Të mjerët ne
Mjerim kur duhet bërë krahasime të këtilla - te izolimet, njerëzit janë futur në burg pa letra, por kanë dalë gjallë me to; te Astriti letra ishte njësoj njëdrejtimëshe, por në kah të kundërt: hyri me vendim ...
Flaka Surroi
Kosova e Klanit Pronto nuk ka perspektivë tjetër pos mjerimit. Nuk ka tjetër, pos rrëshqitjes jo bash të ngadaltë në diktaturë, për shkak se në të nuk sundojnë as ligji e as drejtësia. Në të sundon ambicia e pushtetit të përqendruar te një njeri, që do të mundë të luftonte me atë tjetrin që e do po të njëjtin pushtet, e që më parë e arreston ndonjë djalosh që shkruan grafite sesa dikë që fut njerëz në punë pa kunkurru.
Pa dyshim se pamja që do ta mbaj gjatë në kujtesë do të jetë ajo e prindërve të Astrit Deharit në Rubikon. Do ta mbaj mend edhe elokuencën, qetësinë dhe fuqinë e dy njerëzve, posaçërisht të nënës Xhemile, që nuk lejojnë që t’i thyejë ikja e hershme e të dy bijve të tyre në rrethana shumë të çuditshme.
Paraqitja në ekranet televizive të çiftit që kishte kaluar një kohë të gjatë në Perëndim, nga shkaku i përndjekjes politike dhe që kishte vendosur të kthehej në Kosovë menjëherë pas luftës, për të shpjeguar ndjenjat dhe ngjarjet që ishin lidhur për shuarjen e hershme të Arbënorit dhe të Astritit, nuk e besoj se e ka lënë këdo indiferent.
Mua më bënë që ta kaloja natën pa gjumë – të ktheja e riktheja në mendje fjalët që i thoshin; trajtimin që kishin marrë nga institucionet; faktin se as për njërin e as për tjetrin djalë nuk kishin marrë as letra zyrtare me të cilat do t’u komunikohej shuarja e fëmijëve, pavarësisht rrethanave. Faktin se të dy djemtë i kishin pasur të burgosur për aktivitete politike, kurse njërin prej tyre madje e kishin pasur të arrestuar si të dyshuar për terrorizëm, përderisa për 67 ditë burgimi nuk e kishte marrë asnjë hetues në pyetje. Më bënë të mbesja pa gjumë, derisa më sillej nëpër mendje konstatimi se a për këso Kosove paskemi luftuar me çka do që kishim prej vitesh; se në çfarë makthi na ishte shndërruar ëndrra e Kosovës së pavarur, të cilën ne do ta ndërtonim si një shtet model.
Modeli i dështuar
Atë që ndërtuam në 17 vjetët e fundit është një birucë e mjerë ku nuk ka as ligj e as drejtësi – sepse që të dyja janë selektive dhe krijojnë armiq aty ku nuk do të duhej të kishte. Në vend se të përpiqeshim për një shtet ku do të kishte rend e përgjegjësi edhe morale, edhe penale për veprimet që merren në emër të popullit, ne u përpoqëm për një shtet të udhëhequr nga sharlatanët që të vetmen gjë që e kishin ditur ishte si ta zhvishnin këtë vend deri në palcë nga krejt të mirat që i ka.
E krijuam një shtet që për çdo vit të lum merr raport negativ nga Komisioni Evropian. Një shtet që nga Transparency International cilësohet si njëri ndër shtetet me korrupsionin më të lartë në rajon – cilësim i cili përherë quhet perceptim, e jo realitet, nga udhëheqësit shtetërorë, të cilët janë bartësit e po këtij korrupsioni. E kemi një krijesë që e ka mbase sistemin më të keq gjyqësor në Evropë, ku aktakuzat mbahen gjatë në sirtarë, aq sa për t’iu kaluar afati; ku seancat gjyqësore caktohen me nga pesë vjet vonesë, njësoj për t’iu kaluar afati lëndëve; ku një polic dënohet për marrje ryshfeti prej 100 eurosh, porse përgjegjësi për transaksione tokash në vlerë milionëshe lirohet për çështje procedurale.
E krijuam një shtet që shëndetësinë e ka rrëzuar përtokë, ku biznes kryesor janë barnat dhe ushqimi që shpërndahet nëpër spitale publike; ku kiameti i pareve shkon në sektorin privat për shërbime që mund të ofrohen edhe në atë publik; ku vjen dita edhe frikësohesh madje edhe të mendosh se do të sëmuresh.
E krijuam një shtet ku shkollojmë njerëz që në fund e kanë vështirë të shkruajnë madje gjuhën amtare; ku të rinjtë nuk shohin perspektivë tjetër pos të ikin prej këtu; ku vendet e punës na i hanë paratë e gatshme që i harxhojmë për të ndërtuar rrugë të shtrenjta pa ditur as sa kushtojnë e as pse kushtojnë kaq shumë.
E krijuam një vend, ku jeta e njeriut vlen më pak se çkado tjetër; ku solidaritetin e ngjall vetëm një këngëtar i muzikës tallava; ku motoja jetësore na është bërë “hajt se bëhet mirë”.
Nuk po bëhet mirë
Dje, pas paraqitjes së çiftit Dehari në KTV, dolën dy raporte zyrtare – autopsia e Astritit dhe raporti i Prokurorisë. Që të dyja dokumentet tregojnë nga vetëvrasja si shkaktare të vdekjes, por duke lënë, megjithatë, një shije tepër të hidhur dhe dyshim të hapur nëse këto konstatime janë të vërteta. Se çfarë do të veprojë tutje familja, me gjasë do ta kuptojmë në ditët në vijim. Porse, një gjë mbetet e qartë: deklaratat kontradiktore; menaxhimi i keq i komplet rastit; rrjedhja dhe emetimi i videove pa u parë nga përfaqësuesi ligjor i familjes; mungesa e përgjegjësisë bile morale të zyrtarëve të Shërbimit Korrektues dhe të shefit të Policisë në Prizren - lënë të hapur dilemën në mos hetimet nuk janë zhvilluar si duhet.
Fakti se ka shumë zëra që kërkojnë që të zhvillohet një hetim i pavarur i rastit të Astrit Deharit, e tregon atë më të keqen: se populli i Kosovës nuk i beson sistemit të drejtësisë të shtetit të vet. Sepse atë që ka pasur rast ta shohë në këta 17 vjet, është në fakt administrimi i keq i drejtësisë që ia ka humbur shpresat. Sepse ata që do të duhej të ishin pas grilave, i kontrollojnë këta që do të duhej të merreshin me ndjekjen e tyre. Reagimi i shoqërisë civile tregon se njerëzit në Kosovë nuk u besojnë politikanëve të tyre, në veçanti atyre që janë në pushtet.
Mosbesimi
E si t’iu besohet atyre që prej vitesh janë futur në një proces negociatash, prej të cilit nuk e kanë as idenë se si do të dalin. Fakti se qe sa vjet nuk po mund të ecin asnjë hap përtej ngujimit te tema e Zajednicës dhe liberalizimit të vizave tregon se sa shkathtësi të varfra kanë politikanët që na udhëheqin. Tash, serisë së temave të nxehta iu shtua ajo e kodit telefonik, për të cilin Edita Tahiri na e bën rrafsh, përderisa ata që marrin vesh më shumë në procedura të ITU-së, na sinjalizojnë se mund ta kemi një problem me këtë kod, që na e qet në ujë krejt gëzimin (të bazuar ose jo) se do t’i kursejmë milionat që ia kemi falë Monakos në këta shumë vjet që i kemi lënë pas.
Dilema nëse kodi është gjeografik apo shtetëror do të mbetet e hapur deri në çastin kur ta kuptojmë nëse pronare e kodit do të jetë Kosova apo Serbia. Nëse bën vaki që të jetë kjo e dyta (e gjasat janë që kështu do të jetë), me këtë Kosova do të bëjë edhe një hap para në procesin e dorëzimit të sovranitetit të vet dhe do ta vulosë sërish bashkëqeverisjen e Kosovës me Serbinë.
Dhe rastësi apo jo, çështja e kodit që është arritur në trajtë marrëveshjeje madje tri herë deri tash, del në sipërfaqe në kohën kur po vlonte çështja e Astritit në opinion. Thuajse është kurdisur momenti për ta kaluar kontrabandë një çështje kaq të rëndësishme, përderisa vëmendja është kthyer nga një rast tragjik, që ka pasur jehonë shumë të madhe në publik. Për më tepër, rasti Dehari u bart në Kuvend, ku tri ditë me radhë u bënë përpjekje për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar për rastin, këmbim i cili më pas u bart në konferenca për shtyp dhe përfundoi me fizkulturat e disa deputetëve që tërhoqën nënshkrimet dhe e dështuan seancën. Ndërkohë, karvani vazhdoi të ecte...
Zgjedhjet në pranverë
E karvani është nisur drejt zgjedhjeve të përgjithshme, me gjithë kundërshtimin e ambasadores gjermane që tërheq vërejtjen se po qe se mbahen ato, punët do të jenë edhe më vështirë të menaxhueshme sesa janë tani.
Porse diplomaten me gjasë askush s’e merr seriozisht – sepse mjaftoi një deklaratë e Blerta Deliu-Kodrës, e cila “e refuzoi postin ministror për shkak se në pranverë do të ketë zgjedhje”, që të kuptohet qëllimi i PDK-së. E ky qëndrim është ai i përsëritur prej sa kohësh, që zgjedhjet do të mbahen atëherë kur ashtu ta vlerësojë Veseli, sepse ai e ka në dorë koalicionin qeverisës dhe mund ta rrëzojë kurdo që atij t’i konvenojë, për shkak të rrethanave që mund të krijohen me Gjykatën Speciale.
Se sa seriozisht po e merr çështjen e zgjedhjeve në Drenas e tregon edhe fakti se për çdo ditë është në terren, përderisa çdo ditë po paraqitet ndonjë kandidat që po heq dorë nga gara për t’u siguruar se Ramiz Lladrovci të zgjidhet kryetar i kësaj komune, që siguron jo pak vota në nivelin qendror për PDK-në. Nuk ka asnjë dyshim, se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Skënderaj në javët në vijim, ngase Lushtaku tashmë e ka vendimin e shkallës së dytë, që e ngujon në burg për shtatë vjet, plus e ka edhe një aktakuzë për krim të organizuar, që i është ngritur para dy ditësh. Do të kujtojmë se Skënderaj përherë e ka siguruar maksimumin e votave për PDK-në, sepse aty përherë votojnë më shumë njerëz sesa ka votues.
Nuk do të na duhet shumë kohë për të kuptuar se kjo Qeveri do të bjerë. Dhe arsyeja nuk do të jetë vetëm buxheti që do të mundë të shërbente si shkas, porse çështjet e hapura të demarkacionit dhe të Zajednicës. Kam parandjenjën se tashmë kanë nisur komunikimet ndërmjet Veselit dhe të huajve në Kosovë, ku ai paraqitet si i vetmi që do të mundë t’i shtynte përpara këto dy procese – i ashtuquajturi “deliverer” (pra i vetmi që kryen punë).
BE-ja është e interesuar që dialogu i ndërmjetësuar nga ajo të dalë me realizimin e këtyre dy çështjeve, pa i marrë parasysh pasojat kushtetuese dhe territoriale, përderisa shtetet mike i kanë problemet e veta, e nuk kanë kohë të merren me teket tona. Prandaj, përderisa e kanë një vullnetar që mund të kryejë punë, do të jenë në gjendje ta përkrahin, edhe nëse vjedh vota sërish.
Për Kosovën, zgjedhjet në kohën kur gjasat më të mëdha për t’i fituar ato janë të PDK-së, është vetëm vazhdimi i fundosjes i të gjithë shtetit dhe popullit të vet. Sepse është e pamundur të besohet se hija e krimit dhe bartësi i korrupsionit do t’i luftojnë ato. Nuk munden, sepse nuk dinë ndryshe pos të frymojnë krim e korrupsion.
* * *
Kosova e Klanit Pronto nuk ka perspektivë tjetër pos mjerimit. Nuk ka tjetër pos rrëshqitjes jo bash të ngadaltë në diktaturë, për shkak se në të nuk sundojnë as ligji e as drejtësia. Në të sundon ambicia e pushtetit të përqendruar te një njeri, që do të mundë të luftonte me atë tjetrin që e do po të njëjtin pushtet, e që më parë e arreston ndonjë djalosh që shkruan grafite sesa dikë që fut njerëz në punë pa kunkurru.
Në këso Kosove do të mbisundojë njeriu, që për ta treguar fuqinë do të zbulojë armiq të brendshëm në bazë të skemave të pabesueshme, dhe do t’i kthejë në veprim metodat e trajtimit të të burgosurve politikë, sikur kishin bërë serbët në kohën e izolimit – me dallimin që, sikur në rastin e Astrit Deharit, dikush të mbahej në paraburgim mbi dy muaj e të mos merrej në pyetje për dyshimin e kryerjes së një vepre penale kaq të rëndë.
Mjerim kur duhet bërë krahasime të këtilla - te izolimet, njerëzit janë futur në burg pa letra, por kanë dalë gjallë me to; te Astriti letra ishte njësoj njëdrejtimëshe, por në kah të kundërt: hyri me vendim dhe doli i vdekur, pa as njoftimin me shkrim se më nuk ishte, pavarësisht rrethanave që ia shuan jetën./kohanet
Comments (0 posted)
Post your comment