Vdekja, armikja reale e njeriut” …!
“Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë”. Ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Po ashtu dashuria, urrejtja. Vdekja është quajtur armikja e njeriut. Është një armike reale.
Nga Evdal Nuri
Kështu thonë, por shqiptarët s’e kanë për gjë. Këto ditë kemi mësuar raste horrori e të rralla. Burri hedh gruan nga dritarja. Babai var dy fëmijët e më pas veten. Kështu dhe një tjetër, e çdo ditë po tronditemi nga raste që vetëm tek ne ndodhin. Në fakt, këto jepen e rijepen me dhjetra herë në ekranet televizive. Aq sa na tronditin e na bëjnë me dhimbje koke. Në botë s’jepen, ose jepen në fund s’i njoftim e jo s’i lajm kryesor. Këto me pa të drejtë shfrytëzohen politikisht! Arsyet janë nga më të ndryshmet: Varfëria, xhelozia, padituria, gjaknxehtësia, opinioni shoqëror etj. Të gjithë bëhen pishman, por pasi e kanë kryer aktin e vrasjes. Besoj se ju ka rastisur të shkoni në varreza? Qindra njerëz qëndrojnë aty kokulur më tepër të rinj se të moshuar. Sa të urtë duken! Tek sheh të afërmit, të njohurit e të panjohurit rri e mendon; Pse bën keq o njeri? Pse arrin deri aty sa t’i marrësh jetën tjetrit? Sado i keq të jesh, ti je njeri, ke një zemër, ke një shpirt. Ty dikush të ka lindur dhe të do. Valle s’tëvjen keq që i merr jetën dikujt, që i merr gjënë më të shtrenjtë të dhuruar vetëm një herë? Edhe ai e do jetën ashtu si ty. Ateherë pse e bën këtë? Për një fjalë, një zënkë, një copë tokë, një vijë uji, për ca para. Sa keq! Vetëm tek ne ndodh që vret vëllai - vëllanë, i biri t’anë, vret burri gruan...! Sa shumë ke për t’u penduar o njeri, sado i lig qofsh! Dhe këtë e ke deklaruar në gjyq! Jam penduar, e bëra nga gjaknxehtësia justifikohesh...! Por atëherë është shumë vonë! O Zot! Ç’po ndodh kështu me ne? Mos e kanë fajin armët që kemi në dorë, që shteti i “ndau”, por s’po kujtohet t’i mbledhë?! Mos e kanë fajin ligjet që nuk zbatohen? Apo heqja e dënimit me vdekje. Mos heqja dorë nga besimi tek Zoti për disa dekada?! E ka fajin natyra (që është e lindur nga kodi gjenetik), apo kultura (që formohet nën ndikimin e shoqërisë)? Mos të gjitha së bashku?!
Diku kam lexuar se njeriu lind për të jetuar dhe vdes për t’u kujtuar. Frika nga vdekja është më e tmerrshme se vetë vdekja. Ajo e afron e jo e largon atë. Që kur lind njeriu është boll i vjetër për të vdekur. Harresa për vdekjen është injorancë dhe mendjelehtësi. Nuk ka urtësi të vërtetë pa një mendim të vazhdueshëm mbi vdekjen. Këto janë disa thënie që secili duhet t’i ketë parasysh gjatë jetës! Por ja, që çdo lindje është e destinuar të vdesë! Dhe vdekja sillet vërdallë boshtit të jetës, sa herë që shfaqet diku ndonjë lindje. Të parës i frikohemi, e urrejmë, e mohojmë e tejkalojmë. Të dytës i gëzohemi, i këndojmë, i buzëqeshim, se na sjell hare, gaz, lumturi. Pse gjithë këto kontradikta në dy këto fenomene kaq të zakonshme të jetës sonë? Vërtet, sa kemi arsye t'i quajmë dhe t'i konsiderojmë të kundërta këto dy të vërteta kaq të mëdha? Pse nuk bindemi njëherë që të dy këto fenomene t'i konsiderojmë të njëjta, kur vetë pajtohemi se që të dyja janë një domosdoshmëri? Pse nuk qeshemi në vdekje siç qeshemi në lindje, apo pse nuk vuajmë në lindje siç vuajmë në vdekje? Frika më absurde është frika nga vdekja. Vdekja s’ka të bëjë me ne, as kur jemi të vdekur e as të gjallë. As të gjallë sepse në këtë moment ajo nuk ekziston, dhe as të vdekur, sepse në këtë moment jemi ne që nuk ekzistojmë. Këtë e shfrytëzoi në mënyrë shembullore gazetari i mirënjohur Andrea Stefani. Ai, edhe pse e dinte se ç’kishte, deri në ditët e fundit ishte aktiv në artikujt që botonte. Kaq e vërtetë është kjo, sa të gjithë u habitëm se si vdiq, kur ditë më parë kishim lexuar shkrimet e tij! Si rrjedhim vdekja s’ka lidhje as me të gjallët e as me të vdekurit, përderisa ajo nuk është asgjë për të parët dhe të fundit s’janë asgjë për të. Ne kurrë nuk takohemi me të. Sado e tmerrshme qoftë, vdekja është e pafuqishme të zhdukë jetën. Ajo mund të zhdukë vetëm ekzistencën fizike të saj, por jo shpirtërore - Të gjallët s’mund të jetojnë plotësisht jetën e tyre, kurse të vdekurit s’mund të vdesin plotësisht. Sa mirë do të ishte sikur kjo e fundit të ishte e vërtetë!
Pra bota (sidomos ajo perëndimore), vdekjen e vlerëson si një fenomen të natyrshëm, duke e lidhur me fenë. Për këtë, më pak lot derdhin, më pak zi mbajnë, më pak ceremoni e më pak kujtime, duke parë më tepër në sy jetën e vet, të cilën mundohen ta jetojnë duke respektuar jetën e tjetrit. S’e kuptoj pse tek ne ndodh e kundërta? Sa jemi gjallë vritemi, dhunohemi, poshtërohemi, ofendohemi, përçmohemi. Kur vdesim “shkulim lesh e vesh” aq sa na mbarohen lotët e na përcjellin me ceremonira të pafundme. Mos vallë këtu ka vend shprehja popullore: “Vdis pa të të dua”. Tjetër. Pa dashur jetën s’mund ta luftojmë vdekjen, e pa menduar për vdekjen s’mund të ndërtohet një jetë e qetë. Sepse tek një njeri ndërgjegjësimi i të qenit i vdekshëm s’është gjë tjetër veçse një ftesë për të ndërtuar jetën për tjetrin dhe për veten, ekzistencën më të bukur dhe më të plotë.
Dhjetëvjeçarët e fundit janë shkruar shumë libra dhe artikuj shkencorë në lidhje me frikën nga vdekja. Megjithatë, shumica e njerëzve parapëlqejnë të mos mendojnë fare për vdekjen. Por vdekja është realitet dhe herët a vonë, do të na duhet të mendojmë për të. Jeta e njeriut është shumë e brishtë-çdo ditë vdesin mesatarisht më tepër se 160.000 veta! Çdo vit 59 milionë, ose 2 vet në sekondë .Vdekja është quajtur armikja e njeriut. Është një armike reale, dhe dëshmitë për këtë janë me bollëk. Ekspertët e kanë klasifikuar frikën nga vdekja në disa kategori. Në to përfshihen frika nga dhembja, frika nga e panjohura, frika për vdekjen e të afërmve dhe frika nga pasojat që mund të sjellë vdekja e dikujt te të afërmit e tij. Më kryesorja nga këto është frika që të mos ekzistosh më. Pavarësisht nga bindjet fetare që kanë, shumë njerëz i tremb ideja se vdekja është fundi i gjithçkaje. Dhe shkenca u fryn flakëve të kësaj frike. Shumë biologë e quajnë vdekjen e njeriut thjesht si një proces biologjik: “Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë”. Ata nuk kanë më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre është harruar. Po ashtu dashuria, urrejtja. Vdekja është quajtur armikja e njeriut. Është një armike reale. Pra, nuk habitemi që shumë njerëz, të cilët në dukje besojnë me devotshmëri në jetën e përtejme, thellë brenda tyre tmerrohen nga ideja se një ditë nuk do të ekzistojnë më. Vështirë për t’u menduar, por ka edhe nga ata që vdekjen e kanë pranuar lehtësisht dhe e kanë shfrytëzuar varrin e tyre për të dhënë mesazhe të forta. “Më lini të qetë, jam duke fjetur”, fjalët e një vajze që ka zgjedhur ta përshkruajë vdekjen shumë lehtësisht si një gjumë që e dëshironte. Kurse një tjetër donte të thoshte: “Më falni që s’mund të ngrihem, por ju dua shumë”!
Comments (0 posted)
Post your comment