Vetëzbulimi i “mediakracisë” pasurore në Shqipëri!
Nga vetë ndryshimi i klimës politike në Shqipëri, nga pasurimi i pangopur, nga demostrimi i kësaj pasurie nga individë në media që nuk bëjnë ndryshim arrogance me sipërmarrës dhe politikanë – e futi dhe pikërisht këtë “mediakraci”...
Nga Besi Bekteshi
Nuk kishte pse media të ishte një segment jashtë vorbullës pasurore dhe jashtë realitetit pikërisht pasuror në Shqipëri. Ajo sigurisht për këto 25 vite të një absurdi pasuror, të një gjendje epileptike të kërkimit të jetës më të mirë, më të begatshme, më të aftë për të pasur pushtet dhe para – të ecte në drejtimin e ndryshëm që kanë ecur bie fjala klasa politike, ajo kastë e drejtësisë dhe një borgjezi që nuk del dot nga shinat e kleptokracisë! Pse do të ishte ndryshe në fund të fundit?
Termi “mediacracy” është përdorur në vitin 1974 nga shkrimtari dhe komentatori politik Kevin Philips, në një libër të tij. Është moment i fillimit të erës së komunikimit masiv, të një popullariteti mediatik në rritje dhe në lidhje sigurisht me politikën në SHBA-të. Kjo lloj mediakracie influenconte dhe e bën dhe sot e kësaj dite, në zgjedhje dhe me nivel të lartë të influencës në publik. Por ajo devijon, forcon, synon dhe drejton pikërisht këtë influencë edhe kulturalisht dhe politikisht, dhe këtë e bën me anën e njerëzve të saj që janë akoma më lart se “ndoshta vetë politika” në pasurim dhe mirëqenie. Momenti “egualitarisëm” në mendimet dhe opinionet dhe ndikimin - bëhet krejt i qartë se është një “profkë politike” por njëkohësisht dhe varësitë ndaj pikërisht pushteteve politike, janë sisteme që në fund të fundit, vjen dita dhe ju del boja, sidomos në vendet e varfëra ku disniveli pasuror është afër absurdit.
Nga vetë ndryshimi i klimës politike në Shqipëri, nga pasurimi i pangopur, nga demostrimi i kësaj pasurie nga individë në media që nuk bëjnë ndryshim arrogance me sipërmarrës dhe politikanë – e futi dhe pikërisht këtë “mediakraci” në rradhët e të pabesueshmëve dhe kundër njerëzve poshtë, të cilët shohin përditë këtë gjendje arrogance në pasurim! Ashtu sikundër ka arrogancë një pasanik që ka qenë një “lumpen më përpara dhe tani bën Kontin e Montekristos” po ashtu “apostujt” e televizioneve, studiove dhe emisioneve “mediakratike” të mbledhur bashkë, qarkullojnë dhe riqarkullojnë, duke marrë audiencën, duke mos lejuar të tjerë të ballafaqohen dhe akoma më keq, duke shërbyer si raja sa në njërën apo tjetrën anën të ndryshueshme të pushtetit. Për më tepër, kohët e fundit del dhe pasuria e tyre e stërmadhe! Sigurisht jo vetëm e një viktime të kapur kur do të bëhet pjesëmarrës në aksione bankare?! Disa prej tyre! Rrogat e gazetarëve dhe drejtuesve gazetarë që kalojnë pesë deri në dhjetë herë pagën e Kryeministrit – përbëjnë jo suksesin kapitalist dhe lirinë e mediave në Shqipëri?! Jo jo, atë në sytë e një populli të dalë nga skëterra e varfërisë dhe në jetën e një tranzicioni idiot të gjatë – janë ndarja e thellë e moralit, pasurisë, jetës së tyre nga ajo e njerëzve! Kështu konceptohet dhe kështu në fakt është. Një gazetar i tillë që kap shifra miliardere shumë më të mëdha dhe se kapitalistë në deklarim, përbën dhe atë pjesë të “pafat” të një dyshimi absolut mbi të drejtën, dhe sigurisht të moralshmen përballë realitetit të sotëm si politik dhe shoqëror.
Kjo mediakraci në Shqipëri është një model ballkanik dhe shqiptar inatçor- por pa principe! Është model i mbyllur dhe servil, po aq tallës dhe fjalëprishur pothuaj sa politika! Nuk ka gazetar të pavarur jo në Shqipëri, por as në botë?! Të gjithë të varur janë në mos nga biznesi që i paguan apo shteti apo dhe agjensitë e ndryshme pjesë e kapitalit – dhe kjo nuk është turp, as pa moral? Këtë e kuptojnë sigurisht ato që kanë vite në këtë profesion, por këtu problemi është te krijimi i qarkut të mbyllur dhe influencës jo demokratike në raport me të vërtetën?! Të gjithë anohen, sepse kanë një mendim politik dhe kjo nuk është aspak jo normale, nga që pluralizmin në medie e bën pastaj shumëllojshmëria e saj. Pra në një farë mënyre si pluralizmi dhe demokracia sigurohen, por e vërteta nga kjo piramidë (mediakracia) e sundimit të tregut me pabesi dhe me influencë personale politike dhe tematike është shumë e keqe. Vërtetë që sot rrjetet sociale dhe FB, por dhe portalet bëjnë kundërshtinë e madhe, luftën e madhe dhe ndaj “mediakracisë” por dhe ato shkojnë drejt piramidës së tyre që luan me “scoob-in” dhe të pa vërtetën, por dhe me paratë që jepen në favor të pikërisht mediakracisë tani - të padeklaruar dhe vjedhëse të lajmeve.
Tanimë “mediakracia” në Shqipëri është zbuluar! Ajo është pjesë e establishmenteve si pasurore dhe kapitaliste bankare dhe të pushtetit. Por nuk duhet akuzuar më tepër se sa duhet pushteti për përdorim të tyre, sepse kjo lloj mediakracie ka dhe një cilësi – përdor edhe ajo pushtetin?! Shkurt nuk është aspak më “zonjë e mirë” se sa pushteti, në mos është akoma më keq! Pse? Po sepse pushteti në shumë raste mirë apo keq, del në bazë të votës – kurse mediakracia është plotësisht e pamerituar dhe aspak e dalë nga gara e vërtetë e tregut si minimum cilësie. Pra në shumë raste është prodhim i pasurisë dhe sundimit të saj. Sot në Shqipëri dhe akoma më keq se sa në vendet ku media është një shtyllë e madhe sundimi - ajo është drejt oligarkisë financiare dhe kjo nuk duhet të na çudisë?! Kjo mediakraci “duartroket” për median informale në Shqipëri. Gëzohet kur gazetarë të terrenit paguhen 15.000 lekë të reja (kur dikush merr 1.500.000 të reja) në rrethe dhe janë të pasiguruar, gëzohet dhe shet mënd për mundësitë e pakta financiare të kolegëve të tyre reporterë që vuajnë dhe për bukën e gojës, megjithëse janë më afër të vërtetës dhe nuk e shtrembërojnë atë?! Abuzojnë me “madhështinë e tyre financiare” përballë redaksive që në bazë të punës së tyre jetojnë në nivelin normal të pagave të këtij vendi! Kjo është një nga të këqijat e mëdha të kësaj oligarkie demente që e di veten shumë të zgjuar?! Dikush biles e di veten dhe – bukurosh! Personazhe të medias që janë paguar dhe nga individë që kanë probleme të mëdha me ligjin jo këtu por dhe në botë – shqyejnë gojën për drejtësinë dhe të vërtetën, duke qenë një e pavërtetë mediatike vetë ato?! Akuzojnë politikën dhe politikanët për të keqen që po i bëjnë këtij vendi – duke qenë jo bashkëfajtorë, por akoma më keq se sa politikanët?! A janë shumë? Sigurisht që jo. Por ato pengojnë dhe sabotojnë shtypin vërtetë të lirë (që sigurisht është në Shqipëri dhe është nën trysni pushteti dhe mediakracie) dhe me sa mundet i pavarur, poshtërojnë me pasurinë e tyre njerëzit e punës dhe afër jetës dhe realitetit të sotëm. Përbëjnë hipokrizinë më të madhe mediatike dhe e shesin për “populizëm dhe të vërtetë olimpike” nga studiot, organet e tyre të shtypit dhe sot nga portalet shpesh herë paçavure të mbushur me gënjeshtra.
Tani sapo ka filluar t’ju dalin dhe marrëzitë me pasuri në të vërtetë. A do ndryshohet situata? Nuk besoj, sepse kërkohet një shoqëri me nivel më të lartë kulturor dhe qytetar, por një gjë është e sigurtë. Burra “të mirë dhe të përkorë” – nuk duket se do të jenë më! Janë thjesht pasanikë deri në arrogancë! /Sot
Comments (0 posted)
Post your comment