“Peshqit e mëdhenj” rrëshqasin gjithmonë në të tjera dete
Premtimet që megahajdutët shumë shpejt do jenë pas hekurave po zhvlerësohen. Gati po bëhen bajate. Një simfoni bezdisëse.
Nga Bardhyl Bejko
Prej kohësh dëgjohet për peshqit e mëdhenj të korrupsionit në Shqipëri. Kapja e tyre nga rrjetat e drejtësisë është kërkesë permanente, jo vetëm nga shqiptarët e zakonshëm, por edhe një kusht i panegociueshëm i BE-së dhe SHBA-së. Jo njëherë, ambasadori Lu ka bërë thirrje për të vënë dorë mbi të paprekshmit, ata që në këto vite kanë bërë pasuri pa punuar, kanë ngritur biznese milionëshe pa u marrë me biznes, ata që njëshin, brenda ditës e bëjnë milion. Të paprekshmit, që kanë fituar statusin special. Të paqortueshmit. Ata bam e Muçua tutje. As që ua ndjen për gjithçka thuhet. Bile kërkesat e shpeshta, vetëm sa i bezdisin. Ata janë të qetë në pellgun detar, atje ku e kanë vendin speciet grabitqare. Jetojnë qetësinë e tyre olimpike. Thirrjet as i gërvishin. Vetëm sa i gudulisin. Dhe për të mos ndjerë kafshime apo shpime i ngrenë përditë çarqe drejtësisë. Bëjnë sikur mërziten për mos ecjen e reformave për pezullimin e vetingut. Derdhin lot krokodili. Rrëzojnë natën muret e “Kalasë të Rozafës”, atë që ndërtojnë prokurorët gjatë ditës. Në përfundim, të paprekshmit mbeten monumente të mbrojtura nga drejtësia. Janë piedestale të pacënueshëm. Ndaj “engjëjt” e politikës dhe administratës, jetojnë në qetësinë e tyre të pacënuar nga askush. Për ta, vetëm era e fitimeve fryn dhe i shoqëron në jetën e luksit. Të patrembur e të paepur, mbeten stoikë, duke përqeshur zotuesit për arrestimin e tyre për t`u bërë banorë të qelive të sapo përuruara. Se ata edhe qelitë i duan firmato. Mundësisht luks. Po edhe ato dyer nuk hapen për ta, se çelësat janë hedhur në habitatin e peshqve të mëdhenj, në ujrat më të thella në fund të detit.
Premtimet që megahajdutët shumë shpejt do jenë pas hekurave po zhvlerësohen. Gati po bëhen bajate. Një simfoni bezdisëse. Të zakonshme, një rutinë që thuhet sa për të kaluar radhën dhe për të qetësuar disi opinionin qytetar. Më saktë për ta manipuluar këtë opinion. Nga politikanët numërohen klanet e grupet kriminale. Grupe që njëherë dalin 20, më pas bëhen 44 e në fund 104. Secili nga përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese i referohet shifrës që di. Mungesa e rakordimit mes tyre bën që edhe shifra të jetë variabël, e pasaktë, le më afatet e kapjes së peshqve të mëdhenj që përfundojnë në disa cironka. Është proverbiale thënia e një drejtori burgu se: “Këtu kam vetëm të vobektit. Kush ka kuletë nuk ka qeli”. Deklaratat për peshqit e mëdhenj që recitohen nga titullarë ministrish e politikanët tanë, sepse më ngjajnë me zotimet e drejtorëve të ndërmarrjeve dhe kryetarët e kooperativave në sistemin komunist. Me fjalët e shefave të propagandës që mbushnin muret me parulla të kuqe, ku rreshtoheshin rendimentet që do arriheshin në misër, grurë, luledielli, qumësht, krom, bakër dhe produkte të tjera që prodhonin ndërmarrjet e centralizuara. Edhe në ato vite, shifrat asnjëherë nuk ishin të njejta. Mbeteshin vetëm premtimet. Sa më i rëndësishëm individi që bënte premtime, aq më të larta zotimet. Kooperativistët e stërlodhur nga pika e vapës në mes të ngastrave të misrit, buzëqeshnin me cinizëm dhe pezm, që shpalosej në fytyrat e tyre. Ata qesëndisnin oratorët dhe ishin të bindur që rendimentet do ishin ku e ku më të ulëta se shifrat e premtuara. Dhe kur vinte fushata e korrjeve e vjeljeve, kur do matej prodhimi, treguesit ishin shumë herë më të ulët. Dhe pas këtyre diferencave, radhiteshin justifikimet e argumentat për të kapërcyer përgjegjësitë. Gjithnjë sipas tyre, shkak ishin kushtet e motit, po kurrë politikat e zhvillimit dhe investimet për të marrë rezultate më të larta. Megjithatë, vitet kalonin e rendimentet binin. E përsëri drejtuesit gjenin justifikimin, duke ia hedhur tërë fajin motit, shiut, diellit, mungesës së plehrave, punës së dobët të mekanikës. Dhe justifikimet vijonin si një zinxhir me hallka të dobëta që këputeshin sa herë tendosej nga llogaridhënia para partisë. Nuk ishte e lehtë dhe treguesit nuk vareshin nga individë të veçantë pasi ishte aktivitet në grup, ku duheshin harmonizuar tërë hallkat e organizmit të punës. Po le ti lëmë ato mote në “shenjtninë” e tyre.
Sot, edhe pse shumë vite larg nga përvoja e mësipërme të cilën e lamë pas, nga organet e drejtësisë dhe policisë premtohet se goditja dhe forca e ligjit do bjerë mbi peshqit e mëdhenj. Prisni, jemi shumë afër. Nuk e dimë përse bëhen zotime të tilla. Cili është thelbi që premtohet për arrestime e ndalime që i merr era. Përse është e nevojshme të thuhet përditë numri i grupeve dhe klaneve? Ata, të cilësuarit peshkaqenë të korrupsionit këtu janë. Në qytetet tona. Nëpër zyra. Në administratë. Nuk janë alienë që t`i evidentojmë, kërkohet shkencë e madhe. Është e vështirë. Po drejtësia, vështirësitë ka “bukën” e saj. Janë të rrezikshëm se kanë lidhje me botën e krimit dhe politikën. Kanë foletë te partitë. Janë miq të politikanëve të mëdhenj. Po ata për të luftuar krimin janë në ato detyra. Vend për justifikime nuk ka. Ajo që mungon, është vullneti. Shumë herë përkohshmëria që njerëzit e ngarkuar me zbatimin e ligjit gjykojnë se sot jam e nesër dal në rrugë. Në se kjo logjikë do komandoi njerëzit e ligjit, garantët e luftës kundër të keqes, atëherë tek ne do mbetet vetëm jehona e luftës virtuale kundër krimit dhe vetëm sa do numërojmë deklaratat si një fëshfërimë në eter e tituj gazetash. Politikanët nuk kanë pse bëjnë propagandë. Ata janë në krye të punëve për të vepruar. Populli ndaj i ka deleguar në krye të institucioneve që të bëjnë detyrat e jo të mbajnë fjalime. Kur themi këtë, nuk gjykojmë se duhet të ketë plane arrestimesh. Ato nuk janë statistikë as matematikë. Që duhet patjetër të shpien në qeli një numër të caktuar. As për të kryqëzuar të ndershmit. Aq më pak nëse je drejtues duhet të bësh edhe pak burg për interesa kombëtare apo të marrin një opinion pozitiv nga vendimmarrësit europianë. Përkundrazi, asnjë i pafajshëm nuk ka pse sakrifikohet. Po ai që shkel e bën baltë me veprimet e tij ligjin, le të shkojë 100 vjet në qeli. Ndryshe arrestohen e dënohen individë vetëm se kanë marrë një dy mijë lekësh, apo ka vjedhur një pulë dhe për ta çliruar nga akuzat, ligjzbatuesit përfitojnë miliona. Dhe cili është i fajshmi këtu? Në gjykimin tim, masa që përkufizon fajin edhe pse presupozon shkallën e fajësisë dhe individin që e ka kryer, është i dënueshëm. Vërtetë ka një hierarki faji dhe fajtori. Po nëse vrasësi vret dikë dhe një tjetër vjedh, veprimi i tyre është i patolerueshëm. Nuk ka indikator, qoftë edhe në drejtësi që të mati fajësinë e autorit që kryen një vepër të caktuar penale. Fajtorë janë të gjithë personat që duhet të vihen para drejtësisë. Nuk peshohet faji me kile, metër apo me kuintal. Në këtë kuptim, edhe emërtimi “peshk i madh, mesatar apo i vogël” kërkon dënimin sipas ligjeve nga drejtësia.
Drejtues të prokurorisë, ministra, folës në foltore, sa herë iu jepet rasti njoftojnë për goditje të krimit të organizuar. Po gjithnjë në kohën e ardhshme. Përse vallë nuk bëjnë arrestime dhe të mos kenë nevojë për asnjë deklaratë!? Po atje ku nuk ka veprime, ka fjalime. Për arrestime VIP siç etiketohen pushtetarë, ish pushtetarë, administratorë, ish administratorë që kanë dosje të hapura me drejtësinë deri tani ka vetëm fjalë. Nuk është se kemi padurimin për arrestime të njerëzve të fuqishëm e të korruptuar. Ata le t`i gëzojnë milionat dhe pasuritë. Nëse i kanë me djersë e punë t`u përulemi dhe t`u heqim kapelen. E meritojnë. Shoqëria e ekonomisë së tregut, pa të pasurit nuk është shoqëri. Të pasurit nuk janë baraz me oligarki. As me kriminelë. Njohim shumë njerëz të fuqishëm ekonomikisht, që janë qytetarë të respektuar. Punëdhënës të mëdhenj. Pa vese. Pa mendjemadhësi. Dhe këta pasanikë duhet t`i inkurajojmë për t`u bërë më të pasur dhe të mbeten edhe më njerëzorë. Ndryshe do luftonim kundër borgjezisë. Siç kemi provuar aksidente të shumta në historinë tonë në këto 100 vjet. As që lutemi për arrestime, që t`i plotësojmë dëshirën dikujt. Logjika se këto arrestime i vënë kusht të huajt ndaj duhen bërë, janë asgjë. Po për drejtësi duhet të veprojnë institucionet. Individë me pushtet të dënohen kur kanë bërë faje, korrupsion, kanë vjedhur e përfituar në kurriz të qytetarëve. Po deri tani “fjalë imzot, fjalë”. Premtime dhe shtyrje të vazhdueshme. Përpjekjet për të vënë në vend drejtësinë, kërkesa e opinionit të gjerë shoqëror për ndëshkim pa hezitim të atyre që e kanë mbushur kupën këtu tek ne, deri sot do t`i shkonte për shtat sentenca: “Prit gomar të dali bar, bari doli e u tha, po gomari me sy s’e pa” ose përralla e babait me djalin që e porositi të dëgjonte kungullin, kur të godiste lisin.
Dhe “bum-bum, kungulli në lis, ja babai ku është”, që e bëri djalin të priste me ditë, duke besuar se kungullin e varur në trungun e lisit që tundej nga era, mendonte se e përplaste i ati. Dhe djali mbeti me ditë në pritje të babait që nuk erdhi kurrë. Kështu edhe me premtimet për të peshkuar në rrjetat e drejtësisë peshqit e mëdhenj, të cilët gjejnë gjithnjë të çara dhe u lënë në duar prokurorëve vetëm rrjetat, luspat, guackat dhe algat, pasi rrëshqasin përherë drejt ujrave të ngrohta, atje ku nuk i gjen as ngrica, as akulli, as dallgët e furishme të shkaktuara nga erërat e furishme që fryjnë mbi sipërfaqen e detit. Shefat e individët që i ngarkon ligji, prokurorë, kryepolicë që për arrestimet VIP njëherë vënë kufi shtatorin, muaj që e kishte për zemër ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe njerëzit mbanin frymën pezull dhe mbeteshin sy e vesh në pritje të lajmeve, si plaka Nurihan tek “Dimri i Madh” i Kadaresë, e pastaj tetorin, që do sillte cunam dhe qelitë do mbipopulloheshin, jo nga cironkat, po nga peshkaqenët të kapur nga rrjetat e drejtësisë. Pas premtimit të Llallës, të tjerët deklarojnë përditë se do ta shikoni në janar si do mbushen burgjet. Dhe tregojnë me gisht burgun më të ri në veri të vendit, që ka një kapacitet prej 3 mijë vetësh dhe është financim i BE-së, që pret të burgosurit e rëndësishëm. Jemi njohur edhe me pamjet e jashtme e të brendshme të këtij burgu model, i cili realisht është vetëm burg dhe nuk bën dallim sepse izolimi është një dhe nuk ka rëndësi arredimi i qelisë.
Qytetarët presin. Ja, erdhi shkurti. Dhe pak do trokasi marsi. Vijon numërimi i muajve të vitit deri sa të mbërrijmë në 31 dhjetor. I vetmi “peshk” që mbetet në rrjetë do të jetë, jo nga ujrat detare, po nga tokat e fshatarëve, “gjeli i detit” që dorëzohet qetësisht në çdo familje, si kurban për festën e fundvitit. Ata që duke pasur pushtet kanë shtuar pasurinë me shpejtësi maksimale. Kanë grumbulluar rreth vetes, jo vetëm para “cash” të vendosura në bankat vendase e të huaja, që kanë në inventarët familjarë, prona e sipërmarrje që asnjë biznes nuk do i realizonte për tërë jetën dhe dihet që janë të korruptuar, nuk ka pse u dërgohet nga një sihariq për çdo ditë se i pret burgu, sikur i ftojnë në dasëm. Nëse do mbetemi tek thirrjet e premtimet, nëse do bëjë statistikë drejtësia, rrjetat e saj do vijojnë të peshkojnë sardele. Peshqit e mëdhenj do shtegtojnë të patrazuar në të tjera dete.
Comments (0 posted)
Post your comment