Shefat e rinj lexojnë me kujdes
Mos koha ka ecur së prapthi?! Mos jetojmë në dy dimesione kohe dhe në një dimesion hapësire?!
Nga Yzedin Hima
Ai kaloi shëtitoren e madhe pa u përshëndetur me njeri. Kishte kohë që të njohurit rralloheshin përherë e më tepër dhe qyteti po i bëhej çdo ditë e më i huaj. Te dera e institucionit ku punonte i doli para një burrë trupmadh dhe e ndaloi. Diku e kishte parë e njohur, por nuk po i binte ndër mend se kur e ku.
-Ku vete? – e pyeti trupmadhi me një ton disi kërcënues.
-Në punë, ku tjetër, -iu përgjigj ftohtë. Pse po më pyesni?
-Se kam një porosi nga shefi për ty. Duhet të paraqitesh te zyra e kuadrit, -i foli rëndë – rëndë portieri. Nga toni e kujtoi Selon, “xhelatin” e paraburgimit të paraviteve ’90. Dikur mustaqet e tij qenë bërë tmerri i të burgosurve. Thoshin se të rrinte sa binte shi i kuq. Heqja e mustaqeve allastalin, me ç’dukej, e paraqiste si tjetër njeri, tashmë të reformuar.
Me ç’dukej shefi i ri e kishte filluar reformimin e institucionit që nga porta. Në korridore endej një qetësi e frikshme. U drejtua për nga zyra e kuadrit dhe atje me gjithë mend pati një stepje a frikë të vjetër: ishte po ai shoku Raqi, me po atë xhaketë me kuadrata si dikur në vitet 80 të shekullit të kaluar. Raqi nuk kishte asnjë thinjë, ndonëse nga dita kur i kishte dhënë fletën e pushimit nga puna për shkaqe të biografisë së familjes së tij kishin kaluar më shumë se tri dekada.Sikur kishte dalë drejt e nga ajo kohë. Instiktivisht vuri dorën mbi flokët e tij, tashmë të rralluar dhe të thinjur. Po si ka mundësi? – pyeti me zë të lartë. Unë atëherë isha fare i ri, ndërsa ky qe mesoburrë. Mos koha ka ecur së prapthi?! Mos jetojmë në dy dimesione kohe dhe në një dimesion hapësire?!
-Aaaaaaaaa... erdhe ti! Raqi i zgjati majën e gishtave, duke i vënë kufi prekjes nga dora e tjetrit, gishtin e madh. Sapo i preku majat e gishtave të shefit të burimeve njerëzore, ky i fundit e tërhoqi dorën sikur të kishte prekur korrentin. E kapi epilepsia e dikurshme e luftës së klasave, - mendoi i sapoardhuri. U hap e njëjta dosje e kuqe, dhe Raqi me të njëjtën qetësi po e shfletonte si dikur, para më shumë se tri dekadave. Po tmerri e kapi përsëri, kur ai nxori një laps kopjetiv, nga ata që kishin të paktën një çerek shekulli që qenë zhdukur nga qarkullimi dhe, pasi e leu me pështymë, ia zgjati për firmë.
-Firmosni këtu që e morët lajmërimin e pushimit nga puna. Duhet ta kuptosh, e bëjmë për reformë. Evropa nuk na pranon pa bërë reformat e duhura.
-Një minutë ti shok... zotëri a si e ke! Kesha edhe diçka për të thënë. Ke shkruar se ti dhe shokët e tu keni një armë të fortë, shkrimin, ndërsa për shefat tanë ke shkruar se kanë një armë të tmerrshme, mosleximin. Ja këtu ke gabuar. Shefat tanë, vërtetë nuk kanë bërë shkollë, por diplomat i kanë, madje nga dy e tre për kokë. Ata vërtetë nuk lexojnë, por jemi na, që edhe lexojmë edhe shkruajmë. Pastaj nxori nga xhepi i xhaketës me kuadrata lapsin kopjetiv dhe e pështyu fort majën e tij të mprehur me kujdes.
Comments (0 posted)
Post your comment