Morali dhe ndërgjegjia
Akti i të votuarit është kulturë demokratike, por mbi të gjitha është dëshmi e autoritetit të secilit. Ju lutem dilni votoni, do isha i lumtur po të votoni Aleancën për Shqiptarët, por pavarsisht kësaj, edhe sikur të votonit ndryshe...
Arben Taravari
Këto shkrimet e mia, që s'di dhe as dua t'i klasifikoj, duket se po më ndihmojnë që të komunikoj, të flas me të gjithë ata që janë shumë afër meje, që janë halli dhe malli im, që janë gëzimi dhe dhimbja ime, që janë gjaku im. Unë këtu shkruaj për burrin që vjen edhe sot në shtëpi dhe nuk i kanë dhënë vendim për punë, flas për vajzën dhe djalin e ri, që bëjnë një shkollë pas të cilës as nuk e kanë idenë dhe aq më pak shpresën të punësohen gjëkundi, shkurt flas për të ardhmen e bijve të mi, dhe jo vetëm dy djemve që Zoti më ka gëzuar, po të mijëra vajzave dhe djemve të popullit tim.
Që ata që rriten në barqe nënash e deri tek ata që vijnë në shtëpi dhe prindërit nuk janë në gjendje t'i blejnë një palë këpucë që të ruajnë këmbët e brishta nga e ftohta e dimrit idhnak!
E mua më lind pyetja, na mungojnë një palë këpucë apo na mungon moral?!
Hajde se po i blejmë një palë këpucë, hajde dhe 100, po puna, si do i blejmë?!
Do mblidhemi të gjithë dhe do ia marrim fëmijve të partisë tonë, pa pyetur se cila parti, kushdo qoftë parti e jonë?!
Do blejmë këpucë që të rri ngrohtë 7 vjeçari i partisë tonë?
E le të vdesë 7 vjeçari i partisë tjetër?!
Apo mos ndoshta njëherë duhet që të ulemi dhe të kuptojmë që duhet moral njëherë, të kuptojmë që para se të ngrohim këmbët e fëmijve, duhet me ngroh zemrat tona!
Kur mua më vijnë fëmijët në spital bëj të pamundurën t'i shpëtoj, ka disa prej tyre që janë raste urgjente, që vetëm 1 minutë kthehet vendimtare për jetën, imagjinoni sikur atë minutë të vlefshme 1 jetë, ta shfrytëzonim duke pyetur: çfarë partie ka fëmija?!
Djali im quhet Arbi, dhe Arbi ka në Tetovë, Shkup, Strugë, Dibër, Manastir, Ohër, Tiranë, Vlorë, Tropojë, Ulqin, Preshevë, Mitrovicë, Gjilan e Prishtinë!
Kur Arbi të sheh të lodhur, as nuk pyet kush je e me kë je, po të ul në karrige e të jep ujë, ndoshta morali dhe ndërgjegjia gjenden në gotën e ujit të Arbit...
Termi Ndërgjegje i ka rrënjët në latinishten e mënçur dhe do të thotë: Cum-scire-Të Dimë Së Bashku. Në të njëjtën fole të pasur si është latinishtja, gjejmë edhe zbërthimin e termit Moral, që rrjedh nga fjala e tij amë Mos-Kostum.
Ju a bëra këto zbërthime sepse më duket se më shumë se gjithshka duhet të merremi me to!
Kështu në fillim të shekullit të 21, ca njerëz, shqiptarë, që jetojnë në Ballkanin arkaik e zhurmëshumë, ku mungon puna, mungon paraja, ku etnitë mallkojnë me vdekje njëra tjetrën këtu e 100-ra vjet, na qënka ky grup i çuditshëm njerëzish që dashka të merret me terma kaq lukzosë si është Morali dhe Ndërgjegjia?!
Unë them se po!
Ky shkrim ndoshta është i vetmi që e kam bërë i zeruar nga çdo lloji kahje politike, ky shkrim vjen nga zemra e një burri që lufton përditë me jetë njerëzish, që duhet të jetë i kthjellët para çdo lloj situate, sepse në punën e mjekut sekonda merr kuptim të jashtëzakonshëm, të gjithë mjekët që po më lexojnë, e dinë.
Po morali dhe ndërgjegjia nuk janë ende të zbërthyera nga shkenca!
Ato dihen ku prodhohen por nuk dihet se çfarë i prodhon!!!
Unë mendoj dashuria për njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha falja...
Shqiptarët duhet të falin njëri-tjetrin që nuk janë perfekt, dhe është e vështirë të jesh perfekt, perfeksioni është përmasë mbinjerëzore, por është kaq natyrore të duash veten!
Gjatë kohës që në tokën e hazdisur të Ballkanit janë ngritur nga varret mallkime, LE TË JEMI NE QË NGREJMË NGA VARRI DASHURINË.
Fundja e kemi detyrë, ne jemi Arbër, në gjenet tona flenë kurora princash.
* * *
Shqiptarët janë racë e zgjuar dhe unë nuk jam aspak dakort me autokritikat e shumta që ia qepim vetes.
Mendoj që fakti se ka disa parti shqiptare nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka populli do të votoj nga pak secilën.
Populli nuk mund të përdorë votën si qokë. Zgjedhjet nuk janë sebepe familjare ku duhet të kënaqësh sebeplinjtë. Populli e di se zgjedhjet janë çështje Oferte dhe ai do zgjedhë ofertën më të mirë.
Dhe mos harroni që politikanët janë vet votues. Jam dakord që një pjesë e madhe e tyre janë përfitues, por kjo nuk i distancon ata nga populli.
Mos harroni që të gjithë politikanët vjen një ditë dhe dënohen për abuzimet e tyre, por tashmë ka ardhur koha të parandalojmë ashtu si është drejtuar dhe mjekësia e sotme. Pra e keqja duhet ndaluar, duhet shmangur.
Suma sumarum naiviteti dhe malinjiteti politik i partive që deri tash e kanë udhëhequr këtë vend është aq evident në sytë e popullit sa jam i sigurtë që ai do të mbajë qëndrim të prerë ndaj partive që kanë ende guximin e çmendur t'ju ofrohen popullit.
Populli nuk do të përçajë votën, është ofenduese për inteligjencën e shqiptarëve që partitë që e kanë varfëruar dhe denigruar deri tash, të konsiderohen si potencial votues.
Ndodhtë më e mira në 11 dhjetor!
* * *
Duket se fushatës po i vjen fundi, prognozat janë të ndryshme si gjithnjë. Dikush thotë që e ka parë në ëndërr fituesin, disa të tjerë thonë që dihet kush do fitojë, shumë të tjerë iu hanë duart që ditën e votimit të shprehin mllefin e mbledhur gjithë këta vjet, e ka një grup që thotë: le të fitojë Kush të dojë, unë s'dua të merrem me politikë!
E ky është grupi më problematik! Pasi këta njerëz me të drejtë ndjehen të neveritur nga politikanët, por nuk duhet të ngatërrohen Politikanët me Politikën!
Nëse ju nuk përfshiheni në votime është vetëm një kurth i tmerrshëm që i ngrini vetes, pasi lejoni që ata që "nuk i keni qejf" të vendosin për ju!
Akti i të votuarit është kulturë demokratike, por mbi të gjitha është dëshmi e autoritetit të secilit.
Ju lutem dilni votoni, do isha i lumtur po të votoni Aleancën për Shqiptarët, por pavarsisht kësaj, edhe sikur të votonit ndryshe, do isha i kënaqur që të paktën në secilin rast do kishit zgjedhur ju për veten tuaj!
Ju priftë e mbara!
#DilVoto
Comments (0 posted)
Post your comment