Home | Opinion | Kosova e vetës së parë

Kosova e vetës së parë

image
Pasqyrim më real, sado i shëmtuar, sesa këto katër paraqitjet në vetën e parë nuk ka për ta përshkruar Kosovën. E sunduar nga një demagog me tipare diktatoriale; e paraqitur si demokraci parlamentare nga njeriu i territ me shumë ambicie ...

 

 

 

 Flaka Surroi     

 

 

 Pasqyrim më real, sado i shëmtuar, sesa katër paraqitjet në vetën e parë, nuk ka për ta përshkruar Kosovën. E sunduar nga një demagog me tipare diktatoriale; e paraqitur si demokraci parlamentare nga njeriu i territ me shumë ambicie; e përfaqësuar nga dikush që madje biografinë e saj e falsifikon; me qeverisje të përkrahur nga elementë që besojnë se duhet ta zgjerojmë sovranitetin deri në Afganistan, pa fije përpjekjeje për ta kuptuar realitetin e hidhur në të cilin po jetojmë

 

Kjo do të ketë qenë java e paraqitjeve në vetën e parë, të tilla sa edhe grekët antikë do t’na e kishin lakminë. Temat e trajtuara ishin të ndryshme; mënyra e paraqitjes së tyre ishte gjithashtu laramane, kurse porositë që u përçuan e zbuluan, mbase edhe pa dashje, konstelacionin e qeverisjes së mbrapshtë të këtij vendi.

 

Kur mundet Clintoni pse jo unë

 

Mbase do t’ju kujtohet nga xhirimet e vjetra të lajmeve ndërkombëtare, që kur kryetari amerikan Clinton merrte për ta nënshkruar ndonjë ligj për një çështje të caktuar, do t’i mblidhte në Zyrën Ovale përfaqësuesit e palëve të interesuara, dhe do të ulej ta nënshkruante aktin me një grumbull lapsash kimikë – një për secilën shkronjë që do ta qiste mbi letër. Në fund, të gjithë do të ishin të lumtur dhe do të duartrokisnin. Kryetari, sepse e shpalli një ligj, kurse palët se pos që bëheshin me ligj, merrnin me vete nga një laps kimik me të cilin ishte futur në fuqi ligji në fjalë.

 

Kur nga fillimi i javës e pashë fotografinë e kryeparlamentarit të ulur te tavolina e shtrenjtë dhe e gdhendur, e vendosur aty nga koha e Dacit, të rrethuar me 14 veta, përfaqësues të menaxhmentit dhe të punëtorëve të Trepçës, ky ishte asociacioni i parë që më lindi. E paramendoja sesi mr. Kadri Veseli i kishte qitur para vetes 14 kimika, për ta nënshkruar një ligj, njësoj ashtu siç bënte Clintoni. Përderisa nuk e di nëse i ka pasur 14 lapsa para vetes, dhe nëse këta i janë falur audiencës që po ia ruante shpinën, atë që po e di se e ka nënshkruar një tekst ligji të miratuar nga Kuvendi në çastin e fundit. Ligji i cili megjithatë u kontestua për shkak të hapësirës së interpretimit fleksibil për punën e privatizimit eventual të gjigantit industrial. Ligj, të cilin partneri i koalicionit i kryeparlamentarit e çoi në Kushtetuese duke konsideruar se serbëve u janë shkelur të drejtat jetike.

 

Pra, në një ceremoni krejt formale, ngase promulgimi i ligjit nuk varet nga Kuvendi, por nga kryetari, Veseli e montoi një show, për t’u paraqitur shpëtimtar i Trepçës. I mblodhi këta njerëz, të cilët qëndronin gatitu, derisa ky ia vinte firmën një ligji, i cili edhe mund të kthehet në procedurë parlamentare. E montoi shfaqjen, në të cilën e paraqiti veten si yllin e ditës; si njeriun e fortë pa të cilin asnjë gjë në këtë vend nuk mund të lëvizë; si njeriun i cili nuk e fsheh se synon të bëhet kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Si njeriu që kur të dojë mund ta shpartallojë këtë koalicion dhe të na çojë në zgjedhje të reja. Posa të ndihet rreziku i veprimit të Gjykatës Speciale.

 

Monolog jam vetë

 

Dhe pikërisht ishte Gjykata Speciale ajo që duket ta ketë detyruar Hashim Thaçin që të dalë në një konferencë shtypi të stilit të Jahjagës nga fillimi i mandatit të saj. Pra, konferencë ku kryetari e lexon një letër të përgatitur nga këshilltarët, por nuk lejon t’i shtrohet asnjë pyetje, pos pyetjes që ai ia shtron vetvetes. Edhe së cilës natyrisht i përgjigjet vetë.

 

Konferenca e katër letrave do të mund të quhej. Prej atij podiumi, organeve të ndjekjes iu kërkua që t’i trajtojnë disa nga krimet e luftës dhe të tjera që kanë ndodhur menjëherë pas qershorit të 1999-s, si dhe t’i trajtojnë masakrat, dhunimet seksuale, shkatërrimin e objekteve të kultit dhe vrasjet e pasluftës.

 

Që të nesërmen e kuptuam se kryeprokurori, të cilit nuk i ishin adresuar letrat personalisht, ishte angazhuar për shqyrtimin e letrave, përderisa jo pak njerëz e vlerësonin veprimin e Thaçit si bajraktarizëm të vonuar për çështje që kanë kërkuar zgjidhje në kohë të veten. Për më tepër, do të shtoja, veprimi i tij është plotësisht i pasinqertë dhe madje do ta cilësoja si cinik.

 

Si kryetar i PDK-së kishte pranuar krijimin e koalicionit qeveritar që krijoi Qeverinë e parë të Kosovës së pasluftës më 2001-n. Është fakt se në atë kohë gjyqësia ka qenë në duar të UNMIK-ut, porse nuk është parë asnjë përpjekje nga partia e tij që të insistojë te autoritetet civile ndërkombëtare që çështja e krimeve të trajtohej me seriozitet. Në vijim, nuk duhet harruar se shërbeu si kryeministër i Kosovës prej 2007-s deri më 2014-n – pra kur e kishte gjithë fuqinë ekzekutive në duar, dhe kur kishte kontrollin absolut në Kuvend.

 

Të dalësh pas 17 vjetësh, i veshur si kryetar, për t’u treguar organeve të drejtësisë se duhet të bëjnë përpjekje për t’i zbuluar krimet që prej kohësh kanë mbetur të mbyllura në sirtarë e kuti të hedhura nëpër depo të harruara, përderisa si shef qeverie ke bërë gjithçka për ta dobësuar sistemin e drejtësisë, është shumë e ulët dhe është vetëm hapje e vragave që i bartin familjarët dhe viktimat e listuara në letrat e tij.

 

Se si janë emëruar njerëzit kyç në drejtësi e zbuloi Pronto 2, dhe mbi të gjitha e zbuloi veprimi shkatërrimtar i Gjykatës Kushtetuese që i sillte vendimet sipas interesave të tij dhe partisë të cilën e kishte kryesuar për 16 vjet e sa. Të dalë e të kërkojë tash nga trupat e ndjekjes që të merren me rastet ku mund të kenë humbur edhe provat e edhe dëshmitarët është joetike dhe nuk shërben për asgjë tjetër pos për sigurimin e një lehtësie në rast se bëhet objekt ndjekjeje nga Gjykata Speciale.

 

Duke e ndjekur shembullin e Haradinajt, i cili e dinte se do të gjykohej në Hagë, por, megjithatë u bë kryeministër, për hir të lehtësimeve që do t’i aplikoheshin më vonë gjatë procesit, Thaçi tash mundohet të zbulojë sa më shumë veprime që do t’ia mundësojnë një trajtim më të mirë, po qe se eventualisht përfundon edhe ky në Hagë.

 

Por, mbi të gjitha, me këtë veprim, u përçon mesazh ndërkombëtarëve: duke iu thënë se drejtësia të cilën ata e administruan në Kosovë ka qenë dështim absolut, duke nisur nga UNMIK-u e duke përfunduar me EULEX-in, të cilit iu kufizua mandati sivjet, dhe, duke ua rikujtuar se ai është njeriu kyç për zbardhjen e çfarëdo problemi në Kosovë, sepse tash ai është kryetar që e zbaton Kushtetutën. Ai është njeriu i cili fton për drejtësi. Po të njëjtën drejtësi që me shumë ngulm e kishte mohuar me vite të tëra.

 

Letrat e tij do të mbarojnë me gjasë diku të harruara, sepse intenca e tyre nuk është që drejtësia të vijë në vend. Se po ta ketë pasur këtë si qëllim, atëherë nuk i kishte lejuar deputetët e partisë së tij që ta kontestonin me aq shumë energji ligjin për kompensimin e viktimave të dhunimeve seksuale gjatë luftës dhe nuk do të insistonte që t’i vendoste militantët nëpër postet kyç të drejtësisë, që e kanë sjellë drejtësinë kosovare në pikën ku është tash.

 

Ka dashur t’i bëjë vetes publicitet si njeri i mirë, i ndershëm dhe adhurues i drejtësisë. Publicitetin e mori, ama opinionin nuk e bindi.

 

E humbur nëpër lista

 

Opinioni e njeh si personazh të politikës kosovare që fiton publicitet sa herë e përdor fjalën “nuk” në raport me një çështje që duhet ose nuk duhet të diskutohet në Bruksel. Ajo quhet Edita Tahiri, dhe sinqerisht nuk e di se pse e mban ende postin e ministres për Dialog, në kushtet kur komplet procesi i dialogut me Beogradin do të mund të cilësohej një dështim i madh, i cili natyrisht, në fund, do t’i faturohet asaj.

 

Ministrja, e cila ka qenë edhe zëvendëskryeministre në Qeverinë e shkuar, doli para Komisionit përkatës parlamentar, në ditën e konferencës së katër letrave për të thënë tekstualisht: “Kemi biseduar një raund të bisedimeve. Na është thënë nga Bashkimi Evropian, ‘herën tjetër të dy palët duhet t’i keni me vete të gjithë listën e të pagjeturve në shtetet e juaja. Dhe kur e kemi listën vazhdojmë raundin tjetër’. Këtë listë asnjë palë nuk arriti ta formulojë”.

 

Në kushtet kur shumë organizata ndërkombëtare dhe të vendit, dhe kur një profesor i vetëm ka mundur t’i përmblidhte emrat e të gjitha viktimave të luftës në Kosovë në dy vëllime, kjo politikane çohet dhe e thotë këtë, “për herë të parë”, në mbledhje të komisionit. Çuditërisht, të nesërmen del dhe thotë se është keqkuptuar. Nëse përnjëmend është keqkuptuar, pse pra nuk reagoi menjëherë në mbledhje kur deputetët e akuzonin se listat ekzistojnë dhe se Komisioni qeveritar për të pagjeturit disponon me listën e konsoliduar të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

 

Reagoi dy ditë më vonë, në një intervistë për KTV-në. Dhe aty, tekstualisht tha: “Kërkohej që Serbia ta dorëzojë listën e të zhdukurve në kuptimin ku janë ata. Pra fjala është për dy lloj listash, por disa nga deputetët të cilët nuk e kishin përcjellë fare këtë problem, nuk e kuptonin”.

 

Valla unë deputete nuk jam, ama as unë nuk e kuptoj se si bëhet që Serbia “duhet të dorëzojë listat e të zhdukurve se ku janë”. A bëhet se ata e dinë saktësisht se cili njeri është varrosur në një varrezë masive të caktuar, apo si është puna? Po kur i kanë varrosur, zhvarrosur e transportuar me kamionë, a bëhet që edhe ua kanë marrë letërnjoftimet për t’i evidencuar?

 

Deklarata e këtillë “shfajësuese” është edhe më absurde se ajo e para. Për shkak se dëshmon josinqeritetin e komplet strukturës qeverisëse që është marrë me dialogun, e posaçërisht të Tahirit, e cila mendon se sa herë që flet po e thotë një gjë të mençme, përderisa ajo që del në fund është gënjeshtër.

 

Është turp që çështja e të pagjeturve nuk është bërë kusht i negociatave: listat kanë ekzistuar, dhe është dashur të ngulej këmbë se ose Serbia e tregon vendndodhjen e varrezave masive, ose negociata nuk ka. Porse duket se çështja e mëditjeve të Brukselit gjithmonë ka qenë më prioritare sesa 1665 njerëzit që akoma janë të zhdukur, meqë kjo temë është prekur vetëm një herë, dhe madje para pesë vjetësh. Këtu as dorëheqja nuk do të mjaftonte për t’ia larë gjynahet.

 

* * *

 

Vetëm një shoqëri e zhgënjyer sikur e jona toleron që shtetin ta udhëheqin diletantët politikë që krejt çka bëjnë, e bëjnë në vetën dhe për vetën e parë. Diletantë në politikë, por jo edhe në gjëra të tjera, janë treguar aq të aftë, sa na e kanë topitur trurin – aq sa madje edhe një deputet e ish-zëvendëskryeministër thërret konferencë shtypi para shtatores së Rugovës për të na treguar se kalashët në Afganistan na qenkan shqiptarë, a ilirë, a pellazgë, a çkado që na e ka ënda.

 

Pasqyrim më real, sado i shëmtuar, sesa këto katër paraqitjet në vetën e parë nuk ka për ta përshkruar Kosovën. E sunduar nga një demagog me tipare diktatoriale; e paraqitur si demokraci parlamentare nga njeriu i territ me shumë ambicie dhe me fuqinë për ta zbuluar çfarëdo keqpërdorimi e krimi kur të dojë dhe për çfarë pune të dojë, sepse është njeriu i sekreteve që shërbejnë mirë për shantazh; e përfaqësuar nga dikush që madje biografinë e saj e falsifikon, duke e shpallur veten ministre të Jashtme të qeverisë në ekzil, e që merret me punët që nuk i di, duke mos kuptuar se në fund do të bjerë kurban për krejt budallallëqet që i ka thënë e bërë; me qeverisje të përkrahur nga elementë që besojnë se duhet ta zgjerojmë sovranitetin deri në Afganistan, pa fije përpjekjeje për ta kuptuar realitetin e hidhur në të cilin po jetojmë.

 

Kjo është Kosova e vetës së parë. Të atyre që e sundojnë një popull që e ka humbur unin e vet./kohanet

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00