Përralla me UNESCO-n
Brenda UNESCO-s roli i Rusisë është i madh, përfshirë edhe kontrollin e fondeve. Fokusi duhet të jetë në anëtarësimin e Kosovës në OKB ...
Nga Enver Robelli
Ndërsa Kosova ende nuk ka qeveri dhe Ministria e Jashtme drejtohet nga një anonim që s’di të shkruajë shqip dhe shërbimi diplomatik prej vitesh është mbushur me «nxënës dhe nxënëse» të Henry Kissingerit të Akademisë Diplomatike të Suharekës, Serbia ka shpërndarë 27 emisarë nëpër botë për të lobuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Gjasat janë që Prishtina të mos kandidojë fare nga frika e dështimit si një vit më parë
Edhe pak ditë bëhen tre muaj prejse në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Asnjë parti apo koalicion nuk arriti të fitonte aq vota, saqë të mundë të krijojë vetë Qeverinë e re. Që nga 11 qershori Kosova i ngjan një kafehaneje të madhe të intrigave politike. A i ke numrat? A i sigurove numrat? Ku këndon sonte Labi? Mes orës 23:00 dhe 24:00, pasi të kenë vallëzuar nusja me dhëndrin, Labi bën një pauzë – dhe atëherë mund ta nxjerrim jashtë, në «aborr t’restorantit» dhe t’ia themi disa fjalë.
Ndërkohë në Parlament kryetari i PDK-së alarmon: Albin Kurti, shefi faktik i Lëvizjes Vetëvendosje, do ta kthejë Serbinë në Kosovë. Kujdes, popull! Se kush po e kthen Serbinë në Kosovë, madje Serbinë e Slobodan Milosheviqit, tregon ky fakt: një apo dy ditë para se në foltoren e Kuvendit të fliste bosi i PDK-së, në një hotel në periferi të Prishtinës foli Velko Odaloviqi, zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Për Odaloviqin kthimi në Kosovë ishte kthim në vendin e krimit. Në fund të viteve ’90 ai ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë kryeshef («naçallnik») i «Qarkut të Kosovës dhe Metohisë», rrjedhimisht ai është përgjegjës jo vetëm politik për fushatën e terrorit kundër shqiptarëve të Kosovës. Po të kishte Kosova prokurorë të hairit, Odaloviqi do të ishte i akuzuar për krime të luftës. A e dini çka bën vaki te ne? Presidenti i Kosovës e fton Odaloviqin të flasë për të pagjeturit.
Odaloviq është sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Serbisë. Shef i tij, Ivica Daçiq, ka njoftuar se resori i tij është duke punuar pandërprerë për të penguar hyrjen e Kosovës në UNESCO. Para një viti Serbia arriti të pengonte kandidaturën e Kosovës – ose thënë ndryshe: Kosova dështoi të siguronte mbështetjen e nevojshme për t’u anëtarësuar në këtë nënorganizatë të OKB-së. Madje për Kosovën nuk votuan edhe disa vende, të cilat e kanë njohur pavarësinë e saj. Askush nga politikanët apo diplomatët e Kosovës nuk dha përgjegjësi për këtë dështim, i cili i mundësoi Daçiqit, Odaloviqit dhe të tjerëve të krekosen se arritën të bllokonin Kosovën. Gazeta «Blic» e Beogradit shkruan se Serbia ka shpërndarë nëpër botë 27 emisarë për të lobuar kundër pranimit të Kosovës në UNESCO. Gjasat janë që Prishtina nga frika e dështimit të mos kandidojë fare. Dhe kjo s’është fare befasi: Ministria e Jashtme e Kosovës drejtohet nga një anonim që s’di të shkruajë shqip, ndërsa shërbimi diplomatik nën drejtimin e paraardhësit të tij është mbushur me «nxënës dhe nxënëse» të Akademisë Diplomatike të Suharekës. Kjo diplomaci akraballëku, me kunata e mbesa, me dajë e kushërinj, me futbollistë dhe me teze, me militantë partiakë dhe me çka jo tjetër, Kosovën nuk do të arrijë ta anëtarësojë as në Shoqatën Botërore të Trumcakëve (SHBT).
Diplomacia serbe duket se është koncentruar sidomos tek ato vende, të cilat vitin e kaluar kanë votuar kundër hyrjes së Kosovës në UNESCO dhe sivjet mund të kenë ndërruar mendjen. Ato vende janë: Kirgistani, Libani, Mianmari (Birmania), Paraguai, Siria dhe Uganda. Ministria e Jashtme serbe supozon se edhe shtete që kanë përkrahur Kosovën tani mund ta mbështesin Serbinë. Përmendet në këtë kontekst Sulltanati i Omanit.
Ditëve të fundit diplomacia serbe ia prezantoi botës një shou: e tërhoqi tërë personelin nga Ambasada e Serbisë në Shkup me arsyetimin se përfaqësia diplomatike e Beogradit po përgjohej. Pastaj si argument tjetër u përmend se Maqedonia e paskësh ndërmend të votonte për pranimin e Kosovës në UNESCO. Në të vërtetë Serbia i tërhoqi diplomatët, sepse Qeveria e re maqedonase, e mbështetur nga partnerët perëndimorë, ndërmori masa që Ambasada e Serbisë në Shkup të pengohet në aktivitetet e saj agjenturore në bashkëveprim me Rusinë. Rrjedhimisht, Ivica Daçiqi tani po thotë se nuk ishte Qeveria maqedonase e përzier në përgjimin e diplomatëve serbë në Shkup, por «faktori i jashtëm», një eufemizëm për amerikanët. Për ta kapitalizuar politikisht këtë situatë pala serbe si shkak për acarimin e raporteve përmendi edhe gjoja synimin e Maqedonisë për ta futur Kosovën në rend të ditës në UNESCO. Me këso paradash dhe krizash artificiale, të prodhuara prej saj, Serbia synon t’u bëjë presion edhe shteteve të tjera të kundërshtojnë pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nuk është me rëndësi që Kosova (ende) nuk ka rikandiduar për të hyrë në UNESCO. Me rëndësi për Serbinë është të krijojë tensione të pandërprera, si të thuash preventive.
Si zakonisht pala kosovare është spektatore e zhvillimeve. A është diskutuar fare brenda institucioneve të Kosovës se a duhet të ketë prioritet anëtarësimi në UNESCO apo në OKB? Para disa ditësh ish-ministri i Jashtëm i Kosovës nga radhët e PDK-së tha: «Nëse Serbia vazhdimisht udhëheq fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, për çfarë lloj normalizimi mund të flasim?» Një pyetje e shtruar me gjashtë vjet vonesë: në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka negociuar me Serbinë, duke i bërë koncesione të mëdha me shpresën se Serbia do të bëhet racionale. E kundërta ka ndodhur: Serbia është futur thellë e më thellë brenda shtetit të Kosovës dhe saboton çdo përpjekje të Kosovës për të krijuar subjektivitet ndërkombëtar. Brenda UNESCO-s Serbia është në avantazh, sepse ka përfaqësim të përhershëm dhe, kësisoj, mban lidhje në nivel të ambasadorëve me të gjitha shtetet. UNESCO-ja e trajton Kosovën sipas Rezolutës 1244. Siç dihet, ky dokument e quan Kosovën pjesë të Serbisë.
Brenda UNESCO-s roli i Rusisë është i madh, përfshirë edhe kontrollin e fondeve. Fokusi duhet të jetë në anëtarësimin e Kosovës në OKB – ndonëse kjo tani mund të duket iluzore, por për të arritur këtë cak Kosova nuk duhet të praktikojë një politikë nënshtruese ndaj Serbisë dhe diplomatëve injorantë të BE-së, të cilët ose nuk duan, ose nuk e njohin politikën destruktive të Beogradit. BE-ja ka interes ta mbajë Serbinë afër për ta mbajtur Rusinë larg Ballkanit. Serbia ka interes të afrohet me BE-në pikësëpari për arsye ekonomike, sepse nga Brukseli rrjedhin fonde, ndërsa nga Kremlini vijnë agjentë dhe përralla për vëllazërinë ortodokse. Në këtë situatë Kosova duhet të mbajë qëndrim të qartë: Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, pastaj mund të flitet për çështje teknike. Dikur thuhej: standardet para statusit, sot duhet të thuhet: njohja e pavarësisë para muhabeteve teknike.
Por, për të zhvilluar politikë të mençur Kosova duhet të ketë politikanë, të cilët nuk mund t’i shantazhojë askush. Pra, Kosova duhet të ketë politikanë që nuk e ftojnë Velko Odaloviqin në Prishtinë për të simuluar gjoja njëfarë pajtimi./koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment