Çokollatë me speca që djegin
Thënë më qartë, te shqiptarët e Maqedonisë – mbase si edhe në të gjitha trevat tjera shqiptare - çdo gjë gatuhet në kuzhinat partiake.
Kim Mehmeti
E sotmja është nyje ku ndërlidhet e kaluara me atë që është tani dhe nga vazhdon ardhmëria e çdo individi. Dhe vetëm në këtë mënyrë duhet zgjidhur këtë nyje kur bëhet fjalë për cilindo person publik, qoftë ai njeri i artit apo i politikës. Pra, çdonjëri është tërësi i gjurmëve që ka lënë pas vetes në të kaluarën, i veprave që bënë sot dhe atë që pretendon ta arrijë në të ardhmen. Me atë se, as e kaluara mund të jetë mbulesë për të sotmen dhe të ardhmen, as e sotmja mund të shlyejë të kaluarën. Dhe këto tre elemente janë ato që i ngjizin tri ngjyrat bartëse të çdo portreti, që përbëjnë trininë e ndërthurur nga rrëfimet e të tjerëve për një person publik, me atë që ai e pohon për vetveten dhe me atë që me të vërtet është.
Shikuar nga ku këndvështrim, thuajse të gjithë politikanët aktual shqiptarë të Maqedonisë, kanë tipare të njëjta sa i përket të kaluarës së tyre: lavdinë e opozitarit përplot atdhetari e zjarrmi patriotike dhe dështimin e plotë si pjesëmarrës në qeveritë e këtij shteti. Gjë që të çon të shtrosh pyetjen logjike: vallë asnjë nga elitat e këtushme partiake shqiptare nuk mund t’u bëjë ballë privilegjeve që ofron grazhdi i pushtetit, apo kundërshtarët e tyre politikë të bllokut maqedonas janë aq të shkathtë dhe superiorë, sa dinë t’ua zmbrapsin tërë vrullin atdhetarë dhe patriotik. Apo ndoshta shqiptarët e Maqedonisë vonë e kuptuan se kot e ke të jesh pushtetarë, nëse nuk je edhe pronar i shtetit.
Dhe duke mos e kuptuar këtë me kohë, shqiptarët e Maqedonisë i shitën dy dekadat e kaluar të tyre me çmimin më të ulët të mundshëm: me çmim të përafërt sa është kapitali i atyre që u ulën në kolltukët qeveritarë dhe të drejtat e shqiptarëve i barazuan me përfitimin e tyre personal. E në ndërkohë, elitat politike maqedonase, i përdorën këto dy dekada më së miri për popullin e vet, duke investuar në infrastrukturën e vendbanimeve maqedonase, e veçanërisht në lëmin e kulturës dhe shkencës. Pra duke harxhuar edhe paratë e shqiptarëve vetëm për etnitetin e tyre dhe duke lënë anësh vendbanimet, kulturën, arsimimin… shqiptar, thuajse njësoj si dikur në ish Jugosllavinë e Titos.
Sot, kur shqiptarët e Maqedonisë i harxhuan thuajse të gjitha partitë e tyre, sot kur ata kanë filluar të bëhen gjithnjë e më skeptik, e të besojnë se çdo gjë është e kotë dhe njësoj e ke a të përfaqëson “Alia” apo “Delia”, sot pra kur shqiptarët e këtushëm veprojnë politikisht sipas logjikës “poshtë partia e tanishme-rroftë partia e re”, pra sot kur shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar se nuk duhet themeluar parti të reja, por duhet të rinovohen ato që janë, nuk është e thënë gjithë e vërteta nëse për pozitën e tanishme të shqiptarëve të këtushëm akuzohen vetëm elitat politike. Gjatë dy dekadave sa jeton Maqedonia e pavarur, u pa qartazi se shqiptarët e këtushëm nuk vuajnë vetëm mungesën e elitave të mirëfillta politike, por edhe mungesën e bërthamës së mendimit kritik që do i vë në shënjestër të metat e politikës së ditës.
Kur jemi te mendimi kritik i dukurive negative në shoqërinë e shqiptarëve të këtushëm, ai mund të shpjegohet vetëm me dy fjali: shaje atë që nuk e pëlqen lideri i partisë në pushtet dhe lavdëro ata që janë ulur në kolltukët qeveritar. Apo, atë që është në opozitë mund ta ofendosh deri në ashtin familjar, që pastaj, kur të vijë në pushtet, të gjunjëzohesh përpara tij dhe ai, i mahnitur nga vogëlsia e të gjunjëzuarit, të mendojë se i ka hije edhe të falë edhe të harrojë. Duke dëshmuar kështu se nuk e ka kuptuar se të falësh është virtyte i lartë njerëzorë, por harresa është tipare e atyre që nuk dinë ta mbrojnë të kaluarën e vet, që nuk kanë të sotme dhe mbeten pa ardhmëri.
Dhe duke qenë shoqëri ku edhe mendimi kritik vetëm e dendëson mjegullën e paqartësive të politikës së ditës, shqiptarët e këtushëm kanë filluar të besojnë se çdo gjë është vetëm lojë për pushtet pa shtet dhe çdo gjë ka të bëjë me inatet personale. Apo, se ai që kritikon, është i nxitur nga frustrimet vetjake. Kështu që sot e ke vështirë të thuash, për shembull, se shumëçka dëshmon se Ali Ahmeti si politikanë të ngjanë në fëmijën e humbur në mes të pyllit, por gjithashtu, të mbrosh të vërtetën se Abazi (nofka luftarake e Ali Ahmetit) meriton çdo respekt për kontributin e tij atdhetarë. Apo, të thuash se as shkëlqimi i lavdishëm i emblemës së ish UÇK-së, nuk mundet ta mbulojë rolin vasal të sotëm të BDI-së në pushtet, por pa u bërë shërbim qarqeve antishqiptare e të njollosësh ish UÇK-në . Pra, të dish të ndash të kaluarën nga e sotmja e çdonjërit, të kuptosh se as e sotmja mund të mbulohet vetëm me të kaluarën , por as të kaluarën e dikujt nuk mund ta fshish me gomë, si bukurshkrimin nga i cili tani donë të heqësh dorë. Ta kuptosh pra se edhe sot, si çdoherë kur është në opozitë, kryetari aktual i PDSH-së fletë me gojën e popullit, por posa vjen në pushtet, bëhet “vojvoda” më i respektuar i VMRO-DPMNE-së dhe se partia e tij ishte ajo që u ofroi dëshmi elitave partiake maqedonase se nuk ka shqiptarë që mund t’i rezistojë kolltukut qeveritarë, se nuk ka shqiptarë që nuk shitet, por vetëm duhet t’ia caktosh çmimin e duhur. E që fare nuk do të thotë se nëse nesër kjo parti bënë vepra të dobishme për të mirën shqiptare, nuk duhet ato t’i vlerësosh si të tilla. Apo, që fare nuk do të thotë se sot nuk duhet thënë hapur se nuk u realizuan idealet e shenjta të atyre që morën armët në duar në vitin 2001, por pa njollosur vlerën më të madhe që kanë shqiptarët e këtushëm – atë të UÇK-së dhe idealet e atyre që flijuan rininë për popullin e vet . Pra, që fare nuk do të thotë se sot nuk mund ta pyesësh Ali Ahmetit: Cili ishte qëllimi i luftës?, por pa ia mohuar meritat që ka për çlirimin e Kosovës dhe për konfliktin e 2001, duke respektuar atë që bëri ish UÇK-ja atëherë kur disa nga ne këtu në Maqedoni, nuk dënim si të shpëtonim nga partitë tona që dikur, njësoj si sot BDI-ja, bëheshin vasalë të partive maqedonase në pushtet.
Thënë më qartë, te shqiptarët e Maqedonisë – mbase si edhe në të gjitha trevat tjera shqiptare - çdo gjë gatuhet në kuzhinat partiake. Dhe ke vetëm parti të mirë – ajo që të ofron privilegje, dhe parti të këqija – ato që të lënë larg grazhdit të shtetit. Andaj edhe shumica e “opinionistëve” të këtushëm që shkruajnë për partiakët, e rrëfejnë për vetveten, thuajse e kanë bindur këtë popull se është e pamundur të mbijetosh duke respektuar vetëm parimet dhe mendimin tënd. Me çka dëshmojnë se nuk e kanë kuptuar se, që të ruash parimet dhe qëndrimet personale, duhet të jesh i gatshëm të bartësh mbi kokë edhe kurorën e thurur me lule lëvdatash, si edhe atë me therrat e sharjeve që t’i drejtojnë ata që nuk duan t’ua thash të vërtetën. Pra, që t’u mbetesh besnik mendimeve dhe parimeve që ke, duhet të jesh i gatshëm të përtypsh edhe ëmbëlsinë e lëvdatave edhe helmin e sharjeve. Dhe të jetosh me ndjenjën se je duke ngrënë çokollatë të mbushur me speca që djegin.
Comments (0 posted)
Post your comment