Shkodra qytetare, si leksion për të gjithë
Ka pasur dy risi kjo përmbytje, në ndryshim nga të kaluarat.
Nga Besi Bekteshi
“Eksperienca, është tipi i mësuesit më të vështirë, më përpara të bën provimin, pastaj të shpjegon leksionin”. Nuk ka asnjë pikë dyshimi në të vërtetën e kësaj fraze e mësipërme, e cila është një nga thëniet më të larta të Oscar Wilde. Kjo frazë ka sot, një nga kuptimet dhe rëndësitë më të mëdha sidomos për zonën e Shkodrës. Kuptohet se si qyteti dhe zona e madhe e Shkodrës është kthyer në kryeqytetin e dytë të Shqipërisë për nga mobilizimi, politika dhe politikanët, për nga masat e marra dhe sidomos për nga qeveritarët që shërbejnë, sëbashku me policinë dhe ushtrinë. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se edhe media është shpërngulur në Shkodër dhe janë evidente dhe pse jo shpesh herë groteske... gazetarë që deri në brez në ujë japin informacione. Ka qenë data 28 dhjetor kur jam kujtuar se “Shkodra është një qytet dhe rreth që mbytet nga uji”. Kam kujtuar se digat dhe kalimi në lëshimin e tij sipas mbushjes së baseneve do të thotë...përmbytje në zonën e Nënshkodrës.
Tani mund të them se sidoqoftë...situata është menaxhuar mirë...në krahasim me vitet e tjera. Biles...shumë më mirë. Ka pasur dy risi kjo përmbytje, në ndryshim nga të kaluarat. E para politika dhe mediat...kanë qenë më afër dhe kanë parë në mënyrë të qartë përmbytjen dhe katastrofën, duke qenë shpesh herë injorantë të plotë të kësaj ndodhie speciale, por që është e sigurtë se do të ndodhi në qytetin midis ujërave dhe në fushën e tij të madhe. E dyta...ka pasur edhe një përdorim të ndytë të frikës...së përhapur ndër banorët e Shkodrës, për tu shfrytëzuar politikisht, kuptohet kundër qeverisjes. Në këtë pikë shprehja e Wilde...shkon plotësisht për të marrë në të dy rastet leksionin mbrapa. Në rastin e parë...duhet të them se eksperienca e përmbytjeve megjithë fatkeqësitë te familjet e shkodranëve...duhet t’ju bëhet leksion. Kurse në rastin e dytë...panikbërësve duhet t’ju bëhet leksion...qëndrimi në përballje me fatkeqësinë, që banorët e Shkodrës...mbajnë prej dekadash dhe pse jo shekujsh. Kaq shumë ka bërë “leksion” kjo përmbytje...sa televizione dhe media qendrore duke bërë politikën e katastrofës kërkonin që banorët të ashpërsoheshin...dhe ato në fakt i kanë zhgënjyer duke pranuar...se e dinë përmbytjen, dhe se kjo nuk është hera e parë.
Por leksioni është leksion...dhe mbi të, nuk duhet të kakarisë politika, e cila kërkon të dënojë pa mësuar në fillim arsyen dhe gjendjen. Asnjëherë politikisht nuk zgjidhet përballja me natyrën...dhe zotin. Çfarë mund të thuhet sot për qytetin e madh verior. Ajo që mund të thuhet është se banorët e Shkodrës, janë të mrekullueshëm edhe kur janë në hall të madh. Pikërisht në lagjet periferike të Shkodrës, por edhe në zonat e ditura të përmbytjes masive...të gjithë kanë pranuar se “kanë ndërtuar gabim”...dhe se e kanë pasur të qartë se do të përmbyteshin në prurjet e larta. Nuk mund t’ju thuhej atyre se “do të çahet diga”...se kjo është absolutisht gabim njerëzor, që do të thotë i qeverisjes. Nuk mund ti thuhet shkodranëve se “Buna ka hyrë për herë të parë”...në lagjet periferike apo edhe në... livadhe. Nuk mund të fitosh pikë politike në Shkodër, duke ju deklaruar...se katastrofa mund të evitohej. Por qeveria...korrupsioni...dhe Berisha...!?? Jo, nuk fiton dot pikë me këtë trend. Sepse shkodranët kanë mentalitete tjetër. Ata, në fund fare mbajnë si përgjegjësitë e veta...si ato të politikës dhe pse jo edhe njohin...ujin dhe qytetin. Siç thonë zakonisht...e dinë të gjithë notin. Më e bukura është se “ankesat e mëdha” televizionet e mëdha kombëtare-private i kanë marrë nga komuniteti Rom dhe Egjyptian...që në fakt është marrë nga buza e ujit dhe çuar për herë të parë në jetën e tyre...në shtëpi normale dhe kushte shumë më të mira jete...se ku banonin me dëshirën e tyre.
Tani leksioni është dhënë në Shkodër...por jo për shkodranët, sepse ato e dinë. Leksioni është për të gjitha qeverisjet në Shqipëri të cilat duhet të kenë një strategji tjetër...antipërmbytje në zonën e Shkodrës. Kjo strategji duhet të derdhë miliona në argjinatura, në sisteme kullimi dhe në disiplinimin maksimal të Drinit, Bunës dhe Kirit. Natyrisht edhe për të mos lejuar qytetarë apo fshatarë, të ndërtojnë pa leje në afërsi të zonës kritike ujëmbledhëse. Kurse për politikën, leksioni është i qartë. Nuk mund të përdoret politikisht përmbytja. Ajo përballohet, ndihmohet sinqerisht për të dalë nga situata, dhe mbyllet goja në sensin e akuzave, të cilat kanë si qëllim votat dhe politikën qorre të ngritjes së tensionit në përmbytje e sipër. Kësaj radhe shteti ka qenë në këmbë...ai ka përgjegjësinë e përballimit të situatës dhe duhet thënë se kanë qenë qeverisja që në përmbytje të tillë...ka pasur angazhimin më të madh të mundshëm. Por ama mbas këtij leksioni...shteti duhet të kthejë vëmendjen nga kjo zonë. Duhet ta kthejë plotësisht dhe me plane të qarta dhe të sigurta...që kur do që të vijë situata...dhe ujërat të ngrihen lart...banorët të mos kenë pasoja të përmasave të tilla. Shkodranët kanë eksperiencë të jashtëzakonshme...me ujin dhe përmbytjen...kjo eksperiencë duhet të përvetësohet edhe nga qeverisjet, politikanët dhe sidomos nga “llafazanët kot” të cilët besoj se nuk janë as politikanë. Qytetarët e Shkodrës janë të jashtëzakonshëm dhe nuk i binden qorrazi politikës, ato janë krejtësisht qytetarë, në çdo drejtim.
Comments (0 posted)
Post your comment