Reforma në Drejtësi nuk duhet të ngrijë!
Prej dy vitesh, Vettingut vetëm emri i ka mbetur. Pasi vetë, vetëm po zvarritet...
Nga Riza Hoxha
Prej më shumë se dy vitesh starti i një reforme gjithnjë e më shumë po i ngjan tranzicionit të pafund që ka sjellë zvarritje dhe katrahurë në këtë Shqipërinë tonë. Tamam këtij tranzicioni të pafund po i ngjan edhe reforma e Drejtësisë. Edhe pse sot të gjithë shqiptarët janë në një mendje: kjo që ne kemi është “me nder me thënë” dhe jo Drejtësi. Vetëm e presin që një ditë t’u trokasë në derën e shtëpisë.
Dalëngadalë po e mësojmë se nga një farë klase politike që i ka lindur këtij vendi, më shumë përpjekje po bëhen për ta mbytur pa lindur mirë foshnjen “reformë të Drejtësisë”. Sepse kështu mendojnë se mbrojnë edhe vetveten. Sepse e dinë malin e gjynaheve që kanë bërë ndaj gjithë shqiptarëve.
Tashmë Vetingu po shihet jo si një zgjidhje efikase, po një mënyrë që mundëson zvarritjen e pafund të të kësaj reforme, ku shqiptarët kanë varur shpresat e tyre se do të mund të gjejnë pakëz Drejtësi në këtë vend “të pushtuar” nga lloj-lloj zullumqarësh. Ndaj prej dy vitesh, Vettingut vetëm emri i ka mbetur. Pasi vetë, vetëm po zvarritet.
Zullumqarët, politikanë gjithfarësh, palo deputetë, gjyqtaro –prokurorë, anëtarë të klubit të plazhistëve të Durrësit e gjithfarë lloj mostrash të tjera janë bashkuar për ta çuar reformën drejt dështimit. Duke nisur që te kandidatët e institucioneve të pavarura të Vetingut që janë kujtuar të kërkojnë një pagë faraonike, thënë thjesht 10, apo 11 milionë lekë në muaj. Aq sa kanë traumatizuar popullin e zhytur në varfëri e mjerim nga këto lloj mostrash. Paga faraonike më shumë i ngjan një peshqeshi që i bëhet kësaj me nder me thënë Drejtësie, deri tani një shërbëtore pa din e iman e klasës politike që e ka zhytur vendin në varfëri e mjerim, pa gjetur asnjë herë as më të voglin ndëshkim.
Ne shqiptarët tashmë nuk i besojmë as njëri tjetrit. Në këtë derexhe na ka çuar kjo farë klase politike që kemi prej afro 3 dekadash në krye të punëve. Të gjithë shikojmë si mund ta gënjejmë njëri tjetrin. Aq sa sot besojmë në dështimin e plotë të këtij farë shteti që kemi dhe që i themi “pseudo shtet”, apo “shtet me nder demokratik”. Tashmë të gjithë besojnë se kemi një dështim të plotë të këtij farë shteti që na ngjan se nuk është as prej kartoni. Është bash kjo arsyeja që të gjithë mendojmë si e si të largohemi larg tij. Edhe pse miqtë tanë na e kanë bërë të qartë: ju presim si mysafirë për disa ditë, deri në 3 muaj, por jo si banorë të përhershëm.
Prej dy vjetësh po bëhet shumë zhurmë për reformën e Drejtësisë si një start i mirë për të shëruar plagët e shumta në trupin e Shqipërisë së shkërmoqur. Me një hipokrizi skandaloze nga të gjitha palët dëgjojmë përplasjet e panumërta kundër njëra - tjetrës. Edhe pse nuk është e vështirë të dallosh se pas sharjeve, për njëri tjetrin, asnjëri saktësisht nuk e do këtë reformë. Ekzemplar më i fundit është ai i kryeopozitarit Lulzim Basha që e çuan Vetingun “projekt mafioz i ndërkombëtarëve”. Edhe pse kanë kaluar disa ditë, ende jo vetëm Luli, po asnjë tjetër nuk ka arritur të na tregojë diçka më shumë rreth këtij “projekti mafioz të ndërkombëtarëve”. Të paktën të dimë edhe ne të tjerët diçka më shumë.
Në rradhë të parë kjo klasë politike duhet të na tregojë se cilët janë plaçkitësit e mëdhenj të këtij vendi me aq shumë pasuri nën e mbitokësore, që paradoksalisht vazhdon të mbetet vendi më i varfër i kontinentit plak. Pse deri tani asgjë nuk dimë se në ç’xhepa futen të ardhurat nga kjo pasuri e pafund? Kush janë ata që ngritën grupin oligark, që ngritën pushtetin idiot nepotiko - familjar të paparë kund tjetër në këtë botën që ne jetojmë? Sepse nuk mund të themi tjetër kur ky farë klani nepotiko – familjar kërkon që përmes pagave faraonike të vendosë në vendet kyçe të Vettingut “ushtarët” shërbëtorë të tij që do t’i mundësojnë që ashtu si deri më sot t’ia mbulojnë të gjitha horrllëqet që do të kryejë në të ardhmen, ashtu si ia ka mbuluar me lehtësi malin e horrllëqeve e poshtërsive që ka kryer gjatë këtyre afro 3 dekadave të kësaj pseudo demokracie.
Ndaj që pa nisur beteja për rilindjen e Drejtësisë, përpjekjet janë që foshnja e re të lindë e vdekur. Qoftë edhe duke e qëndisur me milionat, që shumica e shqiptarëve ka frikë t’i shikojë edhe në ëndërr. Të paktën, plaçkitësit e mëdhenj të pasurisë kombëtare duhet të na tregojnë se me çfarë fytyre ua zë goja të artikulojnë pagën faraonike për disa juristë që në fakt nuk i dimë sa të pastër janë. Sepse të gjithë shqiptarët qoftë edhe në një rast kur kanë patur punë në zyrat e kësaj drejtësie kanë lënë leshtë e kokës duke mbushur xhepat e me nder plazhistëve të Durrësit.
Tashmë është koha që vetë ne shqiptarët të nisim t’i zbardhim shumë të vërteta. Të vërteta që deri tani na janë fshehur nga palo politika shumë pash nën dhe. Në rradhë të parë zbardhja sadopak e Gërdecit, ku u vranë edhe fëmijët duke luajtur në oborrin e shtëpisë. Ishin këta farë juristësh që mbuluan Gërdecin dhe shumë Gërdecë të lloj llojshëm të tjerë. Po çfarë bëmë me Gërdecin ne shqiptarët? Lamë vetëm kokrrën e namit. Ndaj dhe miqtë sot na pranojnë si miq te dera e shtëpisë, por jo si banorë.
Sepse ne kemi edhe sot e gjithë ditën një drejtësi që vetëm i lëpihet në prapanicë këtyre palo politikanëve që janë kthyer si mbretër të përjetshëm, që nuk dinë të lëshojnë karrigen edhe nëse humbasin në mënyrën më ekzemplare, siç ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit, ku kryetari i PD-së as u kujtua të japë dorëheqjen, por vetëm e ngriu në xhepin e tij karrigen për vetëm pak ditë.
Janë këto arsyet që shqiptarët ende shpresojnë se me ndihmën e miqve do të mund ta pastrojnë malin e zhulit të ngritur në këto vjet nga kjo farë klase politike që edhe reformat që përpiqet të ngrejë i bën me të vetmin synim: të mbrojë vetveten. Të këtë të instaluar pandëshkueshmërinë, ashtu si deri tani. Thjesht për të mbrojtur grupin oligark dhe kushërinjtë e tyre të politikës. Bash për këtë arsye, Vetingu duhet të përfshijë gjithë këtë palo politikë që deri tani ç’nuk ka bërë në kurrizin e këtij populli, duhet të përfshijë ministra dhe ish ministra, deputetë e ish deputetë, pronarë (drejtorë) ndërmarrjesh dhe lloj-lloj funksionarësh gjysmanalfabetë me 3, 4 apo 5 diploma në xhep. Të gjithë sot ndjehen të trembur e të frikësuar sepse e dinë sa kanë shirë në sytë e këtij populli. Janë të frikësuar sepse e dinë mirë se meritojnë burgun. Kërkesa për paga faraonike, për zvarritjen pa fund të Vettingut vetëm sa po i bën shqiptarët e shkretë të mos qëndrojnë më symbyllur në stanin e me nder palo politikanëve dhe palo gjyqtarëve e palo prokurorëve plazhistë të Durrësit. Krahas koalicionit të ngritur nga plaçkitësit e drejtësisë e politikës, shqiptarët duhet të ngrenë koalicionin e ndëshkimit të këtyre mostrave që ende i kemi nëpër këmbë. Sepse tashmë, ne shqiptarët e dimë se na ka humbur thuajse shpresa te dheu amë. Aq sa parashikohet që afro 500 mijë shqiptarë të aplikojnë për grind kartën amerikane. Ndërsa të tjerë largohen çdo ditë ku të mundin. Në këtë derexhe kanë arritur shqiptarët. Ata tashmë e dinë mirë, se demokracia në këtë vend është krejtësisht e deformuar. Aq sa shqiptarëve po u humb edhe shpresa. Sepse jeta e tyre është përçudnuar.
Comments (0 posted)
Post your comment