Home | Opinion | Çirakët (apprentice) e përjetshëm!

Çirakët (apprentice) e përjetshëm!

image
Kjo gjë do të riparohet kur drejtësia të jetë e drejtë. Prandaj edhe për disa dekada do të jemi shoqëria e çirakëve të përjetshëm!

 

      

 

Nga Besi Bekteshi

 

 

Modeli i shoqërisë e cila nuk ndërton dot, ose ndërton me vështirësi modele, biznes, administratë, profesion, është ai i “çirakut të përjetshëm”! Pra e “aprendistit” që gjithmonë është në kurs, në një punë për të mësuar, por që nuk mëson kurrë, nuk plotësohet kurrë si zanatçi apo profesionist. Është stil jete në Shqipëri, të jesh “çirak i përjetshëm” për të mos u bërë kurrë profesionist dhe një person që paguhesh, qëndron gjatë dhe je pothuaj i pazëvendësueshëm për punën e mirë që di të bësh. Nuk është vetëm mënyrë e kohës në administratë këto 25-së vite. Jo sigurisht është koncept i brumosur thellë dhe te privati, te pronari, te njerëzit që punojnë për vete dhe aspak për shtetin, të cilit duhet t’i japin vetëm taksën. Ka shumë shembuj të “çirakut të përjetshëm” me kuptimin po u bëre “mjeshtër” apo njeri i profesionistit të plotësuar.  Sa merret në punë një çirak që ndoshta ka një farë shkolle dhe i mësohet profesioni apo zanati, mbase dhe me një pagë të ulët, fillon teoria dhe praktika e jetës së kaluar si çirak i përjetshëm. E para, shfrytëzohet  dhe nuk paguhet mirë.

E dyta, nuk ka vëmendjen për të mësuar zanatin. E treta, shpjegon dhe mëson diçka shpejt në sipërfaqe. E katërta, sa mëson diçka kujton se ka mësuar gjithçka. E pesta, “rebelohet” dhe ikën kur akoma nuk ka mësuar dhe provuar  pikërisht mësimet në profesion  te një tjetër “boss”, duke mos plotësuar praktikën. E gjashta, fillon investimin pa u bërë mjeshtër aspak, kësaj radhe për hesap të tij.  Kështu puna shkon nga aprendisti në aprendist, pa u bërë njëherë të vetme profesionist. Po ashtu, në administratën si publike dhe sidomos private, ku është më lehtë të bëhesh  çirak. Po ju marrë dorën letrave, punëve të zyrës, relacioneve me publikun, pa plotësuar “pr-në” dhe pa u ngritur në shkallën e profesionistit – e luajnë nga vendi, duke hedhur dhe investimin si çirak. Ndoshta që një mjeshtër, profesionist zyre apo profesioni i mëson një çiraku disa të dhëna dhe disa modele dhe menjëherë largohet. Ky çiraku në fjalë, pasi ka mësuar katër gjëra dhe i mungojnë 100 të tjera, e konsideron veten  profesionist, dhe largohet për më mirë dhe duke qenë vetë një çirak, dy ditët e fundit i mëson “zanatin” atij që duhet ta zëvendësojë. Pra, çiraku mëson çirakun!  E ky i fundit mbas tre ditësh i “mëson zanatin” një çiraku tjetër. Kështu shkon puna “çirak mbas çiraku”, të cilët paguhen të gjithë keq sepse çirakë janë në fund të fundit! Me këtë mënyrë si pronarët dhe drejtorët shkatërrojnë investime, projekte, drejtori, biznese, televizione, ndërmarrje dhe grupe të rëndësishme,  që mund të kenë financa, por që nuk formojnë dot profesionistë.

 Natyra e shoqërisë tonë me “çirakët e përjetshëm”  në fillim prish zyra dhe drejtori, biznese dhe financa, pastaj mbase kthjellohet dhe vijon në respekt për njeriun e ditur dhe vendosur të punës. Mirë se politika prish punë shpesh herë me “aprendistët” e shumtë në drejtim dhe punë,  sepse shikon  veten si dikur partia (PPSH)  me aftësinë e sigurisë së vendit të punës! Po biznesi, privati, pronari, që vepron me çirakët më keq se administrata dhe shteti?!  Nuk ju bën përshtypje se po harxhojnë dhe po prishin punë?! Nuk ju mbushet mëndja se investimi më i rëndësishëm nuk është leku për hekura dhe biznesin material, se sa investimi njerëzor – profesionist në drejtim dhe pikërisht “zanat- profesion”?!  Ju duket se është më mirë të kenë “çirak të përjashtëm”, sepse kursejnë lekë?! Sepse shpesh herë ju vjen rëndë ngaqë kanë paguar çirakun për faqe të zezë, të paguajnë dyfishin apo trefishin një profesionisti?! Jo, duan ta trajtojnë me pagë si çirak.  Pra, administrata nuk qëndron gjatë nga politika dhe mbushet me çirakë e çirakë plot, kurse privati pronari, mbushet plot me çirakë e çirakë, sepse nuk bën dallimin në respekt pagese dhe njerëzor që duhet nga një që po mëson zanat,  te një që di dhe është profesionist. Ky është modeli në shoqërinë e sotme shqiptare. Është modeli më i fëlliqur për të shkuar përpara ekonomikisht dhe financiarisht.

Në këtë model bëjnë jetë të lumtur jo thjesht çirakët apo aprendistët por sharlatanët, njerëzit e mungesës së dijenive dhe pasionit në punë. Në këtë sistem aprendistësh të përjetshëm, bëjnë karrierë ato që ia “fusin me vesh”, që mundësisht dinë pothuaj gjithçka gabim. Në këtë sistem, profesionisti dënohet me papunësi dhe me urrejtje si nga drejtori i shtetit dhe pronari apo shefi që ai ka vendosur dhe që është mundësisht një idiot i profesionit, por i besuar i boss-it”. Me këtë sistem, ka mundësi që rritet në përgjegjësi një burrë apo grua që nuk ka jo vetëm profesion dhe zanat, por që nuk di asgjë, që ia fut kot,  dhe bën dëme të mëdha! A do të rregullohet? Jo kaq shpejt dhe kaq lehtë. E para, duhet ndërruar mentaliteti si mbi biznesin e ndershëm dhe mbi shtetin - si jo armik i joni. Kjo gjë rregullohet kur të formatizohet ekonomia dhe njerëzit në raport me të dhe shtetin. Kjo gjë do të riparohet kur drejtësia të jetë e drejtë. Prandaj edhe për disa dekada do të jemi shoqëria e çirakëve të përjetshëm!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00