Home | Opinion | Politika e BE, një dështim në Shqipëri e Kosovë

Politika e BE, një dështim në Shqipëri e Kosovë

image
Përse u “kujtuat” pas 25 vitesh kur ish komunistët u bënë pronarë edhe të demokracisë, edhe të ekonomisë, edhe të shtetit; kur ata u bënë edhe kapitalistët e monopolistët më të mëdhenj. Pas 25 vitesh ju u kujtuat se doni ta ndihmoni Shqipërinë me Reformën në Drejtësi me kaq tepër vonesë, pas një çerek shekulli?

      

 

 Nga Skënder S. Kapiti

 

 

  

Shqipëria dhe Kosova janë realisht në krizë politike, demokratike dhe të integrimit; por stabiliteti politik i cili akoma nuk ka degraduar në anarki dhe rrëmujë, është vetëm falë presionit dhe të asaj, se Perëndimit e sidomos BE-së i intereson vetëm stabiliteti politik në Shqipëri dhe Kosovë dhe jo aq shumë demokracia, ndërtimi i shtetit ligjor, zgjidhja e problematikave politike, ekonomike, integrimi etj.

 

Kjo gjendje u shërben europianëve dhe u intereson kështu atyre, pasi ata nuk e duan realisht dhe seriozisht integrimin e shqiptarëve në BE, dhe kështu ky realitet u shërben atyre për ta përdorur atë si argument dhe justifikim për zvarritjen që ata u bëjnë dy shteteve shqiptare për t’u integruar në BE, me pretekstin se dy shtetet shqiptare nuk përmbushin kushtet, standartet apo detyrat për t’u antarësuar në BE.

 

Kjo përbën hipokrizinë e madhe të interlokutorëve, këshilltarëve dhe të diplomacisë së BE, pasi ajo e fajëson politikën shqiptare si shkaktare, por nga ana tjetër sillet mirë dhe i pranon ata si të besueshëm që po punojnë pak më mirë se paraardhësit, dhe që është bërë bajate tashmë ajo që e dëgjojmë gjithnjë prej tyre se: në Shqipëri ka përmirësime por jo standarte.

 

Europa kurrë nuk i ka përkrahur sinqerisht shqiptarët, por ka bërë të kundërtën: pazare, intriga, ngatërresa dhe pabesi e deri dhe trauma e tragjedi në kurriz të tyre duke favorizuar synimet dhe interesat shoviniste sllavo-greke. Europa që e mban veten si kampione demokracie thotë se në Shqipëri bëhen zgjedhje edhe pa opozitën dhe ne do i njohim ato; Europa u bën presion deputetëve në Kosovë që votoni tradhëtinë, dhurimin e territoreve Malit të Zi se do liberalizojmë vizat.

 

Pra, Europa përkrah në Kosovë dhe Shqipëri pushtetin dhe politikën servile ndaj saj; përkrah dhe zgjedh ata politikanë të pa personalitet dhe të ulët, të cilët janë gati të bëjnë gjithçka kundër interesave kombëtare vetëm e vetëm për pushtetin dhe interesat personale, siç është rasti i përkrahjes së politikës së kriminalizuar, të korruptuar dhe të kanabisit në Shqipëri ashtu si dhe përzgjedhja që BE bëri në Kosovë pushtetin e koalicionit PDK-LDK dhe të zgjedhjes së Presidentit të saj në kushtet e pothuajse të gjendjes së jashtëzakonshme, vetëm pse çifti Mustafa -Thaçi ishin më të përshtatshmit për nënshkrimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të Bashkësisë së Komunave serbe në Kosovë në dëm të interesave kombëtare; ashtu sikurse edhe në fillim shekullin e 20-të me miratimin e Europës, sllavo-grekët rrëmbyen territoret e shqiptarëve, ashtu si me autorizimin e Europës dhe në sytë e saj sllavo-grekët bënë edhe genocidin e tmerrshëm mbi popullin shqiptar etj. etj.

 

Por mëkatarët dhe fajtorët kryesorë të kësaj gjendjeje të vazhdueshme sot si në Shqipëri dhe në Kosovë janë partitë kryesore politike shqiptare, të cilat janë të kapura nga establishmenti apo elita politike, ato drejtohen prej këtyre makrocelulave elitare ideologjike, korruptive, praktike dhe propagandistike e mashtruese pasuese të Partisë Komuniste.

 

Këto makrocelula politike antidemokratike dhe antinacionaliste kanë kapur të gjithë pluripartitizmin shqiptar, kanë arritur deri dhe në mashtrimin që u kanë bërë edhe SHBA-së dhe BE-së me mashtrimet, dukjet dhe me hipokrizinë e falsitetin e paraqitjes së tyre si demokratike, progresiste, prointegrimit, proeuropiane dhe proamerikane. Por është edhe e çuditshme se përse BE dhe SHBA, për 25 vite mbështetën dhe përkrahën në Shqipëri dhe ua besuan individëve, klaneve trashëgimtare dhe pasuese të regjimit komunist që ta drejtojnë po ata, paskomunizmin dhe tranzicionin në Shqipëri; dhe perëndimorët nuk inkurajuan dhe as nuk mbështetën patriotizmin, demokracinë dhe proamerikano-europianizmin e vërtetë të persekutuar dhe të përndjekur për gjysëm shekulli nga regjimi komunist?

 

Përse perëndimorët nuk përkrahën dekomunistikimin e Shqipërisë, as ndëshkimin e krimeve të komunizmit, as lustracionin dhe as dekriminalizimin e politikës shqiptare prej komunistëve, persekutorëve, prokurorëve, gjyqtarëve, spiunëve dhe antiperëndimorëve komunistë; përse nuk përkrahët ju perëndimorët as angazhimin dhe as pjesëmarrjen në politikën shqiptare të shtresave dhe kundërshtarët e ish regjimit komunist?

 

Përse e neglizhuat edhe ju perëndimorët jolirinë politike, pse e përkrahët me indiferencën tuaj përjashtimin që paskomunizmi neokomunist në Shqipëri i bëri disidencës patriotike, properëndimore dhe antikomuniste në Shqipëri? Fatkeqësisht të njëjtin indiferentizëm dhe neglizhencë po tregoni edhe në Kosovë.

 

Përse u “kujtuat” pas 25 vitesh kur ish komunistët u bënë pronarë edhe të demokracisë, edhe të ekonomisë, edhe të shtetit; kur ata u bënë edhe kapitalistët e monopolistët më të mëdhenj. Pas 25 vitesh ju u kujtuat se doni ta ndihmoni Shqipërinë me Reformën në Drejtësi me kaq tepër vonesë, pas një çerek shekulli?

 

Shqipëria de fakto kaloi nga komunizmi diktatorial në një neokomunizëm demokratik liberal neodogmatik të miratuar nga ju perëndimorët, të pranuar nga “indiferenca” prej sehirxhiu nga ana juaj. Dhe prandaj ka dështuar jo vetëm shoqëria shqiptare në ngritjen e sistemit demokratik, të shtetit ligjor dhe integrimit të vendit në BE, por edhe vetë ju perëndimorët, por ama harxhet, kusuret dhe pasojat po i vuan vetëm shoqëria shqiptare.

 

Mos vallë ju europianët, ju BE-ja burokratike pse jo edhe te korruptuar, Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare i trajtoni si vend dhe shoqëri për eksperimente sociale dhe ideologjike, si vend potencial krize me të cilin pastaj të justifikoheni se keni me çfarë të merreni?

 

Juve europianëve burokratë dhe “indiferentë” iu intereson vetëm stabiliteti në Shqipëri dhe jo demokracia sepse ju nuk keni ndjesinë e asaj se çfarë ka vuajtur populli shqiptar në atë diktaturë dhe nuk keni ndjesi e dhembshuri edhe sot, ndaj asaj se çfarë shqiptarët i mban peng dhe vazhdojnë të pësojnë akoma nga moszhvillimi, mosemancipimi dhe mosintegrimi, papunësia, varfëria dhe padrejtësia.

 

Ju, Europa keni të hipotekuar autorësinë e tragjedive të tmerrshme u keni bërë prej më shumë se një shekulli shqiptarëve, dhe juve nuk është kurrë për t’u besuar sinqerisht se ua doni me të vërtetë të mirën shqiptarëve.

 

Prandaj së pari dhe krejtësisht na takon dhe e kemi si detyrë ne shqiptarët që ta bëjmë Shqipërinë, shtetin e kombin tonë të fortë demokratikisht e kombëtarisht dhe të mos presim shumë nga Europa e pabesë dhe intrigante.

 

Aktualisht edhe sot, partitë politike dhe politika shqiptare nuk kanë promovuar as demokraci, as patriotizëm, as progres, as dëshirë dhe as vullnet në këtë drejtim, por fatkeqësisht më shumë kanë shkaktuar paqëndrueshmëri, konflikte, përçarje, zhgënjim, tradhti, korrupsion dhe mosbesim.

 

Ato janë infektuar rëndë nga oligarkia elitare e egoizmit negativ, luftës për pushtet dhe sidomos nga korrupsioni. Ato jo vetëm që nuk i shërbejnë lidhjeve jetike shtet-shoqëri, por e përdorin dhe e shfrytëzojnë si shtetin ashtu edhe shoqërinë vetëm për interesat e tyre, të oligarkisë dhe elitës së ngushtë partiake.

 

Partitë kur kapen dhe pronësohen nga grupe apo klika e klane të ngushta me lidhje kriminale, vjedhje, korrupsioni dhe të çdo interesi tjetër amoral, si grupe të pasura me prona, para dhe me pushtet, atëhere shndërrohen dhe funksionojnë si organizime të fuqishme mafioze banditopartish politiko-financiare duke e asgjësuar demokracinë e drejtësisë dhe duke e kërcënuar e rrezikuar shtet-shoqërinë dhe sovranitetin kombëtar.

 

Kur mafio-demokracia politike e kap shtetin, gjendja është më e keqe se anarkia.

 

Armiku dhe të këqijat më të mëdha shqiptarëve po u vijnë nga partitë politike;

 

nga këto organizata të cilat veprojnë dhe shfrytëzohen në favor të individëve apo të grupeve të interesave politike private.

 

Në partitë politike shqiptare, establishmenti apo elita politike e tyre: kombëtaren, publiken, shtetëroren, patriotizmin, ligjin, drejtësinë si dhe antarësinë e partisë dhe shoqërinë i shikojnë dhe i trajtojnë edhe ato si prona private dhe si mjete për të realizuar qëllime përfitimesh politike, pushteti, autoriteti, pandëshkueshmërie dhe sidomos pasurimi.

 

Partitë politike shikohen si streha të sigurta garancie dhe sigurie për pandëshkueshmërinë e krimit, korrupsionit, tradhtive, parasë se pisët të trafikimeve të qenieve njerëzore, drogës, prostitucionit, të evazionit fiskal, të abuzimeve dhe të tenderimeve korruptive.

 

Partitë politike funksionojnë si agjensi politike për të rrëmbyer pushtet, prona, pasuri dhe të para publike, prej të cilave sponsorizohen dhe mercenarizohen edhe vetë partitë, ku përfitojnë kryesisht njerëzit më potentë te establishmentit politik në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët bëjnë dhe urdhërojnë edhe ligjin nëpër gjykata si edhe manipulojnë zgjedhjet dhe blejnë votat e pushtetin.

 

Prandaj besoj se ka ardhur koha për ndërgjegjësim dhe zgjim nga letargjia e apatia, të shkaktuara prej opiumit mashtrues, të pabesë, manipulativ, hipokrit dhe korruptiv të politikës, të elitës së derisotme të partive politike, të cilat janë armike dhe përjashtuese të intelektualizmit, profesionalizmit, ndershmërisë, virtytit, aftësisë, patriotizmit, përgjegjshmërisë, lirisë së vërtetë të mendimit, konkurimit dhe transparencës.

 

Partitë politike janë shtrati ku kultivohet dhe vegjetojnë mediokriteti, injoranca, servilizmi, nepotizmi, mashtrimet, manipulimet dhe korrupsioni i elitës së tyre të cilat më pastaj transferohen, trampiantohen dhe “lulëzojnë” në Parlament, qeverisje dhe në tërë administratën e sistemin.

 

Është mashtrim dhe vetëm mashtrim të pretendohet se do të reformohet shteti, shoqëria, politika dhe demokracia në Shqipëri dhe Kosovë pa u reformuar dhe demokratizuar së pari partitë politike shqiptare, sepse partitë politike janë parimi kryesor i politikës moderne në demokraci.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00