Në Shqipëri, fshati ka bërë histori!
Ajo që ka munguar dukshëm në këto 25 vjet, është vëmendja dhe kujdesi i shtetit ndaj fshatit, që është braktisur dhe lënë në harresë jo vetëm nga investimet në infrastrukturë, por edhe në objektet social- ekonomike, si shkolla, qendra kulturore e shëndetësore...
Nga Prof. Dr. Ago Nezha
Njeriu nuk ka rëndësi se ku lind. Mund të lindësh në fshat, në qytet, në zona fushore, malore apo bregdetare, ky është destinacioni i jetës. Është rastësia që të vendos në një pozicion të caktuar të pazgjedhur nga individi. E rëndësishme është që të ndryshosh në përshtatje me kushtet ekonomiko-shoqërore. Të lindësh në fshat dhe ta kesh origjinën fshatar, duhet të jesh krenar për vendlindjen tënde. Shumë personalitete botërore të fushave: politike, shkencore, ekonomike, artistike, kulturore e sportive, janë me origjinë nga fshati. Por në fund të jetës tënde, kur bën bilancin e rrugëtimit tënd të gjatë në lakadredhat e jetës, si njeri i arsimuar në nivelet më të larta, të vdesësh me mentalitet, botëkuptim, koncept dhe kulturë fshatare, është fatkeqësi jo vetëm personale, por dhe shoqërore. Nuk ka rëndësi karrigia që përfiton nga politika, kostumi që vesh si zyrtar, marka e makinës që ke hipur, e rëndësishme është që të kesh fituar sjellje, kulturë, koncepte qytetare, që të bëjnë të ndryshosh nga qëndrimi fshataresk. Mund të shkollohesh e të privilegjohesh nga rrethanat jetësore, por, po nuk ke ndryshuar thelbin intelektual ke ngelur në botën fshatareske.
Jeta na ka dëshmuar se shumë fshatarë edhe pse të pashkolluar në universitete të larta, kanë intuitë, zgjuarsi, prakticitet, që nëpërmjet eksperiencës jetësore, transhedencës së tyre, u japin përgjigje adekuate shumë problemeve, që do ta kishin zili edhe intelektual të zëshëm. Ka shumë njerëz të shkolluar që duan ta mbulojnë injorancën me shkollë. Apo të tjerë që kanë lindur në qytet, edhe pse janë të paditur, e quajnë veten të qytetëruar për hir të vendlindjes. Vendlindja është rastësi. Mund të lindësh në një qytet gjigand e të mbetesh injorant, mund të lindësh në një fshat të vogël e të bëhesh gjeni. Siç shkruan poeti i madh amerikan, Uollt Uitman, një vend është i vogël apo i madh, varet nga personalitetet që ka në gjirin e tij. Faktorët që e bëjnë njeriun të shkëlqejë apo të venitet, janë gjithfarësh, gjenetikë, trashëgimorë, socialë dhe ekonomikë. Egoja për t’u dukur, ambicia cinike, xhelozia provinciale, janë të dëmshme për një shoqëri që kërkon të emancipohet në parametra europianë. Pa dalë në arenën botërore, pa shkelur kufijtë e huaj, pa dashur të prekim shembujt e botës së qytetëruar, por duke qëndruar brenda kufijve të shqiptarizmës, do ndeshim shumë shembuj të personaliteteve të letrave shqipe, biznesmenë dhe patriotë të shquar me origjinë fshatare. Para të gjithëve do evidentoja krijuesin e shtetit Shqiptar, plakun e mençur të Vlorës, diplomatin dhe patriotin e shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Ismail Qemalin, që për vend origjinë kishte Kaninën. Korifenjtë e letrave shqipe, historikisht nga e kaluara deri në ditët e sotme, kryesisht e kanë origjinën e tyre fshatare. Idoli i diturisë shqiptare, gjithëplanëshi Fan Stiliano Noli, klerik, politikan demokrat, poet, përkthyes, historian, dhe muzikant, lindi në Qytezë në Ibrik-Tepe të Edrenesë (fshat i banuar me shqiptarë) të ardhur nga Qyteza e Kolonjës. Kolegu i tij me ide dhe kulturë të përveçme, një tjetër korife i letrave shqipe, gjuhëtar, publicist, studiues e diplomat, Faik Konica, ishte nga Konica. Treshja emblematike, Samiu, ideologu dhe dijetari i Rilindjes Shqiptare, Naimi, poeti i madh dhe mendimtar i arsimit dhe kulturës shqiptare si dhe Avdyli, politikan dhe atdhetari i shquar shqiptar, kjo trio unikale në llojin e vetë, ishin bij të fshatit simbol të Frashërit të Përmetit. Ecim në trasenë e njerëzve të letrave shqipe, si Andon Zako Çajupi nga Sheperi i Zagorisë së Gjirokastrës, At Gjergj Fishta, i lindur në fshatin Fishtë të Lezhës, Migjeni, me origjinë nga Vraka e Shkodrës, Shtjefën Gjeçovi, nga Kryeziu i Pukës, Pjetër Bogdani i lindur në Gur të Hasit, Pjetër Budi, lindur në Gur të Bardhë të Matit, e shumë të tjerë që kanë për vendlindje apo origjinë nga fshatrat e Shqipërisë. Dijetari dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare, rektori i Universitetit të parë të porsahapur të Stambollit, Hasan Tasimi, ishte nga Ninati i Konispolit të Çamërisë. Këtu mund të kujtojmë dhe Jeronim De Radën, një personalitet i shquar Arbëresh dhe një nga figurat më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare, poet, publicist, filolog, Mësues i Popullit, që lindi në Maki të Kalabrisë. Kështu mund të përmendim një shkencëtar të shquar, Doktorin e shkencave mikrobiologjike, krijuesin e laboratorit të parë bakteriologjik, Bilal Golemi, nga fshati Golem i Kurveleshit, që është themeluesi i shërbimit veterinar dhe zooteknik, shqiptar. Ky shkencëtar i përmasave botërore, që ishte specializuar në Institutin më prestigjioz të kohës në Lui Pastër të Parisit dhe ishte mbajtur aty si asistent, la Parisin e dritave vezulluese dhe erdhi së bashku me bashkëshorten e tij parisiane në vendlindjen e tij feudale, që ishte pushtuar nga errësira e kohës dhe ndriçohesh nga drita e pishës dhe kandilit. Një sakrificë të këtyre përmasave mund ta bëjnë atdhetarë të shquar, që rrallë i përsërit historia shembuj të tillë. Dhe shpërblimi për gjithë këtë përkushtim dhe privacion ndaj vetes dhe familjes së tij, ishte burgosja për ide nga regjimi obskurantist i Mbretit Zog dhe përzënia nga Shqipëria si i padëshirueshëm. Ai u vendos në Turqi, ku ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe si ekspert i sëmundjeve zoonoze pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por, duke zbritur shkallët e prezantimit deri në ditët e sotme, personalitete me origjinë nga fshati janë të shumtë. Do veçoja këtu Personalitete të shquara të trevave shqiptare si akademikun Rexhep Qosja, lindur në fshatin Vuthaj të Malit të Zi, që janë vlera të larta kombëtare, që krijojnë imazhin e simboleve karakteristike të një komuniteti të caktuar, që pasqyron esencën shoqërore të njeriut simbol.
Profesor Qosja, “Nderi i Kombit” ky Rilindës i kohës tonë, është ndër ato simbole unikale të Kombit, që me veprat dhe krijimtarinë e tij të pashtershme si historian i letërsisë shqipe, kritik, eseist, romancier, dramaturg dhe publicist, ka dhënë dhe po jep një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare,shqiptare.
Po kështu një emër i madh i letrave shqipe i ditëve tona është poeti, shkrimtari, publicisti e gazetari Dritëro Agolli, “Nderi i Kombit”, nga fshati Mengulas i Devollit. Personalitete të tilla, që në imazhin popullor janë ikona të mençurisë, modestisë, madhështisë, patriotizmës dhe atdhedashurisë, siç është personaliteti i shquar i letrave shqipe, Dritëro Agolli është vështirë ti skalitësh me dy rreshta. Në të gjitha fushat e jetës fshatarët kanë ardhur plot dinjitet e talent. Edhe në fushën e artit kanë shkëlqyer talente të veçanta si Libohoviti Kadri Roshi, Artist i Popullit, “Nderi i Kombit”, Naim Frashëri e shumë të tjerë. Një tjetër fushë ku nuk kanë munguar njerëzit e suksesshëm me origjinë nga fshati ka qenë dhe është fusha e biznesit. Ka shumë shqiptarë, biznesmenë të suksesshëm në vende të ndryshme të botës, por unë do veçoja Bexhet Pacollin, birin e fshatit Marec nga Komuna e Prishtinës, që ka arritur të konkurojë në tregun Europian.
U fokusuam kryesisht te personalitetet e letrave shqipe, pa dashur të mohojmë se në luftërat shekullore për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror, udhëheqësit dhe heronjtë e dëshmorët e shumtë janë me origjinë nga fshati. Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Çerçiz Topulli, Selam Musai, Sali Vranishti, Sado Koshena, Sulejman Vokshi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, e plot të tjerë, që kanë shkruar historinë me gjakun e tyre.
Ky vend edhe pse i vogël, me një origjinë kryesisht fshatare, nuk ka vuajtur për të nxjerrë njerëz të mëdhenj, personalitete të shquara dhe të përmasave botërore, por ka vuajtur për ti promovuar e përjetësuar ata në breza, për të qenë të pranishëm në kujtesën e njerëzimit. Këtë rol duhet ta luajnë institucionet përkatëse, si shkolla nëpërmjet Ministrisë së arsimit, Ministria e Kulturës, duke i përkujtuar në evenimente të veçanta, që për këto 25 vjet s'po e gjen veten në misionin e saj, si dhe gjithë organizmat e tjera shtetërore e shoqërore. Ajo që ka munguar dukshëm në këto 25 vjet, është vëmendja dhe kujdesi i shtetit ndaj fshatit, që është braktisur dhe lënë në harresë jo vetëm nga investimet në infrastrukturë, por edhe në objektet social- ekonomike, si shkolla, qendra kulturore e shëndetësore, që u është harruar emri. Dhe në refleksion të këtij qëndrimi, fshati gradualisht po boshatiset edhe pse me pasuri të rralla natyrore dhe nën tokësore.
Pa pretenduar të eksploroj dhe evidentoj tërë figurat e shquara të popullit tonë me origjinë nga fshati, se është e pamundur, por këto prezantime panoramike që erdhën në këtë shkrim janë të mjaftueshme për të kuptuar se fshati ka qenë dhe është një potencial i madh njerëzor në tërë sferat e jetës shoqërore. Është e vërtet se gjithë kjo elitë e mendimit përparimtar lindën në fshat, por ata u shkolluan, kulturuan dhe aftësuan në institucione prestigjioze brenda dhe jashtë vendit. Ata, që shkëlqyen mes të shumtëve, ishin në radhë të parë patriotë, idealist, të përkushtuar për ta ndryshuar vendin e tyre drejt përparimit, edhe me privacione të privilegjeve që u krijuan dhe me sakrifica të pabesueshme për kohën e sotme, që kërkojnë të zhvatin pa i dhënë asgjë shoqërisë.
Është për të ardhur keq dhe e patolerueshme në ditët e sotme, që ata që kanë punuar kundër interesave kombëtare duke e zhvatur dhe shitur troje shqiptare, qoftë në të kaluarën nga Mbreti Zog, që dhuroi ish Jugosllavisë Shën Naumin dhe Malësinë e Vermoshit, apo qeveritë e ashtuquajtura demokratike, që i dhuruan pjesë nga deti shqiptar Greqisë, të vlerësohen e përjetësohen me monumente, rrugë e muze e falur pasuri, për kontribute antishqiptare. Ka shumë shoqata patriotike që vegjetojnë apo ngrenë një zë të mekur, pa marrë aksione konkrete që të korrigjohen nga pushteti i kohës.
Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria “Nderi i Kombit”, propozon që të bëhet referendum popullor për të vendosur se cilat personalitete historike, (veçanërisht ata që kanë hije) që kanë drejtuar vendin duhet të nderohen e përjetësohen nëpërmjet simboleve kombëtare.
Comments (0 posted)
Post your comment