë kemi pasur përmbysje, raporte të reja forcash në përputhje me krizën, afirmim të ekstremeve si kundrapeshë e oligarkisë që sfumoi institucionet dhe demokracinë. E majta dhe e djathta në kohët e sotme ndahen në fare pak gjëra përsa i përket pjesës programore dhe diferenca është në zbatueshmëri. Varfëria e njerëzve kontraston me luksin dhe pasurinë e elitës politike, dhe varfërinë nuk mund ta klasifikosh me ngjyrat e spektrit të ylberit. Në marshimin e kahershëm të legjioneve të betejave me shpata për lavdi dhe zona influence, gjëja më pak e rëndësishme ka qenë ngjyra e kuajve.
Comments (0 posted)
Post your comment