Një shekull dashuri
Gjurmët që kjo bijë e kombit la në historinë e njerëzimit janë të pashlyeshme.
Artan Grubi
Në fund të gushtit të këtij viti përmbushën 100 vjet nga lindja e bijës më të madhe të kombit shqiptar, Gonxhe Bojaxhiu e njohur në gjithë botën si Nëna Tereze. Gonxhja lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910. Si asnjë person tjetër në botë, Nëna Tereze është figurë që flet fuqishëm edhe kur nuk është më ne mesin tonë dhe vazhdon të reflektojë dashurinë për të afërmit, tolerancën, paqën dhe solidaritetin. Kombi shqiptar i fali gjithë njerëzimit nënën që i mungonte dhe ajo na nxorri faqebardhë duke vazhduar mrekullitë shqiptare për njerëzimin.
Rruga dhe veprimtaria e saj vetëmohuese identifikohet edhe me fatin e vendit të saj për të cilin dha një kontribut të jashtëzakontë. Figura e saj dhe vlerat të cilat i përfaqësonte lidhen ngushtë me karakteristikat e kombit shqiptar ndër të cilat shquhet toleranca ndërfetare shqiptare e cila si urë lidhëse ndërshqiptare duhet të shërbejë si shembull për gjithë botën e mbarë për marrëdhënie konstruktive midis besimeve të ndryshme.
Gjurmët që kjo bijë e kombit la në historinë e njerëzimit janë të pashlyeshme. Papa John Paul II do të thoshte që Nëna Terezë e shënoi historinë e shekullit të kaluar me guxim. Ajo u shërbeu njerëve duke promovuar dinjitetin e tyre dhe respektin. Në natën kur Gonxhja kaloi në amshim, Presidenti Francez Jacques Chirac do të thotë: Sonte ka më pak dashuri, më pak ngushëllim, më pak dritë në gjithë botën. Ajo na la një porosi të fuqishme e cila nuk ka kufi dhe depërton përtej fesë: ndihma, ndëgjimi, solidariteti. Ndërsa Presidenti i Afrikës Jugore Nelson Mandela tha: Humbje për gjithë njerëzimin. Ajo do të na mungojë shumë në përpjekjet tona për të ndërtuar paqë ndërkombëtare dhe një rend botëror ku ka drejtësi dhe barazi.
Qëllimi i këtyre rreshtave është që të senzibilizojë institucionet shtetërore dhe opinionin publik shqiptar në Maqedoni rreth rëndësisë së madhe të këtij përvjetori. Qe vitin e kaluar, në Kosovë u themelua këshilli organizativ për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së të shenjtës Nëna Terezë, i cili është i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Ipeshkvisë, Institutit të Historisë, Presidencës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu e shpalli vitin 2010 si "Viti i Nënës Tereze".
Autoritetet e Kosovës kanë hapur dialog edhe me vëllezërit në Shqipëri ku kryeministri Berisha gjithashtu i dha nismën aktiviteteve për këtë manifestim të krenarisë shqiptare dhe botërore. Ftesa e hapur e kryeministrit shqiptar gjatë takimit me Papën Benedict XVI në Selinë e Shenjtë në Vatikan me gjasë do të rezultojë me vizitën e Atit të Shenjtë në Tiranë
Në vendin e lindjes së saj, parlamenti dhe ministria e kulturës kanë miratuar program për shënimin e këtij përvjetori të rëndësishëm. Këto autoritete, që refuzojnë ta quajnë Nënën Tereze shqiptare dhe shpikën kombësinë "shkupjane", në vitin 2007 sollën vendim për ndërtimin e kishës ortodokse mbi pllakën përkujtimore që shënon shtëpinë e lindjes së Nënës Terezë. Për t'a mundësuar këtë falsifikim dhe zhbërje të trashëgimisë shqiptare në sheshin e Shkupit, autoritetet e vendit kishin pregaditur plan makevijalist për t'a zhvëndosur vendndodhjen origjinale të shtëpisë. Disa herë më radhë, ZGJOHU!, bashkë me organizata tjera, protestoi para shtëpisë së lindjes si dhe gjatë inaugurimit të falsifikimit tendencioz. Alarmuam gjithë hapësirën shqiptare dhe ndërkombëtare. Ky kapitull i betejës për t'a mbrojtur shqipërimin e Shkupit vazhdon dhe duke u thirur në këtë përvojë të hidhur, kemi drojë se shënimi institucional në Shkup do t'i reflektojë vlerat përvetësuese që i ka kjo qeveri për figurat tona kombëtare si dhe ato asgjësuese për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve nga kryeqendra e Dardanisë dhe Vilajetit të Kosovës. Andaj, Lëvizja Qytetare ZGJOHU! ka pregaditur një propozim proekt për shënim madhështor të këtij përvjetori dhe uron të gjejë mbështjetjen institucionale dhe të shoqërisë shqiptare në Maqedoni për të cilën do të hapim dialog gjithëpërfshirës.
Tre vite më parë, më 17 Janar 2007, Lëvizja ZGJOHU! ishte e vetmuar në shënimin e përvjetorit të vdekjes së kryetrimit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Asokohe cituam Nietzsche që thoshte: "Me të drejtë thuhet që një popull karakterizohet jo aq fort nga njerëzit e tij të mëdhenj, se sa nga ajo se si sillet ndaj tyre." Sot, shumë institucione bashkangjiten në shprehjen e nderimeve ndaj më të madhit të kombit. Uroj që në 100 vjetorin e lindjës së shqiptarës Nëna Tereze, populli shqiptar në Maqedoni të dalë faqëbardhë dhe të gjykohet për mënyrën së si ka shënuar këtë datë të madhë për kombin dhe për njerëzimin.
Comments (0 posted)
Post your comment