Katër rrëfenja paradoksi e padukshmërie
Në fakt, apeluesit e të kaluarit të Ligjit për demarkacion nuk kërkojnë viza, por lëvizje të lirë, pa viza, ashtu siç premtohet me liberalizim.
Nga Veton Surroi
Kthimi tek kuptimi burimor i fjalës "viza".
1.
Është një fenomen që quhet "shkarje gjuhësore", "parapraxis", apo "rrëshqitje frojdiane". Ka të bëjë me të njëjtën gjë. Është ai momenti kur goja nxjerr fjalët jo tërësisht nën kontroll të vetëdijes, por nga nënvetëdija. Për ta thjeshtësuar, janë ato fjalë që njeriu nuk do t'i nxjerrë, ndonëse janë pjesë të besimit të tij.
Ja një shembull: "U arrit konsensusi mes koalicionit qeveritar dhe LDK-së për Ligjin për demarkacion". Ky ishte titulli më i cituar në mediat e Kosovës gjatë javës së kaluar, kur kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe zëvendëskryeministri Pacolli u pajtuan me formulën e LDK-së për dakordimin e Projektligjit për demarkacion.
Kjo informatë ka dy probleme. Fillimisht është e pasaktë, meqë pjesë e koalicionit qeverisës është edhe Lista Serbe, e deputetët e saj nuk janë pjesë të konsensusit. Rrjedhimisht, nuk ekziston konsensusi. Dhe aty fillon problemi i dytë, ngase diskurset politike shqiptare dhe ato serbe ,tashmë, besojnë në këtë pasaktësi. Për politikën dhe mediat shqiptare, në "parapraxis", koalicioni qeverisës përbëhet prej partive shqiptare; Lista Serbe dhe minoritetet e tjera janë aty vetëm kur duhet siguruar votat për themelimin e Qeverisë. Pjesën tjetër të mandatit jetojnë të padukshëm, derisa të shfaqen si problem.
Për politikën dhe mediat serbe vlen pothuajse e njëjta gjë. Lista Serbe merr pjesë në "Institucionet e vetëqeverisjes vendore" me Rezolutën 1244. Qeveria, shteti i Kosovës, institucionet e saj - janë të padukshme, derisa të bëhen problem.
Pastaj të dy palët shkojnë në Bruksel, për të dialoguar, muaj pas muaji, vit pas viti, për probleme të padukshme.
2.
Në diskursin politik kosovar tashmë është krijuar një shprehje pothuajse konsensuale, për të mos thënë gjithëpopullore, e cila, e dëgjuar në Parlament e media, përafërsisht thotë:
- Kaloni demarkacionin që të kemi viza! (me formulime të ndryshme thirrëse: "Aman, kaloni...", "Hajde, mo, kaloni...".
Formulimi i kësaj fjalie jep edhe një rrëshqitje frojdiane. Në fakt, apeluesit e të kaluarit të Ligjit për demarkacion nuk kërkojnë viza, por lëvizje të lirë, pa viza, ashtu siç premtohet me liberalizim.
Apeluesit kosovarë kërkojnë, pa e ditur, kuptimin burimor të fjalës viza. Në origjinë, fjala vizë rrjedh nga "charta visa", letra që është parë. Apeluesit kosovarë duan që, me të parë letrën e tyre, pasaportën, të lejohen tej kufirit; kërkojnë që njëherë të parë të bëhen të padukshëm.
3.
Njëmbëdhjetë për qind e popullatës së Kosovës, rrafsh 198 mijë e 50 qytetarë të saj, thotë Instituti GAP, kërkuan azil së paku një herë në vendet e Bashkimit Evropian gjatë dhjetë vjetëve të pavarësisë së Kosovës. Deshën të bëhen të padukshëm.
Ekonomia e Kosovës bazohet në lëvizje të parave të njerëzve të padukshëm. Ata janë eksporti më i mirë i vendit; shkojnë si vend pune jashtë dhe dërgojnë para prapa. Të padukshmit janë investimi më i mirë. Nuk kërkohen, si për çdo investim tjetër në ekonomi, rend e ligj, sisteme bankare e garanci, atmosferë për "doing business". Kërkohet vetëm një rrugë e mirë për t'i larguar. Pushteti, pastaj, i merr paratë e tyre nëpërmjet taksave dhe doganave, i rishpërndan në atë mënyrë që të përfitojë familja e madhe fisnore e pushtetarëve. Ata që nuk përfitojnë duhet të shkojnë si eksporti ynë më i mirë dhe të dërgojnë para mbrapa, në mënyrë që ekonomia të vazhdojë të funksionojë.
Sipas Institutit GAP, shndërrimi i 11 për qind të popullatës në të padukshme na ka kushtuar rreth gjysmë miliardi euro dhënë trafikantëve të qenieve njerëzore. Nëse na liberalizohen vizat, kursejmë dy deri në tre mijë euro për person, para që mund të kthehen në sistemin e rishpërndarjes së punëdhënësit tonë më të madh, Qeverisë.
4.
Gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Samitin e BERZH-it në Londër iu prezantua një analizë trishtuese, qoftë edhe në variantin më optimist. Në atë, më optimistin, vendet e Ballkanit Perëndimor - të braktisura nga paqja, zhvillimi, rendi e ligji - do të mundë ta zënë hapin me vendet e BE-së pas 40 vjetësh. Në variantin pesimist, vendet e Ballkanit Perëndimor do të mundë ta zënë BE-në pas 200 vjetësh.
Nikoqiri i këtij takimi duhet të dijë një gjë a dy për këtë. I lindur në Jalpaiguri në Bengalin Perëndimor (në Indi, komshi me Bangladeshin) si i ri u shndërrua në të padukshëm. Kur u bë i dukshëm, qe student i universiteteve të mira angleze, pastaj qytetar britanik, i punësuar në institucione të ndryshme britanike. Sot njihet si Sir Suma Chakrabarti, pa dyqind vjet të ndërmjetëm. /koha.net
Comments (0 posted)
Post your comment