Home | Opinion | Lamtumirë politikë e dështuar!

Lamtumirë politikë e dështuar!

image
Popujt që e duan lirinë, që nuk bëjnë kompromise me të drejtat e veta të ligjshme, nuk do ta kishin pranuar me asnjë çmim këtë degradim, prapakthim, katandisje, regres, përçmim dhe...

 

 

 

 

Nga Abdulla Mehmeti

 

 

(Të lumtur mund të jenë vetëm ata që hanë në grazhdin e pushtetit dhe symbyllur i shërbejnë atij, kur populli heq të zitë e ullirit dhe shuhet ngadalë e përditë)

 

Siç u mbajtën shqiptarët nga regjimi komunist nën ish - Jugosllavi, 1944-1990, të frikësuar, të mpirë dhe mashtruar nga ideja e vëllazërim-bashkimit dhe barazia e rrejshme, ngjashëm janë mbajtur edhe nga propaganda e regjimit postkomunist, e tranzicionit demokratik, nga viti 1990 e deri më sot.

 

Janë shpikur teori, zbatuar metoda nga më perfidet për heshtjen e kërkesave reale të shiptarëve, duke ngritur heronj të rrejshëm, atdhetarë tebdil, superpatriotë e kryeheronj, të cilët në peshoren reale të historisë do të dalin qesharakë, antiheronj, matrapazë dhe mashtrues ordinerë, bashkë me ata do të skuqemi edhe ne që heshtim, i miratojmë jerm këto dështime dhe pajtohemi me këtë lëvizje mrapshtë, e cila do të na kushtojë shtrenjtë neve dhe gjeneratave pas nesh.

 

Popujt që e duan lirinë, që nuk bëjnë kompromise me të drejtat e veta të ligjshme, nuk do ta kishin pranuar me asnjë çmim këtë degradim, prapakthim, katandisje, regres, përçmim dhe përdhunim të vullnetit politik të keqpërdorur nga një grusht politikanësh mashtrues, të paaftë, interesaxhi, të korruptuar, të etshëm për pushtet, që me kaq përulje i realizojne agjendat e huaja në dëm të çështjes sonë kombëtare!

 

Haj që rrethanat historike na detyruan të jetojmë të ndarë në disa shtete; haj që prapambeturia jonë për shkak të robërisë së gjatë nën sundimet e huaja nuk na dha krah e mundësi t’i realizojmë aspiratat historike të kombit shqiptar; por, që edhe të drejtat më elementare që i përkasin identitetit tonë, çështja e përdorimit të flamurit shqiptar, çështja e barazisë së gjuhës tonë amtare, çështja e qeverisjes së pushtetit vendor ku shqiptarët janë shumicë e popullsisë nuk është zgjidhur drejtë për afër tri dekada me radhë, këtë nuk ka propagandë që mund ta arsyetojë, fshijë dhe ndryshojë. Këto dështime nuk mund të quhen përparim, zhvillim, ngritje, progres, përkundrazi janë dështime të dhimbshme të politikës shqiptare në Maqedoni, për të cilat një ditë do të skuqemi të gjithë.

 

Mjaft më me hatërbërje, heshtje, përçarje dhe kacafytje! Koha e re kërkon njerëz të ri, vizion dhe ide të reja, strategji të re që do të sigurojë të ardhme më të mirë për popullin shqiptar në Maqedoni, të cilit edhe sot i mungon barazia, liria, shteti i uzurpuar nga të tjerët dhe bandat e veta në politikë!

 

Popujt që e duan lirinë dhe progresin, që luftojnë për demokraci, barazi dhe shoqëri me vlera humane, këtë katandisje nuk mund ta tolerojnë pakufij.

 

Nuk është koha tani, as rrethanat na lejojnë, të kërkohet llogari nga të tjerët, nga cilido politikan i derisotëm, por në rrugë demokratike duhet që këtyre politikanëve dhe kësaj politike t’i themi hapur: LAMTUMIRË!

 

T’u themi se nderin më të madh ndaj popullit shqiptar do ta bënin nëse qetë do të largohen nga skena politike.

 

Shqiptarët nuk kanë nevojë as për kërkimfalje, as për arsyetime, as për inate e hakmarrje, por kanë nevojë për realizimin me dinjitet dhe në rrugë demokratike të të drejtave të veta të nëpërkëmbura dhe mohuara!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00