Reforma në Drejtësi do i nxjerrë plehrat në sipërfaqe
Përvoja e këtij çerek shekulli në Shqipëri ka treguar se demokracia ka ecur me ritme tranzicioni, duke e mbajtur zhvillimin shoqëror në kufijtë minimal. Na e kanë servirur sistemin e lirisë, të fjalës, mendimit, të drejtës për punë e gjithçka tjetër të cunguar. Nuk e kanë lejuar të marrë zhvillimin e duhur.
Nga Sokrat Ndreçka
Nuk ka shqiptar të mos ketë kuptuar se të korruptuarit nuk arrijnë dot të fshihen, sado të modifikohen. E kanë të pamundur t`i fshihen drejtësisë, edhe në rastin më të keq, kur ajo nuk ndihet e pushtetshme, nuk ka mundësi vepruese. Në gjuhën e filozofisë së popullit, të gjithë ata që duan të pasurohen në kurriz të të tjerëve, duke vjedhur djersën e dikujt, quhen plehra, kalbësira dhe u duhet gjetur vendi. Ata e ndotin keq mjedisin e demokracisë, e bëjnë të padurueshëm, irritues, të pabesueshëm tek njerëzit e thjeshtë. Kërkojnë ta prishin me çdo kusht imazhin e sistemit tek të tjerët, edhe pse për vetë ata, ai është parajsa e vërtetë.
Sistemi i demokracisë është i shenjtë, i paprekshëm, i pacënueshëm, ku çdo njeri ka pjesën e vet të lirisë. Dhe kur ndodh kështu nuk ka vend për plehra, për hapsira korruptive, nuk duhen lejuar privilegje, diferencime, ca më keq kur plehrat bëjnë inteligjentin, të japin mend.
Përvoja e këtij çerek shekulli në Shqipëri ka treguar se demokracia ka ecur me ritme tranzicioni, duke e mbajtur zhvillimin shoqëror në kufijtë minimal. Na e kanë servirur sistemin e lirisë, të fjalës, mendimit, të drejtës për punë e gjithçka tjetër të cunguar. Nuk e kanë lejuar të marrë zhvillimin e duhur. Modeli tërhiq, por mos e këput, është motivuar e tillë për 26 vjet, është kthyer në gogol, në pamundësi për të ndërmarrë nisma për të stimuluar iniciativa krijuese dhe më gjerë se kaq.
Në memorien e shqiptarëve nuk prishen lehtë gjurmët dhe nuk harrohen aspak autorët e krimeve çnjerëzore, si në kohën e monizmit, ashtu edhe sot në demokraci. Kanë ndodhur krime të rënda dhe këto nuk janë aksidentale. Janë të mirorganizuara dhe njerëzit e këtij vendi i dinë mirë autorët e veprave të rënda që janë kryer. Pluralizmi politik në Shqipëri solli me vete plot plehra, nga një sistem që mbajti si në një bunker një popull për gjysmë shekulli. Ndërsa në Shqipëri, ata që morën rolin e liderit të demokracisë, u kthyen në simbol të së keqes për shkaqe që historia shqiptare nuk do i harrojë kurrë. Në emër të demokracisë mori jetë vandalizmi, shkatërrimi masiv, u sajuan banda që tmerruan jetën e shqiptarëve. Mori jetë mashtrimi dhe firmat piramidale, u aktivizua lëndë shpërthyese për të krijuar situatë frike e trishtimi, u shkaktuan viktima të pafajshme. Ndërsa drejtësia ra në gjurmë letargjik dhe nuk arriti të japë drejtësi, për të cilën shqiptarët kanë qenë dhe janë shumë të uritur.
Historia e jetës së shqiptarëve në këto dekada është e dhimbshme. Kjo ka arsyet e veta të njohura. Më shumë se reformat transformuese të jetës së shqiptarëve, mori jetë korrupsioni i gjithanshëm, i mbështetur fuqishëm nga shtetarë, politikëbërës, deputetë. Mbështetja e tyre ka qenë aktive dhe shumë efikase për ata që sajuan këtë mënxyrë, strukturat e shtetit dhe administratorë të molepsur me krimin. Nënat e veshura me të zeza nuk mund të harrojnë bijtë e vrarë në ditë me diell, vetëm e vetëm pse kërkuan lirinë e munguar. Nuk mund të harrohet `97-ta, ku shqiptarët vranë njeri-tjetrin. Në Shqipëri ndodhi Gërdeci i vitit 2008 ku humbën jetën njerëz të pafajshëm, u shkatërruan qindra shtëpi, lanë trojet e tyre dhjetra banorë për të siguruar jetën në zona të mbrojtura. Katër njerëz të pafajshëm u vranë më 21 janar 2011 pse kërkuan lirinë, të cilën ua kishin marrë peng.
Vlerat e padiskutueshme që ka demokracia janë produkt shumë i kërkuar, ndaj dhe synohet që të integrohemi sa më shpejtë në botën e qytetëruar. Shikojmë çdo ditë se ka politikanë, deputetë, njerëz të lidhur me botën e krimit që i kanë dalë bllok dhe duan të pengojnë përparimin. Po cilët janë ata? Janë ca plehra, njerëz të dhjamosur, që ushqehen në rrugë të dyshimta dhe nuk duan t`ia dinë për ligjin dhe shtetin, nuk duan t`ia dinë se shteti i së drejtës është mbi gjithçka. “Fatkeqësisht politika dhe fatet e njerëzimit merren në dorë nga njerëzit mediokër dhe pa ideale. Njerëzit e mëdhenj, nuk i futen kurrë politikës”, shkruan nobelisti për letërsinë, Albert Camus.
Ka një të vërtetë të pakontestueshme: Në sipërfaqe, në mjedise të dukshme, duket qartë hierarkia e krimit, zallamahia e tij në sy të shqiptarëve. Na e ka treguar shkoqur fare politika, njerëzit që nuk heqin dorë nga rruga e krimit, ata që ushqehen dhe mirëmbahen nga prodhues të pa ndërprerë të veprave penale. Keni dëgjuar kur politika çirret me të madhe dhe tregon se si krimi brenda shoqërisë shqiptare po bënë kërdinë. Jemi të ndërgjegjshëm se si prokurorë, gjyqtarë, njerëz të veshur me kostumin e shtetit kanë marrë pasuri, këto vite, pa patur asnjë merak se kanë shkelur ligjin dhe normat kushtetuese të vendit.
Thuhet se Reforma në Drejtësi do bëjë namin në të ardhmen! Do ndëshkojë të gjithë ata që janë majmur në kurriz të pjesës tjetër të shqiptarëve, që kanë shpresuar shumë tek drejtësia dhe e vërteta. Të shohim, asgjë nuk është e sigurtë! Nuk është e sigurtë nëse do ndëshkohen ata që janë akuzuar për krime të rënda. Mund të ndodhë që shumë prej tyre të përfitojnë nga ndonjë “amnisti” e mundshme. Të dy palët po përgatiten për një përballje që nuk do jetë e lehtë, as për kriminelët, po ashtu edhe për drejtësinë e re, e cila po mbështetet gjerësisht nga ndërkombëtarët. Në rast se Euralius do ta fitojë këtë betejë, e cila nuk është aspak e lehtë, shqiptarët do shijojnë frutet e munguara të demokracisë. Zbatimi i Reformës në Drejtësi është një test konkret për drejtësinë. Në rast se plehrat e dala në sipërfaqe do dërgohen në landfill, shqiptarëve me siguri do u kthehet besimi dhe shpresa për një integrim të shpejtë të Shqipërisë në Bashkësinë Europiane.
Comments (0 posted)
Post your comment