Zëri i ngulfatur intelektual!
Rikthimi në skenë i zërit intelektual, mundëson që politika të fitojë përmasën humane, epiqendrën njeri, por edhe debatin e përhershëm mbi raportet njerëzore e kombetare.
Sabaudin Zhuta
Kanonadë “dixhiribu”( instrument frymor Burixhian e fisit afrikan Zulu) e valle “alla” Apaçe është duke u luajtur mbi vathën e tufës pa çoban,-e populli,si në transin e dervishëve të gatshëm për sacrificë-kurban ! Ky fat troket në kafkat “grinn” të fisit ton !
Ato të cilët kan njërin vesh të mbyllur e ne pamje mioptrik; janë në prangat e Prometheut. që më shum ( fatkeqsisht) më asocon në epitaf mbi këmbanat e Onufrit se sa në lodrat-tupanat e Veleshtës sime !
Me një ndjesi të padurueshme, të zënë gand në përçartjet përfituese të ikonave të marrëzisë, po dëgjojmë edhe në këtë stinë vjeshte, kakofoninë e moçalishteve politike. Një “tallave politike”, po shpalohet përpara nesh e ndërmendur nga agonia, e nxitur edhe njëherë nga forca e pushtetit. Na serviret durim, normalitet shoqëror dhe “bejte” tjera, në kohën kur “qytetarët e rrjepur” shumë lehtë e kanë të mbeten gojë hapur përpara mashtrimit të radhës.
Në afreskun madhështor të skllavërimit, fjala durim, vjen të mëlcojë nënshtrimin e vullnetshëm dhe profilin e të kolonizuarit. Ajo, tashmë gjatë kohë është futur në qarkullim nga “berberët” e politikës, të cilët kërkojnë ta bëjnë zap mendimin ndryshe. Ata e kërkojnë me ngulm këtë unitet, që nënkupton dorëzimin toptan nën këmbët e ikonës reformuese. Duhet të flasim me një zë, të krrokasim nëpërmjet hinkës buçitëse të altoparlantit kolonial, sepse kështu e do “uniteti i çeliktë” i protagonistëve të nënshtrimit të vullnetshëm. Na proklamohen teza cmendurish se shqiptaret ne Maqedoni kurr s’paskan qene me mire … hajde teveqel hajde…
Tashmë është bërë kanon i pështirë që të ngjitemi pas unitetit, sa herë që midja përfituese kërkon të zhvat pozicione në hierarkinë e kolonisë ekzistuese politike. Kur padroni kërkon pluralizëm ia ofrojmë, por kur kërkon gjunjezim duhet ta ashper ta kundershtojm, duhet ta lëshojmë “kushtrimin” e “fisëm” për të ngjeshur radhët kombëtare, sepse gjithmonë do të jemi nën trysninë e një çasti historik, gjithmonë do të jemi nën kërcënimin e një “mallkimi” politik. Valët e pluralizmit delikat shqiptar nuk guxojnë të përplasen në tokën e uzurpuar të demokracisë, ato duhet butësisht të prajnë brenda gardhit të Kështjellës së unitetit ! Masa e shendoshe intelektuale duhet zene vendin e saj, te luan rrolin qe i takon .
Të gjithë ata që i kanë marrë erë idesë evropiane, e dinë se këto bejte janë lodra fëmijësh, të cilat edhe mund të marrin flakë në një ambient të pastërvitur demokratik. Për këtë na bind edhe Erazmi i Roterdamit, autori i veprës monumentale “Lavdërimi i marrëzisë”. Ky kumtar i pavarësisë mendore na bën të kuptojmë se fryma partiake do ta ketë më të lehtë të veprojë, sepse di ta shtyjë pakënaqësinë e përjetshme të njeriut në një drejtim të mirëpërcaktuar. Por, si zakonisht, nën vrullin e këtyre pasioneve për mobilizim, për njëtrajtshmëri dhe për dyndje në hapësirat arkaike, fshihen matematikat politike të përfitimit, fshihet pretendimi për të uzurpuar pluralizmin politik dhe fushën e demokracisë, e cila në asnjë rast nuk mund ta pranojë përngjitjen, sidomos kur ajo kërkon të sendërtohet nëpërmjet arketipave klanore e fisnore.
Për të lidhur fijet e këtij peizazhi kolonial, forca e vërtet e ndjesisë së durueshme duhet vazhdimisht të ballafaqohet me britmat e humnerave partiake, të cilat vijnë të proklamojnë kauzat e tyre në emër të unitetit. Ky është një mirazh, që shprushën arketipe persekutuese, që mpreh briskun e “berberëve” të tranzicionit shqiptar.Mbase keto pervoja na jan te njohura me.
Ky zë, edhe njëherë kërkon të fetishizojë ndasitë, percarjet, pluralizmin politik, në trajtat ekuivoke të vajtimit, që më pas të vendos “harmonitë e përcaktuara” të kolonializmit.
Rivendosja e unitetit përfundimtar kërkon mirazhin e kohëve mesianike, kohën e numërimit deri në një, dhe më së shumti deri në dy. Premtimi i “përndritur” për unitet nje ose me se shumti dy partiak, përfshinë brenda vetes likuidimin e qytetarisë dhe rikthimin e proletariatit në trajta tjera, ne forma plackitese edhe me drakonike gjer ne shperngulje masovike.
Në kohën kur këto vrulle apatike koloniale po marrin hov për të dëshmuar rëndësinë e unitetit, hutat e stinëve të dorëzimit tundin kokën në korin e madh të përngjitjes. Totalitarizmi i unitetit dhe i integrizmit vjen të bëhet unanim, jo vetëm ngadhënjyes, po edhe i paarritshëm për korrigjime e dyshime. Nëse intelektualët dezertojnë dhe mbërthehen për “shtratin e vdekjes”, ka mundësi që këto bejte të ripërsëriten dhe të shndërrohen në realitete unanime, të cilat mëpastaj lehtësisht mund të keqpërdoren nga tutkunët.
Kur ne të jemi zgjuar, në hapësirën ku dëshirojmë ta vendosim mbrothësinë kolektive, ka mundësi të ketë ngadhënjyer perseri sovraniteti i parasë, postpolitika e arketipave vrastare, që me lapsin e privilegjeve pushtetare na e bën portretin e përjetshëm të popullit të kolonizuar.
Nëse mexhnunët e kotësisë dhe të përfitimeve e degjeneruan politikën në format e saj më të rrezikshme, në skajet mik-armik, kjo nuk do të thotë që në emër të një mesianizmi të ri duhet të futemi përsëri në mashtrimin e radhës. Na mbetet vetëm të dallojmë parashenjat e këtij mashtrimi dhe të ngjitemi për idenë evropiane, e cila e urren përngjitjen, çfarëdolloj trajte të totalitarizmit. Ujdia e mospërputhjes, e kuptuar si antagonizëm i përhershëm, por e mikluar me vlerat më të fisme të politikës dhe të demokracisë, duhet të jetë suaza e përbashkët e hapërimeve qytetëruese. Në këtë pretendim duhet ta kërkojmë individin humbës, atë që me kohë ka braktisur hapësirën publike.
Braktisja e kësaj aspirate, turbullon demokracitë dhe nxjerr në dritë format e zhveshura të pushtetit, i cili gjithnjë do të jetë një pushtet i eger ” i shkëputur nga idetë, i mbyllur ndaj konflikteve që do ta gjallëronin, i bërë vetëm për t’u ruajtur vijimisht si pushtet”. Pretendimi për ta ruajtur shëndetin e demokracisë nga ekuivoket e urtesise, durimit e tolerances, kërkon që zërat të kthehen në skenë, me rrezikun për të gabuar.
Rikthimi në skenë i zërit intelektual, mundëson që politika të fitojë përmasën humane, epiqendrën njeri, por edhe debatin e përhershëm mbi raportet njerëzore e kombetare.
Kjo mund të jetë një punë e mundimshme, sepse siç thotë Cfajg “humanizmi iu vë përpjekjeve të veta një qëllim të largët dhe shumë pak të dukshëm. Prandaj humanizmi mbetet një ideal aristokratik dhe intelektual”.
Në kohën kur shumëkush nga predikatorja dhe nga katedra e sharlatanizmit ngrihet për të imponuar një të vërtet që është vetëm e tyre, na mbetet që me urtësi dhe inteligjencë të ndezim idetë me epiqendrën njeri dhe intelektualizem ! Nën dritën e zbehtë të fenerit të humanizmit, na mbetet ta përkulim afshin tonë, përkushtimin ndaj pluralizmit dhe lirisë njerëzore e kombetare . Kete intelektualet e mirefillt dijn ta bejne me se miri dhe kete ato ia kan borxh popullit te vet !
Eshte koha kur intelektualet te ngrejne zerin fuqishem e me guxim !
Comments (0 posted)
Post your comment