Unë, armiku
Të drejtat e njeriut nuk janë treg, ato ekzistojnë që t’i mundësojnë qytetarëve të jenë të barabartë në mundësitë e tyre për një jetë më të dinjitetshme. Të drejtat të cilat u jepen grupeve që nuk janë në shumicë nuk janë jashtë të drejtave të njeriut, por pjesë përbërëse e tyre.
Nga Lura Pollozhani *
Ka pasur shumë momente në Maqedoni kur qeveria, ose fuqitë politike, janë munduar që t'i bëjnë armiq qytetarët e vet. Unë, bazuar mbi grupin tim etnik, religjionit, gjuhës dhe gjinisë, shumë shpesh i përkas narrativit kolektiv të armikut. Kjo nuk është e rastësishme, dhe nuk është as e natyrshme, por rezultat i disa politikave dhe ideve të kombit dhe shtetit. Ka disa koncepte që shumë prej nesh i mendojnë, që nuk kanë vend në një vend demokratik, modern dhe multi-etnik, edhe pse Maqedonia nuk është gjithmonë e para (d.m.th., demokratike), gjithmonë ka qenë e treta (multi-etnike).
Shumë prej atyre që sot protestojnë në rrugët e Shkupit me shumë histeri tregojnë një nga konceptet më të keqkuptuara, që unë do të doja të thërrisja tregu i të drejtave. Shumë shpesh dëgjoj të flitet për gjuhën si diçka që mund të vidhet, apo të humbet nëse Shqiptarët në Maqedoni kanë më shumë të drejta gjuhësore.
Këtu supozohet se nëse gjuha shqipe ka më shumë të drejta, gjuha maqedonase do të ketë më pak, apo më gjerësisht, nëse Shqiptarët kanë më shumë të drejta, atëherë Maqedonasit do ti humbasin apo do të kenë më pak.
Të drejtat e njeriut nuk janë treg, ato ekzistojnë që t’i mundësojnë qytetarëve të jenë të barabartë në mundësitë e tyre për një jetë më të dinjitetshme. Të drejtat të cilat u jepen grupeve që nuk janë në shumicë nuk janë jashtë të drejtave të njeriut, por pjesë përbërëse e tyre.
Ato janë të rëndësishme në situate kur një grup ka qenë i diskriminuar ose nuk ka pasur qasje deri tek të njëjtat mundësi si shumica apo një pjesë tjetër e popullsisë.
Që Maqedonasit të mund ta kuptojnë situatën në Maqedoni dhe nevojën për të drejta të minoriteteve, duhet të pranohet që Shqiptarët, si dhe grupe tjera, kanë qenë të diskriminuara në këtë shtet. Ky është një fakt objektiv.
E dyta që duhet kuptuar nga të gjithë është se të drejtat minoritare janë mundësi për grupet jo-shumicë të arrijnë nivelin e njëjtë të barazisë si qytetarët tjerë, jo që të kenë më shumë të drejta, por që të jenë të barabartë.
Po e shpjegoj në një mënyrë më të thjeshtë dhe triviale: Nëse ti ke patika, kurse unë jo, dhe më duhen që të shkoj në shkollë, shteti duhet të intervenojë që unë të kem patika që të mund të shkoj në shkollë edhe unë, jo më qëllim që të kem diçka më shumë se ti, por që të jemi të barabartë. Arsyeja se pse unë nuk kam patika është poashtu e lidhur me shtetin, ose ngaqë shteti nuk ka politika të mjaftueshme për këtë çështje, ose sepse unë nuk kam qasje deri në dyqan sepse njerëzit që i përkasin grupit tim nuk e kanë atë të drejtë. Patikat për mua, janë si patikat për ty, por ngaqë unë nuk kam pasur qasje deri tek patikat për arsye eksterne, dhe jo për shkak timin, shteti duhet të intervenojë që të na japë të dyjave mundësi të barabarta.
Shteti ka rol për të luajtur ngaqë është roli i tij që të mbrojë të gjithë qytetarët e saj dhe t’u mundësojë jetën më të mirë të mundshme.
Shumë lehtësisht e kuptoj dashurinë ndaj gjuhës, dhe unë e dua gjuhën time, e cila është shqipja, por kjo nuk do të thotë që nuk e dua Maqedoninë.
Këtu vi deri te koncepti i dytë problematik që është shtet-kombi. Në shekullin e 19 shtetet e reja që u formuan përdorën konceptin e kombit që të legjitimojnë shtetin e tyre.
Ashtu u formua Franca moderne, mes tjerash, edhe pse shumë njerëz brenda teritorit të saj nuk e kanë ditur se çfarë do të thotë të jesh Francez, apo të flasin frëngjisht. Por, sepse kjo formulë ishte e suksesshme (edhe pse jo më e mira) shumë shtete tjera e përdorën, duke përfshirë këtu edhe shtetet e Ballkanit.
Koncepti i shtet-kombit pretendon që një shtet përbëhet nga një komb. Nuk ka asnjë shtet në Ballkan, dhe më gjerë, ku kjo qëndron si e vërtetë. Problemi im është ky: pse në shekullin e 21, kur bota po diversifikohet sa më shumë, ne insistojmë që të ruajmë idetë e shekullit e 19?
Maqedonia ka qenë dhe është shtet multi-etnik dhe multi-kulturor, dhe kjo nuk duhet të na bëjë të frikësohemi ose t’i kundërvihemi njëri-tjetrit. Çdo qytetar në Maqedoni duhet të ndjehet pjesë e saj.
Që tani mund t’i dëgjoj disa pyetje: pse Shqiptarët nuk e duan Maqedoninë? Nëse Shqiptarët duan të flasin shqip, atëherë përse nuk shkojnë në Shqipëri? Përgjigja e pyetjes së dytë është e thjeshtë: sepse ata (ne) jemi qytetarë të Maqedonisë.
Kjo do të thotë që ata (ne) këtu e shohim shtëpinë tonë, dhe prandaj mendojmë që është e drejtë të flasim, mësojmë dhe të dashurojmë në gjuhën tonë.
Përpjekja për më shumë të drejta gjuhësore dhe të drejta tjera nuk është përpjekje për të uzurpuar Maqedoninë, por që ajo të jetë shtëpia jonë, ashtu siç është shtëpi e të tjerëve, që ai (shteti) të na shohë si të saj, ashtu siç ne e shohim si tonin- që s’do të thotë i joni në sensin etnik, por si qytetarë që poashtu i përkasin një grupi etnik dhe duan ta ruajnë këtë identitet.
Këtu lidhet dhe përgjigja e pyetjes së parë. Unë besoj se shqiptarët e duan Maqedoninë, dhe duan një jetë të mirë në të. Shqiptarët nuk duhet të jenë të asimiluar që të vërtetojnë besnikërinë ndaj shtetit. Ne paguajmë taksa, ka ushtarë që janë Shqiptarë, ka taksistë që janë Shqiptarë, ka gjykatës që janë shqiptarë, dhe më e rëndësishmja ka qytetarë që janë Shqiptarë, nuk ka nevojë për besnikëri më të madhe ndaj shtetit se këto.
Fakti që duam si shqiptarë të flasim shqip, të shkruajmë dhe të mësojmë në shqip, dhe këto të drejta i kërkojmë nga shteti ynë, Maqedonia, do të thotë që ne këtë jetë e shohim si pjesë e përvojës maqedonase, pjesë e Maqedonisë multi-etnike. Shteti duhet të na shohë si të tijin ashtu si dhe bashkëqytetarët tonë duhet të na shohin si të tillë.
Koncepti i tretë i gabuar është që shteti është më shumë i njërit dhe jo i tjetrit dhe që ai ekziston vetëm për të na mbrojtur nga tjetri.
Shteti është i gjithë atyre që kanë shtetësi, pikë. Maqedonia ka shumë grupe etnike, prej të cilave shqiptarët përbëjnë grupin më të madh jo-shumicë, dhe janë pjesë e shtetit. Shteti duhet t’u sigurojë të gjithëve barazi para sistemit të së drejtës dhe qasje të barabartë drejt mundësive. Shteti nuk është mbrojtës i një kombi, ky nuk është shekulli i 19-të, por i qytetarëve të tij, pa të cilët nuk do të kishte ekzistuar. Shteti duhet të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të saj dhe t’ju mundësojë shërbime dhe të drejta. Këto shërbime përfshijnë të drejtat sociale, të drejtat e njeriut, siguri ekonomike, të drejtën për jetë, të drejtën për zgjedhje, mes tjerash. Shteti është i të gjithë neve, sa më parë e kuptojmë këtë aq më shpejtë do të mund të mendojmë për pyetjet më të rëndësishme të kësaj dekade: si të mundësojmë ndërtimin e një demokracie që punon për të gjithë qytetarët dhe jo për interesat e veçanta të disave mbi ato të të gjithëve.
Jo, të dashur bashkëqytetarë, nuk jam unë armiku juaj, nuk është as grupi im etnik. Armiku i Maqedonisë është frika, frika nga tjetri, kushdo që është tjetri, dhe shpesh ky tjetri është shqiptari për Maqedonasit etnik, dhe e kundërta.
Frika nga tjetri, nga komshiu yt, nga bashkëqytetari yt është i tmerrshëm ngaqë ti, në vend që të bërtasësh në emër të demokracisë, të kërkosh përgjegjësi dhe shtet të së drejtës, do të heshtësh kur të udhëheqin trupa autoritarë dhe jodemokratik, përderisa mund të hesht dhe ai tjetri.
Por tjetri nuk është Marsian, tjetri është komshiu yt, ai ashtu si ti, dëshiron të jetojë një jetë të dinjitetshme. Por jeta e dinjitetshme nuk do të fitohet përderisa kemi frikë njëri nga tjetri. Nëse Shqiptarët janë armiqtë e Maqedonisë, atëherë Maqedonia është armike e vetvetes, sepse edhe ne jemi qytetarë të saj, dhe është e tmerrshme kur ajo nuk mund të na shohë si të tille, e tmerrshme për mua, por edhe për ty, sepse të gjithë jemi brenda të njëjtës anije.
* Lura Pollozhani është PhD Candidate në Universitetin e Grazit
@ Klosi News
Comments (0 posted)
Post your comment