Të jetosh me asgjësimin e dinjitetit
Kant: “Me një gënjeshtër, njeriu e asgjëson dinjitetin e tij si njeri”.
Nga Bujar Plloshtani
Ndoshta, ndodh të mos dimë asgjë; e gjitha mbase mund të jetë veçse një proces i natyrshëm. Kjo mund të jetë e gjitha, pikërisht për kohën ku masa bën thelbin e të sotmes dhe të nesërmes. Edhe e keqja rrjedh si proces me anën e saj prej negativi dhe realizohet; asgjë nuk mbetet pezull në këtë botë, gjithçka sistematizohet apo realizohet. Gjendemi në një udhë të vështirë, sa e ndërlikuar, po aq dhe tekanjoze, ku edhe të jesh është sikur të mos jesh. Tingëllon një udhë pa krye. Kur kemi nëpërmend masën apo ndryshe llojin e shtirjes me gjykimet “sintetike”, ku e njëjta bën thelbin e të sotmes dhe të nesërmes.
Forca e sundimit të një pjesë të kësaj kohe që përbëhet nga grumbuj masash, që veçse janë nocion paraqitjeje nëpër këtë botë që nuk e njohin ashtu si është në vetvete, por ashtu siç e kurdisin sikurse për vete. Edhe kjo si çështje është e mjaftueshme, pasi siç thoshte filozofi Kant: “Me një gënjeshtër, njeriu e asgjëson dinjitetin e tij si njeri”. Të jetosh me asgjësimin e dinjitetit si njeri këtu është çështja, që perëndimi i tyre ka marrë tjetër trajtë njerëzore. Edhe Kanti e thoshte mirë “të jesh është të bësh”, ndërkaq, çështja është bërë më e hidhur sesa është realisht: të jesh dhe të mos bësh.
Ç’fat të jesh i hedhur në këtë pikëpamje të kësaj kohe, ku grumbuj masash kërcejnë përmbi ura që të jetë ai që nuk e meriton. Kohra kritike, që çojnë në udhë pa krye. Përmasa të gjykimeve “sintetike” janë kthyer drejt nesh ose përmbi nesh. Kohë për të ikur tutje, duke i lënë si cifla të bien përtoke e të ushqehen me ushqimin e tyre të zakonshëm. Megjithatë, edhe kjo mbase mund të jetë veçse një proces i “natyrshëm” që ka mbirë keq.
Comments (0 posted)
Post your comment