Home | Opinion | Kosova nuk ka flamur...

Kosova nuk ka flamur...

image
...dhe herezi të tjera të këtij dhjetëvjeçari të Pavarësisë.

 

 

 

 

Nga Veton Surroi

 

 

 

 

...dhe herezi të tjera të këtij dhjetëvjeçari të Pavarësisë.

 

1.

 

Jo, Kosova nuk ka flamur të vetin shtetëror.

 

Gjatë dhjetë vjetëve qytetarëve ua kanë treguar një që, siç kam shkruar në libër, i përngjan më shumë peshqirit të një hoteli në Turqi (sepse vetëm atje kam parë që hotelet kanë më shumë yje se pesë, si ky pretendent flamuri), sesa një ilustrimi estetik të vendit dhe qytetarëve të tij. Por ky që gjatë dhjetë vjetëve është quajtur flamur shtetëror ka një histori që nuk përfundon mirë në aspektin legal.

 

Ekipi i Unitetit, i cili negocioi Pavarësinë e vendit, pjesë e të cilit isha edhe unë, hapi konkurs për përzgjedhjen e flamurit dhe stemës së shtetit të ardhshëm të pavarur të Kosovës. Kur erdhi koha e përzgjedhjes nuk kishte më Ekip të Unitetit, rrjedhimisht nuk kishte më përzgjedhje. Ky që pretendohet të jetë flamuri i Kosovës iu prezantua opinionit në Kuvend, më 17 shkurt 2008, dhe prej atëherë valon në Kosovë dhe jashtë saj. Ky që pretendohet të jetë flamur i vendit, pos që nuk është estetik nuk ishte as legjitim; nuk qe prodhim i ndonjë procedure përzgjedhjeje artistike apo politike.

 

Dhe një befasi: ky që pretendohet të jetë flamur nuk është as i ligjshëm. Po, Kushtetuta e Kosovës që në nenin 6, pikën 1 thotë se "flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj". Dhe, po, në pikën 2 thotë se "pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj". Dhe, po, Kuvendi i Kosovës më 20 shkurt të vitit 2008 miratoi Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore, përfshirë flamurin, stemën dhe himnin.

 

Problemi legal është se Kuvendi i Kosovës në asnjë moment nuk votoi për dukjen e flamurit, duke miratuar gjithashtu një ligj me të cilin do të përcaktonte se për cilin flamur ishte fjala. Në çdo shtet tjetër dukja e flamurit dhe e simboleve të tjera shtetërore është e përcaktuar me saktësi, qoftë në Kushtetutë apo ligj. Në Kosovë flamuri është ende kategori abstrakte, pra ende nuk e ka marrë përcaktimin ligjor. Pa përcaktim ligjor çdo kush mund të prodhojë një copë tekstili me dizajnin e vet dhe të thotë se është flamur shtetëror.

 

Meqë nuk është legal, Kosova nuk ka flamur shtetëror.

 

2.

 

Si është e mundur që për dhjetë vjet të kemi pasur një gjendje të paligjshmërisë me flamurin shtetëror?

 

Ndoshta pse flamuri, si i paligjshëm, përshkruan në masë të madhe rrjedhën e dhjetë vjetëve të Pavarësisë, simbolin kryesor, paligjshmërinë.

 

Kosova do të duhej të ishte shtet sovran, me shtrirje të sundimit të ligjit në tërë territorin e vet, por çdokush që e viziton një komunë me shumicë serbe do të ndeshet me shenja të dukshme të zyrave të institucioneve paralele me shenjën "Republika e Serbisë".

 

Kosova do të duhej të ishte vend i sundimit të ligjit edhe në territorin me shumicë shqiptare, por siç do të dëshmojë klani “Pronto" në përditshmëri, shteti - me ligj e pa ligj - është i kapur prej tij.

 

Kosova do të duhej të ishte demokraci, ku Parlamenti është kujdestari i parasë publike, por anëtarët e Kuvendit të Kosovës për dhjetë vjet me radhë nuk kanë pasur të drejtë t'i shikojnë as formalisht kontratat për autostrada, për të cilat u ndanë gati 2 miliardë euro.

 

Qeveria dhe Kuvendi do të duhej të ishin rojtarë besnikë të sovranitetit të Kosovës, por për dhjetë vjet rresht në negociata me Serbinë e me Marrëveshje të Brukselit e sollën vendin drejt përligjjes së bashkësundimit me Serbinë dhe të çfunksionalizimit të shtetit.

 

Kosova ka Ligj për konflikt të interesit, por Qeveria vendos se do t'ia rrisë rrogën vetes.

 

Gjykata Kushtetuese ka obligim ta mbrojë Kushtetutën, pos kur bëhen zgjedhjet dhe PDK-ja nuk krijon numra të mjaftueshëm për të qeverisur.

 

Kushtetuta e Kosovës shprehimisht thotë në nenin 10 se "ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës", ndërkohë që Qeveria e Kosovës me kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri e ka obliguar vendin të blejë detyrimisht 20 vjet me radhë energjinë elektrike të prodhuar nga “Contour Global” në termocentralin “Kosova e Re” me çmim të parapërcaktuar.

 

3.

 

Atëherë nëse nuk kemi legalitet, shtrohet çështja e legjitimitetit.

 

Flamuri që pretendohet të jetë i Kosovës, mund të ketë pas dhjetë vjetësh legjitimitet. Po, gjatë 10 vjetëve njerëzit, përfshirë në masë të madhe edhe ata që nuk kanë ndonjë afinitet estetik ndaj këtij flamuri, kanë krijuar një identifikim me të. Është identifikimi i nocionit të Pavarësisë, të shtetit të pavarur.

 

Por gjatë më shumë se njëzet vjetëve, një flamur tjetër, ai i presidentit Rugova, kishte po ashtu legjitimitet. Me të u identifikuan disa gjenerata të qytetarëve në rrugëtimin e mundimshëm për rezistencë paqësore ndaj Serbisë, krijimit të përkrahjes nga Perëndimi, çlirimi dhe procesi negociator për pavarësi.

 

Dhe,gjatë më shumë se një shekulli, ishte një flamur, ai kombëtar, që kishte përkrahjen legjitime të tërësisë shqiptare në Kosovë. Me të u identifikuan gjeneratë pas gjenerate, në ruajtjen e substancës kombëtare dhe zhvillimin e identitetit shqiptar gjatë ndërtimit të shtetësisë së Kosovës.

 

Në dhjetëvjetor të Pavarësisë së Kosovës, gjëja e fundit që duhej të ndodhte do të ishte konflikti i legjitimiteteve. Në vend të garës se cili flamur është më shumë përfaqësues, çështja do të ishte se si të integrohet legjitimiteti i të gjithëve.

 

Por ja që në mungesë të ligjit, dhe një konsensusi politik, kjo po ndodh.

 

4.

 

Ç’është e vërteta, do të jetë e vështirë të integrohen të tre flamujt. Flamuri kombëtar simbolizon përbashkësinë shqiptare në Kosovë, përpjekjen për të ruajtur e zhvilluar identitetin dhe shtetësinë. Ai, i quajtur i Rugovës, i një përpjekjeje përbashkësie, po ashtu, për t'u çliruar e pavarësuar. Ky i treti, që pretendohet të jetë i Republikës së Kosovës, mban brenda kundërshtinë e pavarësisë së vendit dhe punës së palodhshme të kapësve të shtetit për ta bërë jofunksionale atë pavarësi.

 

Ndoshta e mira do të ishte që kur të largohet nga skena kjo kastë e uzurpuesve të shtetit ta marrin edhe flamurin me vete. Por ndoshta me këtë nuk do të pajtohet një brez i rritur në Republikën e pavarur të Kosovës. Nëse nuk pajtohen, do të duhej të pyeteshin, dhe në fund flamuri i Kosovës të përcaktohej edhe në formë me ligjin përkatës.

 

Ky brez do të bënte mirë të pyetej në një referendum. Sepse, siç thotë Kushtetuta në nenin 1:

 

1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.

 

Ah, po, vetëm mungon një detaj i vogël. Referendumi përmendet në Kushtetutë, por Kosova nuk ka ligj për referendum. Diçka si puna e flamurit.

 

5.

 

Prej ditës kur u soll në Parlament ai që quhet flamuri shtetëror i Kosovës, sipas shënimeve të një hulumtuesi serioz, 185 mijë kosovarë kanë kërkuar azil në shtetet e Bashkimit Evropian. Mbi dhjetë për qind e popullatës së Kosovës aspiroi të jetojë nën një flamur tjetër, një që simbolizon sundimin e ligjit dhe shtetin social të ekonomisë së tregut.

 

Prej ditës kur u soll në Parlament ky flamur, pritja prej çdo partie në pushtet është të liberalizojë vizat për në BE, në mënyrë që qytetarët të mundë të aspirojnë më lehtë jetën nën një flamur tjetër, që simbolizon sundimin e ligjit dhe shtetin social të ekonomisë së tregut.

 

Është flamur-saldo që tregon kohë urgjente për ndryshime./koha

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00