Rikthimi i politikës fiskale
Stimuli fiskal që do të rezultojë nga këto politika të pakoordinuara të G7-ës, ka të ngjarë të jetë shumë modest – në rastin më të mirë me një shtesë prej 0.5 përqind të PBB-së për disa vjet. Kjo do të thotë se sa më shumë stimuj, veçanërisht shpenzimet për infrastrukturën publike...
Nga Nuriel Rubini
Nju Jork – Që nga kriza financiare globale e vitit 2008, politika monetare ka patur pjesën e luanit në mbështetjen e qëndrueshme të kërkesës agregate, nxitjes së rritjes ekonomike, dhe parandalimin e deflacionit tek ekonomitë e zhvilluara. Nga ana e saj, politika fiskale është e kufizuar nga defiçitet e mëdha buxhetore dhe rritja e stoqeve të borxhit publik, me shumë vende që vazhdojnë të zbatojnë ende masa shtrënguese, për të garantuar qëndrueshmërinë e borxhit. Tetë vjet më vonë, është koha duhur për të kaluar stafetën
Si loja e vetme “në qytet”, kur erdhi puna tek stimulujt ekonomikë, bankat qendrore u nxitën të miratojnë politika monetare gjithnjë e më të pazakonta. Ato filluan të ulin normat e interesit në një nivel thuajse zero, dhe më pas miratuan udhëzime paraprake, për t’i mbajtur këto norma për një periudhë të zgjatur. Në një lëvizje të njëpasnjëshme, bankat qëndrore të vendeve të përparuara filluan lehtësimin sasior (QE), blerjen e sasive të mëdha letrash me vlerë të qeverive për periudha afatgjata, për të reduktuar normat e tyre të interesit.
Ato gjithashtu filluan lehtësimin e kreditit apo blerjen e aseteve private, për të ulur kostot e huamarrjes të sektorit privat. Kohët e fundit, disa nga autoritetet monetare – përfshirë edhe Bankën Qëndrore Evropiane, Bankën e Japonisë, dhe disa banka të tjera qëndrore evropiane – i kanë çuar normat e interesit në vlera negative. Këto politika rritën çmimet e aseteve dhe gjallëruan rritjen ekonomike, duke parandaluar deflacionin.
Por këto mekanizma kanë arritur limitet e tyre. Në fakt, norma negative e interesit mund të dëmtojë përfitimet bankare, dhe në këtë mënyrë gatishmërinë e bankave për të dhënë kredi. Sa për QE-në, bankat qëndrore mund t’i japin fund blerjes së obligacioneve qeveritare. Megjithatë, shumica e ekonomive janë larg prej pozicionit ku duhet të jenë.
Nëse vazhdon prirja e rritjes ekonomike nën potencial, politikës monetare mund t’i mungojnë mjetet për të trajtuar atë, veçanërisht nëse rreziqet e mundshme – ekonomike, financiare, politike apo gjeopolitike – mund të dëmtojnë gjithashtu rimëkëmbjen. Nëse për ndonjë arsye bankat nxiten të zvogëlojnë kreditimin e sektorit privat, politika monetare mund të bëhet më pak efektive apo edhe kundër-produktive.
Në këtë kontekst, politika fiskale do të jetë i vetmi mekanizëm efektiv i politikës makro-ekonomike që mbetet në dispozicion, dhe kësisoj do të duhet të marrë më shumë përgjegjësi për luftën kundër presioneve reçesioniste. Por nuk ka nevojë të pritet derisa bankave qendrore t’u kenë mbaruar të gjitha municionet. Ne duhet të fillojnë që tani aktivizimin e politikës fiskale, dhe kjo për disa arsye.
Sa për fillim, falë masave të dhimbshme shtrënguese, defiçitet dhe borxhet janë ulur, çka do të thotë se ekonomitë më të përparuara kanë tanimë hapësira fiskale për të rritur kërkesën. Për më tepër, politika e bankave qëndrore për norma interesi thuajse zero dhe monetarizimi i borxhit me anë të QE-së, do të rrisë ndikimin e politikës fiskale mbi kërkesën agregate.
Dhe norma e interesit të obligacioneve afatgjata të qeverive, është aktualisht në nivelin më të ulët historik, duke bërë të mundur që qeveritë të shpenzojnë më shumë dhe/ose ulin taksat, ndërsa financojnë defiçitin me një kosto të ulët. Së fundmi, ekonomitë më të zhvilluara kanë nevojë të riparojnë ose zëvendësojnë infrastrukturën e rrënuar, një formë kjo investimi me kthime më të larta se sa obligacionet e qeverisë, sidomos sot kur norma e bonove është në nivele shumë të ulëta.
Infrastruktura publike jo vetëm që rrit kërkesën agregate; ajo gjithashtu rrit furnizimin agregat, teksa mbështet produktivitetin dhe efikasitetin e sektorit privat. Lajmi i mirë është se ekonomitë e G7-ës duket se janë gati të fillojnë – ose ndoshta kanë filluar – të mbështesin më shumë politikat fiskale për të nxitur rritjen ekonomike, edhe kur ruajnë retorikën e kursimit.
Në Kanada, administrata e kryeministrit Xhastin Trudo, ka shpallur planin për të rritur investimet publike. Ndërsa kryeministri japonez Shinzo Abe, ka vendosur të shtyjë për më vonë një rritje të rrezikshme të tatimit mbi konsumimin, e planifikuar për vitin e ardhshëm, ndërsa njoftoi ndërkaq krijimin e një buxheti shtesë për të rritur shpenzimet dhe fuqinë blerëse në sektorin e blerjeve.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria e re e drejtuar nga kryeministrja Tereza Mej, ka hequr dorë nga objektivi i eliminimit të defiçitit buxhetor deri në fund të dekadës. Pas votimit pro Brexit, qeveria Mej ka hartuar politika fiskale ekspansioniste, të cilat synojnë nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e kushteve ekonomike për qytetet, rajonet dhe grupet e lëna pas dore gjatë dekadës së fundit.
Edhe në eurozonë, ka disa lëvizje. Gjermania do të shpenzojë më shumë për refugjatët, mbrojtjen, sigurinë, dhe infrastrukturën, duke ulur taksat në mënyrë të moderuar. Dhe me Komisionin Evropian që po tregon më shumë fleksibilitet mbi objektivat dhe tavanet, pjesa tjetër e eurozonës mund të jetë në gjendje ta përdorë në mënyrë më efikase politikën fiskale.
Nëse zbatohet plotësisht, i ashtuquajturi Plani Junker, sipas emrit të presidentit të Komisionit Evropian, do të rrisë investimet publike në të gjithë Bashkimin Evropian. Sa për Shtetet e Bashkuara, do të ketë disa stimuj, pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale, Hilari Klinton apo Donald Tramp. Të dy kandidatët favorizojnë më shumë shpenzime në infrastrukturë dhe në ushtri, heqjen e kufizimeve mbi shpenzimet civile, dhe reformimin e taksës mbi korporatat. Tramp ka ndërkaq një plan për uljen e taksave, që nuk do të jetë neutral ndaj të ardhurave, prandaj do të zgjerojë defiçitin buxhetor (edhe pse efekti mbi kërkesën ka të ngjarë të jetë i vogël, duke pasur parasysh përqendrimin e përfitimeve në krye të shpërndarjes së të ardhurave).
Stimuli fiskal që do të rezultojë nga këto politika të pakoordinuara të G7-ës, ka të ngjarë të jetë shumë modest – në rastin më të mirë me një shtesë prej 0.5 përqind të PBB-së për disa vjet. Kjo do të thotë se sa më shumë stimuj, veçanërisht shpenzimet për infrastrukturën publike, ndoshta do të jenë të garantuara. Megjithatë, masat e ndërmarra apo të parashikuara deri më tani, përfaqësojnë tashmë një hap në drejtimin e duhur.
/bota.al/ Project Syndicate
Comments (0 posted)
Post your comment