Shteti dhe opozita e botës së çudirave
Shteti nuk është pronë e asnjë partie politike, por e popullit si një garanci dhe siguri për jetën dhe të ardhmen e tij.
Nga Kastriot Aliaj
Të flasësh për çudirat dhe aventurizmin politik të opozitës shqiptare, nuk të del një natë dimri kur thotë populli me filozofinë dhe mençurinë e tij. Ajo që e përveçon atë, janë tendencat persistente për të prodhuar krizë, pa menduar se me këto sjellje e qëndrime bllokohen dhe vonohen proceset demokratike, për të cilat ka aq shumë nevojë konfigurimi i shtetit ligjor dhe shoqëria, që po vuan mungesën e tij. Manifestimet e saj me përmbajtje banale, të ngritura mbi alibi e sajesa për kauza artificiale siç po i fryhet fenomenit Tahiri, e ka zbritur atë në nivelet e një organizate partie të epokës së monizmit që bënte vetë prokurorin dhe gjykatësin. Me këto çudira, kjo opozitë nuk ka ndryshuar asgjë në strategjinë e saj, për normalizimin e marrëdhënieve brenda saj dhe me formacionet e tjera politike. E themi këtë sepse tek politika e saj mungon koncepti themelor për shtetin, si një sistem i pavarur politik, administrativ, legjislativ dhe qeverisës si në të gjithë botën demokratike. Shteti nuk është pronë e asnjë partie politike, por e popullit si një garanci dhe siguri për jetën dhe të ardhmen e tij. Në praktikat aktuale të saj, mungon ideja e një konsensusi liberal-demokratik, si palë në ndërtimin e një shteti të përbashkët funksional për të gjithë qytetarët. E rënë në krizë identiteti dhe depresion, nga lëkundjet brenda formacionit të saj, i kanë krijuar një hall të madh, që nuk po e kapërcen dot dhe kërkon ta inkorporojë atë edhe në strukturat e tjera të shtetit. Kështu, ajo po i tejkalon të gjitha normat e shtetit juridik, duke na kthyer shumë vjet pas në ingranazhet e shtetit monist.
Kjo korsi që po ndjek opozita nuk është dukuri e një depresioni akut, por një proces i gjatë negativ, duke u kthyer në një kopje e keqe e një shteti paralel. Kundërveprimet në kundërshti me parimet demokratike ndaj shtetit, të krijuar me votën e lirë të qytetarëve, po e bëjnë më agresive dhe të pabesueshme për t’i besuar rrotacionin e rradhës. Për këto e të tjera çudira, ajo zhurmon pa patur parasysh se shteti demokratik, udhëhiqet nga ligjet dhe jo nga pasionet e tekat e formacioneve politike. Kjo tregon se në mendësitë e kësaj politike, janë akoma të pakanceluara idetë dhe konceptet e shtetit monist. Ajo nuk pranon realitetin e sotëm të ndryshimeve, por vazhdon pa e kuptuar tek thënia e popullit: "Bjer edhe një herë pa të shohësh". Prandaj ajo nuk mund të vazhdojë me këtë filozofi, pa bërë në radhë të parë transformimin brenda vetes, për një profil dhe formëzim në sinkron me ndryshimet që po pëson në tërësi shoqëria shqiptare. A e kanë pyetur veten politikanët shqiptarë në tërësi dhe opozita në veçanti, se kush do t'na e ndërtojë shtetin ligjor? Do ta ndërtojnë vetë shqiptarët, apo do na e bëjnë dhuratë të huajt? Këtyre pyetjeve më mirë se sa politika e tymosur, po u përgjigjen qytetarët, të cilët po i tregojnë asaj se nuk mund të vazhdohet me deduksione konfrontuese jashtë sistemit të vlerave demokratike. Me të drejtë shoqëria shqiptare kërkon nga kjo politikë e hazdisur një profil të ri, në përputhje me ndryshimin e ekuilibrave, në të gjithë elementët e saj përbërës.
E fajësuar për gjithçka që ka ndodhur në këto vite tranzicioni, kjo klasë politike nuk mund ti shmanget përgjegjësisë për gangrenizimin dhe kriminalizimin e shtetit. Të bësh të paditurin siç po vepron opozita,është hipokrizi e mungesë papërgjegjshmërie politike. Në këtë situatë të mbarsur me djallëzi, duke ju larguar të vërtetës, për të mos marrë përgjegjësi, po tentohet për të prodhuar dhe nxitur elementë destabilizues, duke e çuar në humbjen e arsyes. Por ajo nuk mund t'i largohet të vërtetës për gjithçka që ka ndodhur si një trashëgimi e së keqes, ku krimi fitoi ndaj qytetarit dhe u ngrit në sistem. Asgjë nuk ndodhi brenda një nate, muaji apo viti, por si një veprimtari e toleruar nga politika e papërgjegjshme, gjatë gjithë epokës tranzitive. Të akuzosh sot me nota patologjike, për gangrenizimin dhe kriminalizimin e shtetit, që deri dje nuk ekzistonte, është sa absurde aq dhe qesharake. Opozita nuk vjen nga hëna por nga kaosi dhe anarshia që la pas si "mina me sahat" dhuratë për qeverinë e radhës. Të aludosh kundër ngritjes dhe forcimit të shtetit ligjor, pa vënë në eficensë elementët jetikë të tij, siç është institucionalizimi i drejtësisë së munguar, është lajthitje shkatërruese për demokracinë dhe funksionimin e saj. Filozofia e opozitës për shtetin, na kujton legjendën e ndërtimit të kalasë së Shkodrës, e njohur tashmë nga të gjithë. Shqiptarët nuk mund të presin që çdo gjë duhet t'na vijë nga jashtë si parafabrikate, sepse nuk ka asnjë shans që shtetin ligjor të na e bëjnë dhuratë ndërkombëtarët. Le të shërbejë si pikënisje për ndryshim, institucionalizimi i institucionit të drejtësisë së munguar dhe në mënyrë të veçantë zbatimi i vetingut si një shenjë shprese për funksionimin e shtetit. Zbatimi i tij do të shënonte kthesën e domosdoshme për pastrimin e mbetjeve i ideologjizmave arkaike që kanë penguar zhvillimet demokratike dhe rritjen e standarteve të saj.
Shembujt e shumtë të botës së qytetëruar janë një reflektim edhe për klasën tonë politike. Nëse ju referohemi atyre që kanë shënuar histori suksesi, duke ndryshuar regjimet, strukturat, modelet qeverisëse si dhe marrëdhëniet shoqërore, që sot janë në majat e demokracisë, eksperienca e tyre vlen edhe për ne shqiptarët. Shembulli gjerman i viteve të fundit duhet të inkurajojë edhe politikën tonë, për të ndryshuar veten por edhe për të kultivuar tek çdo shqiptar frymën e shtetit ligjor që qëndron mbi partitizmin. Shteti iranian deri dje ishte nën sundimin e shahut, tani që është një republikë islamike, ka një tjetër filozofi që synon të bëjë përpara. Po kështu Turqia nën drejtimin e Erdoganit, tepër i kontestueshëm për mënyrën se si po e drejton shtetin, kur në fakt zhvillimet ekonomike dhe ato social-shoqërore janë në kushte konkuruese. Shqipëria nuk duhet të zgërlaqet akoma me paudhësitë e saj, nga kërcimet akrobatike të politikës duke na kthyer në koma si para disa vitesh. Mbi aspiratat e këtij populli të lodhur nga mos prekja e rezultateve të demokracisë, nuk mund të dalë askush. Një shëmbull çudibërës që vlen edhe për politikën tonë është shteti kinez, i cili ideologjinë e Mao Ce Dunit e braktisi që në vitet 1970. Në vënd të ideologjisë dogmatike të tij, Kina vuri në zbatim filozofinë politike të Ten Siaopinit, duke e ndryshuar kursin për të mësuar nga perëndimi. Ajo pranoi atëhere të përulej, të tregohej modeste duke pritur që të vinte koha, e cila po i rezervon tashmë asaj qendrën në skenën botërore. Kina, duke përfituar edhe nga politikat e lëkundura dhe akrobatike të SHBA, me progresin që ka bërë vitet e fundit, po e sheh veten si superfuqi tjetër botërore. Ajo synon të jetë jo alternativë, por rivale e SHBA. Lidhur me ambiciet e saj, në kongresin e 19 të PKK, udhëheqësi suprem i Kinës Xi Jinping, deklaroi se shteti kinez është në një moment historik, i cili ka hyrë në një epokë të re, ku vendi do të bëhet forca e fuqishme në botë me një model zhvillimi të gjithanshëm. Në deklarimet e tij, Xi Jinping shkoi edhe më tej, duke thënë se sulmi politik i Kinës është një krijim i madh, që ofron një zgjidhje të re për vendet e tjera, ajo do të bëhet një lider global për çështjet klimatike dhe tregtare. Këto ndryshime të saj kanë bërë që disa vende, megjithëse janë në krye të demokracive të zhvilluara, të kenë pikëpamje më të favorizuara, për Kinën se sa për SHBA. Po në të njëjtën linjë dhe me të njejtat konsiderata për këtë shtet të fuqishëm janë edhe Gjermania, Kili dhe Indonezia. Nga këto histori suksesi të këtyre shteteve të mëdha në ekonominë botërore duhet të nxjerrë mësime edhe politika shqiptare. Natyrisht që Shqipëria nuk mund të hyjë në garë me këto superfuqi, por t’i japë fund politikës së hazdisur, për të bërë kthesën historike, në ndërtimin e shtetit ligjor të munguar, në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive politike.
Comments (0 posted)
Post your comment