Koalicioni anti veting!
Përpjekja për të zvarritur startin e Vetingut është e kotë dhe askush nuk do t’ia arrijë qëllimit. Sepse janë të gjithë shqiptarët që kërkojnë, që reforma në Drejtësi të mbyllë fletën e fundit, duke larguar gjyqtarë e prokurorë të korruptuar...
Nga Ilirian Demiri
Një zvarritje e pakuptimtë për shumicën e shqiptarëve që presin një rreze drite në fundin e tunelit të Drejtësisë. Aq sa nuk duan ta besojnë se edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, mafia fuqiplote në këtë Shqipërinë tonë vazhdon të mbetet e gjithëfuqishme.
Në gjithë këtë gjullurdi të krijuar me Vetingun nuk na duket shumë e çuditshme përpjekja e gjyqtarëve për të krijuar një koalicion anti Veting. Prej tyre tashmë është i lexueshëm koordinimi i qëndrimeve dhe i bashkëpunimit me të vetmin synim: zvarritjen e zbatimit të Reformës së Drejtësisë. Aq sa tashmë, për shqiptarët, KLD apo Unioni i gjyqtarëve gjithnjë e më tepër u ngjan sindikatave që në këtë Shqipërinë tonë shërbejnë si vegla të çuditshme që u shërbejnë si skllevërit oligarkëve. Pavarësisht se e dinë ç’mendim kanë për ta shqiptarët, as nuk duan t’ia dinë. Kanë vetëm një synim: Zvarritje pa fund të fillimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Kësisoj mund t’ia arrijnë t’i mbrojnë ministrat e çuditshëm të Drejtësisë, që për shumicën e shqiptarëve tashmë është plotësisht “e ngordhur”. Një përcaktim real që e ndeshim sa herë bie fjala për këtë palo Drejtësi që u vendos në këtë Shqipëri me fillimin e demokracisë, kur ajo iu la në dorë plazhistëve të Durrësit. Janë këta që përmes Unionit të Gjyqtarëve po luajnë të gjitha gurët për t’ia shembur themelet Reformës, që do të mund të ringjallë Drejtësinë që u ka munguar aq shumë shqiptarëve prej 25 vjetësh. Janë të pakuptimta shqetësimet e shprehura nga anëtarët e unionit të gjyqtarëve se përmes Vetingut do të humbin vendin e punës shumë gjyqtarë e prokurorë. Në fund të fundit përmes Vetingut kërkohet të rivendoset thjesht Drejtësia. Sepse nuk mund të lihen më në dyert e Drejtësisë plaçkitës të pashpirtë që po ua shkundin xhepat varfanjakëve, duke u grabitur deri edhe qindarkën e fundit.
Vetingu tashmë ndodhet në duart e Venecias, që ka kërkuar medoemos zbatimin sa më të shpejtë të reformës. Ndaj, asnjë prej shqiptarëve nuk pret që Venecia të mos e miratojë Vetingun. Ndërsa jemi shumë të interesuar se çfarë do të bëjnë malukatët e Drejtësisë që po e kundërshtojnë aq shumë Vetingun, të paktën shqiptarët presin që një herë në jetën e tyre të tregohen burrërorë. Të japin dorëheqjen e t’u kërkojnë shqiptarëve të falur për çfarë u kanë bërë gjatë këtyre 26 viteve duke instaluar një Drejtësi të ngordhur.
Miratimi i Ventingut nga Venecia dhe përshpejtimi i punës për zbatimin e reformës janë hapat kryesorë për rimodelimin e moralit të këtij vendi tashmë ende të zhytur në lloj-lloj poshtërsirash që çuditërisht mbrohen nga e ashtuquajtura Drejtësi. Aq sa shumica e shqiptarëve nuk po di se në ç’drejtim jemi duke ecur. Edhe pse kjo klasë politike që i ngjan më shumë majmunit se njeriut na broçkullis se po realizon një lumë reformash. Një lumë reformash, që çuditërisht po e çojnë shqiptarin vetëm në drejtim të varfërisë e mjerimit, aq sa shumica tashmë mendon si t’u çojë fëmijëve në sofër pak bukë e presh, që të mos lëvizin as njërin vesh. Pra, të mos dinë të kundërshtojnë mafien tashmë të instaluar në çdo cep të vendit, duke i shërbyer kësaj klase politike dhe kjo e fundit grupit oligark që e ka pushtuar gjithë Shqipërinë.
Askush nuk mund ta ndalë vënien në zbatim të kësaj reforme. Sepse tashmë kushdo e di se sistemi i Drejtësisë është i ngordhur. Ndaj reforma, largimi i plazhistëve dhe i plaçkitësve të tjerë që janë të njohur nga gjithë shqiptarët, apo ndryshimi në themel i sistemit është i domosdoshëm. Zvarritja vetëm po shton lëngatën e gjithë sistemit dhe po dëmton hapat e Shqipërisë drejt BE-së. Çudia është se edhe pse gjithë shqiptarët kërkojnë hedhjen në lumë të sistemit të deritanishëm, pak po bëhet që sa më shpejt t’i vihet fre këtij lloj pisllëku që ka mbuluar gjithë sistemin aktual.
Ne duhet t’i analizojmë shkaqet se pse sistemi i Drejtësisë në demokraci na lindi i vdekur që në hapin e parë. Pse tashmë, kur e dimë se për këtë u kujdes vetë klasa politike që erdhi në pushtet menjëherë pas rënies së komunizmit, heshtim dhe nuk bëzajmë. Aq sa prej 26 vjetësh kemi në krye vetëm monstra që na kanë çuar gjithnjë e më tepër drejt varfërimit. Pavarësisht këtyre rezultateve, çudia vazhdon më tej. PD-ja këto ditë ka nisur të kërkojë të rifusë në gjirin e saj të vjetrit, ata që gjatë këtyre 26 viteve na çuan vetëm drejt varfërimit. E megjithatë, deri tani nuk kanë shqiptuar qoftë një kërkesë faljeje ndaj shqiptarëve që i varfëruan aq shumë dhe si rrugë shpëtimi u treguan vetëm azilin. Ndodhi kështu sepse deri tani kjo klasë politike u kujdes së pari të ngrinte strukturën e vet mbrojtëse. Sepse ajo që në hapin e parë vendosi të pasurohet vetë një herë, pa menduar se ç’do të ndodhte me popullin. Është kjo arsyeja që ajo mori nga rruga lloj-lloj malukatësh dhe me një kurs te plepat e plazhit të Durrësit, i veshi gjyqtarë e prokurorë që në pak vite çuditën dhe plaçkitën pa fre shqiptarët. Aq sa mes plazhistëve kishte edhe gjysmanalfabetë që nuk dinin as tabelën e shumëzimit, por miqve të tyre u thonin: ç’na duhet tabela e shumëzimit? Dimë sa të lexojmë ligjet. Kështu arrijmë të fusim në burg kë duam ne. A nuk ka ndodhur kështu në Shqipëri gjatë këtyre viteve, ku Drejtësia, malukatët oligarkë nuk guxonte as t’i thërriste para saj, ndërsa varfanjakët i dënonte pa mëshirë edhe pse nuk kishin paguar 3000 lekët e energjisë elektrike, gjë që i çonte ata të shkretë deri në vetëvrasje. Askush nuk mund të thotë se Drejtësia nuk ishte e tillë gjatë këtyre viteve të Demokracisë. Ndaj mbrojtja e saj nga Vetingu është më shumë se poshtërsi.
Është kjo arsyeja që Vetingu vetëm mund të arrijë pastrimin e fytyrës së Drejtësisë, një fytyrë krejtësisht e ndyrë dhe e përlyer me të zezë sa trishton këdo që i hedh sytë.
Përpjekja për të zvarritur startin e Vetingut është e kotë dhe askush nuk do t’ia arrijë qëllimit. Sepse janë të gjithë shqiptarët që kërkojnë, që reforma në Drejtësi të mbyllë fletën e fundit, duke larguar gjyqtarë e prokurorë të korruptuar që deri sot mbanin të lidhur Drejtësinë. Të jemi të gjithë së bashku për të përshpejtuar hapat e kryer deri tani, hapa që synojnë vetëm ringjalljen e sistemit të Drejtësisë, që prej vitesh vazhdon të mbetet i ngordhur dhe në shërbim të vetëm disa oligarkëve.
Comments (0 posted)
Post your comment