Home | Opinion | Populizmi nga “shishja”!

Populizmi nga “shishja”!

image
Brexit dhe Trump konfirmuan se pavarësisht namit, populizmi, refrenet proteksioniste në emër të nacionalizmit, etiketimet apo anatemimi i “elitave”, përfolja e sistemit, liberalizmit, globalizmit, tregjeve të përbashkëta, BE...

      

 

Nga Artan Xh. Duka

 

 

Brexit dhe Trump konfirmuan se pavarësisht namit, populizmi, refrenet proteksioniste në emër të nacionalizmit, etiketimet apo anatemimi i “elitave”, përfolja e sistemit, liberalizmit, globalizmit, tregjeve të përbashkëta, BE, Gjykatave Ndërkombëtare, OKB, ngrohjes globale, filantropisë etj, ngjisin në elektorat! 

 

Tanimë po bëhet i modës “noti kundër rrymës” dhe politikanët ekscentrikë që e ndërmarrin atë, “peshkojnë” tek pasiguria e shqetësimi legjitim qytetar që ndjehet i shpërfillur prej politikës tradicionale në kontekstin e kapitalizmit post-industrial, globalizimit dhe realitetit dixhital. Dhe dëshpërimi bëhet pre e populizmit. 

 

Nga “elitat” snobe tek snobizmi e “jakobinizmi” ndaj elitës

 

Kur politika tradicionale, ndryshe “elita”, “sistemi”, “politikanët e karrierës” etj sikundër i lakon populizmi, zhgënjejnë, zgjidhja nuk është demonizimi kuturu. Për më tepër nga ata që janë pjesë e saj sepse “elitat” hasen kudo - politikë (qeveritarë, kryetar partish apo të zgjedhur lokalë të përjetshëm), media (analistë të pazëvendësueshëm), administratën publike, biznesi klientelist, shoqëri civile, art, kulturë etj (deri dhe sporti ndonëse më shumë meritokrat). 

 

“Elita” mund ta ketë mbushur “kupën” por zgjidhja nuk është demonizimi i tjetrit sepse demonizimi pjell histeri dhe cënon mirëkuptimin social. Për më tepër kur demagogjia anti-“elitë” vjen nga milionerë që thjesht zëvendësojnë një “elitë” e “dinasti” me një tjetër. Atakimi i “elitave” si luftë brenda llojit, mbetet populizëm dhe boja del shpejt. Shoqëria ka nevojë për qarkullim “elitash” dhe kjo falë një ligji efikas zgjedhor, drejtësie e media të pavarur dhe transparencë ndaj publikut. Ndryshe, “elita” e ndenjur rrezikon autokraci dhe distancim nga shoqëria. Populizmi “nacionalist” krijon më shumë sesa zgjidh probleme. Zhvillimi nuk vjen nga proteksionizmi e mbyllja por hapja e bashkëpunimi, jo nga përfolja e BE, OKB, Tregut të Përbashkët, TTP etj por përmirësimi i tyre etj sepse e ardhmja nuk është e qytetarit nacional por e atij botëror. 

 

“Gogoli” burokraci

 

Vota e Trump për Brexit respektohet në demokraci dhe nëse ka rezerva, se sa ndaj intuitës e emancipimit demokratik të votuesit përballë spekulimit populist, ato lidhen me etikën e korrektësinë e politikanëve që shpërdorojnë fjalën e lirë. BE nuk është barrë por përkundrazi shans për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarit britanik. Është lehtë të bëhet “kokë turku” emigranti apo burokrati i Komisionit Europian në Bruksel për defektet e politikës në vend. E nëse qytetari nuk ka besim tek burokrati i BE, le ta votojë atë (si Parlamentin Europian) por janë sërish populistët që ngrenë alarmin e BE supershtet! 

 

Burokracia është një e “keqe” e domosdoshme dhe prirja mbetet shteti “agregat” (si BE), si garanci për të mirën e përbashkët ndaj sfidave po të përbashkëta (mjedisi, siguria etj) që nuk njohin kufij. “Distanca”, sipas populizmit, mes votuesit britanik e Brukselit është aq e madhe sa dhe distanca prej Nr. 10 (qeverisë) në Londër e çdo komune në Angli, Skoci etj dhe për ironi, votuesi që ankohet se nuk di emrin e burokratit të Brukselit, nuk di as emrin e pushtetarit lokal, ndonëse ka votuar për të. 

 

Fjalë të “ndyra”!

 

Shteti nuk bën dot pa elitë. Sfida mbetet përgjegjshmëria e saj që sa kohë në krye, ngre lart “stekën” demokratike në vend. Atakimi populist i elitës si pjesë e sistemit, provokon perceptim negativ ndaj vetë sistemit, mosbesimin tek shteti i së drejtës dhe provokon mirëkuptimin social. 

 

Si rrjedhojë e populizmit pa fre, sot “sistemi”, “elita”, “BE”, “Komisioni Europian”, “Tregu i Përbashkët Europian”, “liria e lëvizjes”, “Gjykata Europiane”, “latinët”, “Tregu Trans-Paqësor”, “globalizmi”, “liberalizmi” etj., po perceptohen si fjalë të “pista” dhe avokatia e tyre të nxjerr në pakicë! Një perceptim negativ ky që stonon kur prirja historike është integrimi dhe jo segregimi, lëshimi në sovranitet për hir të paqes dhe mirëqenies afatgjatë për të gjithë dhe jo nacionalizmi proteksionist etj. 

 

BE nuk është vetëm një treg që ofron shanse për zhvillim për të gjithë por dhe garanci e paqes dhe harmonisë që ia vlen çdo çmim. Dhe këtu meritë kanë edhe ato “elitat” e përfolura gjatë. Burokratët e Brukselit janë ajo e “keqja” që monitoron standarte universale për të gjithë në BE nisur nga premisa se mirëqenia e qytetarit nacional garantohet vetëm kur afirmohet qytetari europian e kur mbarë planeti është një “shtëpi” pa mure brenda saj. 

 

Në Amerikë, ato “dinasti” apo “elita” që u etiketuan gjatë, janë po ato që kanë garantuar paqen dhe mirëqenien më afatgjatë në historinë e civilizimit perëndimor. Amerika nuk ka qenë kurrë e vogël që të bëhet e madhe tani dhe epoka Klinton-Bush-Obama ka vulën e saj! 

 

Rama nuk dëshmoi pragmatizëm kur me pasion mori anë në zgjedhjet në Amerikë ndonëse ne si shqiptarë ishim të kënaqur me statuskuonë e partneritetit strategjik. Me Trump në Shtëpinë e Bardhë, sërish SHBA do i japë vendin e duhur politikës amerikane në Ballkan sepse interesi proshqiptar amerikan, është interes amerikan. 

 

Sistem ideal nuk ka dhe nëse për të meta, e vetmja e “sistemit” që populizmi etiketon sot, është se dekada të tëra mirëqenieje, paqeje, integrimi dhe harmonie kombesh, “nanurisin” votuesin tek i merr ato të mirëqena njëherë e përgjithmonë! 

 

 Populizëm anti-BE!

 

Në Shqipëri populizmi është normë në politikë. Ndërsa elita e përgjegjshme (në pushtet apo opozitë) vë interesin e shtetit mbi pushtetin, populizmi bën të kundërtën. Sot, sikur të mos mjaftonte populizmi patetik i “salcës” e “vezëve” prej të rinjsh që nuk u ka thënë kush “puna e mbarë”, po vërehet edhe përpjekja e sforcuar dhe në panik e “elitës” së “mencës së oficerave” për të provokuar populizëm në “gotë” me kauza që e kanë zanafillën në pushtetin e tyre (nga droga, kriminalizimi politikës etj). Populizëm ky me pahir për të shmangur vëmendjen nga reforma jetike në drejtësi, sabotimi i të cilës prej PD është dhe sabotim i vetë aspiratës drejt BE. E ka nga frika për zullumet e së shkuarës apo është ndikim i gjeopolitikës antishqiptare në rajon, këtë koha do e tregojë. 

 

E nëse BE mbetet ende fjalë e “pastër” për shqiptarët, PD po e “baltos” me bëmat e saj. Kursi i saj historik antiperëndim e “pranon” integrimin për sa kohë mban “çelsat” vetë (në “orën” e PD u bë rutinë manipulimi zgjedhor, ndodhën piramidat, grushtet e shtetit, hapja e depove, politizimi i administratës, Konferenca Islamike, thyerja e embargos ndaj Serbisë, anatemimi i Rambujesë, abuzimi me buxhetin e rrugës së Kombit, Gërdeci, 21 Janari, dhënia e detit, etj). 

 

Ndoshta më mirë që PD po del pa droje kundër BE me sabotimin e reformës në drejtësi. Ndoshta për ironi, nuk e largon por e afron integrimin në BE. Nëse thuhet se tek ne aspirata pro BE është afro 90% ndërkohë që tek fqinjët 40-50% (ironikisht janë BE ose para nesh), i bie që kërkesa (jo lutja) jonë do të dëgjohet më fort në BE kur popullariteti i BE të zbresë po në 50%! Ndoshta PD, satelitët e saj dhe militantët (që ende mbështetin një lidership që jep det, vret protestues dhe fyt pyka në hapjen e negociatave me BE!), me kursin e sotëm anti-BE (dalja kundër vetingut) janë “garancia” për këtë gjë! 

 

Dilema mbetet, në emër të kujt do të motivohet populizmi antiperëndimor PD-ist? Nëse tek fqinjët sllavë, refreni populist anti-BE e ka një alternativë nacionaliste-historike pro-rusi, tek ne BE mbetet opsion unik dhe i vetëm dhe populizmi që i bie ndesh integrimit në BE, bie ndesh me interesin kombëtar!

 

Sa kohë “elita” e PD është stoike në sabotimin e reformës në drejtësi, është detyrimi historik i “elitës” përballë - europianistët brenda PD, forcat reformatore në mazhorancë, “elita” mediatike, shoqëria civile etj që në partneritet real me aktorët perëndimorë, të mos lejojnë pengmarrjen e integrimit në BE. Së pari me realizimin e reformës në drejtësi dhe më pas, hartimin e një ligji zgjedhor meritokratik që garanton elita reale. Pa thonjëza!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00