Home | Opinion | Oligarkia po u merr frymën shqiptarëve

Oligarkia po u merr frymën shqiptarëve

image
Ne vetë, nuk arrijmë ta gjejmë as Drejtësinë që kushedi ku e kemi humbur. 3 vjet me rradhë kemi belbëzuar për një Vetting...

 

 

      

Nga Riza Hoxha

 

 

 

Ne shqiptarëve, çfarë na ka ndodhur gjatë këtyre 27 viteve, na është mbushur mendja se nuk mund të zgjidhim asnjë problem pa na ndihmuar ndonjë prej miqve që nuk i kemi të paktë. Bile edhe tani kur po ëndërrojmë për pakëz Drejtësi që as vetë nuk e dimë se ku na ka humbur në rrugën që nisëm drejt demokracisë ato ditë dhjetori të vitit ’90. Një gjë e dimë mirë sot. Ende kjo Shqipëria jonë nuk është jo më një shtet demokratik, po as një shtet tamam. Është thjesht një pseudo shtet që po çudit dynjanë e këtij shekulli të 21. Tashmë këtë të vërtetë të dhimbshme e pranojmë pa bërë zë për turp të zotit edhe ne shqiptarët.

 

Nuk po arrijmë të bëjmë një punë të paqme vetë, pa na dhënë dorën ndonjë prej miqve që i kemi të shumtë. Pa ta nuk do të ishte e çuditshme t’i humbiste edhe emri kësaj Shqipërie të gjorë… .

 

Ne vetë, nuk arrijmë ta gjejmë as Drejtësinë që kushedi ku e kemi humbur. 3 vjet me rradhë kemi belbëzuar për një Vetting, po vetëm tani, kur miqtë na afruan ndihmën, sikur po ia dalim të ecim në rrugë. Pa ndihmën e tyre ne do të vazhdonim paturpësisht të belbëzonim pa thënë një fjalë të hajrit. Sepse të tillë e kemi klasën monstër politike prej 27 vitesh. Ajo mbron drejtësinë krejtësisht të korruptuar, ndërsa drejtësia e korruptuar mbron klasën politike që shqiptarët masivisht e kanë neveritur. Miqtë, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan Donald Lu, na e thotë haptazi se, “janë 4 familje mafioze që drejtojnë gjithë krimin në vend. Këto katër klane kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinerive dhe pastrimi i parave”. A thua se kjo farë klasa e jonë politike, apo 800 gjyqtaro – prokurorët e plazhit të Durrësit që u kushtojnë shqiptarëve sa leshtë e kokës pa bërë një punë të hajrit, nuk ditkan gjë se ç’ndodh rreth tyre? Jo, ata dinë gjithçka. Vetëm heshtin si pjesëmarrës aktivë që janë jo në punë të pastra, pos ë shumti në punë të pista. Kësisoj mbushin edhe xhepat e tyre, aq sa sot as vetë nuk e kanë idenë se sa e kanë tamam pasurinë. Heshtin plazhistët e Durrësit për Gërdecin, që për gjithë shqiptarët është krimi më përbindësh. Tani po heshtin plazhistët e Durrësit duke mbyllur edhe çështjen e Cez-it. E mbyllën, bile pa nisur as hetimet.

 

Janë këta myteberë që ç’nuk bënë ta zvarritnin Vettingun. Derisa ndërhynë ndërkombëtarët. Që panë se, këta që drejtojnë këtë Shqipëri nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, vetëm ta plaçkitin shumicën, e cila duke mos gjetur zgjidhje tjetër i drejtohet masivisht azilit. Duke lënë pa mend në kokë Evropën plakë.

 

Me këtë klasë politike dhe këtë Drejtësi të ngritur me plazhistë të Durrësit edhe krimi i organizuar është bërë i plotfuqishëm sa as nuk pjerdh për këtë farë klase politike që e ka vënë nën këmbë. Ndaj për të na dhënë ndihmë kundër klanit mafioz që e “ka pushtuar” Shqipërinë, kanë ardhur dy agjentë të FBI-së amerikane. Po vijnë edhe ekspertë italianë, ekspertë gjermanë. Të gjithë do të ndihmojnë Shqipërinë për zbatimin e operacionit “Forca e ligjit”. Ndërsa për ngritjen e një laboratori shkencor për hetimet do të jetë efektive ndihmesa e Britanisë së Madhe.

 

Korrupsioni në këtë vend vazhdon të lulëzojë. Aq sa na ka vënë në pikëpyetje, aftësinë për të organizuar shtet. Pasi gjatë këtyre 27 viteve, kemi mundur të bëjmë një vërë në ujë. Me një klasë politike që u ngjante plaçkitësve, shumicës së shqiptarëve u ka sjellë vetëm varfëri e mjerim. Ndërsa deri tani askush nuk ka mbajtur asnjë lloj përgjegjësie për shkatërrimet e kryera ndër vete. Groteske është se vetëm dimë të krenohemi kur kryejmë reforma, pa e ditur ç’reforma po kryejmë. Myteberët e politikës edhe pse e dinë se deri tani këtyre reformave nuk u dihet as nami, as nishani, vazhdojnë të krenohen me to. U ka mbetur në qafë si e vetmja krenari. Edhe pse është krenari krejtësisht e shpuar e pa asnjë taban.

 

Në arsim krenohemi se po kryejmë reforma. Po e vërteta është se oligarkët dhe palo politikanët tanë, fëmijët e tyre i dërgojnë në universitetet e botës se për këta tanët thonë se “janë tenxhere e shpuar”. Bash kjo është arsyeja që tashmë edhe fakir fukarenjtë kanë nisur të marrin kredi në banka për ta dërguar fëmijën me studime jashtë vendit. Sepse vetëm kështu mund të bëhet specialist. Ndërsa po të vazhdojë studimet në këto universitetet tona mund të dalë vetëm … “një kamarier”. Ja, në ç’humnerë na ka hedhur kjo farë klase politike që vazhdon të vegjetojë në këtë Shqipërinë tonë.

 

Shpresojmë që me ndihmën e miqve të mund të nisim ndryshimin cilësor. Pasi, këta plazhistët tanë deri tani, ia kanë gjetur anën t’i shpëtojnë ndëshkimit. Sepse i gjen me PD-në, me PS-në… me dreqin e të birin. Vetëm me shqiptarët safi, nuk i gjen.

 

 Tashmë kjo klasë politike, apo këta plazhistë të Durrësit na kanë bërë të besojmë se, “e kemi mjaft të vështirë të bëjmë shtet”. Sepse me këtë klasë politike, ndëshkimi i plaçkitësve thuajse është i pamundur. Rrjeta e drejtësisë është krejtësisht e shpuar. Sa në të, mbeten vetëm pak cironka dhe asnjë prej peshkaqenëve, për të cilët pandëshkueshmëria është e plotfuqishme. Është kjo arsyeja që gjithë shqiptarët e shkretë po presin se çfarë do të bëhet me peshkaqenët që po e brejnë ngadalë – ngadalë trupin e stërlodhur të Shqipërisë. Gjithë shqiptarët presin duke iu lutur zotit, që me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, në këtë rrjetë të bjerë grupi oligark i palopolitikanëve të paskrupullt, i gjyqtaro - prokurorëve që u bënë miliarderë jo duke punuar, por duke vjedhur të shkretin popull që po detyrohet të braktisë Shqipërinë që të mos mbetet në duart e ndyra të kësaj oligarkie të pashpirt.

 

Shqipëria jonë është zhytur në një rrëmujë, fundin e së cilës askush nuk e di. Nuk mund të shohim asnjë rreze drite në fund të këtij tuneli ku kjo klasë politike na ka zhytur. Të lodhur e të drobitur pyesim gati zëshuar: Ku po shkon moj Shqipëri?! Për t’u larguar sa më shpejt nga “ky vend i nëmur” po përpiqen të gjithë shqiptarët. Me një shpresë të vagët se, miqtë tanë të mirë do të mund të na shpëtojnë nga ky grup oligark që na rrit çdo ditë vuajtjet. Ku po shkon me këto ritme largimi të bijve tuaj moj Shqipëri?! Tashmë po mbetesh vetëm nën thundrën e politikanëve të një familjeje ogurzezë dhe një grupi oligarkësh gjakpirës. Me të vetmen shpresë se, miqtë tuaj të mirë do të mund të të shpëtojnë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00