Yes, zoti Donald! No, ambasadori Lu!
Në politikën e ditës, liderët tanë ndryshojnë qëndrim. Ecin në kahje të kundërta ...
Nga Bardhyl Bejko
Ambasadorët e SHBA-së prej 27 vitesh kanë ndikuar në masë të ndjeshme në politikën shqiptare dhe demokratizimin e shtetit dhe shoqërisë tonë. Dhe kjo ka ndodhur, jo vetëm në periudhën pas 1990-ës, por gjatë tërë historisë së shtetit shqiptar, kur presidentët amerikanë kanë mbrojtur integritetin e Shqipërisë, duke ruajtur tërësinë territoriale të saj, siç veproi Thomas Woodrow Wilson, i cili vuri veton kundër gjithë shteteve që kërkonin ndarjen e vendit tonë. Është kjo arsyeja që në Tiranë, busti i Presidentit qëndron hijerëndë nën vështrimin respektues të qytetarëve tanë, që çdo mëngjes e përshëndesin. Presidenti Bush i hapi Shqipërisë portat për në NATO. Po nuk është i vetmi. Klinton është presidenti i pavarësisë së Kosovës. Në këtë vazhdë, kanë ecur përfaqësuesit amerikanë ndër vite. Në këtë kuptim nuk ka ambasador amerikan, që është zëri dhe veshi i Presidentit të ketë qëndruar pasiv ndaj politikës dhe shoqërisë shqiptare, gjatë qëndrimit në krye të kësaj ambasade. Përkundrazi. Shumë herë roli i tyre ka qenë përcaktues dhe deçiziv për politika më të mira. Ndikimi i tyre ka qenë vendimtar. Ata kanë kontributin e tyre të pazëvendësueshëm për orientimin e zhvillimit tonë kombëtar. Demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Zhvillimin e ekonomisë. Luftën kundër korrupsionit. Përmendim këtu, përpjekjet e ambasadorëve të SHBA-së për anëtarësimin në NATO, modernizimin e ushtrisë, fuqizimin e saj, reformën në drejtësi dhe tërë reformat që janë ndërmarrë në tërë këto vite të demokracisë sonë. Apo rolin vendimtar në krijimin e shtetit më të ri të Europës, Kosovën. Për këtë, populli ynë i është mirënjohës për jetë politikës amerikane. Dhe kjo simpati nuk është sipërfaqësore. Është e brendshme. Është në ADN-në tonë. Nuk është hipokrizi. As qëndrim lajkatar. Është mirënjohje. Kjo është meritë e Amerikës, por edhe shprehje e virtytit të popullit shqiptar, që e vlerëson mikun dhe i jep besën. Kaq për qëndrimin e popullit më proamerikan në Europë e më gjerë.
Po a është i njëjti qëndrim edhe ai i liderëve tanë politikë? A është e njejta tablo? Në politikën e ditës, liderët tanë ndryshojnë qëndrim. Ecin në kahje të kundërta me opinionin mbarëkombëtar. Shumë here, sipas interesave të çastit. Asnjëherë për çështje madhore e principale. Ata vrapojnë pas përfitimeve të vockla. Minore. Të parëndësishme. Nëse politika amerikane është konstante me vendin tonë në politikën tonë të përditshme, në jo pak raste liderët tanë mbajnë qëndrime sipas rastit, interesit të ngushtë, partiak ose individual. Në historinë e shkurtër të këtyre 27 viteve, kemi parë e memorizuar në kujtesë, qëndrime që janë vërtetë të papranueshme. Shumë prej politikanëve, kanë mbajtur qëndrime sipas stinëve. Është verë, kanë kërkuar “fresk”, ka qenë dimër, kanë dashur “ngrohtë” në marrëdhëniet me gjithë ambasadorët, të BE-së, OSBE-së, por veçanërisht me ambasadorët amerikanë. Në fillimet e shërbimit diplomatik, ambasadorët janë parë e vlerësuar si shenjtër. Të përkryer. Liderët nuk i kanë kursyer mburrjet. Lëvdatat. Kanë folur me superlativa për punën e tyre. Po pasi ka kaluar pak kohë, të njëjtët politikanë kanë ndryshuar qëndrim. Kanë folur me gjuhë ndryshe, të hidhur. Janë bërë refraktarë. Fjalët e opinionet pozitive i kanë zëvendësuar me anatemime e etiketime deri edhe me akuza të rënda që nuk bëhen edhe për persona ordinerë. Në periudhat fundore të shërbimit diplomatik këto qëndrime janë bërë edhe më të regresive. Më pikante. Më të egra. Shumë herë armiqësore. Këto qëndrime nuk kanë qenë të shkëputura dhe nuk janë kufizuar në emra të përveçëm. Nuk i janë rezervuar vetëm njërit prej tyre. Këtë fat kanë pasur pothuaj të gjithë.
Le t`i referohemi dhjetëvjeçarit të fundit. Kujtojmë këtu ambasadorin Withers. Pas përpjekjeve të jashtëzakonshme për demokratizimin e vendit tonë në mes të mandatit, acarimi me qeverinë “Berisha” arriti kulmin. Ish kryeministri Berisha u soll me të, si të ishte anëtar i partisë së tij. Një zyrtar i dorës së fundit. Si t`i kishte borxhe - ish kryeministrit. U pa si të ishte një militant i rëndomtë. Nga lartësimi në qiell, që i rezervohej kur mbështeste politikat e doktorit, u etiketua si ambasadori që krijonte probleme në politikën shqiptare. Ai kërkonte konsensus për zgjidhje të mëdha, qeveria mbante qëndrime refraktare e mospërfillëse.
E njejta sjellje edhe ndaj ambasadorit pasardhës, Arvizu. Ndryshimi i sjelljes ndaj ambasadorëve ka qenë vërtetë i jashtëzakonshëm. Me shumë dritëhije. Kur ambasadori Arvizu e cilësonte Berishën “burrë shteti”, pasi nuk organizoi manifestim pas protestës së 21- janarit, ku u vranë katër protestues të pafajshëm, e quante “ambasadori ekselent”. Dhe vlerësimi i “burrit të shtetit” ndryshoi sapo ambasadori u bë kritik. Fill pas kësaj, të njëjtin ambasador kur u cënuan me të drejtë politikat jo korrekte dhe doli në sipërfaqe etja për t`i rrëmbyer tërë institucionet, duke përjashtuar përdhunshëm konsensusin dhe marrëveshjet me opozitën, e etiketoi pa asnjë hezitim, e ndëshkoi verbalisht si të ishte një kundërshtar politik dhe jo përfaqësuesi i shtetit më të fuqishëm të botës. Qëllimi i doktorit, kritikat dhe etiketimet që ka bërë, kanë qenë gjithnjë, si të ndante ambasadorët, qëndrimet dhe kërkesat e konkluzionet e tyre nga shteti amerikan. Si t`i paraqiste qëndrimet e tyre si pozicionim individual të ndryshme nga ato të presidentëve, që i kanë emëruar në vendin tonë. Nga gjithë qytetarët edhe ata me arsimimin më minimal, le më nga diplomacia, dihet se ambasadorët nuk flasin me mendjen e tyre. Për çdo rast janë zëri i shtetit, që përfaqësojnë. Përcjellin direktivën e tyre. Mbrojnë atë politikë. Mes ambasadorëve dhe shtetit që përfaqësojnë, nuk ka asgjë të ndarë. Çdo përpjekje për t`i parë si të veçuar, shtetin në njërën anë dhe përfaqësuesit e tij përballë, është nonsens dhe gjykim plotësisht i gabuar. Qëllimi: Për të krijuar iluzionin se ambasadorët ngatërrojnë qëllimisht. Janë të njëanshëm. Po shtetet e tyre mendojnë ndryshe. Ambasadori, Withers, përmes një përralle të thjeshtë, lexuar para një auditori fëmijësh në të cilën flitet për një bretkosë, që përtypte e përtypte sa ishte gati të pëlciste nga lakmia për të ngrënë tej mundësive, simbolikisht nënkuptonte marrjen e gjithë kompetencave dhe pushteteve nga kryeministri i kohës. Përralla për fëmijë, lexuar bashkë me ilustrimet e treguar nga ambasadori mbahet mend nga të gjithë ne. Mesazhi ishte i qartë. Kush merr gjithë pushtetet e pëson si bretkosa që kërkonte të bëhej sa një ka dhe në fund plasi nga lakmia. Po nuk do ishte i fundit mesazh me simbolika i ambasadorëve amerikanë në përgjigje të thjeshta ndaj lakmisë së ish kryeministrit. Përmes babagjyshit të vitit të ri që sjell dhurata, kryesisht për fëmijë në serinë e dhuratave e para në listim ishte akuza dhe shpifja ndaj ambasadorit të sotëm, Donald Lu. Një përgjigje me finesë erdhi nga ambasadori pas akuzave. Pak humor me thumbin brenda dhe shumë të vërteta përreth. Një babagjysh, që kundërpërgjigjet pa zhurmë dhe i bën komike akuzat e pabaza. Dhe me kaq ka mbyllur polemikat e liderëve tanë opozitarë, akuzat që kanë dashur të përfshijë ambasadorin në konfliktet e brendshme mes palëve tona politike, duke e paraqitur si të njëanshëm gati të përfshirë në korrupsionin qeveritar.
Ambasadorët amerikanë nuk kanë nevojë për mbrojtjen e askujt. Po e drejta na detyron të jemi të vërtetë. Le të ndalemi në disa detaje të fundit dhe të tregojmë se si kori i liderëve tanë opozitarë, reagon ndaj ambasadorit aktual amerikan. Të bën përshtypje dhe vë buzën në gaz, sapo shikon se si liderë, që e mbajnë veten për burra të pathyeshëm e kurajozë, liderë të “ditur” e “kompetentë” ndryshojnë qëndrim nga mëngjesi në mbrëmje. Kur ambasadori Donald Lu, evidentoi se “Koha është tani dhe rinia duhet të thotë, mjaft dhe të marrë frenat në luftën kundër korrupsionit për të luajtur rol përcaktues, sepse nuk mund të durohet pafund që vendi të vuajë nga korrupsioni” i pari që ishte dakord dhe e vlerësoi maksimalisht këtë qëndrim, ishte kryesuesi i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili tha: “Mbështet plotësisht dhe jam dakord me ambasadorin Lu. “Korrupsioni është gangrena 27- vjeçare që e gërryen këtë vend. Dhe për këtë kërkohet luftë në të gjitha drejtimet dhe tërë aktorët shtetërorë dhe opinioni i përgjithshëm shoqëror. Po nuk mbeti këtu Vasili. Nuk e mbylli me një “Yes, zotëri!”. Sapo ambasadori kërkoi një qëndrim kushtetues për zgjedhjen e Prokurorit të përkohshëm të Përgjithshëm në zbatim të Kushtetutës dhe këtë proces ta kryejnë bashkarisht, mazhoranca dhe opozita iu sul ambasadorit dhe nuk kurseu kritikat e etiketimet, duke kërkuar që të huajt të qëndrojnë në pozicionin e tyre se këto punë do t’i kryejnë shqiptarët. Dhe deklaroi prerë: - “No, ambasadori Lu!” Dhe u përgjigj: -Kryeprokuror sipas kërkesës së LSI-së ose përmbysje me çdo kusht e qeverisë dhe Ramës si kryeministër. Po më flagrant ishte qëndrimi Sali Berishës. Si shtetar në krye të vendit për shumë vite, si ish President dhe ish Kryeministër, ai nuk u mendua dy herë. Akuzoi ambasadorin Donald Lu se nuk është në një linjë me Kushtetutën dhe la të kuptohet se nuk është ai që vendos si do të zgjidhet Kryeprokurori i Përkohshëm i Përgjithshëm dhe sipas tij duhet të qëndrojë aktuali, Lalla. Për Berishën duhet të jetë Llalla deri në zgjedhjen e një Kryeprokurori me mandat të plotë. Berisha qëndrimin e tij kundër ambasadorit amerikan, Donald Lu e justifikon se paska konflikt interesi ndaj është kundër Llallës pasi ka kërkuar nga kryeprokurori të mbrohet një kompani amerikane. Dhe kjo e kompromenton atë në kërkesën për largimin e Llallës. Qëndrim ky i pajustifikuar i ish kryeministrit. Lojë fjalësh. Manovër për të justifikuar qëndrimin e tij brutal, jo kundër ambasadorit, por edhe vetë politikës amerikane, që ai përfaqëson. Për ta përmbushur misionin e vet, opozita jonë përdor tërë arsenalin e luftës kundër mazhorancës. Dhe kur shikojnë pengesa nga ambasadorët e huaj për të arritur qëllimet e tyre kur shikojnë se ambasadorët mendojnë ndryshe aq më tepër kur afrojnë me qeverinë, liderët tanë opozitarë i vënë në shënjestër gjithë përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në vendin tonë. Në shënjestër është tani më shumë se gjithkush, ambasadori amerikan, Donald Lu. Është filozofia e opozitës tonë dhe jo vetë se ndryshimi i humorit në lidhje me qëndrimet e ambasadorëve jo në pak raste bëhet edhe nga përfaqësues të qeverisë funksionon me skemën: Kur i mbështet ambasadori për çështje të drejta, duartrokasin dhe thërrasin: “Yes, zoti Lu! Thank you”. Kur i kritikon dhe kërkon bashkëpunim bërtasin: “No! No! No, never, ambasadori Lu!”
Comments (0 posted)
Post your comment