Interesi për shtetin, kombin dhe shoqërinë!
Ky moment është shumë i rëndësishëm sot. Kur vetingu dhe reforma në drejtësi – kërkon një modem, një atrecaturë tjetër shpërndarëse dhe kontrolluese të drejtësisë!
Nga Besi Bekteshi
Një tavolinë më andej në kafe, ishin mbledhur pesë individë që po bisedonin probleme të shoqërisë tonë. Bërtisnin kaq shumë, sa dhe sikur të mos doje të dëgjoje, ishte e pamundur!
Mbasi u përplasën katër miq aty - me të pestin, (i cili dukej person që fliste për interesin që individi sot duhet të ketë më shumë se kurrë, për shtetin, kombin dhe shoqërinë shqiptare) në fillim njëri, pastaj të katër njëzëri thanë: njeriu që sot ka interes shtetin, kombin, shoqërinë është një idiot! Ishte një (shumicë tavoline) e një maxhorancë e jashtëzakonshme dhe njeriu i vetëm që si një gjysëm idealist po ju thoshte se “nëqoftëse një individ sot nuk interesohet për shtetin, kombin dhe shoqërinë” e tij ku jeton dhe ku punon - është një model i degraduar përfitimi personal dhe morali të devijuar, për të mos thënë një individ i zvetnuar në lirinë për të abuzuar dhe lejuar të abuzohet! Katër të tjerët – po talleshin me një “idiot të tillë” (e kishin shok sigurisht, por e quanin një retro moralisti dhe gati-gati, një budalla që i bën keq shoqërisë) i cili me moralet dhe pasionet e tij për shteti, kombin dhe shoqërinë në rregull dhe kontroll, po bënte keq!
Pyeta veten mbasi u çuan – mor vërtetë këto përqindje në këtë marrëzi morale dhe urbane në mendim, janë te i gjithë populli shqiptar! Katër veta në Shqipëri thonë se një individ që mendon dhe shtron arsye për tu marrë me rregullimin për shtetin, kombin dhe shoqërinë, kurse vetëm një është ndryshe tyre! Të gjitha gjasat janë që ky është dhe raporti i këtij irracionalizmi qytetar që shoqëria shqiptare ka!
Shtrohet pyetja pse? Një përgjigje është e shpejtë dhe ka të bëjë me politikën e cila flet për shtetin, kombin dhe shoqërinë – por vazhdimisht në saj të politikës të tre këto koncepte filozofike të organizimit njerëzor, shkatërrohen dhe për më tepër, te njerëzit krijohet bindja e plotë që politika është ashpërsisht kundra dhe luan teatrin e individëve që flasin dhe pastaj i bien në qafë, shtetit, kombit dhe shoqërisë! Njerëzit pra - kuptojnë qartë dhe pastaj interpretojnë dhe më qartë, se sa më tepër “interesohet” politika për shtetin, kombin dhe shoqërinë, ka ndodhur që këto të treja shkojnë me keq! Kryhet një farsë shumë e madhe prodhimtarie folklorike, e cila pastaj godet me marrëzinë e saj dhe interesat okulte e kriminale të politikës – shtetin, kombin dhe shoqërinë! Njerëzit tashmë janë mërzitur me besimin te klasa politike dhe shoqëria e politizuar e cila thotë kështu - por bën të kundërtën! Por ka dhe një diçka tjetër! Më sipër thashë – shoqëri e politizuar! Sot jemi “militarisht të politizuar” dhe është shpesh herë, akoma më keq se sa dje që ishim të idelogjizuar! Pse? Po, sepse ideologjizimi është pjesë e regjimit, diktaturës, autokracisë që vret dhe bërtet haptas, kundra njeriut në të drejtat e tij! Regjimet e thonë statusin e tyre anti lirisë dhe pro diktatit apo regjimit me shtypje! E këtë e bëjnë në saj të ideologjisë, fjalëve të një modeli ideologjik shtypës, dogmatik dhe represiv, që vendos në vend të parë idealin që “urdhëron njeriun dhe shoqërinë”! Kurse sot në Shqipëri politizimi është akoma më keq se dikur “ideologjizmi” në kohët të Enverit! Gjithçka referohet në politikë, gjithçkasë i referohet politika, gjithçka nuk bëhet pa politikë, gjithçka nuk ka mundësi të ndodhë pa marrë pjesë apo pa u futur në lojë – politika! Jemi akoma më të sëmurë sot politikisht, se sa dje – ideologjikisht! Pse? Po sepse dje, e dinim shumica që po pësonim ideologji dhe nuk e donim seriozisht atë, kurse sot flasim, sillemi dhe jetojmë politikisht dhe nuk dimë ndryshe aspak - në mënyrën tonë të jetesës dhe për më tepër e dimë për mirë! Nuk na urdhëron askush realisht, por ne jemi të tillë “që kur qysh” nga ideologjia idiote dhe kriminale mërzitemi - kthehemi të politika jo e drejtë e aspak morale plot politizim!
Në këtë mes, këtë moment, në këtë tragjikomedi politike dhe shoqërore – individi që interesohet për shtetin, kombin dhe shoqërinë – është një armik! Po pra – një ujk që nuk ka kope, dhe që mezi pret rastin për të prerë në fund “delet” e interesave vetëm të xhepave dhe interesave personale!
Mirëpo as interesat personale – nuk zgjidhen kurrë më mirë me “individët shumicë anti person që interesohet për shtet, komb dhe shoqëri”! Sepse e para, janë injorant të lirisë dhe demokracisë, shpërdorues të vlerave të vërteta të tyre! E dyta, mazhorancat që nuk duan interesin shtet komb dhe shoqëri – janë fundet e degradit njerëzor, popullor dhe padyshim kulmi i rënies pikiatë në fatkeqësi shtetërore dhe kombëtare! Ne kemi disa periudha që e kemi bërë këtë gjë! E fundit, ishte 1997-ta! Por e kemi bërë dhe më përpara e më përpara!
Kjo mënyrë për të bërë “idiot apo idiote” një individ burrë apo grua, që ka një model moral të kolonave shtet, komb dhe shoqëri – është një mënyrë armiqësore për të mos bërë kurrë të tre ato! Është një tërheqje e frikshme nga forca “centripete” që nxjerrin jashtë pikërisht interesin! Nuk duan që interesi individit këtu - të përkojë me atë të shoqërisë! Individin e kanë mësuar vetëm të “fitojë” por me shtet, komb dhe shoqëri të dobët, pa respekt, gjithmonë informal dhe asnjëherë të konsoliduar! Padyshim të shkon mendja se për këtë gjë ka një “përkushtim” të madh jashtë që ka shërbëtor dhe “puthabyths” brenda! Nuk ka nevojë për teori konspirative, por jetojmë në një kohë të frikshme interesash të mëdha, të cilat na kanë gjetur “shtetin, kombin dhe shoqërinë” vulnerabël!
Ky është dhe momenti i ngjarjeve një pas një – politikisht, që prishin punë si shtetit, kombit dhe shoqërisë! E të gjithë thonë – ndodh politikisht! Në këtë moment, kanë mohuar fajtorë, dorasë dhe gërgasë, duke i bërë akoma më të fortë dhe akoma më agresivë, pikërisht të tre që përmenda më sipër.
Ky moment është shumë i rëndësishëm sot. Kur vetingu dhe reforma në drejtësi – kërkon një modem, një atrecaturë tjetër shpërndarëse dhe kontrolluese të drejtësisë! Nuk kemi pasur kurrë një diçka të tillë dhe as kemi pasur kurrë ndihmë për një diçka të tillë?! Ata “katër vetat” që i thanë kolegut të tyre – idiot, që interesohesh për shtetin, kombin dhe shoqërinë, sigurisht as që kanë besim, as kanë interes, dhe as që duan praktikisht të besojnë në mënyrë të ndërgjegjshme (koshiente) në reformën e madhe në drejtësi!
Po kështu është, por sigurisht individi që interesohet për shtetin, kombin dhe shoqërinë, nuk është një idiot! Ai është një person dhe individ shumë i mirë, që ka “katër shokë”, që fatkeqësisht mendojnë vetëm për veten dhe xhepin e moralit të tyre financiar ekonomik, duke mos besuar kurrë te ndryshimi dhe përparimi qytetar dhe sidomos shoqëror!
Comments (0 posted)
Post your comment