Rruga drejt një gjuhe tjetër
Një shembull spektakolar i ujdisë së suksesshme mes realitetit dhe formësimit të kujtesës kolektive të qytetit është “Centro Cultural Caja Granada, Memoria de Andalucía” – “Qendra Kulturore ‘Caja Granada’, Kujtesa e Andaluzisë” e ngritur...
Stanislav Strasburger
Gjatë një udhëtimi në Spanjë më ra në sy në një treg një libër i vjetër historie, që e paraqiste Spanjën si “fortesë të krishterimit”. Autori shkruante se spanjollët “me vetëmohimin e tyre kishin mbrojtur zemrën e Europës nga shpatat e arabëve duke ndikuar kështu rrjedhën e historisë. Një libër shkollor që zgjoi interesin tim, sepse përmendej edhe vendlindja ime, Polonia.
Një pjesë e rëndësishme e gjuhës sunduese, aktualisht të mbushur me nostalgji në Poloni, ka lidhje me mitin e “fortesës së pushtuar”. Ky mit thjeshtëzon realitetin, duke e paraqitur botën e jashtme si kërcënim. E drejta është me “ne”, “tjerët” janë armiq që sjellin shkatërrimin.
Për mua, Spanja e sotme, Andaluzia, është një inspirim i veçantë në kërkimin e një gjuhe të re politike. Në një kohë që në Poloni lulëzon miti i “fortesës së pushtuar”, si edhe në disa vende të tjera evropiane, spanjollët kanë realizuar diçka impresionuese. Libri i historisë që unë e gjeta për pak qindarka në treg, është një kuriozitet sot.
Këtë tekst po e shkruaj në Granadë. Qëndrimi im dymujor këtu nuk është rastësi. Një nga pikërëndesat e mia është EUtopia – greqisht vendi i mirë – projekti i një Republike evropiane të rajoneve, bazuar në parimet e drejtësisë sociale, diversitetit kulturor dhe barazisë së qytetarëve. Granada është kryeqyteti i EUtopisë për mua. Po pse?
Historia e qytetit të impresionon: Elementi i saj themelor është kujtesa kolektive dhe bashkëjetesa e feve të ndryshme (hebrenj, të krishterë e myslimanë). Lagjja e vjetër piktoreske e qytetit dhe pallati Nasriden, me arkitekturën e rafinuar, janë dëshmi të kësaj historie. Megjithatë, Granada e sotme nuk është një muze i hapur e pa jetë. Popullariteti i diversitetit të Granadës mes turistëve, të kujton se çdo ndarje në “ne” dhe “ata” do ta varroste këtë sukses turistik.
Një shembull spektakolar i ujdisë së suksesshme mes realitetit dhe formësimit të kujtesës kolektive të qytetit është “Centro Cultural Caja Granada, Memoria de Andalucía” – “Qendra Kulturore ‘Caja Granada’, Kujtesa e Andaluzisë” e ngritur në vitin 2009. Ekspozita është ndarë në katër hapësira: Shumëllojshmëria e peizazhit, mënyra e jetesës, hapësira e qytetit dhe fshatit dhe arti e kultura. Në qendër janë vendosur eksponate interaktive multimedialë, që mund të shihen, preken e dëgjohen.
Virtualisht takon njerëz që kanë jetuar në epoka të ndryshme në Andaluzi. Në monitorë të mëdhenj ndesh mbretër arabë, bujq të kohës moderne, qytetarë antikë, murgj e zanatçinj. Secili ka një histori për të rrëfyer. Një hapësirë pluraliteti, e njësoj si kujtimi personal i kujtdo prej nesh, kujtesa kolektive kthehet në një rrëfim të hapur.
Vendosja e fokusit tek përvojat e mira të së shkuarës multikulturore në Granadë na mëson në një mënyrë të besueshme dhe jo pretencioze se ç’do të thotë të jesh i hapur ndaj tjetrit, e të angazhohesh kundër izolimit. Në kohërat kur gjuha është kthyer në mjet të manipulimit politik, kjo formë e përjetimit të historisë na inkurajon të kërkojmë diskurse të reja. Nocioni i “kombit” e “identitetit” janë përcaktuar në shekullin e XIX-të, në një kontekst politik e shoqëror që nuk është më ekzistent sot.
Kur flas me banorët në Granadë, apo edhe me fqinjët e mi në Berlin apo Varshavë, kam përshtypjen se këto nocione më shumë sjellin probleme sesa të mira. Vërtet është vendlindja ime shteti ku jam lindur? Qyteti apo rajoni? Apo krahina nga e kanë origjinën prindërit e mi? Po si ia bëhet kur të dy nuk vijnë nga e njëjta krahinë? Një gjuhë, të cilën e gjen edhe në treg, nuk na përshkruan dot në mënyrë të plotë se si jetojmë ne sot. Prandaj, ia vlen të vihemi në kërkim të një gjuhe të re. E parë nga Granada, ka shpresë për sukses.
Comments (0 posted)
Post your comment