Home | Opinion | Konfliktet që po brejnë Europën

Konfliktet që po brejnë Europën

image
 Aktualisht BE po kalon një moment delikat dhe kërkohet vendosmëri, ndryshe e ardhmja e saj do të vihej në dyshim serioz dhe rruga e kthimit tek Europa  Perëndimore...

 

 

 

Albert Çaçi

 

 

 

Ngjarjet e fundit, sidomos kriza e refugjatëve të 2016 dhe Brexit kanë krijuar një situatë shumë komplekse brenda BE-së. Konfliktet që kohë përpara konsumoheshin me një lloj diskrecioni,  tashmë konsumohen hapur në media, duke rënduar më shumë klimën e mosbesimit.

Tashmë duket qartë që Europa ecën me dy shpejtësi dhe kjo mënyrë organizimi dhe sidomos vendimmarrjeje që ajo ka, nuk po i përgjigjet më këtij stadi.

Për herë të parë që nga krijimi i BE-së një vendim i marrë për shpërndarjen e kuotave të emigrantëve u refuzua publikisht të zbatohet nga disa vende të Europës Lindore. Europa Perëndimore ose “e vjetër”, që është treguar kaq bujare në këto 25 vjet me Europen Lindore në një moment të vështirë që kërkoi mbështetje, ajo nuk iu dha.

Gjithashtu, po për herë të parë, një vend si Polonia refuzon kërkesat e BE-së në fushën e organizimit të saj të drejtësisë dhe Evropa nis procedurat për ta përjashtuar nga e drejta e votës. Hungaria nga ana tjetër deklaron se do bllokojë me veto këtë vendim të BE-së.

Fakti që mbas krizës së rëndë ekonomike të 2008, kur Gjermania imponoi politikën rigoroze ekonomike, tabloja ekonomike sot nuk është pozitive për të gjithë. Gjermania, Hollanda, vendet skandinave dhe Polonia ecin me një situatë të favorshme rritje ekonomike.

Të tjerët, rezultatet e kësaj politike i kanë shkaktuar probleme shumë të mëdha ekonomike me një rëndim të rrezikshëm të problemeve sociale dhe shoqërore.

 

Mbas Orbanit të Hungarisë, që ishte i pari që sfidoi hapur vendimet e BE-së dhe po ndjek një politikë nacionaliste tani problemi më i madh për BE-në është bërë Polonia.

Polonia sot është një vend me një rritje të qëndrueshme ekonomke dhe po kërkon gjithnjë e më shumë një rol më të rëndësishëm në vendimmarrjen politike të BE-së.

Ardhja në fuqi e nacionalistëve evroskeptike të Kaczinskit e ka shtuar më shumë këtë pozicion, bile dhe mënyra e vrazhdë me të cilat Polonia po i përgjigjet çdo lloj kritike që vjen nga Brukseli, po e rëndon shum klimën brenda shteteve të BE-së.

Polonia, duke e kuptuar tani ecjen me dy shpejtësi të Evropës, ku pjesa e saj e vjetër perëndimore po tenton që të shkëputet nga pesha frenuse dhe problemet e Evropës Lindore, po synon të marrë një rol udhëheqës të gjithë këtyre vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore që ecin me një shpejtësi tjetër. Dhe këtë rol nuk ngurron ta lozë në mënyrë të hapur konfliktuale dhe publike.

Ditët e fundit, presidenti i Francës, Makron, gjatë një vizite në Bullgari, deklaroi -Polonia është duke u izoluar nga Bashkimi Evropian dhe qytetarët polakë meritojnë më shumë nga një qeveri në konflikt me vlerat demokratike dhe planin e reformave ekonomike të BE-së.

Ai shtoi se Varshava  po lëviz në drejtimin e kundërt të Evropës, por ajo nuk do të jetë në gjendje të përcaktojë drejtimin dhe të ardhmen e Evropës. Evropa është një zonë e krijuar mbi bazën e demokracisë dhe lirisë me të cilat sot Polonia është në kontrast.

I menjëhershëm dhe konfrontues reagimi polak. Kryeminstrja polake Beata Syzdlo ia preu shkurt: E ardhmja e Evropës nuk varet nga Macron dhe do t’i sugjeroja Presidentit francez të jetë më pak konfrontues dhe më shumë bashkëpunues.

Ndoshta komentet e tij arrogante janë rezultat i rënies së konsesusit në Francë 14% në një muaj dhe mungesës se eksperiencës së tij politike.  Më tej, ajo shtoi se do t’i sugjeroja atij të merret me problemet e vendit të tij, se ndoshta kështu mund të arrijë rezultatet që ka arritur Polonia në nivelin ekonomik dhe të sigurisë për polakët.

Fjalët e kryeministres i referoheshin në mënyrë implicite insistencës së qeverisë së saj për të mos pranuar refugjatët duke garantuar nivel sigurie të lartë për polakët, duke aluduar për situatën në Francë pas sulmeve terroriste.

Ministri i jashtëm polak Washykovski, duke thirrur ambasodorin francez për të protestuar për arrogancën e Makron, theksoi faktin se Polonia nuk është e izoluar. Me tej, ai shtoi dozën duke thënë se Makron nuk e njeh mirë situatën në Evropën qendrore  dhe ekonomia franceze  në këtë moment nuk mund të konkurrojë dot me dinamizmin ekonomik të shumë vendeve dhe ndërmjet tyre me Poloninë, pasi ka një asistencë sociale shumë të lartë. Kundërshtimin polak e mbështeti edhe Bullgaia, ku kryeministri Borisov deklaroi se Makron, në vend që të kërcënojë Poloninë, duhet të dëgjojë edhe të tjerët për të kërkuar zgjidhje.

 

Makron, në fakt, ka shkaktuar një kundërshtim të hapur nga shumë vende të Evropës Lindore kur ka deklaruar se BE rrezikon kolapsin nëse nuk ndryshon ligjet evropiane për punën me kosto të ulët.

Sipas ligjeve aktuale të BE-së, kompanitë mund të dërgojnë punëtorë me paga të ulëta drejt vendeve të pasura pa paguar taksa lokale dhe asistence sociale dhe një gjë e tillë po nxjerr ekonominë franceze jashtë kompetitivitetit dhe po i shton në ekstrem problemet sociale.

Në fakt, Makron po përhap frikën për shembjen e BE-së nëse nuk mbështet këtë propozim të tij që po çon në çarje të mëdha brenda BE-së dhe Brukseli është shumë i shqetësuar.

 

Polonia ka filluar tashmë të sfidojë edhe Gjermaninë. Duke parë se tashmë Britania po largohet, ajo kërkon të marrë rolin e saj si aleatja më e ngushtë e SHBA-së brenda BE-së, duke përfituar edhe nga kontradiktat Trump-Merkel.

‘Polonia kundërshton hapur dhe me shumë forcë ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2 offshore nga Rusia në Gjermani, që kundërshtohet edhe nga SHBA-ja dhe Ukraina dhe vendet e Evropes Lindore, por  që Gjermania duket e vendosur ta ndërtojë,  mbasi nga ai varet siguria e saj energjetike.

Në fakt, BE është në konflikt të hapur me Poloninë për ligjin e organizimit të drejtësisë dhe Merkel deklarojë javën e shkuar se Gjermaninë nuk është e kënaqur me nivelin e demokracisë në Poloni dhe ne kemi hapur procedurat për privimin e saj nga e drejta e votës.

Por Jarosllav Kaczynski kryetari i partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi iu përgjigj se Polonia do të vazhdojë në rrugën e nisur duke miratuar ligjin. Por Katzinski si kundërpërgjigje ka hapur edhe një front të ri me Gjermaninë, duke e vënë atë në siklet të madh -atë të reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore.

Qeveria polake-deklaroi Kaczynski me një gjuhë kazerme-po përgatit një kundërofensive historike.

Kryeministrja polake deklaroi se Gjermania duhet të marrë përgjegjësinë për Luftën e Dytë Botërore pasi Polonia akoma dhe sot duhet të marrë veten nga ajo që pësoi. Polonia vetëm po kërkon drejtësi. Jemi viktima të luftës dhe dëmet nuk janë rimbursuar kurrë.

Kush ka një ide ndryshe nga kjo- shtoi ajo- duhet të mësojë me durim se çfarë ka ndodhur në territorin polak gjatë luftës. Nëse Polonia nuk do të kishte shpenzuar shifra kolosale për rindërtimin nga shkatërrimet e luftës sot, do të ishte dy herë më e fortë.

Praktikisht, këtyre diskutimeve nuk po  i gjendet dot më fundi.

Gjemania i ka refuziuar me forcë këto kërkesa. Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane Urlike Demmner, Berlini ka paguar në të shkuarën dhe nuk duhet të paguajë më dhe ky pozicion i Gjermanisë është i panegociueshëm.

Gjermania ka paguar miliarda euro për krimet e nazistëve, sidomos për hebrenjtë e mbijetur dhe ish-qeveria komuniste polake  e ka mbyllur këtë diskutim pasi ia fali në 1954 pagesën e reparacioneve, atëherë RDGJ komuniste që kishte detyrime edhe ajo si RFGJ.

Por Kaczynski i kundërpërgjigjet duke thënë se qeveria e Polonisë komuniste ishte një buratinë e sovjetikëve dhe vendimet e saj nuk kanë asnjë vlerë ligjore.

Për Gjermaninë, hapja e këtij diskutimi është me shumë probleme, pasi mund të nisë një proces domino kërkesash me shumë komplikacione financiare. Mjafton të përmendim se edhe Greqia para dy vjetësh e ka hapur këtë diskutim, por Gjermania me shumë vështirësi arriti ta mbyllë.

Koha kur BE ishte një organizëm solid dhe fliste me një zë të vetëm dhe merrte vendime unanime duket se tashmë ka kaluar. Mënyra e vendimmarjes sot me unanimitet nuk i përballon dot problemet me të cilat po ndeshet BE në këtë situatë ndërkombëtare mjaft të paqartë.

Prandaj Makron dhe Merkel po shikojnë mundësinë që të ndryshojnë Traktatin e Lisbonës për të kaluar në vendimmarje me 2/3. Por edhe vendimi për të bërë ndryshimin duhet të merret me konsensus dhe këtu prapë shkohet në një rreth vicioz gati të pakalueshëm.

Duket qartë edhe nga gjuha që përdorin tashmë hapur në media, se problemet po agravohen dhe solidariteti i viteve ’90 tashmë po zvanitet dhe të gjitha shtetet po mundohen të zgjidhin problemet e tyre duke përfituar sa më shumë nga BE. Tashmë askush nuk ka dëshirë të sakrifikojë interesat e tij për të tjerët dhe BE.

Aktualisht BE po kalon një moment delikat dhe kërkohet vendosmëri, ndryshe e ardhmja e saj do të vihej në dyshim serioz dhe rruga e kthimit tek Europa  Perëndimore më e vogël, por më solide e  viteve ’60 mund të kthehet në korsi preferenciale. / Konica

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00