Home | Opinion | Java e manovrave

Java e manovrave

image
Gjatë kësaj jave Suedia do të mbajë manovra ushtarake, Ukraina do të ashpërsojë kontrollin kufitar. Arsyeja? Rreziku rus. Njëkohësisht Moska, bashkë me Bjellorusinë...

 

 

 

 

Enver Robelli

 

 

 

Gjatë kësaj jave Suedia do të mbajë manovra ushtarake, Ukraina do të ashpërsojë kontrollin kufitar. Arsyeja? Rreziku rus. Njëkohësisht Moska, bashkë me Bjellorusinë, do të ushtrojnë bashkë në manovrën «Zapad» (Perëndimi).Rastësi apo jo: Rusia do të mbajë manovra bashkë me Bjellorusinë pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

 

Po të shikohet programi i lajmeve për këtë javë, atëherë lehtë mund të mendohet se Evropa gjendet në prag të Luftës së Ftohtë, së paku. Nga e hëna rreth 20 mijë ushtarë suedezë, të shoqëruar nga ushtarët amerikanë dhe të katër shteteve të tjera të NATO-s, përfshirë edhe forcat ushtarake të Finlandës, një vend që kufizohet me Rusinë, do të ushtrojnë për t’iu përgjigjur një invadimi të mundshëm nga ushtria e Moskës. Bëhet fjalë për manovrën më të madhe që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Ndonëse nuk përmendet me emër, agresori kundër të cilit ushtrohet ka një emër Rusia.

 

Që nga ashpërsimi i konfliktit mes botës së lirë perëndimore me Rusinë ekspansioniste edhe në Suedi, një vend joanëtar i NATO-s, ka filluar një debat mbi bashkëpunimin e ngushtë të këtij vendi nordik me Aleancën Veriatlantike. Ka politikanë suedezë që kërkojnë madje hyrjen në NATO të vendit të tyre përballë rrezikut që mund të kanoset nga Rusia. Më 2009, Suedia kishte hequr shërbimin ushtarak për ta kthyer, ndërkohë, si përgjigje ndaj Moskës. Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Peter Hultqvist, ka thënë: «Ne do të mbesim neutralë (sa u përket aleancave ushtarake) dhe nuk kemi interes të tregojmë agresivitet. Por duan t’i forcojmë mundësitë tona ushtarake».

 

Në të njëjtën kohë, Ukraina ka paralajmëruar se do të ashpërsojë kontrollin kufitar para se Rusia dhe Bjellorusia të fillojnë një manovër ushtarake të quajtur «Zapad» (Perëndimi). Një numër i vogël qytetarësh bjellorusë kanë protestuar kundër këtij demonstrimi të forcës, por Moska dhe Minsku kanë theksuar se do të zhvillojnë manovra kundër shteteve fiktive Vjshnoria, Vesbaria dhe Lubenia, të cilat synojnë të fusin një pykë mes Rusisë dhe Bjellorusisë. Nuk duhet fantazi e madhe për të kuptuar se tri shtetet fiktive janë Polonia, Letonia dhe Lituania, që të tri shtete anëtare të NATO-s, dhe vende që gjatë shekullit XX kanë vuajtur shumë nën sundimin sovjetik. Manovra e quajtur «Zapad» do të zhvillohet ndërmjet 14 dhe 20 shtatorit.

 

Ndonëse Rusia ka theksuar se qëllimi i ushtrimeve ushtarake është ballafaqimi me një sulm nga jashtë, ekspertët ushtarakë të NATO-s vlerësojnë se në fakt Rusia po bën një provë, pothuaj, të përgjithshme për të atakuar Poloninë dhe vendet baltike. Kjo nuk domethënë se do të ndodhë në periudhën afatmesme, por mesazhi është i qartë: Rusia po mban kursin e saj agresiv kundër vendeve perëndimore.

 

Gjenerali Frederick Hodges, komandant i forcave tokësore amerikane në Evropë, ka tërhequr vërejtjen se manovra mund të jetë një «Kalë Troje». Në një fjalim të mbajtur para Parlamentit në Kiew, kryetari i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka theksuar se manovrat mund të përdoren nga Rusia si shkas për të sulmuar vendin e tij. «Nuk ka shenja se Moska do të tërhiqet nga Donbasi (Ukraina lindore) dhe nga Krimeja. Në vend të kësaj, ka gjithnjë e më shumë indikacione se Rusia po përgatit një luftë ofensive me përmasa kontinentale».

 

Historia e viteve të fundit i jep të drejtë kryetarit të Ukrainës. Në vitin 2008 Rusia zhvilloi manovrat e quajtura «Kavkaz» dhe pastaj futi ushtrinë në territorin e Gjeorgjisë. Në shkurt të vitit 2014 Rusia sërish mbajti manovra ushtarake në kufi me Ukrainën, dhe pak javë më vonë aneksoi Krimenë, një siujdhesë ukrainase. Ky akt agresioni ashpërsoi dukshëm raportet mes Moskës dhe Perëndimit. Të prira nga SHBA-të dhe Gjermania, vendet perëndimore vendosën sanksione kundër Rusisë, të cilat kanë goditur dukshëm ekonominë ruse. Po ashtu, shumë zyrtarëve të lartë rusë u është ndaluar hyrja në Perëndim.

 

Presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet vazhdimisht të përçajë vendet perëndimore dhe të dobësojë sidomos pushtetin e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila është politikania më stoike perëndimore sa i përket insistimit të mbajtjes në fuqi të sanksioneve kundër Rusisë. Shpresat e Putinit aktualisht varen te socialdemokratët gjermanë. Ish-kancelari Gerhard Schröder është shndërruar në një lobist në shërbim të Rusisë. Javëve të fundit Schröder është kritikuar ashpër nga mediat gjermane pas njoftimeve nga Moska se ai së shpejti do të marrë edhe një post në industrinë ruse të naftës. Së fundi, politikën e sanksioneve kundër Rusisë e kanë vënë në dyshim edhe ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. Ai ka thënë se nëse Rusia pranon një armëpushim në Ukrainën lindore, atëherë sanksionet duhet të hiqen. Kjo ide është kundërshtuar menjëherë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

 

Rastësi apo jo: Rusia do të mbajë manovra bashkë me Bjellorusinë pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Më 24 shtator gjermanët do të vendosin se kush do ta qeverisë Gjermaninë në katër vjetët e ardhshëm. Të gjitha anketat tregojnë se kancelarja e ardhshme do të jetë e deritanishmja: Angela Merkel./koha.net

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00