Demokraci pa shtyllë kurrizore
Në Shqipëri dominojnë ndjeshëm të varfrit, ndërkohë që...
Klementin Mile
E kemi dëgjuar shpesh që demokracia varet nga ekzistenca e një klase të mesme masive. Sipas politologut amerikan Lipset, kur klasa e mesme përfshin shumicën e popullsisë së një vendi, kjo gjë ndikon direkt te suksesi i tranzicionit demokratik dhe, më vonë, te stabiliteti demokratik. Nga ana tjetër, demokracia rrezikohet vazhdimisht dhe cenohet në vendet ku madhësia e klasës së mesme është e vogël.
Një vend i tillë është Shqipëria. Edhe pse nuk ka studime të mirëfillta, perceptimi i përgjithshëm është se klasa e mesme në Shqipëri është minimale. Për shembull, ajo as që i afrohet rastit gjerman, ku në klasën e mesme bëjnë pjesë rreth 60 për qind e popullsisë. Në Shqipëri dominojnë ndjeshëm të varfrit, ndërkohë që madhësia e klasës së mesme është modeste dhe e përafërt me atë të të pasurve. Me një perceptim të informuar prej vëzhgimeve josistematike mund të thuhet se në Shqipëri ka 5 për qind të pasur, 7 për qind klasë të mesme dhe 88 për qind të varfër. E duke qenë se klasa e mesme konsiderohet të jetë shtylla kurrizore e demokracisë, në vendin tonë politika demokratike i bie të gjejë mbështetjen e brishtë të vetëm 7 për qind të njerëzve.
Kjo duket të jetë arsyeja e emocionit të papërmbajtshëm të shqiptarëve kur bëhet fjalë për të diskutuar çështje politike. Këtë emocion mund ta vësh re qysh kur nis dita dhe telefonuesit në emisionet televizive të mëngjesit shajnë të mllefosur ose lëvdojnë pa kufi parti e politikanë, e pastaj në shumë situata të tjera gjatë ditës – në kafene, auditorë mësimorë, ambiente pune – ku vijon rrjedha e pandalshme e emocioneve të stimuluara nga ngjarjet politike.
Problemi është se shumica dërmuese e shqiptarëve janë ose shumë afër ose shumë larg politikës. Të pasurit janë shumë afër, të varfrit shumë larg. Të pasurit bëhen emocionalë pasi kanë interesa pragmatikë për të mbrojtur. Cenimi potencial i këtyre interesave të lidhura ngushtësisht me pushtetin politik i bën këta njerëz të shfaqen shpeshherë si histerikë, evokon ndjenja të fuqishme në publik, ankthe për të ardhmen e kështu me radhë.
Të varfrit, nga ana tjetër, nuk kanë thuajse asnjë interes konkret për politikën. Gjendja e tyre vazhdon të mbetet e njëjtë, pavarësisht se politikat dhe qeveritë ndryshojnë. Por të varfrit, prej largësisë së pafundme nga politika, aq sa duket se jetojnë në një botë tjetër, e ndjekin politikën ashtu siç ndjekin lajmet e showbizz-it për aktorët, muzikantët dhe sportistët e famshëm. Ata s’mund të jenë kurrë si idhujt e tyre, por nuk duan për asnjë arsye të humbasin ndonjë episod të telenovelës politike ku veprojnë politikanët e famshëm. Ndërsa emocioni i të pasurve buron prej pasjes, emocioni i të varfërve buron prej mospasjes. “Nuk duam as drita, as ujë, as bukë”, -tha dikur ajo gruaja nga Berati, “vetëm ju mos u zini”.
Afërsia e madhe e të pasurve dhe largësia e madhe e të varfërve bën që shumica dërmuese e shqiptarëve t’i qasen emocionalisht politikës. Kjo ka prodhuar në masë votuesin emotiv dhe ligjërimin e karakterizuar nga retorika boshe ose gabimet logjike foshnjarake. Racionaliteti, përdorimi i arsyes dhe argumenteve për çështje politike ka mbetur në duart e 7 përqindëshit të klasës së mesme. Këta janë njerëzit që nuk janë as shumë afër, as shumë larg politikës. Ata ndikohen prej ligjeve dhe reformave, por jo si të pasurit që mund të fitojnë ose humbasin gjithçka prej tyre. As si të varfrit që e shijojnë politikën me emocionet e një spektakli, ku ata janë vetëm spektatorë pasivë, ndërkohë që aktrimin, skenarin dhe regjinë e bëjnë të tjerët. Lipset kishte të drejtë që e quante shtresën e mesme shtyllën kurrizore të demokracisë; por në Shqipëri demokracia, për momentin, i ka shanset vetëm 7 për qind. /mapo.al/
Comments (0 posted)
Post your comment