Kushti "kroato-slloven" i BE për Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Komisionit Europian parashtron një kusht të ri, që e lidh pranimin e ...
Nga Shaban Murati
Dy herë brenda një muaji presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paraqitur një kusht të ri për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që duan të anëtarësohen në BE.
Ky kusht nuk figuron në strategjinë e Komisionit Evropian “Një perspektivë e besueshme e zgjerimit për angazhimin e BE me Ballkanin Perëndimor”, që u publikua në datën 6 shkurt, dhe as në dokumentet e tjera zyrtare të BE, që kanë të bëjnë me kriteret dhe kushtet, që duhet të plotësojnë shtetet aspirante. Duke qenë se kushti i ri po paraqitet nga presidenti i Komisionit Evropian, do të thotë se kushti jo vetëm ekziston, por edhe duhet konsideruar me seriozitet të madh nga vendet e Ballkanit Perëndimor për domethënien dhe implikimet, që mund të ketë.
Në datën 6 shkurt 2018, në fjalën e mbajtur në parlamentin evropian përkrah kryeministrit të Kroacisë, presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, deklaroi se nuk do të ketë zgjerim të Bashkimit Evropian me shtete nga Ballkani Perëndimor, derisa të zgjidhet konflikti midis Kroacisë dhe Sllovenisë për kufirin. Në datën 9 janar 2018 para takimit me kryeministrin e Sllovenisë, presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, deklaroi se konflikti slloveno-kroat për kufirin midis tyre rrezikon zgjerimin e BE nga Ballkani Perëndimor. Juncker deklaroi se zgjerimi i ardhshëm i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është në duart e Sllovenisë dhe të Kroacisë.
E thënë shkurt, presidenti i Komisionit Evropian parashtron një kusht të ri, që e lidh pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor me zgjidhjen e konfliktit kufitar midis dy vendeve anëtare të BE, Kroacisë dhe Sllovenisë. Duke qenë se kushti i ri vjen nga nivelet më të larta të ekzekutivit të BE, kjo do të thotë që qeveritë dhe diplomacitë e vendeve ballkaniko-perëndimore duhet ta konsiderojnë të tillë.
Natyrshëm pyetja e parë, që lind në këtë rast, është se çfarë lidhje ka dhe përse duhet kushtëzuar pranimi në BE i shteteve të Ballkanit Perëndimor me konfliktin për kufirin midis dy shteteve anëtare të BE. As Sllovenia dhe as Kroacia nuk janë shtete të atij grupimi mekanik, të cilit i është vënë emri “Ballkan Perëndimor”. Sllovenia, e cila u pranua në BE në vitin 2004, nuk ka qenë kurrë as formalisht me grupimin “Ballkan Perëndimor”, kurse Kroacia, të cilën e futën forcërisht në këtë grup, që përfshinte vendet e procesit të Stabilizim-Asocimit me BE, u shkëput në vitin 2013, kur u bë anëtare e BE. Dy shtetet, qysh kur kanë shpallur pavarësinë e tyre në vitin 1991 kanë një konflikt të vjetër kufitar lidhur me një korridor detar prej 12 kilometra katrore dhe me koregjimin e kufirit tokësor. Bashkimi Evropian mori përsipër ndërmjetësimin e këtij konflikti duke ngritur një gjykatë arbitrazhi, e cila dha vendimin e saj në dhjetor të vitit të kaluar. Por Kroacia ishte tërhequr nga procesi i arbitrazhit për shkak të dyshimeve për neutralitetin e trupit gjykues dhe ajo nuk e njeh vendimin e Gjykatës se Arbitrazhit. Realiteti i konfliktit kufitar midis dy vendeve të BE vazhdon.
Është e natyrshme që Brukseli t’i kushtojë vëmendje çështjes së grindjeve kufitare, që mund të kenë midis tyre shtetet e reja, që do të pranohen në BE, dhe që duhet të kenë zgjidhur mosmarrëveshjet kufitare midis tyre përpara anëtarësimit, me qëllim që BE të mos importojë edhe grindjet kufitare midis anëtarëve të rij. Me të drejtë këtë kërkesë e shpreh edhe strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor e datës 6 shkurt 2018.
Por përse zgjidhja e konfliktit kufitar midis dy shteteve anëtare duhet bërë kusht për pranimin e anëtarëve të rij të BE nga Ballkani Perëndimor? Nuk kuptohet dhe nuk shpjegohet se çfarë lidhje kanë mosmarrëveshjet kufitare midis anëtarëve të BE me pranimin e shteteve nga Ballkani Perëndimor. Nuk rezulton dhe nuk konstatohet as një lidhje direkte dhe as një lidhje indirekte midis dy çështjeve.
Sensibiliteti i Komisionit Evropian duket se rrjedh nga përvoja e hidhur, që ai ka me shtetet anëtare, kur pranoi në vitin 2004 Slloveninë, duke e ditur grindjen kufitare të saj me Kroacinë. E po atij viti është përvoja negative me Qipron, ku për arsye të paqarta pranoi anëtar një shtet, i cili ishte gjysmë shteti, sepse gjysma e territorit dhe e popullsisë ishte e ndarë që në vitin 1974. Askush nuk e ka shpjeguar përse BE e ndërmori këtë pranim ekstrapengues duke anëtarësuar vetëm Qipron greke. Edhe argumenti, që ka qarkulluar në qarqet diplomatike se kjo u bë për të ngritur një barrikadë të re kundër pranimit të Turqisë në BE, nuk duket bindës, sepse me këtë anëtarësim BE më shumë pengoi veten e vet se sa Turqinë. Për të mos thënë faktin e hidhur që Qiproja greke nxitoi të rreshtohej në krahun e Rusisë, të cilës i ka ofruar jo vetëm lehtësira ushtarake në territorin e saj, por edhe i ka shprehur gatishmërinë për të lejuar një bazë ushtarake ruse. Pranimi i një gjysmë shteti si Qipro është njësoj sikur në BE të pranohej Spanja pa Katalonjën, Britania e Madhe pa Skocinë apo Belgjika pa rajonin flamand.
Por BE ka ecur në një rrugë jo shumë të arsyeshme edhe në Ballkanin Perëndimor, ku i ka dhënë statusin e shtetit kandidat, ka filluar bisedimet e pranimit dhe madje në 6 shkurt i përcaktoi edhe datën e pranimit në vitin 2025 një shteti si Serbia, që ka gjithë ato probleme me shtetet kufitare. Vështirë të kuptohet avancimi i shpejtuar i Serbisë drejt anëtarësimit në BE, kur ajo nuk njeh një shtet fqinj të saj si Kosova dhe madje kërkon që të rikthejë statusin kolonial, megjithëse e ka të qartë se një ambicie e tillë serbe do të thotë luftë në Ballkan. BE është ndërmjetësuese e bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës dhe në 19 prill 2013 arriti që dy vendet të nënshkruajnë marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, marrëveshje të cilën Serbia e ka shkelur me të dy këmbët dhe vazhdon të njëjtën politikë agresive të mosnjohjes së Kosovës.
Duke iu rikthyer kushtit të ri, që paraqiti presidenti i Komisionit Evropian, Juncker, nuk mund të mos arrish në përfundimin se jo vetëm nuk ka një lidhje, por mund të thuash se ai kusht nuk u përket shteteve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të anëtarësohen në BE. Shtetet e Ballkanit Perëndimor as veç e veç dhe as si grup nuk janë në gjendje të ndikojnë apo të ndihmojnë në mosmarrëveshjen kufitare midis Kroacisë dhe Sllovenisë, ku dhe vetë BE po shfaqet e pafuqishme. Nuk mund të ketë lidhje anëtarësimi i Shqipërisë, i Kosovës, i Maqedonisë, i Serbisë, i Malit të Zi dhe i Bosnjë-Hercegovinës me kalendarin e zgjidhjes së grindjeve kufitare midis Kroacisë dhe Sllovenisë.
Konflikti kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë është i vjetër 27 vjeçar, dhe nuk është zgjidhur dot as me bisedimet e stërgjatura dypalëshe midis tyre dhe as me ndërmjetësimin e BE. 27 vjet kanë bisedimet dypalëshe midis dy vendeve anëtare të BE, Bullgarisë dhe Rumanisë, për grindjen kufitare detare prej 17 kilometra katrore në detin e Zi dhe ende nuk janë zgjidhur. Bisedimet për çështjet kufitare janë çështje serioze shtetërore e kombëtare, që zgjasin me vite e me dekada, dhe nuk janë bisedime, që zgjidhen me dy raunde ahengjesh ballkaniko-perëndimore.
Mund të kërkosh sa të duash, por nuk e gjen dot ndonjë logjikë diplomatike dhe politike që ta lidhë grindjen kufitare kroato- sllovene me pranimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duket si një artificë për t’i bërë vendet e Ballkanit Perëndimor që të presin aq gjatë në dyert e BE, sa do të kërkojë kohë zgjidhja e konfliktit kroato-slloven. Por nuk ka siguri që edhe pas zgjidhjes së konfliktit kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë, Komisioni Evropian të nxjerrë kushtin që të pritet derisa dy shtetet e tjera anëtare të BE, Bullgaria dhe Rumania të zgjidhin edhe ata grindjen e tyre kufitare.
Kushti i ri “kroato-slloven” i BE do të thotë që, edhe nëse plotësojnë të gjitha kriteret dhe kushtet e strategjisë së re të Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të jenë në gjendje të anëtarësohen pa u zgjidhur grindjet kufitare midis shteteve anëtare të BE. Ndaj duket sikur ky kusht, në vend që të nxisë vendet e Ballkanit Perëndimor, ka më shumë efektin që të vonojë procesin e anëtarësimit të tyre në BE. Nëse dy shtete anëtare të BE kanë grindje kufitare midis tyre, ky është problem i vërtetë i tyre në planin dypalësh dhe është gjithashtu problem edhe i BE. Por ai nuk është kurrsesi problem i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe aq më pak duhet të jetë kusht i anëtarësimit të tyre në BE.
Ndaj kushti i ri “kroato-slloven” i BE, paraqitur nga presidenti i Komisionit Evropian, duket tejet i vështirë për t’u kuptuar dhe pranuar nga opinioni publik i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Comments (0 posted)
Post your comment