Home | Opinion | Në vendin tim, në vendin tënd

Në vendin tim, në vendin tënd

image
“Njerëzit e mëdhenj, nuk i futen kurrë politikës”, thotë Albert Kamus, nobel i letërsisë. Në këtë vend janë qëmtuar deputetë, shtetarë, liderë partie, që e kanë çmendur një popull në dekada me radhë.

 

 

 

Nga Sokrat Ndreçka

 

 

Kur iu bashkuam devizës për të shkuar së bashku në shoqërinë e lirë europiane, më 22 Mars 1992, nuk e menduam kurrë se ky vend do përfshihej në kaos politik, ekonomik, social e shoqëror. Menduam se kohën më të keqe në historinë shqiptare, ky popull e kaloi në komunizëm. Por u zhgënjyem shumë shpejt. Që në ditët e para të tranzicionit u duk qartë se edhe ky sistem i ri shoqëror nuk po niste mbarë. Vendi u përfshi në trazira. Anarshinë e sajuan liderët e asaj kohe, gjoja për të shembur sistemin gjysmëshekullor monist. Në të vërtetë, në Shqipëri po instalohej një lloj diktature e re shoqërore, ku disa sipërmarrës politikë filluan të pasurohen në mënyrë të shfrenuar. Askush nuk mund t`i ndalte, askush nuk mund t`i ndalë edhe sot e kësaj dite. E tillë erdhi demokracia, e cila një komunitet të imunizuar nisi ta shëndoshë, të tjerët i fukarosi, i bëri si mos më keq. Ka qenë kjo një prognozë e lexueshme. Por të vetëshpallurit lider kombëtarë, si udhërrëfyes vendosën partitë, duke u maskuar pas lirisë dhe demokracisë ia bënë të zezën Shqipërisë. Në filozofinë e popullit, këta derra liderë shfrytëzuan partitë, kapën shtetin dhe u kthyen shumë shpejt në grosistë. Të tjerë i besuan shpresës së vetme se një ditë do vinte drejtësia, do vinin ditë të bardha edhe për ata. Nuk ndodhi kështu. Të majmurit u eklipsuan dhe jetojnë në oborrin e mbretit, të tjerët vuajnë padrejtësinë që erdhi si hije dhe i mbyti njerëzit në halle. Njëlloj si në kohën e komunizmit. Të vetëshpallurit liderë, asnjëherë nuk kanë menduar për shtet dhe pushtet të vërtetë, asnjëherë nuk e kanë vrarë mendjen se drejtësia është mbi gjithçka. Qëllimi i vetëm i tyre është të hipotekojnë çdo gjë që kanë gjetur përpara. Dhe ashtu kanë bërë, pa patur frikë dhe merak se një ditë drejtësia do godasë ata që vjedhin të maskuar me lirinë, me lirinë e mendimit, me lirinë e fjalës, me lirinë e së drejtës së tyre. Ngaqë është vepruar kështu, ngaqë shtetin, shoqërinë e kanë vlerësuar si mundësi për të zhvatur mall, kapital, pasuri, asete, kanë ndodhur shumë tragjedi njerëzore, kanë ndodhur vrasje, vjedhje, trafikim të qenieve njerëzore. Kujtojmë Gërdecin Mars 2008, ngjarjet e 21 janarit 2011, firmat piramidale, vitin e zi 1997, vjedhjet e taksave përmes tenderave. Dhe të gjitha kanë ndodhur fiks në vendin tim, në vendin tënd.

 

Kaloi një çerek shekulli dhe shqiptarët po vuajnë “prioritete e politikës, qeverive që kanë qenë në drejtimin e vendit”. Kemi parë se sa të paefektshme kanë qenë reformat e ndërmarra në emër të votuesve, në emër të zgjedhësve. U deshën të kalojnë muaj e javë të tëra që të miratohej reforma territoriale vendore, e cila tregoi se sa larg janë politikanët tanë nga standartet ndërkombëtare. Shqiptarët e shkretë nuk kanë besuar asnjëherë, as tek njëra palë politike, as tek tjetra. U këmbëngul fort dhe me bekimin e ndërkombëtarëve u finalizua reforma e shumëkërkuar në drejtësi, ku palët politike dolën zbuluar dhe shumë të brishta. Për opozitën reforma ishte e mangët. Sipas saj ka qenë një dështim i shumicës. Debate me argument të kundërt ka dhe do të ketë dhe kjo është normale. Gjykimi, arsyetimi është i lirë. Asnjëherë nuk u pranua konsensusi, qoftë edhe për element esencial. Por nuk është ky një rast i shkëputur. Që ka kundërshti, votë kundër, abstenim, madje edhe debate të ndezura midis kolegësh deputet, është e pranueshme dhe demokratike. Ndarjet midis palëve janë armiqësore, thua se nuk janë të njerëzishëm, nuk i përkasin të njëjtit komb e shoqërie.

 

Reforma tashmë ka marrë rrugën e zbatimit në jetë, por ajo që bie në sy është se si ka mundësi që, mazhoranca dhe opozita e sotme kundërshtojnë armiqësisht njeri-tjetrin. Ka munguar fryma konsensuale, fuqia argumentuese e gjërave për të fituar thjeshtë kredo politike. Por politika, thonë politikëbërësit është e përdalë, është imorale. I bie që politikanët të mos merren seriozisht me interesin e madh të shoqërisë, por me çështje private. Dhe kjo ndodh në vendin tim, në vendin tënd.

 

Shqipëria, thotë opozita, është e mbushur me hashash. Dhe për këtë është akuzuar kryeministri Rama, qeveria që ai drejton, janë denoncuar trafikantë dhe njerëz të lidhur me shtetin, financimet e të cilëve, sipas opozitës, do shërbejnë për të financuar zgjedhjet e ardhshme politike. Kjo akuzë ka marrë përmasat e një “kauze” për opozitën. Ka muaj që e përsëritet në çdo orë të ditës dhe qëndrim i tillë është kthyer në retorikë. Bën mirë që këtë realitet e mban gjallë dhe e rifreskon me informacionet që dalin nga Policia e Shtetit. Lëndët narkotike në Shqipëri nuk përbëjnë më lajm dhe nuk mendojmë se kjo është një kauzë që e bën opozitën dinamike, për të cilën investohet kaq shumë. Ajo ka detyra të tjerë edhe më të mëdha se sa e zë kohën me hashashin që kultivohet dhe shitet në tregjet e huaja.

 

Ajo që duam të theksojmë është se në këtë vend që quhet Shqipëri, në këto 26 vjet demokraci, shumë vendimmarrje kanë dështuar dhe janë marrë përgjegjësitë. Aq shumë kanë qenë të “gabimet qeverisëse” saqë pranohen si të tilla dhe ky mbetet gatim, produkt shqiptar. Dhe nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër, por në vendin tim, në vendin tënd. Këtë zallamahi e bëjnë politikanë që nuk u është u dëgjuar zëri, e bëjnë politikan “profesionist” edhe pse nuk kanë pikën e nivelit për ti dëgjuar. “Njerëzit e mëdhenj, nuk i futen kurrë politikës”, thotë Albert Kamus, nobel i letërsisë. Në këtë vend janë qëmtuar deputetë, shtetarë, liderë partie, që e kanë çmendur një popull në dekada me radhë. Përballë kësaj situate të krijuar, të njohur, me të drejtë Dritëroi i madh shkruan: Në vendin tim e në vendin tënd/ E shpojnë lakrën, i hedhin mend/ Në vendin tim e në vendin tënd, /Një i çmendur një vend e çmend.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00