Home | Opinion | Integrimi në BE kundër interesave të klasave politike në Ballkan

Integrimi në BE kundër interesave të klasave politike në Ballkan

image
Komisioni Evropian e sidomos shtetet serioze anëtare të BE-së mendojnë se në vendet e Ballkanit Perëndimor ka shenja të “kapjes së shtetit...

 

 

 

Augustin Palokaj

 

 

Komisioni Evropian e sidomos shtetet serioze anëtare të BE-së mendojnë se në vendet e Ballkanit Perëndimor ka shenja të “kapjes së shtetit, përfshirë edhe lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës”. Për këtë situatë përgjegjëse janë forcat politike që dominojnë tash e dhjetëra vjet në këto shtete, edhe pse në disa raste i kanë ndërruar rolet duke qenë në pushtet ose opozitë. Të presësh tash që për hir të “perspektivës evropiane” të njëjtit të çrrënjosin korrupsionin është joreale. Prandaj ose integrimi në BE është kundër interesave të tyre, ose për integrim në BE kusht është edhe largimi i tyre nga skena politike. Prandaj, edhe duhet të mbetemi skeptikë për të ardhmen e integrimeve evropiane të rajonit

 

Përderisa i tërë opinioni i rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë, është i preokupuar në atë se sa e qartë do të jetë e ardhmja e vendeve të rajonit në rrugën e integrimeve në BE, e formuluar në Strategjinë e Komisionit Evropian, disa politikanë në pushtet, në vendet e Ballkanit, kanë një hall tjetër.

 

Ata janë të fokusuar shumë në një fjali në draftin e fundit të dokumentit të Strategjisë ku përmendet se në rajon “shtetet tregojnë shenja të qarta të kapjes së shtetit, përfshirë edhe lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës”. Termi “kapja e shtetit” është përmendur nga analistë të pavarur shpesh, është përmendur edhe në bisedat e politikanëve perëndimorë (sepse atyre lindorë një gjë e tillë duket se nuk u pengon!), por rrallë herë është shkruar edhe në dokumente që bëhen publike. Edhe BE-ja ka hezituar t’i shkruajë fjalitë e tilla në dokumente, sepse një konstatim i tillë gjithmonë bie në kundërshtim me përmendjen e progresit të këtyre vendeve. Dhe, qartë, si mund të përmendet se ka pasur progres në një rajon ku ka elemente të kapjes së shtetit. Dhe cila qeveri e rajonit mund të pranojë se në vendin e tij ka kapje të shtetit. Ata mund të thonë në vete, por jo edhe të pranojnë para të tjerëve se “po ka kapje të shtetit, ne e kemi kapur!”.

 

Diplomatët dhe zyrtarët e BE-së në Bruksel kanë treguar se zemërimi i disa njerëzve në pushtet, në disa vende të Ballkanit, ka qenë aq i madh për shkak të këtij formulimi saqë kanë kërcënuar se nuk do ta mbështesin publikisht këtë strategji. Por, në anën tjetër, nëse Komisioni Evropian bën lëshime ndaj politikanëve të rajonit, atëherë mund të shkaktojnë konflikte me qeveritë e disa vendeve anëtare të BE-së, të cilat e dinë se ka elemente të tilla në shtetet e Ballkanit. Sepse, nga raportet e Komisionit Evropian dhe zyrave e delegacioneve të BE-ë në rajon ato qeveri kanë raporte edhe nga ambasadat dhe shërbimet e tyre. Dhe kanë sa të duash shembuj të “kapjes së shtetit”. Ndërsa në vetë vendet e rajonit për “kapjen e shtetit” flasin politikanët e opozitës derisa ata të mos vinë në pushtet dhe vetë e “kapin shtetin”. Pastaj ndërrohen rolet dhe për “kapje shteti” flasin ata që janë larguar nga pushteti dhe janë bërë opozitë.

 

Pa marrë parasysh se a do të mbetet apo jo referenca në “kapjen e shtetit” në dokumentin e Komisionit Evropian, është e qartë se Komisioni Evropian beson se ka kapje shteti në rajon. Përndryshe nuk do ta shkruanin në draft. Vendosja e këtij formulimi tregon realitetin që qytetarët e rajonit e shohin me sytë e tyre, ndërsa heqja e kësaj reference do të ishte vetëm kompromis politik çfarë BE-ja ka bërë me vite duke e ndihmuar edhe vetë kapjen e shtetit dhe duke iu dalë në ndihmë atyre që janë përgjegjës për këtë.

 

Komisioni Evropian, e sidomos shtetet serioze anëtare të BE-së, mendojnë vërtet se në vendet e Ballkanit Perëndimor ka shenja të “kapjes së shtetit, përfshirë edhe lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës”. Për këtë situatë përgjegjëse janë forcat politike që dominojnë qash e dhjetëra vjet në këto shtete, edhe pse në disa raste i kanë ndërruar rolet duke qenë në pushtet ose opozitë. S’ka nevojë të përmendim as emrat e shteteve e as të politikanëve, sepse ky është fenomen në të gjitha shtetet e rajonit.

 

Të presësh tash që për hir të “perspektivës evropiane” të njëjtit të çrrënjosin korrupsionin është joreale. Prandaj ose integrimi në BE është kundër interesave të tyre, ose për integrim në BE kusht është edhe largimi i tyre nga skena politike. Prandaj edhe duhet të mbetemi skeptikë për të ardhmen e integrimeve evropiane të rajonit. Nëse i shohim kërkesat dhe ofertat e Komisionit Evropian për një të ardhme konkrete evropiane të vendeve të rajonit të Ballkanit, atëherë bëhet e qartë se sa e vështirë është të realizohet ky qëllim.

 

Sepse nëse vërtet arrihen standardet e larta evropiane, nuk do të mundë të ketë më dhënie të tenderëve duke shkelur parimet e tenderimit publik. Nuk mund të ketë më ndikime në gjykata me qëllime politike, çfarë dyshohet se kanë bërë edhe vetë përfaqësuesit e BE-së në Kosovë, nuk mund të ketë financim jotransparent të partive politike, nuk mund të ketë më ndikim në mediet e pavarura. Duhet të heqin dorë nga punësimi i të afërmve apo simpatizantëve partiakë në administratë. E nuk është e lehtë të heqësh dorë nga privilegjet e tilla, sepse lidhja me krimin e organizuar dhe korrupsionin, nepotizmi, ndërhyrja në gjykata, polici dhe media janë privilegj në vendet e Ballkanit e jo ndonjë e keqe.

 

Ky privilegj të sjell respekt më shumë sesa kritikë. Sepse “forca e bën fuqinë!”, siç do të thotë një politikan në Kosovë, e forcën e kanë ata që janë në pushtet, në vendet e rajonit e kundër tyre janë ata që duan të jetë në vendin e tyre që të gëzojnë të njëjtat privilegje. Nëse në të njëjtën kohë, për shkaqe politike, keni mirëkuptimin edhe nga BE-ja, atëherë mbështetja dhe respekti bëhen komplet.

 

Strategjinë e Komisionit Evropian, e cila bën të qartë se përderisa vendet si Mali i Zi dhe Serbia, në rastin më të mirë, do të mundë të hynin në BE pas tetë vjetësh, ndërsa vendet si Kosova e Bosnja ndoshta pas 15 vjetësh, duhet kuptuar edhe si porosi se deri atëherë duhet seriozisht ndryshuar shoqëritë dhe shtetet në rajon. Sepse, nëse asgjë tjetër, atëherë një porosi Komisioni Evropian e jep qartë: Vendet e rajonit do të hyjnë në BE, por jo në gjendjen në të cilën janë sot. Do të shtonin edhe “jo me politikanët të cilët i kanë sot”./koha

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00